Mbi llaskucërinë

Me shkrimin e fundit të Berat Buzhalës (”Heronj? Të Kujt?”) debati për krimet e komunizmit kaloi në një debat të përgjithshëm për komunizmin dhe për rolin e udhëheqësve kosovarë të asaj kohe në raport me interesat e Kosovës. Mungesa për arsye objektive e ndonjë ballafaqimi të drejtpërdrejtë mes udhëheqësve komunistë dhe disidentëve nacionalistë (enveristët apo djathtistët) bën që debati sot të zhvillohet nga një gjeneratë tjetër, e përbërë nga trashëguesit më liberal të njërës apo tjetrës anë të spektrit që në ndërkohë janë përzier mes vete në grupime të ndryshme si rezultat i thyerjeve politike të pluralizmit post-1990 (demonstrimi më i mirë i këtij kompoti është skizofrenia historike e redaksisë së mall;">Express mbi këtë temë). Përkundër pozicionimit të drejtë dhe parimor kundër regjimit dhe krimeve komuniste, pjesëtarët e kësaj gjenerate të mesme që janë përfshirë në këtë debat duket se e kanë të vështirë ti gjykojnë me logjikë të sinqertë dhe objektive aspektet e ndryshme të tij sepse kanë jetuar një kohë nën këtë regjim dhe i kanë të gjalla kujtimet për privilegjet apo vuajtjet. Gjykimi i tyre i drejtë pengohet edhe nga stigmatizimet, inatet dhe komplekset të cilat burimin e kanë në atë epokë dhe që vazhdojnë të mbarten sot e kësaj dite. >smiley>

>A mund të kontribojë me diçka në këtë debat gjenerata ime e cila e mban në mend pak apo aspak jetën nën komunizëm - pra ajo gjeneratë që u lind gjatë viteve 80, u rrit gjatë apartheidit të viteve 90, dhe u pjek politikisht gjatë Unmikistanit? Ndonëse kemi më pak informata të drejtpërdrejta mbi periudhën, distanca kohore dhe vështrimi më i ftohtë mbase na bën më objektiv dhe më pak selektiv në përzgjedhjen e argumenteve. As ne nuk i ikim dot kornizave subjektive sepse përvojat e familjeve tona me komunizmin e kanë përcaktuar në masë të madhe fatin tonë në jetë. Por ajo që së paku mund të përpiqemi të bëjmë është që në emër të frymës së lirisë ti dalim në shërbim të vërtetës, të jemi të sinqertë me vetëvetën dhe të përpiqemi që pozicionin tonë etik ndaj këtij regjimi dhe eksponentëve të tij, qofshin këta edhe paraardhësit tanë familjar, ta nxjerrim pikërisht nga ky sinqeritet objektiv dhe vetëkritik.smiley>

>Duke qenë nip komunistësh partizan, ndikimi i mjedisit në të cilin jam rritur më bën të prirur që aktivitetin e liderëve kosovar të asaj kohe ta shoh si ”të arsyeshëm për shkak të rrethanave” si dhe ti çmoj disa arritje historike (periudha e shumëpërmendur 1971-1981). Por jam i vetëdijshëm se kjo pasqyrë e komunizmit është një konstrukt mjaft hipokrit i cili në esencë përpiqet ti ngrisë në piedestal të mirat e kësaj kohe dhe ti fsheh nën qilim shumë të këqija, duke filluar nga vetë natyra anti-demokratike e regjimit, vetëkënaqësia e udhëheqësve me privilegjet e pushtetit dhe vënia e shpeshtë e interesit të Jugosllavisë së idealizuar para interesit të qytetarëve të Kosovës, e deri te e vërteta më e rëndë se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, prindër e gjyshër të ndonjë shoku tim të sotëm, kanë vuajtur shumë për shkak të bindjeve të tyre politike dhe bashkë me ta edhe familjet e tyre. Ndonëse nuk kam kurrëfarë faji individual për të këqijat që kanë ndodhur, këto të vërteta më bëjnë të ndihem keq dhe këtë do t’ua thosha në fytyrë gjyshërve të mij po të ishin sot gjallë. mall;">mall;">smiley>

