Cani: Banka të ulë interesat, ekonomia po pëson tkurrje

Banka e Shqipërisë duhet të ulë urgjentisht normën bazë të interesit, në mënyrë që t’i japë frymëmarrje ekonomisë. Për ish-guvernatorin, ky veprim, sot është shumë i vonuar dhe duhet të ishte parashikuar prej kohësh me të paktën 0.5 për qind. Në skanerin që i bën ekonomisë shqiptare dhe pasojave të krizës, Shkëlqim Cani hedh hije dyshimi për efektshmërinë e politikës monetare shqiptare. Duke u ndalur te normat shumë të larta të interesit për valutën, ai nënvizon tre shkaqe: konkurrencën, mungesën e fondeve, pra parave dhe efektshmërinë e politikës monetare. Për ekonomistin e njohur, rënia e ritmit të kreditimit do të ketë një efekt zinxhir ekonomik që do të përfundojë me frenimin e rritjes së GDP-së në të paktën 0.5-1 për qind. Në intervistën për gazetën ai shpjegon luhatjen e kursit të këmbimit, mungesën e eurove në treg, debatin për rritjen ekonomike dhe tërheqjen masive të depozitave nga bankat. “Ndoshta mjaft prej këtyre klientëve kanë tërhequr depozitat dhe i kanë kaluar në bono thesari”.
Gjatë muajve tetor, nëntor, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ka një ulje të depozitave me rreth 40 miliardë lekë. Kjo tërheqje e parave nga bankat, a mund të quhet si fillimi i krizës financiare edhe në Shqipëri?
Ndoshta duhet ta them disi më ndryshe. Kjo është shenjë e një paniku të pajustifikuar dhe të gabuar nga klientë deri diku të nxituar dhe të frikësuar shumë më tepër se realiteti. Nuk do ta quaja sjellje jashtë arsyetimit apo tendencave globale, por kurrsesi racionale. Fare pak nga kjo shumë ka për bazë krizën reale, për periudhën tetor-nëntor 2008. Tërheqja e parave nga bankat nga frika e ndonjë falimentimi të mundshëm dhe për pasojë humbja e parave, nuk ka bazë reale as sot as edhe në një periudhë të arsyeshme në të ardhmen. Siç jam shprehur vazhdimisht, ekonomia shqiptare do të ndikohet dhe është ndikuar nga kriza, por nga të dhënat e deritanishme kjo jo në përmasat që do të prekë sigurinë e depozitave. Këtu duhet sqaruar dhe një moment tjetër. Ndoshta mjaft prej këtyre klientëve kanë tërhequr depozitat dhe i kanë kaluar në bono thesari, si instrument i sigurisë maksimale, gjë që do të më dukej krejt sjellje e arsyetuar dhe pse jo, e mençur prej tyre.
Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur lejimin dhe përdorimin deri në 40 për qind (dy herë më shum&eumlsmiley të rezervës së detyrueshme, për bankat e nivelit të dytë. Një masë për rritjen e likuiditetit të bankave. A është ky vendim, një alarm tjetër për krizën?
Ky është më shumë një detaj teknik që interpretohet më mirë në varësi nga momenti kur është marrë. Për pasojë, sipas mendimit tim, nuk bën pjesë në alarm, edhe pse është marrë në kuadër të goditjeve të marra nga kriza botërore. Por jeni i saktë kur shpreheni për fleksibilitet të likuiditetit të bankave.
Pa e njohur tashmë në të gjitha detajet dhe imtësitë tregun bankar, gjykoj që Banka e Shqipërisë duhej të kishte vepruar në kohë dhe më me ekspertizë edhe në disa elemente të tjerë plotësues (me instrumentet dhe teknikat që ajo ka), për të plotësuar me kosto sa më minimale kërkesat për likuiditet dhe të tjera kërkesa të sistemit bankar e financiar në tërësi. Kriza u ndje më së pari, edhe artificialisht (nga një frikë e ekzagjeruar e klientëve depozitues), në sistemin bankar. Nga informacionet edhe pse jo plotësisht transparente duket që bankat tona janë në përmasa modeste viktimë e krizës së ardhur nga jashtë. Për pasojë dhe ndihma e Bankës së Shqipërisë duhej edhe më parandaluese, sa më pak ose aspak penalizuese dhe sa më bujare. Ky është dhe kuptimi i thirrjes së hershme (diku nga fundi i muajit shtator) për vlerësim sa më realist dhe me plane kontigjence të efekteve të krizës financiare dhe ekonomike globale.
