Butrinti, mikrokozmosi i Mesdheut

http://www.butrint.org/images/explore/6_expansion.gif

 

 Qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, daton që në periudhën e bronzit, rreth 3400 vjet para Krishtit

Rizbulimi dhe vëzhgimi i Butrintit dokumentohet së paku në shek.XV, kur atë e vizitoi antikuaristi Kiriako i Ankonës

Qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, i cili daton që në periudhën e bronzit, rreth 3400 vjet para Krishtit, qyteti që spikat për objekte me rëndësi të veçantë, si teatri, baptisteri, kompleksi i ndërtimeve të periudhës mesjetare, prej vitesh ka zgjuar dhe vazhdon të zgjojë interesimin e arkeologëve dhe të turistëve të shumtë vendas dhe të huaj. "Midis të gjitha qendrave arkeologjike klasike të Mesdheut, Butrinti është më pak i njohur dhe më pak i dëmtuar. Ta vizitosh atë sot, është njësoj si të vizitoje Ephesus njëqind vjet më parë, pa vende parkimi për makinat, pa tenda me suvenire për vizitorët, pa zhurma përveçse zërit të zogjve dhe këngës së përhershme të bulkthit. Nëse dëshiron të harrohesh në mendime romantike, i vetmuar në mes të rrënojave të një ish-qyteti madhështor, atëhere Butrinti është vendi ideal për ju". Kështu shkruante John Julius Norëich, disa vjet më parë. Por përfshirja e Butrintit dhe më pas e Parkut Kombëtar me të njëjtin emër, në pasuritë e trashëgimisë botërore nga UNESCO, pa dyshim, zgjuan kureshtje ndër mijëra vizitorë perëndimorë dhe vendas që nisen drejt qytetit antik. Ministria e Kulturës, Bordi Kombëtar i Parkut të Butrintit, Ministria e Mjedisit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Instituti Arkeologjik, Komisioni i UNESCO-s, fondacioni “Butrinti”, janë institucionet që kujdesen si palë ligjore, për mbarëvajtjen e këtij monumenti me vlera të pallogaritshme jo vetëm për Shqipërinë. Zyra e Administrimit të Butrintit është zyra që merret direkt me ruajtjen dhe mbarëvajtjen e këtij qyteti me vlera të pallogaritshme. Më poshtë jepet historiku dhe zhvillimi i qytetit antik të Butrintit në vite.

Legjenda

Sipas Virgjilit, Butrinti ishte Troja e Re, që ishte themeluar nga Enea. Sipas Plutarkut, perëndia Pan ka vdekur pikërisht në Butrint dhe çasti i vdekjes se tij, u bë shkak për klithmat e shtojzovalleve, të cilat njoftonin barinjtë anekënd Kaonisë për këtë humbje tragjike për mbrojtësin e pyjeve dhe të luleve. Në fund të viteve 30 të shekullit të kaluar, arkeologu italian Ugolini përmend gojëdhënën mbi zanafillën e largët të Butrintit. Heleni që kishte ardhur në Epir nga Troja, po përgatitej të bënte flijimin ritual pas zbritjes në tokë. Lopa që do t u flijohej perëndive, e goditur, por jo e vrarë, i shpëtoi nga duart dhe kaloi detin me not. Heleni, duke parë këtu një paralajmërim të perëndive, themeloi një qytet që ia vuri emrin Buthrotos. Butrinti ndodhet në një kep të ulët në bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë. Kjo qendër rezulton sipas specialistëve të arkeologjisë, të ketë qenë e banuar së paku që në shek. VIII para Krishtit. Ndërkohë, mitet flasin për themelimin e Butrintit nga trojanët e shpërngulur. Sipas specialistëve shqiptarë, dhe anglezë të arkeologjisë, rreth shekullit IV, para Krishtit, vendbanimi u fortifikua dhe qyteti u kthye në një qendër kulti dedikuar Asklepit. Periudha mesjetare dokumentohet më e turbullt. Qyteti u përfshi së pari në luftrat për pushtet midis bizantëve e më pas normanëve, anzhuinëve, venedikasve dhe së dyti, në konfliktin midis Venedikut dhe turqve otomanë.
Në fillimet e shek. XIX, ai u shndërrua gradualisht në një fshat të vogël peshkatarësh, përreth një fortifikimi venecian, por konturet e monumenteve madhështore të dikurshme flisnin për shuarjen e një shkëlqimi të mëparshëm në këtë qendër urbane ndanë Kanalit të Korfuzit. Butrinti, së bashku me Korfuzin, u blenë nga Republika e Venedikut prej mbretërve anzhuinë të Italisë së Jugut në vitin 1386. Atëherë faza më aktive e qytetit mesjetar ishte shndërruar në një avanpost të fortesave të mëdha në Korfuz. Mbeti pronë e Venedikut për më shume se 400 vjet dhe venedikasit ndërtuan shumë fortifikime ekzistuese, si dhe një kështjellë trekëndore, të rikonstruktuar më pas për qëllime mbrojtjeje dhe kontrolli të Kanalit të Vivarit nga Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena. Me fuqizimin e Perandorisë Otomane, Butrinti mbeti në vijën e parë të frontit të Venedikut. U pushtua në një numër rastesh, por më i shënuari është marrja e tij nga "Sulejmani i Madhërishëm" në vitin 1537.

