Dekretohet Kodi, "shkrihet" KQZ-ja

TIRANË- Komisioni Qendror iZgjedhjeve është institucioni i parë që do të preket nga zbatimi i Kodit të ri Zgjedhor. Ende pa hyrë në fuqi, forcat kryesore politike do të angazhohen për gjetjen e kandidaturave të reja, që do të plotësojnë numrin 7 të anëtarëve të përcaktuar në Kod. Brenda muajit janar, të 7 anëtarët e rinj duhet të jenë miratuar nga Kuvendi për të filluar punën në muajin shkurt. Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën se kanë filluar bisedimet brenda kësaj partie, për anëtarët e rinj.

Anëtarët

Nga data 29 nëntor, ditë në të cilën Presidenti i Republikës dekretoi Kodin e ri Zgjedhor, e deri në fund të këtij muaji, 2 anëtarë të KQZ-së duhet të propozohen nga partia që ka numrin më të madh të vendeve. 2 anëtarët e tjerë do të propozohen nga partia e opozitës parlamentare që ka më shumë vende në Kuvend, pra nga Partia Socialiste.

Anëtari i pestë i KQZ-së do të zgjidhet nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare, duke përjashtuar partinë më të madhe të grupimit të shumicës. Ndërsa anëtari i gjashtë zgjidhet nga kandidatura të propozuara nga grupime deputetësh të partive opozitare parlamentare, duke përjashtuar partinë më të madhe opozitare. Anëtari i shtatë, që do të jetë edhe kryetari i KQZ-së, duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, anëtarët aktualë të KQZ-së, do të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin me anëtarët e rinj. Si asnjëherë tjetër, shumica e anëtarëve të KQZ-së, (përveç kryetarit Çlirim Gjata) nuk kanë pranuar të bëjnë komente mbi zëvendësimin e tyre. Largimi i tyre, sipas këtij Kodi, është shumë i butë dhe shoqërohet me benefice.

Anëtarëve aktuale, të cilëve do t’u ndërpritet mandati, do të përfitojnë pagën e funksionit deri në përfundimin e mandatit, por jo më shumë se tre vjet. Njëkohësisht, anëtari i larguar do të kthehet në vendin e punës së mëparshme ose do të emërohet në një vend ekuivalent me të.

Kodi Zgjedhor

Në fund të sesionit të kaluar parlamentar, Kuvendi miratoi me 116 vota Kodin e ri Zgjedhor. Ky ligj i miratua së pari nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, që u konstituua për herë të dytë me vendim të Kuvendit. Anëtarët e komisionit për zgjedhjet u rimblodhën për të shqyrtuar vetëm dekretin e Presidentit. Në përfundim të negociatave, kryesisht mes dy partive të mëdha, u ra dakord që Presidenti i Republikës të dekretonte datën e zgjedhjeve brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Nuk dihet ende se sa është numri i saktë i zgjedhësve, që do të duhet të pajisen me karta identiteti, dhe koha për pajisjen e shtetasit të fundit

Kartat e identitetit, sfida e afërt dhe pikëpyetjet që dalin

TIRANË- Muaji janar do të shënojë edhe fillimin e sfidës më të rëndësishme për zgjedhjet e ardhshme, atë të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Kryeministri Sali Berisha, në konferencën e fundit për shtyp të vitit të kaluar, premtoi se në fillim të këtij muaji do të fillojë edhe pajisja e qytetarëve me karta identiteti.

Megjithatë, përpos këtij angazhimi të bërë publik, asgjë konkrete nuk dihet mbi metodat që do të përdoren për pajisjen e të gjithë qytetarëve. Nuk dihet ende se sa është numri i saktë i zgjedhësve, që do të duhet të pajisen me karta identiteti, sa do të jetë koha e nevojshme që do të duhet për pajisjen deri edhe të shtetasit të fundit, dhe cilat do të jetë vendimet që do të duhet të nxjerrë qeveria për të nxitur shtetasit që të pajisen me karta identiteti.

Për këtë të fundit, kryeministri Sali Berisha deklaroi pak kohë më parë se do të negocionte me opozitën. Ndërkohë, në një nga mbledhjet e Komisionit për Reformën Zgjedhore, zv-ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, deklaroi se Shqipëria ka bazën kombëtare të të dhënave të gjendjes civile për rreth 4.2 milionë shtetas shqiptarë.

Në kontratë, po sipas Pones është përcaktuar që të prodhohen jo më pak se 15 mijë karta në ditë, ndërkohë që nuk dihet se sa do të jetë periudha që do t’i duhet kompanisë franceze për prodhimin e tyre, ose më saktë sa karta do të mund të prodhohen e shpërndahen realisht në një muaj. Deri më tani është bërë hedhja e parë e të dhënave sipas softwer-it. Më pas është realizuar një hedhje e dytë e të dhënave, duke u ndjekur nga një proces i tretë, ai i korrigjimit të gabimeve.

Hapi i fundit ka qenë pikërisht kontrolli i certifikimit të të dhënave nga nëpunësit e gjendjes civile. Ministria e Brendshme ka njoftuar se pas hedhjes së të dhënave në mënyrë elektronike, konvertimit të tyre për t'i përshtatur me sistemin elektronik, trajnimit të punonjësve, ka filluar funksionimi i sistemit elektronik i Regjistrit të Gjendjes Civile në të gjithë vendin.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).