Banka Qendrore Evropiane uli para disa ditësh normën bazë të interesit për euron në 2 për qind. Norma vjetore e Euribor ka arritur në 3 për qind. Nga ana tjetër bankat në Shqipëri vazhdojnë të mbajnë interesa të larta për kreditë në euro. Në raportin e Bankës së Shqipëri shifrat tregojnë një ulje të kredisë së re në valutë me rreth 5 miliardë lekë për bizneset. Sa e frenon kjo ekonominë shqiptare dhe a do të ndikojë në thellimin e krizës në Shqipëri?
Uljet drastike të normave të interesit nga pothuajse gjithë bankat qendrore të globit kanë qenë një veprimtari e paralajmëruar prej kohësh dhe në pothuaj akord të plotë, në disa takime radhazi të liderëve të vendeve apo dhe të financave ndërkombëtare. Kjo qe një masë e argumentuar dhe plotësisht e justifikuar, si për nga aspekti i paketës antikrizë (detyrë shtëpie numër një e bankave qendrore të çdo vendi apo bashkësie vendesh) si dhe për nga fakti që kriza ndryshoi rrufeshëm dhe fuqishëm drejtimin e inflacionit (ishte shumë problematik inflacioni i lartë për gjithë ekonomitë e globit dhe tashmë prej muajsh është problematik kalimi në të kundërtën e inflacionit, në deflacion). Në këtë kontekst do të ishte dashur një parashikueshmëri më e saktë dhe më profesionale edhe nga Banka e Shqipërisë dhe prej muajsh duhej të kishte vepruar në ulje të normës së interesit, me jo më pak se 0.5%.
Ulja e normave të interesit nga bankat qendrore në të njëjtën kohë i përshtatej apo kundërvihej më së miri dhe tendencave të bankave për rritje të interesit të kredive. Kjo, pasi kriza i stepi së tepërmi bankat në dhënien e kredive dhe ka një rënie të madhe të kreditimit në botë.
Më vjen mirë që rënia e nivelit të kreditimit është kaq e ulët tek ne, por besoj që të dhënat e muajve dhjetor e më pas do të tregojnë tendencë në rënie të ritmit të rritjes dhe në kreditimin në Shqipëri. Kjo patjetër që do të çojë dhe në frenim të rritjes ekonomike në vend. Sipas disa llogaritjeve të përafërta që kam bërë, ky ndikim në ritmin e rritjes ekonomike do të jetë afërsisht në 0.5 – 1% për vitin 2009. Eshtë e kuptueshme që lidhja është thuajse e drejtpërdrejtë dhe me thellimin e efekteve të krizës në ekonominë shqiptare, në disa drejtime.
Banka e Shqipërisë nuk e ndryshoi normën bazë të interesit, edhe pse norma bazë e euros është ulur ndjeshëm që nga shtatori. A ka një disporpocion mes dy normave, pasi dihet që mbi këto norma bazë interesi bazohet edhe interesi i kredive dhe depozitave? A është kjo diferencë që i detyron bankat të mbajnë të larta kreditë?
Siç u shpreha dhe më sipër, norma e interesit të lekut tashmë duhej të ishte ulur nga Banka e Shqipërisë dhe kjo në kuadrin e një serie masash të tjera në ndihmë të sistemit bankar të vendit. Edhe pse lidhja e interesave të lekut nuk është e drejtpërdrejt me atë të euros apo dollarit amerikan, indirekt dhe në rastin konkret ka një lidhje të mirë dhe e lehtëson ose më saktë i krijon terren apo sfond favorizues uljes së interesave të lekut. Ulja e interesave nga banka qendrore, përgjithësisht ndiqet nga ulja e interesave të gjithë tregut (depozita, yield apo interesi i bonove, interesi i kredive etj.), në pothuaj të njëjtën masë. Nëse nuk ndodh kështu, Banka e Shqipërisë studion tregun dhe vepron me instrumente të tjera për përshtatjen e tij.
Për fat të keq aktualisht duket që diçka nuk shkon si duhet dhe nuk kemi ulje, por në të kundërtën kemi rritje të interesave në depozita, interesat e bonove dhe të kredive. Për më tepër nuk ka ulje pothuaj as të interesave të instrumenteve në valutë, kur interesat nga bankat qendrore janë ulur në pikiatë. Këtu me sa duket ka dhe probleme të sigurimit të fondeve, por sidomos të një konkurrence që funksionon jo si duhet në sistemin bankar shqiptar apo duhen parë elemente të tjerë të efektshmërisë së politikës monetare. Nëse Banka e Shqipërisë do të veprojë me vonesë, masat e saj do të interpretohen jo në kohë dhe për më keq të përziera me politikë, pasi pothuaj jemi në prag të shpalljes së fillimit të fushatës zgjedhore.
A duhet që Banka e Shqipërisë të ulë tani normën e interesit të lekut?