Vjedhjet

Në fillim të viteve 90, qyteti antik i Butrintit u bë pre e disa vjedhjeve. Më të rrezikuara nga grabitësit dhe trafikantët e vlerave arkeologjike ishin disa koka statujash në mermer dhe disa fonde arkeologjike. Kështu, dy shtatoret e dy perëndive, Artemisës dhe Apollonit, dy objekte me vlera të rralla për kulturën shqiptare, që 11 vjet më parë u dërguan në Greqi nga trafikantët e veprave të artit, u riatdhesuan në shkurt të këtij viti dhe u vendosën në mjediset e muzeut arkeologjik në Butrint, 19 km larg qytetit jugor të Sarandës. Dy veprat e artit, të grabitura nga muzeu arkeologjik i Butrintit, u gjetën në Pire dhe trafikuesit e tyre janë proceduar penalisht sipas ligjit grek. Shtatorja e perëndisë femërore Artemis paraqitet në lëvizje. E punuar me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje, sipas specialistëve, ajo i përket kulturës paraqytetare ilire, periudhës helenike, shek II para Krishtit. Statujës i mungojnë 2 krahët dhe koka. Artemisa u zbulua në vitin 1958, në kodrën e Finiqit dhe u ruajt deri në vitin 1997 në muzeun e Butrintit. Lartësia e saj është 1.25 metra. Ndërsa shtati i Apollonit, i punuar me material mermeri dhe teknikë gdhendjeje, i përket periudhës së shek. II pas Krishtit. Koka është punuar më vete dhe ndodhet në Muzeun e Butrintit. Ajo u gjet nga arkeologu italian Ugolini në Nymfeun ( fontana) e Butrintit. Lartësia e saj është 1.38 metra. Historia e grabitjeve të statujave nga Butrinti dhe Finiqi ka nisur në vitin 1991 dhe do të përsëritej në përmasa të tjera në vitin 1997. Certifikatat e objekteve të vjedhura u bënë pjesë e punës së Interpolit, i cili arriti të gjejë vendndodhjen e shumë prej tyre. Në nëntor të vitit 2000, u riatdhesua nga SHBA koka e Livias, gruaja e perandorit Oktavian Augusti, vepër e shekullit I p.e.s, (periudha romake). Ndërsa në verën e vitit 2003 u mundësua kthimi nga Greqia i skulpturave “Portreti i Germanikut”, “Portreti i Herkulianës” dhe “Portret Vajze”, të cilat ishin vjedhur nga muzeu i Butrintit në vitin 1991. “Portreti i Herkulianës” dhe “Portret Vajze” u gjetën në eksponatet e Muzeut Nacional Arkeologjik të Athinës, ndërsa “Portreti i Germanikut” u gjet në Muzeun Arkeologjik të Janinës. Punonjësit e muzeut të Butrintit thonë se pajisjet e instaluara tashmë në mjediset e këtij muzeu kanë mbyllur çdo mundësi për grabitjen e veprave të artit. Sipas tyre, muzeu i Butrintit ka tashmë aparatura bashkëkohore kontrolli, me kamera dhe sistem alarmi dhe gjenerator që garanton funksionimin e sistemit të vrojtim-sinjalizimit "non stop".

Statusi i Butrintit dhe Parku Kombëtar

Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit, e cila luan një rol determinant për menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të Parkut, politikat që aplikohen dhe kontrollohen nga Ministria e Kulturës, si dhe për parandalimin e të gjitha dëmtimeve dhe zhvillimet e pakontrolluara në këtë zonë. Brenda Parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se "Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë" dhe se "çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm".

__________________

Per me shume informacion: http://www.butrint.org

4 Komente

Zoti e ruajt këtë pasuri kombëtare gjith-shqiptare!

 Ne foto dukej shum e madherishme. Shpresoj qe ta shoh Butrintin kur te shkoj ne Shqiperi. 

Disa vite me pare mbase s'kishte vende parkimi dhe tenda suveniresh por sot ka.  Nuk me duket ndonje gje e keqe. Tendat e suvenireve ndihmojne qeverine lokale, dhe vendet e parkimit e bejne me te lehte viziten. 

Gjithesesi, Butrinti pasuri kombetare qe duhet ruajtuar e kujdesur per te si syte e ballit.  Dhe mos ta masakrojne sic kane bere ne Apolloni.  

kot keshtu sa per kuriozitet ne cfare faktesh bazohen kur thone .

Qyteti antik i Butrintit, në jug të vendit, i cili daton që në periudhën e bronzit, rreth 3400 vjet para Krishtit

 

se per te tjerat Butrintit i heq kapelen per bukurite qe ka dhe historine qe mbart ne vete

 

 

 

 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).