>Mendoj pra se në diskutimin për komunizmin kosovar është thelbësore që të dominojë sinqeriteti i argumentuesit në raport me temën dhe faktet të shihen nën dritën iluminuese të këtij sinqeriteti. Për këtë arsye pres që të arsyetojnë me të njëjtën ftohtësi edhe ata që këtë periudhë janë të prirur ta shohin negativisht. Vetëm kështu mund të arrihet deri te njëfarë e vërtete konsensuale e cila mund të shërbejë si bazë për interpretimin e drejtë të historisë. Vetëm kështu mund të respektohen viktimat e komunizmit dhe mund të interpretohet si i mirë apo i keq roli individual i atij apo këtij udhëheqësi komunist në epokën e kolonializmit jugosllav të Kosovës. Vetëm kështu mund të kuptohet dhe gjykohet konteksti brenda të cilit këta njerëz e udhëhoqën për gjysmë shekulli Kosovën tonë.smiley>

>Por, çfarë ndodh kur debati për komunizmin përdoret vetëm për të shfryrë mllef? Çfarë ndodh kur moralizohet ndaj temës pa pikë sinqeriteti dhe konsistence argumentuese? Ndodh ajo që ndodhi në shkrimin e Berat Buzhalës. Busulla logjike e një gazetari me nam shembet për toke dhe debati sharron në banalitet. Komentuesit liberal të NY Times, të cilët Buzhala i ka qejf, e kanë pasur gojën të mbushur me shkumë këto tetë vitet e administratës së Bushit dhe e kanë sharë dhe kritikuar këtë të fundit sa herë u është dhënë rasti. Por kurrë nuk e thyen etikën gazetareske në mënyrën se si këtë gjë e bën Buzhala duke i quajtur të gjithë liderët komunist kosovarë në kallëp “llaskuc”. Vërtet gjatë leximit të shkrimit u përpoqa të kem mirëkuptim për argumentet e Buzhalës për shkak se ato i ndan pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës. Por sa më shumë që thellohesha në të dhe kontaminohesha nga banalitetet (të denja për mall;">Bota Sot), aq më shumë bindesha se Buzhala nuk motivohet aspak nga impulsi i drejtësisë por vetëm nga ai i hakmarrjes. Nënshtrimi ndaj këtij impulsi e devijon misionin që debati e ka për kërkimin e së vërtetës.smiley>

>Në emisionin Opinion ku u diskutua për këtë temë, ndaj pompozitetit moralizues të Buzhalës u desh të intervenonte si zë i arsyes Sali Berisha për të thënë se epoka e Komunizmit në Kosovë nuk duhej parë bardh e zi. “Fundja, ata e nënshkruan Bujanin”, tha mes tjerash Berisha për komunistët kosovarë duke e vënë theksin edhe te bashkëpunimi i ngushtë i komunistëve të Shqipërisë me jugosllavët në atë kohë. S’dua ti legjitimoj vendimet e partizanëve kosovare por duhet pasur parasysh se ata, sikurse edhe çlirimtarët e sotëm, nxiteshin nga hibridi i zakonshëm i idealizmit dhe oportunizmit dhe vepronin brenda disa rrethanave konfuze. Ajo që bie në sy është se instinkti hakmarrës e verbon analizën e Buzhalës nga dimensioni më i rëndësishëm në interpretimin e ndonjë ngjarjeje historike – kontekstin – dhe e bën vetë Buzhalën të shfaqet thellësisht kontradiktor në raport me qendrimet që mban sot në një kontekst të ngjashëm. Si një realist i cili sot pozicionin e liderëve tanë në raport me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë e sheh nga prizmi i raportit të fuqive, sjelljën e komunistëve kosovarë dhe fatin tragjik të heroit Shaban Polluzha e interpreton sikur të ishte ndonjë Berat Buzhalë nga mall;">Vetëvendosja. Këta të fundit së paku janë historikisht konsistent në mendimet e tyre.smiley>