Më duhet të rikonfirmoj që duhej ta kishte ulur prej shumë kohësh dhe më shumë nga uljet rutinë të saj që jemi mësuar të veprojë.
Sa do të ndikojë ulja e interesit të lekut në kursin e këmbimit? Aktualisht leku ka humbur pikë ndaj euros, edhe si shkak i uljes së parave të ardhura nga emigrantët. Kjo është parë si fillimi i krizës?
Ulja e interesit të lekut, teorikisht duhet të ndikojë në kursin e këmbimit, por në praktikë gjykoj që kjo lëvizje do të jetë pa efekte në kurs, ose efekti do të jetë minimal, krahasuar me të tjerë efekte që potencialisht mund të prekin kursin e këmbimit të lekut. E vërteta është që leku ka humbur diçka terren si ndaj dollarit, ashtu edhe ndaj euros. Njëra nga arsyet e këtij fakti mund të jetë kjo që ju përmendni në pyetjen tuaj, pra nga hyrjet më të pakta të valutës në vend. Nuk do të dëshiroja të besoj që efektet e krizës kanë qenë kaq të shpejta në kursin e këmbimit, edhe pse në fakt efektet më të para në pjesën e valutës duhej të ishin, pasi ka rënie të eksporteve, dërgesave të emigrantëve etj. Por ndërkohë do mendoja që kjo balancohej në fazën e parë dhe nga rënia e madhe e çmimit të naftës, mallrave ushqimore etj., ku ne importojmë jo pak. Një prononcim të kësaj analize do të ishte e preferuar të behej nga Banka e Shqipërisë, që jo vetëm grumbullon të dhënat e mjaftueshme (të paktën më shumë nga kushdo tjetër), por edhe ka mundësitë analizuese. I takon asaj të dalë edhe me vlerësimin e situatës dhe me masat korrektuese që gjykon të marrë (nëse).
Por duhet ditur që gjatë muajit janar të çdo viti përgjithësisht fillon një dobësim i lekut, por kjo duhej të kishte ardhur në kthim të forcimit të lekut në fund të vitit nga sjelljet e valutës nga emigrantët. 
Mendoj që faktorë të tjerë ndikues mund të jenë edhe se bankat janë në blerje të valutës prej kohësh, pasi me sa duket duan të plotësojnë shumën e valutës që kërkon të blejë qeveria për financimin në valutë të rrugës Durrës-Kukës-Morinë, blerje valute për import energjie apo edhe se dy shoqëritë greke të telefonisë celulare këmbejnë lekët e fituara në valutë, për t’i riatdhesuar.
Ka patur një debat deri në nivel qeveritar për rritjen ekonomike. Në të dy rastet edhe shifra e dhënë nga Financat edhe ajo e INSTAT, tregon për një rritje rekord ekonomike në krahasim me vendet e rajonit dhe me ekonomitë botërore në recension. Sa reale është kjo rritje dhe sa e prekshme për qytetarët?
Që në fillim më duhet të shprehem që as nuk e besoj, por as edhe është e vërtetë kjo shifër. Eshtë një shifër që për efektet dhe përgjegjshmërinë nuk duhej nxituar në publikimin e saj. Këtej konkludoj që është një shifër më shumë për qëllime elektorale.
Për fat të keq ky debat argumentues nuk ka në bazë të tij organin e specializuar dhe që paguhet nga fondet e publikut shqiptar – INSTAT si dhe një tjetër institucion po publik dhe i pavarur, që është Banka e Shqipërisë. INSTAT humbi të drejtën morale për t’u mbështetur nga publiku, pasi ka mbajtur një qëndrim politik në mbrojtje nga frika të rritjes ekonomike prej 9.9% për vitin 2008, ndërkohë që po vetë ka publikuar shifra të tjera. Ndërsa Banka e Shqipërisë preferon shmangien nga çdo debat “i nxehtë”, ku mendimi profesional do të qe një rritje e pavarësisë dhe do t’i jepte një mbështetje të fuqishme nga aleati i saj i përhershëm – publiku.
Do të rendis disa argumente për këtë çështje:
1. Matja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me metodën e re është ndoshta ende në testim dhe për më tepër kjo metodë më shumë shërben për të dhënë tendenca të zhvillimit të ekonomisë në periudha më të shkurtra se një vit. Metoda bazë që do të përcaktojë sa ka qenë PBB e një viti do të jetë përsëri ajo që kemi përdorur deri më sot, pasi është më e plotë dhe më e gjerë.
2. Në Shqipëri shifra e saktë e rritjes ekonomike del pas revizionimit dhe jepet si përfundimtare të paktën një vit pas mbylljes së vitit përkatës. Pra, për rritjen ekonomike të vitit 2008 shifra do të dalë, për fat të keq, diku nga fillimi i vitit 2010.
