Çimka e Financave

Ndërkohë që Ministria e Financave aktualisht është përfshirë në një zënkë me Institutin e Statistikave mbi llogaritjen e rritjes ekonomike në Shqipëri, me Kryeministrin në rolin e një gjykatësi të anshëm më shumë pro INSTAT-it, gjasat janë që në një të ardhme të afërt, prestigji dhe dinjiteti i Financave të pësojnë një ndryshim dramatik. Për mirë në fakt... Në kontrast të paktën sipërfaqësor me rolin e saj, Ministria e Financave ka gjasa të marrë kompetenca përmes strukturave të saj që të përgjojë shkëmbimin e informacionit telekomunikativ. Sigurisht, telefonatat janë të parat në listë.
Projektligji në fjalë, përveçse i jep atribute Policisë Gjyqësore, mbi të gjitha i jep kompetenca përgjuese një strukture brenda Ministrisë së Financave, e cila ka të drejtë të përgjojë telefonata me justifikim luftën kundër korrupsionit. Pas miratimit të një lejeje krejt formale nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Financave ka të drejtë të përgjojë biseda telefonike. Kësaj strukture i jepet e drejta të veprojë mbi baza të dyshimit të arsyeshëm dhe jo mbi bazë të modaliteteve të përcaktuara me ligj.
Gjithçka pritet të mundësohet përmes një ndryshimi në ligjin ekzistues Nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve”. Në variantin ekzistues (Neni 6) përcaktohen organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit: Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Gjithashtu përshkruhen edhe kufizimet përkatëse, sipas të cilave, “asnjë prej institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni nuk ka të drejtë të parashtrojë një kërkesë për përgjim për çështje ose veprimtari që nuk janë parashikuar me ligj në objektin e punës e të veprimtarisë së tyre informativo-gjurmuese”.
Ndërkaq, neni ndryshon, duke e zgjeruar kompetencat përgjuese të qeverisë, përmes fjalëve “ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore...” për sa i përket nenit 8, më parë thuhej se, “Dhënia e së drejtës për përgjim i jepej Prokurorit të Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Mbrojtjes ose ministrit të Drejtësisë, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit”. Ndërsa tani bëhet, pas fjalëve “... ministrit të Drejtësisë...” të shtohen “...ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore...”

Të drejtat themelore
Problemi kryesor i projektligjit lidhet me të drejtat themelore të shtetasve shqiptarë. Veçanërisht për sa i përket të drejtës së jetës private ky ndryshim ligjor paraqitet i rrezikshëm për kompetencat që Ministria e Financave merr dhe për mundësitë që i jepen asaj që të tejkalojë kufijtë. Sipas kritikëve të këtij ndryshimi, kjo i bën strukturat që operojnë nën ombrellën e kësaj ministrie, një rrezik publik për demokracinë e vendit, jetën private të qytetarëve, si dhe shton paranojën dhe nënshtrimin ndaj sistemit. Nga na tjetër është fakt i pakundërshtueshëm se jeta private dhe mosndërhyrja në komunikimet personale, pa prova konkrete, është një e drejtë e pamohueshme e çdo qytetari të një vendi demokratik.
Opozita ka deklaruar ndërkaq se qeveria po shkel të drejtën kushtetuese të jetës private të shtetasve me projektligjin për përgjimet. Kreut i Komisionit për Çështjet Ligjore pranë Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani tha se në vijim të nismave ligjvënëse, antidemokratike që qeveria e Sali Berishës ka ndërmarrë gjendet në Kuvend edhe një projektligj për ndryshim në ligjin për përgjimet telefonike. Ndërhyrja e parë që propozohet është në nenin 6 të këtij ligji, i cili thotë se “Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore”.
Ndërkaq, projektligji në fjalë u miratua në këtë komision nga maxhoranca, ndërsa deputetët e opozitës lanë sallën e diskutimit në shenjë proteste. Deputeti i PS, anëtar i këtij komisioni, Pirro Lutaj thotë për MAPO-n se gjasat janë që ky projektligj të paraqitet për t’u miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në seancën e radhës. Sipas Lutaj, ndryshimet e propozuara paraqesë një rrezik real për demokracinë e vendit, duke qe në se i japin strukturave brenda Ministrisë së Financave, kompetenca përgjuese, të cilat shkojnë përtej funksioneve të ministrisë.
Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë thotë për MAPO-n se ky projektligj mund të mos përbëjë problem nëse zbatohet me korrektësi. Sipas Buxhukut, duke qenë se fokusi është lufta kundër korrupsionit dhe evazionit, masa të tilla janë të nevojshme, por që qëllimi të përmbushet dhe të jetë i besueshëm duhen marrë parasysh edhe masa të tjera siç është vendosja e kasave të regjistrimit të operacioneve financiare të bizneseve. Buxhuku vëren se vetëm duke i shkuar deri në fund masave të tilla në mënyrë të plotë dhe jo selektive mund të garantohet një klimë normale operimi për bizneset, në respektim të detyrimeve ndaj shtetit dhe ligjit.