>Shtrohet pyetja: me zonat e interesit të ndara mes fuqive të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore, me një Shqipëri komuniste të afërt me Jugosllavinë dhe përgjithësisht të ftohtë ndaj shqiptarëve të veriut, me një Kosovë thellësisht të prapambetur dhe pa fuqi shtetëformuese, çfarë rruge duhej të merrnin partizanët e Kosovës sipas Buzhalës? Luftë me Jugosllavinë aleate të Enver Hoxhës? Me cilin synim përfundimtar? Nuk po them se komunistët kosovarë do ta mendonin opsionin e luftës edhe po të ishin rrethanat më të favorshme për ta, madje edhe po ti nxiste Shqipëria. Fryma internacionaliste e komunizmit e kishte zbehur ndjenjën kombëtare. Por nuk është larg mendsh se, po të vendosej asokohe për luftë me Jugosllavinë, sot në Shqipëri këngët për Kosovën do të këndoheshin sikurse ato për Çamërinë – si këngë nostalgjie për një vend dhe tokë të humbur - ndërsa Berati me gjasë do të jetonte diku në Shkodër nën emrin Klinas Buzhala.smiley>

>Ajo që ndodhi më vonë është se partizanët i shërbyen pa hezitim për gjysmë shekulli idealit naiv të Jugosllavisë pushtuese. Në emër të këtij ideali urdhëruan dhe zbatuan dhunë. Disa u bënë më jugosllav se vetë sllavët ndërsa disa e respektuan në doza normale (jo nacionaliste) kulturën dhe popullin e tyre, por e projektuan atë brenda një Jugosllavie shumëkombëshe ku, në rastin më të mirë, Kosova do të ishte njëra nga republikat. Pozicioni i tyre diktohej nga një kombinim faktorësh, duke filluar nga gjeopolitika e luftës së ftohtë, raportet e fuqisë brenda Jugosllavisë, e deri te lezeti i pushtetit dhe tradita e inferioritet të elitave kosovare ndaj cilitdo kolonizues. Megjithatë në këtë periudhë ndodhën dy gjëra të rëndësishme: Kosova e përjetoi zhvillimin më të madh ekonomik në histori ndërsa statusi i saj politik brenda Jugosllavisë shënonte lëvizje progresive. Se sa janë këto arritje meritë e udhëheqësve kosovarë apo e interesave të nivelit federal, ky është një debat shumë kompleks që kërkon studim serioz. Problemi është se Buzhala vendos që pikërisht këtij debati ti vërsulet si kamikaz moralizues.smiley>

Po e quaj suljen e Buzhalës si kamikaze sepse kushdo që pretendon ta mbajë një pozicion etik detyrimisht e tërheq vëmendjen kah vetvetja. Në këtë rast mu duk goxha e pasinqertë që për mungesën e kurrizit të udhëheqësve komunist të na flas me kaq zell moralizues një komentues i njohur shtypi prej të cilit ka një vit që po e presim qoftë edhe një koment të vetëm kritik ndaj punës së këtij kryeministri kosovar që, sille kah te sillsh, është larg së qeni i mirë e lere më perfekt. Nuk dua të spekuloj për arsyet e mungesës së kësaj kritike sepse mjafton dijenia për pronësinë private të gazetës së Buzhalës. Por ajo që bie në sy është se, në dimension etik, pozita e tij e sotme në opinion publik ka mjaft ngjashmëri kontekstuale me atë të udhëheqësve komunist. Derisa ata rrinin në krye të një sistemi të padrejtë i cili e shtypte vullnetin e popullit të Kosovës, njësoj edhe Buzhala, në stilin e gazetarëve afarist të Shqipërisë, qëndron si gardian dhe legjitimes i heshtur i pashallëqeve monopoliste që po e rrezikojnë demokracinë dhe interesin publik. Është në të drejtën e Buzhalës që sot ta mbajë një pozicion pragmatik, ndonëse pragmatizmin nga oportunizmi e ndan një vijë fare e hollë. Por Buzhala duhet të ketë kujdes kur i thjeshtëzon analizat e tija në nivel karikature dhe përdor fyerje nga leksiku i një çobani. Nëse jo për ndonjë arsye tjetër, atëherë së paku për shkak se fjalët mund ti kthehen bumerang.

>smiley>

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).