Bota përshëndet vendimin për mbylljen e burgut Guantanamo

Pjesa më e madhe e botës e ka përshëndetur vendimin e Presidentit Obama për të mbyllur burgun e Guantanamos, ku mbahen rreth 245 të dyshuar si terroristë. Zoti Obama dha urdhër javën e kaluar që burgu të mbyllej brenda një viti. Por tani po lindi pyetje nëse lirimi i disa prej të burgosurve, apo transferimi i të tjerëve në burgje amerikane vë në rrezik sigurinë kombëtare.

Në muajt që pasuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, të dyshuarit e parë si terroristë u sollën në bazën ushtarake amerikane në Kubë. Të dyshuarit mbaheshin nga trupa amerikane, por ishin jashtë juridiksionit dhe territorit amerikan. Presidenti Bush tha se mbajtja e tyre në Guantanamo kishte rëndësi kritike për sigurinë amerikane:

"Këta të dyshuar mbahen nga trupat amerikane që të mos vrasin njerëzit tanë."

Por në një prej akteve të para pasi erdhi në detyrë, Presidenti Obama dha urdhër që burgu të mbyllej brenda 1 viti.

"Me këtë akt po vë në jetë një angazhim që mora gjatë fushatës, por gjithashtu edhe përkushtimin që e ka zanafillën tek themeluesit e kombit tonë, se ne do të respektojmë standarte bazë në sjelljen tonë."

Kjo masë u përshëndet në shkallë ndërkombëtare, ku burgu i Guantanamos shihej nga shumë vetë si një njollë mbi besueshmërinë dhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara. Benjamin Uitis punon për Institutin Brookings në Uashington:

"Nuk ka dyshim, mendoj unë, se kjo masë kërkohej nga shumë vende, si edhe nga shumë njerëz brenda Shteteve të Bashkuara dhe se Burgu Guantanamo ishte bërë një problem madhor diplomatik për Shtetet e Bashkuara."

Por ka të tjerë që thonë se zoti Obama po vë në rrezik sigurinë kombëtare, nëse disa nga të ndaluarit dërgohen në vende të tjera ku nuk ka masa të forta sigurie, ose transferohen në burgje amerikane.

Senatori republikan Xhon Mekein shprehu shqetësim në një seancë në Senat, ku dëshmoi Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts.
"Çfarë duhet të bëjmë me ata individë që mbahen në Guantanamo, nëse asnjë shtet nuk i pranon? Çfarë do të bëjmë me njerëz, që po i liruam kthehen në shtete të dështuara si Jemeni?"

Të tjerë paralajmërojnë se kufizimi i teknikave të rënda të marrjes në pyetje dhe mbyllja e burgjeve sekrete të CIA-s do t'i vërë në rrezik Shtetet e Bashkuara. Senatori republikan Xhon Kornin:
"Duhet të kemi një vend të caktuar ku agjentët e zbulimit të mund t'i mbajnë dhe t'i marrin në pyetje këta individë, në mënyrë që të nxjerrin informatat që shpresojmë se do të parandalojnë akte terroriste."

Por admirali në pension Xhon Hatson dhe të tjerë thonë se sistemi më tepër i ka dëmtuar se sa ndihmuar Shtetet e Bashkuara:

"Torturat, burgjet sekrete dhe këto keqtrajtime nuk e pakësojnë numrin e njerëzve që përbëjnë kërcënim për ne. Ato shërbejnë si pika rekrutimi për të tjerë që u bashkohen radhëve të armikut."

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian që u mblodhën në Bruksel të hënën sinjalizuan se vendet e BE-së mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara duke lejuar transferimin në vendet e tyre të disa prej të burgosurve në Guantanamo. Por edhe nëse ndodh një gjë e tillë, ende do të ketë paqartësi, thotë Benxhamin Uitis:

"Cilin nga këta individë mund të lirosh pa rrezikuar sigurinë kombëtare? Cilin do të nxjerrësh në gjyq dhe kë do të dërgosh në një vend të tretë? A do të gjesh vende që do të pranojnë t'i strehojnë këta individë?"

Edhe nëse disa prej të burgosurve lirohen dhe dërgohen në vende të tjera, ka gjasa që disa prej tyre të bashkohen me terroristët. Ish-i burgosuri në Guantanamo Said Ali al-Shihri ka shkuar në Jemen ku është bërë zëvendës-drejtuesi i al-Kaidës në atë vend. Në një mesazh në video ai dënoi trajtimin e të burgosurve në Guantanamo.

Në shkallë të gjerë pranohet se lirimi i disa prej të burgosurve përbën kërcënim, por zoti Uitis thotë se duhet të krijohet një proces për trajtimin e këtyre individëve:

"A kemi proces për grupin e fundit të të ndaluarve, të cilët nuk mund t'i gjykojmë apo lirojmë. A mundet shoqëria jonë të dalë me një proces dhe të përcaktojë autoritetin për t'u marrë me këtë grup njerëzish."

Rreth 245 vetë mbahen në Guantanamo, pjesa më e madhe e tyre prej vitesh pa proces gjyqësor. Duket se fati i tyre do të zgjidhet brenda 12 muajve të ardhshëm.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).