Precedenti me Dhomën e Tregtisë
Pak kohë më parë qeveria nxorrinjë urdhër të ri, që rrit kontrollin ndaj Dhomës së Tregtisë, institucionit më të lartë në mbrojtje të sektorit privat. Sipas këtij urdhri, monitorimi mbi aktivitetin e Dhomave do të kryhet nëpërmjet sekretarëve të përgjithshëm, të cilët kanë varësi direkte nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Në fillim të 2007-ës, qeveria tentoi të ndërhynte në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë, duke rritur kompetencat e sekretarit, por ligji pësoi sërish ndryshime, duke lënë në fuqi vetëm disa atribute të vogla. Tashmë kur kanë mbetur edhe pak muaj nga nisja e fushatës elektorale, qeveria do ta ketë më të lehtë kontrollin e bizneseve, që janë anëtare të Dhomave të Tregtisë. Nëse me ligjin e mëparshëm, kompetencat e sekretarëve u hodhën poshtë gjatë votimit në Kuvend, kësaj here ndryshimet e reja nuk do të mund të diskutohen, pasi janë bërë në formë udhëzimi, i nxjerrë në shtator 2008 nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Për këtë çështje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nuk dha asnjë koment, por sqaroi se ligji “Për funksionimin e Dhomave të Tregtisë” e ka të caktuar qartë në statut se cili është roli i kryetarit dhe i sekretarit.Në rast se vëren shkelje të ligjshmërisë në vendimet e marra nga organet e Dhomës së Tregtisë, siç janë Asambleja, kryetari, apo Kryesia, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë njofton organin mbikëqyrës (Ministrinë e Ekonomis&eumlsmiley. Brenda 30 ditëve, ministria u kërkon këtyre organeve rishikimin e vendimeve të marra, ose, sipas rastit, marrjen e vendimeve për të cilat janë të detyruara sipas ligjit. Udhëzimi për rolin, funksionet dhe përgjegjësitë e sekretarëve të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë është përgatitur që në maj 2008, por publikimi i tij është bërë këto ditë nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë. Raportimi i sekretarit te ministri bëhet pas çdo inspektimi që do të kryhet ndaj mënyrës së zbatimit të ligjit dhe akteve të tij. Ndërhyrja e qeverisë në aktivitetin e Dhomave të Tregtisë është kundërshtuar fort nga anëtarët e saj, pasi funksionimi i këtyre organizmave lidhet direkt me kuotat që paguajnë bizneset, duke krijuar një buxhet vjetor në shërbim të aktiviteteve të ndryshme.

2 Komente

Eh pike e zeze, paskena qene si popull Spiunash mer aman.

 

 

Vdesim ta dime, se ca bejne te tjeret.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).