Biznesi kërkon thjeshtësim të procedurave

Vonesat gjatë aplikimeve në QKR, si dhe panjohuria mbi vetëdeklarimet tatimore nëpërmjet sistemit “online” janë shqetësimet e ngritura dje nga disa biznesmenë

Thjeshtësimi i procedurave tatimore dhe shpjegimi i hollësishëm i projektit të qeverisë mbi vetëdeklarimin dhe vetëvlerësimin e deklarimeve tatimore kanë qenë dy nga kërkesat bazë të bizneseve drejtuar drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjinit. Gjatë një takimi të organizuar dje nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, lidhur me aplikimet dhe të rejat e legjislacionit tatimor në fuqi, përfaqësues të bizneseve kanë ngritur shqetësimet e tyre, ndërsa Sefgjini ka dhënë shpjegimet përkatëse lidhur me shërbimet ndaj biznesit. “QKR-ja vonon aplikimet dhe nuk respekton afatet e përcaktuara lidhur me kërkesat për hapjen e bizneseve të reja. Nuk kemi njohuritë e nevojshme për të bërë vetëdeklarimet në sistemin “online”, ndërsa është mirë të na shpjegohen të gjithë hapat që duhet të ndërmerren”, thanë dje përfaqësues të bizneseve. Gjithashtu, ata shprehen se janë të painformuar edhe për sa i takon ligjit të ri “Për procedurat tatimore”, si dhe ndryshimeve krahasuar me ligjin e mëparshëm. “Administrata tatimore ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin ndaj biznesit, duke krijuar praktika moderne, sikurse ka zvogëluar numrin e kontakteve me inspektorët tatimorë, si dhe hapësirat për subjektivizëm dhe praktika korruptive”, tha Sefgjini. Më tej, ai shtoi se ligji i ri i procedurave tatimore u vjen në ndihmë pikësëpari bizneseve, dhe më pas administratës përkatëse. “Ky ligj ka sjellë ndryshime konceptuale në punën e administratës tatimore. Ligji bën realitet për tatimpaguesit moton “Paguaj shumën e duhur në kohën duhur”. Në këtë mënyrë, ligji siguron trajtimin e njëjtë për të gjithë tatimpaguesit. Ky është përfitimi i madh për tatimpaguesit, sepse mundëson konkurrencë të ndershme në treg”, theksoi kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Gjithashtu, sipas Sefgjinit, biznesi mund të bëjë vetëdeklarimin dhe vetëvlerësimin e deklarimeve tatimore, çka ndryshon rrënjësisht nga ligji i mëparshëm, ku ishte inspektori tatimor, ai që vendoste mbi shumën që duhet të paguante një biznes. Kjo, pasi tani është vetë biznesi që bën vlerësimin dhe deklarimin e shumës që duhet të paguajë si detyrim tatimor. “Tatimpaguesit e TVSH-së nuk kanë më nevojë të paraqiten në degët e tatimeve për të paraqitur brenda datës 14 të çdo muaji librat e shitjeve dhe blerjeve, siç ishte procedura e deritanishme”, shtoi në fjalën e tij Arben Sefgjini.

Të ardhurat tatimore

Gjatë 11 muajve të vitit të kaluar, administrata tatimore ka regjistruar rritje të të ardhurave në nivelin 20 për qind, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Drejtori i Tatimeve, Arben Sefgjini, tha dje gjatë një takimi me biznesmenë, se të ardhurat në periudhën janar-nëntor 2008 llogariten në 754 milionë euro. Kjo rritje me 20 për qind në raport me vitin 2007, ka ardhur si rezultat i mirëmenaxhimit, aplikimit të ligjit “Për procedurat tatimore”, si dhe modernizimit të administratës tatimore”, tha Sefgjini. Më tej ai u ndal edhe te barrierat burokratike që haste biznesi, ndërsa heqjen e këtyre barrierave e vlerësoi si fenomen që ka ndikuar në rritjen e të ardhurave. “Tashmë, me bizneset ne kemi vendosur marrëdhënie me frymë partneriteti, ndërsa jemi munduar ta eliminojmë në maksimumin e mundshëm barrën burokratike që haste biznesi në administratat tatimore. Biznesi tani konsiderohet si partner, dhe jo si një individ i pasur që duhet zhvatur”, përfundoi Sefgjini.

2 Komente

Ah per dialog :/

Une them mendimin tim, ti tund koken tende

 

"....Biznesi tani konsiderohet si partner, dhe jo si një individ i pasur që duhet zhvatur”, përfundoi Sefgjini..

 

Ah sikur te ishte keshtu. Ne fakt biznesi i vogel ne Shqiperi, ngeli duke u ankuar ndaj tatimorve, gje qe tregon se keta te fundit ia kan marre frymen biznesit te vogel. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).