Berluskoni e Berisha drejt një donkishotizmi

Pas suksesit të paparë që pati z. Berluskoni me kthimin e 18 ha në Gji të Vlorës në një ekstra-territor italian permanent, sukses i nisur në bashkëpunim me z. Nano e i bitisur me z. Berisha, duket që ai i është kthyer udhës për një sukses edhe më të madh për zgjerimin e këtij ekstra-territori, por tashmë për një shtrirje kohore dhjetëravjeçare, nga Karaburuni deri në Shëngjin. Këtë radhë i mjafton marrëveshja vetëm me Sali Berishën. Ka të dhëna se Berluskoni po i kthehet edhe idesë së zotërimit të Syrit të Kaltër. I gjithë bregdeti shqiptar në funksion të ekonomisë italiane.

“Planet tona janë për ngritjen e centraleve (përfshi bërthamorin në Shqipëri), te fqinjët tanë” - ka thënë açik Berluskoni në konferencën e shtypit të fundvitit para gazetarëve italianë. “Ne do t’u japim energjinë në këmbim të taksave, si dhe të ndotjes së shkaktuar nga TEC-et me qymyr dhe naftë”, - ka thënë edhe më açik ai, tek i referohej shtrirjes së planeve energjitike në Shqipëri. Berluskoni nuk heziton aspak të deklarojë: “Marrëveshjet ... janë në avantazhin tonë”. Nga ky prononcim vërtet i sinqertë i Berluskonit kuptohet së pari, se marrëveshjet e energjisë midis Shqipërisë e Italisë janë në disavantazh të Shqipërisë, teksa avantazhi është i Italisë. Së dyti, sipas Berluskonit, TEC-et me qymyr dhe naftë shkaktojnë ndotje, ndërkohë kur kjo nuk është pohuar asnjëherë nga qeveritarët tanë, të cilët xhuvelojnë me “standardet”, duke synuar krijimin e psikozës në publik se, nëse vepra është brenda standardeve, nuk ka ndotje, nga ku del se gjithë bota e zhvilluar që punon me standarde nuk paskërka problem me ndotjen, sëmundshmërinë, vdekshmërinë, cilësinë e jetesës dhe impaktet e ndryshimeve klimatike për sot dhe në të ardhmen dhe se lufta që bëjnë këto vende për reduktimin e ndotjes qenkërka e kotë, dhe është luftë e stisur nga antiglobalistët (term i preferuar ky së fundi i Berishës ndaj grupimeve të shoqërisë civile në vend). Kështu që në Shqipëri, nëse dikush ka një projekt për një vepër të klasifikuar në industrinë ndotëse (si TEC-e, fabrika çimentoje etj.), por është me standarde (d.m.th., ndot me standarde), bujrum dhe tokën e ka me 1 euro. Edhe sikur e gjithë ultësira e vendit të mbillet me këto vepra që ndotin me “standarde” për Berishën, Rulin e Co., nuk ka problem, madje është zhvillim, edhe më, është zhvillim i qëndrueshëm. E gjithë kjo është një mega-spekulim, që, nëse nuk ndalet, Shqipëria do të bjerë në një tranzicion permanent me shumë pasoja.

Në plan më konkret: Pse duhet Shqipëria të pranojë një marrëveshje, nga e cila ajo nuk ka avantazh? Dhe pse duhet Shqipëria të ndotet dhe për më tepër për një investim, nga i cili ajo nuk ka avantazh? Por që këtu lindin edhe një sërë pyetjesh të tjera. P.sh., sa është humbja e ekonomisë shqiptare nga ndotja që krijohet në turizëm, peshkim, bujqësi etj? Po kostoja e rritur e shëndetit publik, si rrjedhojë e sëmundshmërisë së rritur të shkaktuar nga ndotja, duke mos llogaritur këtu rastet fatale të vdekjeve të shkaktuara nga ndotja? Qeveritarët tanë e kanë një përgjigje, që është se Shqipëria do marrë një pjesë të energjisë. Por kjo përgjigje automatikisht të çon te pyetja tjetër: A është e mundur që të gjenerojmë energji pa ndotjen e TEC-it apo NEC-it (Centrali nuklear) të ENEL-it dhe pa gardhimin e kurorës së Karaburunit me rreth 200 kulla çeliku nga 117 m të larta? Dhe kjo pyetje ka një përgjigje të thjeshtë e të qartë, që është: Po. Sapo u nënshkrua marrëveshja e koncesionit të formës BOT për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë kaskadës së lumit Devoll me një kapacitet 370 MW. Tjetër. Është drejt përfundimit marrëveshja për hidrocentralin e Skavicës me kapacitet 350 MW. Është gati për të filluar nga puna hidrocentrali i Ashtës me kapacitet 50 MW. Duke filluar nga 2009 në një hark kohor 3-4 vjet do përfundojnë një seri HEC-esh të vegjël me kapacitet rreth 120 MW. Normalisht nuk mund të mbetet pa u futur në linjën e HEC-eve dhe kaskada e lumit Vjosë me një kapacitet rreth 400 MW. Që të gjithë këto vepra ndodhen në listën e prioriteteve të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë. Jo rastësisht do deklarohej në dokumentin e këtij komuniteti të mbledhur në Tiranë pak ditë më parë se, “duke konsideruar nevojën për kapacitete të reja gjeneruese në Shqipëri, në mënyrë që të reduktohet varësia nga importi, ndërtimi i hidrocentraleve të rinj do të ketë një impakt pozitiv në tregun kombëtar dhe rajonal”. Ky deklarim dhe vetë realiteti i ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese në Shqipëri rrëzon tezën gati 10-vjeçare të amplifikuar fort nga vendimmarrja shqiptare nën dirigjimin e Bankës Botërore apo dhe ENEL-it në rolin e konsulentit të favorizuar të KESH vite më parë, sipas të cilës Shqipëria duhet të diversifikojë burimet energjitike, duke i hapur kështu rrugën gjenerimit të energjisë prej burimeve fosile të importit (siç është po sot rasti i TEC-it të ENEL-it në Porto Romano). Nëse këtyre veprave hidrike i shtojmë dhe ndonjë vepër tjetër me burim energjie ere apo diellore (burime gjithashtu të bollshme e të lira në Shqipëri), me kapacitet rreth 150 MW, për të cilat tashmë qeveria shqiptare ka oferta, rezulton se Shqipëria dyfishon prodhimin me burime të saj të gjenerimit të energjisë elektrike, madje kthehet në eksportuese-neto. Duke iu referuar përsëri burimeve të gjenerimit të energjisë elektrike në vend, mund të shtohet kapaciteti prej rreth 200 MW nga rehabilitimi i TEC-it të Fierit (mos-rehabilitimi i të cilit që në 2002 mbetet punë e prokuroris&eumlsmiley, si dhe një TEC prej 150 MW me gaz në fushën gazmbajtëse të Delvinës, sipas planit të bërë publik së fundi nga një kompani kanadeze.

