Çfarë viti na pret

Ngado që ta shohësh i ka të gjitha shanset, që të hyjë në kujtesën tonë kolektive si një vit i veçantë. Të tillë kanë qenë në fakt për definicion vitet elektorale, me të mirat, por kryesisht me tensionet dhe pasojat e tyre negative. Nëse kësaj premise të frikshme i shtojmë edhe hijen shqetësuese të krizës financiare, e cila parashihet ...t’i zbulojë gjatë 2009 efektet e saj problematike, atëherë nga epruveta del një përzierje që potencialisht mund të krijojë jo pak probleme për politikën dhe qytetarin e thjeshtë, për tregtarin e rrugës dhe biznesmenin shumëmilionësh, për fëmijët dhe pensionistët, të papunët dhe ata që presin të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me vendin e punës që kanë.
Viti ku po hyjmë mbart që tani mbi vete humorin e keq që kanë disa ngjarje të mëdha politike të vitit të shkuar. Qeveria u mundua pa shumë elegancë të mbyllë vrimat në buxhet, po aq sa edhe ato në dosjet hetimore të korrupsionit që kanë marrë tashmë rrugën e gjykimit. E mbyllëm vitin kalendarik me tentativat e Berishës për të sugjestionuar dhunshëm drejtësinë dhe hapëm një vit tjetër me gënjeshtrën trashanike të organeve hetimore, për “vetëdjegien” e makinës së një gazetari para shtëpisë së tij. Tashmë dëshira e maxhorancës për të ndalur dorën e Prokurorisë mbi zullumet e pushtetit, ka marrë formën e një hipnoze grupi. Pa asnjë ide të koordinuar dhe të qartë, Berisha po mundohet t’i shpjegojë shqiptarëve se nëse punët s’kanë shkuar ashtu siç duhet gjatë tre vjetëve të fundit, kjo i detyrohet pesë prokurorëve të kuq dhe dhjetë apo njëqind spiunëve (një pjesë e të cilëve gjallojnë edhe në partinë e tij), që na paskan sabotuar gjithçka. Shumica i kthye kështu idiolatrisë rreckosur të antikomunizmit dhe ky ishte oguri më i keq se edhe gjatë vitit 2009 do të vazhdojmë ta dëgjojmë këtë muzikë hipokrite që s’e besojnë të parët vetë instrumentistët që e luajnë. E krahasuar me vitin 2005, kur Berisha ishte shumë i shqetësuar për t’u paraqitur nën imazhin e një njeriu të ndryshuar dhe kur pozonte në krah të djelmoshave të KOP-it, sot gjejmë në mënyrë të habitshme se ai po investon thuajse gjithçka mbi disa vlera, që kujtoheshin të kaluara për Shqipërinë aktuale. Shkuarja në zgjedhje me fjalorin e rëndë të fitores mbi komunizmin, mund ta spostojë rrezikshëm fushatën e ardhshme, nga problemet e prekshme, tek fantazmat e një kohe tjetër.
Opozita nga ana e saj, zbuloi edhe një herë gjatë vitit 2008 se vijon ta kultivojë me pasion stilin e zhurmshëm dhe konfliktual të së majtës, kudo që ajo të ndodhet, në pushtet a në opozitë. E majta krijoi lajme më shumë se e djathta gjatë 2008 dhe parashikohet ta bëjë këtë edhe gjatë këtij viti, kur shumëçka, përfshirë edhe çështjen e madhe të pushtetit pas zgjedhjeve, pritet ta diskutojë në një tryezë negociatash, që aktualisht s’duket as e afërt dhe as e lehtë. Pas një greve urie, që përfundoi në mënyrë groteske dhe një lumi të pandalur të sharash dhe akuzash mes tyre, LSI e PS ndodhen në fillim të vitit të ri, në pikën aspak të lumtur, kur për t’i afruar disi rreth një filxhani kafeje, duhet të trazohen nga qetësia shtëpiake pesë veteranë të së majtës, që vërtiten sa në “Rogner” aq edhe në Hotel Tirana, për të shkruar rregulla loje që mesa duket janë tejkaluar ende pa u shkruar, nga realiteti i ashpër i gjendjes së luftës së instaluar një herë e mirë mes palëve. Mënyra sesi opozita do të shkojë në zgjedhjet e verës do të jetë njëra ndër telenovelat më pasionante të gjysmës së parë të 2009, megjithëse në radhët e të majtës ka nga ata që janë të gatshëm t’i venë të dyja duart në zjarr, që Rama dhe Meta nuk do të puqen me njëri-tjetrin deri pas numërimit të votës së fundit.
Ky teatër politik absurd konsumohet në këtë fillim-viti, në sfondin e një krize, përmasat dhe konturet e së cilës, mbeten për t’u zbuluar. Nëse sheh atë që flitet dhe debatohet në parlament dhe nëse i hedh një sy halleve të rrugës, kupton se po hyjmë në vitin 2009 të drejtuar keq dhe në mënyrë të çakorduar. Edhe një herë po rrezikojmë të humbim kohë duke harxhuar energji me disiplinimin e impulseve negative të klasës politike, më shumë sesa me zgjidhjen e disa krizave endemike, që po na zënë frymën prej dy dekadash. Tamam si ata priftërinjtë bizantinë që diskutonin për seksin e engjëjve, kur turqit ishin mbi bedenat e Kostandinopojës. Edhe këtë vit, ashtu si në atë paraardhës, me shumë gjasë do të shohim mësues të revoltuar për rrogat, pensionistë të hutuar për ato që dëgjojnë dhe për ato që vërtet kanë në xhepa, pronarë të pakompensuar për pronat dhe minatorë të harruar në galeritë e Veriut. Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, thotë jo pa të drejtë dikush...