3. Ajo që është më e rëndësishmja është se bazuar në të dhënat e nxjerra nga vetë INSTAT, rritja ekonomike për vitin 2008 (nëntëmujori, pasi tremujori i fundit nuk ka dalë ende) është: 2.1%, 2.6% dhe 1.3%. Pra, nëntëmujori është 6%. Tërheq vëmendjen fakti që tremujori i tretë ka një rritje sa gjysma e tremujorit të dytë, me sa duket thelbësisht nga faktori krizë. Nëse është kështu tremujori i katërt do ta ketë edhe më të rëndë (kështu është ndjerë nga të gjith&eumlsmiley në efektin krizë dhe rritja me sa duket do të jetë pranë zeros. Por kurrsesi nuk mund të jetë më shumë se 1%, por mendoj edhe jo negative tej 1%.
Nga ky arsyetim logjik nuk ka hapësira për rritje ekonomike të Shqipërisë jashtë shifrës 6%, nëse INSTAT nuk kërkon të vetëpërfshihet në lojëra të dëmshme dhe dënueshme politike.
Kriza ekonomike ka sjellë frikën e kalimit të Shqipërisë në deflacion. Një situatë kjo e përsëritur për vendin. Ministri i Financave theksoi se do të përdorë mjete fiskale për mbajtjen e inflacionit në kuotat 2-4 për qind. A mendoni se vendosja e çmimeve referuese, ose dysheme, do të ishte një zgjidhje për Shqipërinë?
Kalimi i Shqipërisë në deflacion është një shaka për momentin. Thirrja e ministrit të Financave në fundvitin që kaloi për të mos ulur çmimet ishte një parodi e pakëndshme dhe shumë e parakohshme. Për më tepër kur dihet që tradicionalisht bizneset rrisin çmimet në prag Krishtlindje dhe fundviti. Por ne kemi dhe një traditë tjetër tejet të dëmshme, që kur duhet të rrisim çmimet pararendim, për ulje çmimesh thuajse jemi tërësisht të shurdhët. Dhe kjo është sjellja e deritanishme në fakt në tregun shqiptar. Arsyet mund të jenë disa, por bazë kanë konkurrencën e deformuar, mungesën e konkurrencës apo dhe ekzistencën dhe veprimin e disa forma monopolesh të hapura e të fshehta.
Më e keqja është që kemi një qeveri që jo vetëm nuk vepron kundër monopoleve, por në të kundërtën i mbron hapur dhe publikisht ato. E keqja nuk mbaron këtu, pasi qeveria vetë krijon monopole, siç është rasti më i fundit në industrinë e hidrokarbureve, në vazhdën e disa rasteve të tjera. Ekonomia e tregut më e pasuksesshme që mund të krijohet është ajo e monopoleve.
Për të dalë tek pjesa e fundit e pyetjes tuaj: jam kundër vendosjes së çmimeve tavan apo dysheme. Po i njëjti ministër vendos çmime dysheme e tavan për çdo mall, përfshirë dhe pagat (pra ndërhyn tej çdo limiti të pranuar në treg) dhe kur i kërkohet të ndërhyjë realisht për raste monopoli në treg (veprim i pranuar dhe imponuar nga çdo vend i përparuar i ekonomisë së tregut, qoftë ky dhe vend i prapambetur nëse doni) del hapur në mbrojtje të monopoleve dhe shprehet që nuk ndërhyn në treg?!!
Ka masa të tjera para se të jetë ndërhyrja e Ministrisë së Financave për të prodhuar inflacion. Ndërkohë që kjo ministri ka prodhuar jo pak inflacion vitin e kaluar dhe potencialisht dhe me buxhetin jo pak elektoral të këtij viti.
Ekonomistët parashikojnë që në kohë krize ekonomike, është qeveria me investimet publike ajo që duhet të mbushë hapësirat që lënë bosh investimet private. A ka kapacitete dhe a duhet të ndërhyrë qeveria shqiptare?
Po, kjo është një nga rrugët e rekomanduara për zbutjen e faktorit krizë. Për këtë arsye kërkova shumë më herët se të miratohej buxheti skenarë nga qeveria. Pra, ideja ime ishte të ndërtohej si fillim një buxhet sa më realist dhe në ndonjë rast edhe disi konservator. Si variant alternativ të kishim dhe një buxhet ku ndikimi i krizës të qe më i përshkallëzuar (më i fuqishëm) dhe si kundërpërgjigje, njëra nga rrugëdaljet të ishte edhe shtimi i investimeve publike. Kuptohet që as që u mor mundimi për t’u debatuar apo ndërtuar ndonjë skenar i tillë, por thjesht pretendohet për një shumë të vënë mënjanë ashtu kuturu.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).