Bie kërkesa, ulen çmimet e qirave

TIRANË - Kurba e qirave të banesave ka filluar të pësojë ulje pas një rritjeje të fortë para disa muajsh, e cila përkonte me fillimin e vitit universitar për studentët. Çmimi i tyre duket se po shkon drejt niveleve të periudhës mars - korrik 2008, si pasojë e uljes së kërkesës dhe shtimit të ambienteve.

Sipas agjentëve imobiliarë, luhatja e fortë për një periudhë të shkurtër të qirave është një dukuri e zakonshme, sidomos për qytetet, në të cilat ndodhet së paku një universitet. Të ndikuar nga rritja e kërkesës, sidomos nga studentët, pronarët e shtëpive janë të prirur që të kërkojnë një çmim 20 deri 25 për qind më të lartë se çfarë mund të jepej në muaj të tjerë të vitit.

Sipas studimit të agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme "Colliers international", trendi i qirave të ulëta për Shqipërinë do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Sipas saj, shkaku kryesor i vazhdimit të kësaj ecurie është shtimi i ndërtimeve gjatë viteve të fundit në vendin tonë.

Në rast të një kategorizimi të banesave me qira, sipas agjentëve imobiliarë, ato ndahen në, banesa që merren nga studentët ose personat me të ardhura ekonomike të ulëta, që variojnë nga 130 deri 200 euro.

"Është pikërisht çmimi i shtëpive për nevojtarët ai që pëson luhatjet më të mëdha",- citon pronari i një agjencie imobiliare. Për sa i përket grupit të dytë të banesave që lëshohen me qira, në të përfshihen ato banesa, çmimi i të cilave lëviz nga 350 deri 700 euro dhe preferohen më shumë nga biznesmenët ose nga të huajt që jetojnë në Shqipëri.

"Ecuria e qirasë së kësaj kategorie banesash është e stabilizuar me tendencë drejt rritjes graduale nga viti në vit, lidhur edhe me përmirësimin e infrastrukturës. E njëjta gjë vlen edhe për ambientet e destinuara për zyra", - tha Gentian K, një tjetër agjent imobiliar.

Në vlerësimin e qirasë së një banese, krahas të tjerave, specialistët e këtij tregu marrin në konsideratë edhe mënyrën se si pronari e ka bërë pronë të tij atë.

Sipas tyre, në qoftë se një pronar e ka bërë të vetën banesën, duke e marrë në formë përqindjeje me statusin e pronarit të tokës ku është ndërtuar ndërtesa, ai është i prirur që ta lëshojë relativisht më lirë se dikush tjetër, i cili e ka blerë me qëllim investimi dhe që do ta rimarrë atë investim brenda një periudhe sa më të shkurtër.

Banesat e llojit të parë janë kryesisht në zona periferike dhe kanë kushte modeste në mobilim dhe infrastrukturë, ndërsa shtëpitë e llojit të dytë janë kryesisht të destinuara për t'u lëshuar me qira. Pronarët bëjnë një mobilim më bashkëkohor dhe kanë një infrastrukturë më të mirë në krahasim me të parat.

Nga një vështrim në lidhje me ecurinë e tregut të qirave në disa agjenci imobiliare në Tiranë, vërehet një epërsi në numër e shtëpive, qiraja e të cilave është mbi 300 euro. Agjentët imobiliarë e lidhin këtë dukuri me dëshirën e pronarëve për t'i lëshuar shtëpitë e tyre nëpërmjet agjencive, pasi kështu ndjehen edhe më të sigurt.

Në rast se pronari i shtëpisë vendos ta gjejë vetë qiramarrësin, çdo marrëveshje varet në kushtet e mirëbesimit të dyanshëm, por kur një banesë lëshohet me qira nëpërmjet agjencive imobiliare aplikohet një praktikë ndryshe.

Në fillim agjencia bën një vlerësim të banesës nëse ajo e justifikon çmimin e kërkuar nga pronari. Më pas qiramarrësi dhe qiradhënësi nënshkruajnë një kontratë ku përcaktohet afati kohor dhe çmimi në prani të agjentit imobiliar. Sigurisht që agjencia imobiliare nxjerr përfitimet e saj, si nga i pari, ashtu edhe nga i dyti.

