Dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare

Kryeministri Berisha: Dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare
 
- Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan sot letrën e mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në.

- Ann Margaret Westin: Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim.

Qeveria shqiptare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkruan sot letrën e mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në. Dokumenti u firmos në Kryeministri, nga Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Shqipëri Ann Margaret Westin. Ky dokument do të miratohet nga bordi i FMN-së në Uashington në fund të janarit, kur përmbyllet programi 3-vjeçar i Shqipërisë me FMN-në.

Pas nënshkrimit të dokumentit, Kryeministri Berisha u shpreh se dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare.

“Dita e sotme – tha Kryeministri - shënon fundin tranzicionit të ekonomisë shqiptare. Sot u firmos fundi i tranzicionit të një prej ekonomive më të centralizuara në Europë dhe në botë dhe tani ajo ecën me institucionet e maturuara të saj. Për një vend demokratik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një ekonomi solide tregu, pa të cilën ajo nuk mund të ekzistojë.”

Kryeministri Berisha e vlerësoi nënshkrimin e këtij dokumenti një moment të veçantë që mbyll me sukses një program për të nisur një bashkëpunim të ri me FMN-në.

“Ky është një rast për t’i shprehur falënderimet e mia më të sinqerta FMN-së, e cili nisi punën në Shqipëri në një periudhë kolapsi total ekonomik e financiar me një inflacion 3 shifror, një deficit buxhetor 49 për qind, me një rënie dramatike të ekonomisë shqiptare. Gjatë këtyre viteve. FMN-ja është provuar një partner i shkëlqyer që ka ndihmuar qeveritë shqiptare në hartimin e politikave fiskale e monetare që kanë garantuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e shëndetshme ekonomike të vendit. Në këtë kontekst kjo është një mbyllje fatlume dhe krenare, sepse ky program mbyllet në një kohë kur Shqipëria ka një stabilitet të shkëlqyer makroekonomik, mbyll vitin me inflacion rreth 2.2 për qind, me një rritje ekonomike të pakrahasueshme në rajon dhe më të lartat në Europë, me një ekonomike të gjallë e dinamike,” u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të punuar me të njëjtin seriozitet me FMN-në edhe në këtë stad të ri të bashkëpunimit.

“Unë shoh me shumë kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit me FMN-në, duke e garantuar se në këtë stad të ri bashkëpunimi që hyn qeveria shqiptare ne jemi të vendosur të ndjekim me seriozitetin më të madh projektimet e FMN-së. Dy ditë më parë ne miratuan buxhetin afatmesëm duke mishëruar aty të gjitha parimet e domosdoshme për garantimin e stabilitetit ekonomik, rritjes ekonomike, në një kohë kur vendet e thera po rrisin deficitet buxhetore ne po i ngushtojmë dhe jemi të vendosur ta ngushtojmë.”

Me këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet për ndihmën shumë të çmuar të FMN-së në konsolidimin e praktikave më të mira në institucionet, duke qenë dhe një promotor në inkurajimin e qeverisë shqiptare drejt privatizimeve të mëdha.

“Dua të falënderoj zonjën Ann Margaret Westin për përfundimin e shkëlqyer të programit, të falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ekipin. Kanë qenë tre vite realisht të suksesshëm, tre vite debati intensiv, por edhe mirëkuptimi të madh.”

Zonja Ann Margaret Westin, përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Tiranë u shpreh se tashmë Shqipëria i është bashkuar vendeve në zhvillim, duke siguruar për vazhdimin e mëtejshëm të mbështetjes. 

“Gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim. Shqipëria që në fillim i është bashkuar programit të FMN-së dhe programi i fundit ishte i 6-i. Gjatë këtyre programeve, ne jemi fokusuar në çështje themelore që kanë të bëjnë me stabilitetin makroekonomik, si dhe në reforma kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Këto programe kanë të bëjnë me administratën e taksave, menaxhimin, mbikëqyrjen e bankave, statistikat dhe privatizimin e sektorëve. Pavarësisht se sot mbyllim programin, ne do ta mbështesim Shqipërinë nëpërmjet konsultimeve apo programeve të asistencës,” u shpreh znj. Westin.

Ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se progresi i arritur gjatë zbatimit të marrëveshjes së fundit 3 vjeçare me FMN-në mundësoi kalimin në këtë nivel të ri më të lartë të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Marrëveshja e fundit 3 vjeçare, përfundimi me sukses i objektiva të saj, rritja e nivelit të maturitetit e institucioneve të shtetit shqiptar për të menaxhuar financat publike, zhvillimi i reformave ristrukturore në shkallë të gjerë e bindën FMN-në për të graduar Shqipërinë, për të kaluar nga faza e mbikëqyrjes në kuadrin e programit për zbutjen e varfërisë dhe nxitjen ekonomike, në një program të ri, i cili nënkupton artikullin 4 të FMN-së. Shqipëria kalon nga mbikëqyrja e drejtpërdrejt dhe e hapur, në një mbikëqyrje të dy-tre parametrave kryesorë makroekonomikë,” u shpreh Bode.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani vlerësoi si arritje të rëndësishme në këtë bashkëpunim të ngushtë me FMN-në në Shqipëri ndërtimin e strukturës dhe infrastrukturës së nevojshme për një shtet demokratik, duke veçuar krijimin e Bankës së Shqipërisë, të sistemit të kursit të këmbimit etj..

 Kryeministri Berisha dhe znj. Ann Margaret Westin i përgjigjen interesimit të mediave për rritjen ekonomike në Shqipëri
 

Në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të Letrës së Mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6 dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në, Kryeministri Berisha dhe Përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, znj. Ann Margaret Westin, iu përgjigjën interesimit të mediave për rritjen ekonomike në Shqipëri.

