Deputetët, privilegjet e reja që përfitojnë në doganë

Qeveria ka menduar t’u krijojë një tjetër favor 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, duke i përjashtuar ata nga detyrimi doganor për sjelljen e automjeteve brenda territorit shqiptar. Vendimi i qeverisë mban datën 5 gusht 2008 dhe është një shtesë në Vendimin numër nr. 205, datë 13.4.1999 të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Dispozitave Zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar. Sipas këtij vendimi të qeverisë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë ushtrimit të mandatit katërvjeçar, gëzon të drejtën e përjashtimit nga detyrimet doganore të importit për automjetin që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij si deputet. Sipas nenit dy të këtij vendimi,
e drejta e përjashtimit fitohet vetëm pas dorëzimit në strukturat doganore të dokumentit që vërteton se pronari i automjetit është deputet. Neni 3 i këtij vendimi thekson se përjashtimi i detyrimit doganor përfitohet në çastin e kalimit në doganë të automjetit, në emër të deputetit.
“Deputeti, në rast tjetërsimi të mjetit te një palë e tretë, bën zhdoganimin e automjetit, në vlerën që duhej paguar në doganë në çastin e hyrjes së automjetit në territorin doganor. Pas pagimit të detyrimit, deputeti fiton të drejtën e përfitimit për përjashtimin nga detyrimi doganor i automjeteve”, - vijon më tej ky vendim, i cili thekson se deputeti nuk mund të ketë për përdorim vetjak më shumë se një automjet, të përjashtuar nga detyrimet doganore të importit.

Statusi i deputetit

Deputeti, në bazë të statusit nuk paguan taksa kufitare kur kalon kufirin, përfiton pasaportë diplomatike për vete dhe gruan, ka të drejtë të marrë kredi me kushte lehtësuese për shtëpi dhe mund të importojë një makinë pa doganë. Sipas ligjit, deputeti që nuk banon në qytetin e Tiranës përfiton dieta gjatë kohës që merr pjesë në mbledhjet e Kuvendit, të komisioneve e mbledhjet e grupit parlamentar, ndërsa deputetët që banojnë në Tiranë përfitojnë dieta për ditët e shërbimit jashtë Tiranës. Dieta e kryetarit, zëvendëskryetarëve dhe deputetëve janë në masën 4% të pagës mujore të tyre. Deputeti që shkon me shërbim jashtë shtetit nga Kuvendi përfiton dietë ditore, sipas akteve të miratuara nga Kuvendi. Në rastet kur ai caktohet të marrë pjesë në delegacionet qeveritare ose të institucioneve të tjera, shpenzimet mbulohen nga institucioni që e ka ftuar, duke përfituar dietën sipas akteve të miratuara nga Këshilli i Ministrave. Deputeti ka të drejtë të pajiset me automjete nga Kuvendi. Shpenzimet për transport (shofer, karburant, shërbime teknike) përballohen nga Kuvendi, sipas kuotave të përcaktuara në vendimin e Kuvendit. Deputeti pajiset me shërbim telefonik. Vlefta e shpenzimeve për shërbimet e telekomunikacionit përcaktohet me vendim të Kuvendit. Shpenzimet e mësipërme për kryetarët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve të përhershme parlamentare janë 20% më të larta se ato të deputetit. Institucionet e administratës publike, në të cilat deputetët kanë qenë të punësuar, pas mbarimit të mandatit të deputetit dhe nëse nuk kanë arritur moshën e pensionit, janë të detyruar ta rikthejnë atë në vendin e mëparshëm të punës ose t’i ofrojnë, brenda një viti nga koha e mbarimit të mandatit, një vend tjetër pune të ngjashëm ose të përafërt me atë të mëparshmin.

16 Janar 2009

1 Komente

Me sa duket kane ren ne vuajtie te madhe deputetet tane, opo vuajtie vuajtie.......

lere lere mos e pyet.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).