11 Komente

Cfare vitit na pret? Sipas horoskopit kinez eshte viti i Bufalos (earth Ox) smiley

Mos beni kaq llafe po organizoni protesta per te mbrojtur prokurorine (meqe e kam shtepine te Amb. Am. une vij po t'i organizoni aty) dhe grupe monitoruesish per zgjedhjet (edhe aty vij, sidomos ne zonat e bukura te veriut po edhe te Vjoses).

Na pret nje vit ku duhet me shume pune. Na duhet pune per te kompensuar pushimet e gjata te qeverise qe fillojne se shpejti me fushaten e korrjes se votuesve.

PS: Minxhozi, si ishte ajo puna e rrogave te mesuesve dhe protestave te ketyre? O shoku gazetar, te pakten ketu ia ke fut kot! Na cmendet me negativitet, i keni bere revistat shqipare te palexueshme. Dhe per fat te keq nuk e kuptoni sa dem i beni ligjerimit shqiptar kur medemek barazpeshoni, duke i fryre cdo zjarri - gjithandej era plehra qe digjen.

fakti qe e ke shpine prane amb.amer. te ben menjehere te pabesueshme ne luften tende ne mbrojtje te prokurorise. Se prokurorine e ka kap vete Uidhersi, dhe Sala po reziston me sa mund qe te mbaje ket shtet te pavarur...

Jam agjente e dyfishte une sol - fakti qe e implikova vete Amb. Am-en flet per kete.

Shef ti, gjithe sulmi ndaj Skenderbeut paska qene ne fakt sulm ndaj Sales, mbrojtesit te Arbrit (thene serish kjo nga nje agjente si doravete)!

Kjo jo vetem qe e ka shtepine prane ambasades, po edhe shpirtin e syte andej i ka. Kjo e ben katerfish te pavlefshme thirrjen e saj per mbrojtjen e institucioneve te pavarura ne nje shtet qe tek e fundit, eshte vete i pavarur : D

 

Degjo pse me demaskoni pikerisht aty ku une kam thene 'mos beni shume llafe'? Pavaresia e shtetit shqiptar eshte e sigurte per sa kohe qe shpirti dhe syte e mi nuk dine nga te shkojne.

Autori ka te drejte te ngreje ato shqetesime, ndoshta druajtje per 2009

 

Por personalisht jam optimist se shumica e gjerave do hecin mire

un them se ky vit ka per te qene i rendesishem sepse do tregoje nese jemi me te vertete ato qe themi apo vetem dime vetem te flasim ne ajer.

Gjersa kriza po troket dhe aty, dhe sipas autorit nuk po ndryshon gje, athere i bie me mire nje qeveri teknike per dy vjet, me ekspertet me te mire. Ne kete menyre na hapet dhe neve eksperteve rruga per te drejtuar. Politikanet, nuk e kuptojne se populli eshte merzitur me ta. Le te bejne nje anketim, se çfar do te zgjidhnin njerzit me mire, nje qeveri me politikane apo nje qeveri me ekspertet me te mire nga perendimi. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).