Pyetje: Zonja Margaret Westin, sipas vlerësimeve të FMN-së, sa rezulton rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2008?

Zonja Ann Margaret Westin: Shumë faleminderit për pyetjen. Besoj se niseni nga botimi së fundi i parashikimeve tremujore të GDP-së për vitin 2008, për Shqipërinë.  Jemi të gëzuar për nxjerrjen e këtyre treguesve dhe jemi të lumtur që kemi ndihmuar me një ekspert në këtë fushë. Është e qartë se këta tregues tregojnë një rritje ekonomike, deri në fund të tremujorit të tretë, prej rreth 10 për qind. Ka diçka, Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit, pra treguesit tremujor të PBB-së, mbështeten në disa indikatorë dhe këta indikatorë janë më të ngushtë sesa ata me të cilët matet rritja vjetore e PBB-së. Ka një tendencë që treguesit tremujor të jenë më të luhatshëm.

Gjithashtu, është krejtësisht e natyrshme që, meqenëse është hera e parë që ato publikohen, këto rezultate do të jenë subjekt i rishikimeve. Mënyra se si është matur PBB-ja tremujore reflekton edhe formalizimin e ekonomisë, pra, kalimin e bizneseve nga sektori informal në atë formal. Por, nëse formalizimi i ekonomisë është një fenomen shumë i mirëpritur, kjo nuk  do të thotë domosdoshmërish rritje ekonomike në vetvete.

Për rritjen vjetore të PBB-së për vitin 2008, mbajmë parashikimin tonë për 6 për qind. Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse, që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi  dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh. Sa për t’ju rikujtuar, në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë viti dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës.

Kryeministri Berisha: Rritja ekonomike ka qenë një diskutim i vazhdueshëm midis Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare. Rritja ekonomike 6 për qind është një rritje e shkëlqyer, por shifra e vërtetë e rritjes ekonomike është shumë e rëndësishme për një qeveri, sepse mbi bazën e saj qeveria nxjerr disa tregues, mbi performancën e saj, në të cilën rritja është e rëndësishme për zgjedhjen e treguesve, por, se çfarë shifre shkon mbi 6 për qind, unë ju garantoj se për qeverinë, si program, nuk është parësore. Në këtë kontekst, praktikë universal botërore është përcaktimi i rritjes ekonomike në 3 muaj  dhe më pas, rritja  vjetore.

Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi.

Ndaj, duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t’ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave. Kjo sepse është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera; e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe e dyta, viti 2008 ka qenë viti në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare.

Unë pres që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike. Natyrisht, parashikimet janë të pranueshme, sepse për të parashikuar vitin 2009, ose për të përcaktuar buxhetin dhe politikat e vitit të ardhshëm, duhet të bazohesh mbi parashikimin dhe jo të presësh rezultatin vjetor, i cili del nga muaji mars.

Problemi juaj si media është ky: Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus,  pasi nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë  që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre. Por juve ju interesojnë kundërshtitë ose diversiteti, që është sigurisht një pjesë shumë normale e jetës.

5 Komente

....Problemi juaj si media është ky: Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus,  pasi nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë  që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre....

 

Me duket mua apo e ka thene pak me nerv kete te fundit? smiley  

Unë skam pa gjo! Nëse duke e thënë ka lëviz kokën me drejtim nga maja e kpucës së majtë dhe krahun në drejtim vendlindjen (verilindje), me inot ka qënë. Po ka zmadhu dhe sytë si b0le dashi, atëherë e sigurt që e ka pat me inat.

 

 Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi.

 e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 

I madh ë? smiley

Ore hallall thuaj. Tu befte dita sa e Policit qe merr nga ditet e tua. Po as na thua se pse paskemi qene ne "tranzicion"....dhe perse eshte dita e fundit. Edhe Fmn-ja me "plan tre vjecar" paska ecur ????? Perse nuk i paskeni bere 5 vjecar ???......."rritja e nivelit të maturitetit e institucioneve të shtetit shqiptar për të menaxhuar financat publike, zhvillimi i reformave ristrukturore në shkallë të gjerë e bindën FMN-në për të graduar Shqipërinë, për të kaluar nga faza e mbikëqyrjes në kuadrin e programit për zbutjen e varfërisë dhe nxitjen ekonomike, në një program të ri, i cili nënkupton artikullin 4 të FMN-së. Shqipëria kalon nga mbikëqyrja e drejtpërdrejt dhe e hapur, në një mbikëqyrje të dy-tre parametrave kryesorë makroekonomikë,” ..... Keshtu na thote ky i YTI -BODJA ???????? Po halli qe ne nuk dime as artikullin 3 - jo me te dime te katertin ? Pse si paska konkretizuar ne DY ose TRE parametrat KRYESORE  por i paska si nja dy a tre ..Pse dy ..po sa.. tre ...pse tre... po sa Pese .

Me keto fjalime tip konkluzione plenumesh, JEMI NGOPUR deri ne FYT. As nje tregues per QENDRUSHMERI...Gjithshka efemere ...e rrezueshme nga cdo argument i cdo krahu POLITIK qe mund t'ja shaleroje PUSHTETI ! Dhe keshtu do te ndodhe perderisa kjo e ashtuquajtura FMN te kete perfunduar misionin e GRYKESISE dhe BABEZISE te "experteve" te saje propogandistik , te ndare e Perkrahur nga servilet tane me PUSHTET !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).