Kjo është edhe arsyeja pse shtëpitë me qira të ulët i shmangen tregut formal të qirave, pasi sipas kontratës janë të detyruar t'i ofrojnë agjencisë komisionin që asaj i takon. Agjentët imobiliarë i këshillojnë individët që kanë në plan të marrin një banesë me qira, që, në qoftë se nuk e kanë të domosdoshme, ta bëjnë atë në periudhat kur tregu konsiderohet i ngopur, pasi kështu mund të përfitojnë çmimin dhe ambientin më të përshtatshëm.

Zyrat - Pritet ulje edhe për ambientet e biznesit

Ndryshe nga qiratë e banesave, ku përgjithësisht mbizotëron një treg informal, agjentët imobiliarë shprehen se lëshimi me qira i një zyre, në të shumtën e rasteve kalon nga ata. Kjo për shumë arsye, të cilat ndikohen nga pronari i ambientit, vendndodhja dhe të interesuarit për të marrë me qira një zyrë.

"Ambientet e zyrave janë të destinuara për biznes, një person i interesuar për të marrë me qira një të tillë, e ka më të lehtë të kontaktojë me ne se sa me pronarin, kjo nisur dhe nga pozicioni i tij", - shprehet një agjent imobiliar.

Për sa u përket çmimeve të lëshimit me qira ose të shitjes së një ambienti zyrë, këta të fundit shprehen se ajo është e stabilizuar, por ka një tendencë rritjeje nga viti në vit. Ndryshe nga agjentët imobiliarë, në studimin e saj për pritshmëritë në tregun imobiliar në Shqipëri, "Colliers International" shprehet se çmimet priten të pësojnë ulje me shtimin e ambienteve të destinuara për zyra.

Sipas saj, deri në vitin 2011 në Shqipëri do të ketë një trefishim të ambienteve të ndërtuara, të cilat do të ndikojnë në uljen e çmimeve, si në qiramarrje, ashtu edhe në shitblerje. Këtë parashikim e vërteton edhe shtimi në një kohë të shkurtër i numrit të qendrave të biznesit. "Bizneset e mëdha janë të prirura që të transferohen drejt qendrave tregtare të ndërtuara rishtazi", - citohet në studimin e "Colliers International".

Deri në vitin 2008, sipërfaqja e ambienteve për zyra arriti në 44 mijë m², ndërsa pritet që brenda tri viteve të shkojë në 170 mijë m². Disa agjentë imobiliarë, rritjen e sipërfaqeve të ndërtuara nuk e shohin si një faktor, i cili do të ndikojë në uljen e çmimeve të zyrave apo të apartamenteve, duke e justifikuar këtë me kërkesën në treg.

"Zyrat janë të destinuara për biznes dhe me zhvillimet ekonomike në Shqipëri pritet një shtim i subjekteve biznesbërëse", - shprehet një agjent imobiliar, duke komentuar parashikimin e bërë nga "Colliers International". Ai mban të njëjtin qëndrim edhe për sa u përket pritshmërive të çmimeve të apartamenteve.

"Një person që është mësuar të jetojë në qendër, nuk ka sesi të shkojë të jetojë në periferi. Me shtimin e popullsisë, personat që jetojnë në qendër, banesën do ta marrin po aty, ndërsa apartamentet e ndërtuara në periferi do të mbushen me të ardhur nga zonat e tjera. Sigurisht që kjo nuk është absolute", - tha ai.

Lista e komisioneve që duhet të bëjë klienti, sipas çmimeve të një agjencie imobiliare në Tiranë.

Periudha
Qiradhënësi 6 muaj - 1 vit, 50 % të muajit të parë
Qiramarrësi ″ 30 % ″

Qiradhënësi 1 vit - 2 vjet, 70% të muajit të parë
Qiramarrësi ″ 40 % ″

Qiradhënësi mbi 2 vjet, 100 % të muajit të parë
Qiramarrësi ″ 50 % ″
Për shitjet, agjencia imobiliare përfiton 1 deri 2 për qind të vlerës së ambientit.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).