Çfarë po bën Shqipëria së fundi me vënien në eficiencë të burimeve hidrike, megjithëse kriminalisht e vonuar, është ajo që duhet bërë. Komuniteti i Energjisë përcakton në listën e prioriteteve pikërisht veprat e mësipërme në Shqipëri dhe nuk përfshin në këtë listë TEC-et e Berluskonit e Berishës apo Parkun Eolik në Karaburun. Ajo që Komuniteti i Energjisë ofron për Italinë nëpërmjet Shqipërisë është gazsjellësi TAP (Trans Adriatic Pipeline), që vjen nga Greqia dhe kalon në Itali nëpërmjet zonës bregdetare të Fierit. Tranzitimi i këtij gazsjellësi nëpërmjet Shqipërisë është i mirëpritur dhe nuk është kundërshtuar nga vendimmarrja Shqiptare, po ashtu dhe nga grupimet shoqërore, përfshi ato mjedisore.

Së fundi, vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord që të reduktojnë me 20% CO2 në vitin 2020. Duket se Berluskoni si firmëtar i kësaj marrëveshjeje e sheh çështjen e reduktimit duke zhvendosur emetimet e CO2 në Shqipëri. Ky veprim i tij është donkishotesk. Obama, teksa po bëhet gati të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ka shumë të ngjarë të propozojë vendosjen e taksës globale të karbonit, si mënyra më efektive për të arritur objektivat e reduktimit të CO2 në nivelet e pranueshme nga shkencëtarët. Kështu, Berluskoni dhe lobet fosile të Italisë nuk mund të struken dot matanë detit, në Shqipërinë e Berishëve, për t’i shpëtuar taksave të karbonit. Por fataliteti është se Shqipëria mund ta pësojë keqas nga ky donkishotizëm, pasi rehabilitimi i territorit të industrive fosile kërkon dekada të tëra. Donkishotizmi i Berluskonit është i mundshëm dhe i rrezikshëm, teksa Berisha bën gjithashtu donkishotin.

Reuters publikoi, edhe pse nuk e bënë këtë mediet shqiptare, një deklaratë të mjedisorëve shqiptarë fundvitin që lamë pas, në të cilën kërkohej që të pezullohet nënshkrimi i kontratave të veprave të klasifikuara me impakt negativ të shkallës së lartë në mjedis, përfshi TEC-et e ENEL-it, apo eolikët e Karaburunit, gjatë 6-mujorit të fundit të mandatit të qeverisë aktuale dhe ligjvënësit ta konsiderojnë këtë si çështje për t’u konvertuar në ligj. Qeveria e re pas zgjedhjeve të qershorit ndoshta mund të aprovojë projektet e Berluskonit, edhe pse të kundërshtuara fort nga shoqëria civile dhe deri diku nga opozita e sotme, por ajo do të mbante dhe përgjegjësinë e negativitetit të gjeneruar nga një sipërmarrje e tillë gjatë mandatit të saj.

 

10 Komente

Refuzoj te shprehem konkretisht pa i hapur, me shume respekt, udhe Grupit. 

Grupo, si mer me zhgenjen dhe s'e ke spikatur me pare kete artikull?  Lum fle e hasmi jo.  S'te falet ... smiley

Prit Lavdosh se te vjen Grupi per pak dhe te ben per 2 lek smiley

Hehehehe, paskemi qene ne nje linje Monda, po kur e shkrova komentin tim nuk ishte shfaqur akoma joti. Tani vjen Grupi, alias Artan Lame dhe ja tregon vendin Lavdoshit. Grup, mos na zhgenje! smiley

swed1 qekemi ne nje mendje per alias Artan Lame.

Oho tani ka pune Grupi. do filloje ta analizoje shkrimin e Ferrunit me mikroskop, per cdo rreshte te Ferrunit do kemi nga nje faqe te Grupit smiley #o

Une kam heq dore nga keto lloj debatesh se nuk ja vlejne, keta e kane ndare mendjen ta shkaterrojne kete vend, ta kthejne si Napoli bujrum le ta bejne kur nuk e duan vet dhe nuk ka kane piken e vizionit dhe te vullnetit qe do duhej ta vinin ne jete ate vizion le te behen bateria e koshi i plehrave te Italise me te mirat e te keqiat qe vine prej saj.

Une per vete ne momentin me te mire qe do me jepet, po mu dha, ika nga syte kembet.

Se e ka thene dhe Noli i Madh : Skllever e bij sklleverish, s'e meritoni lirine.

 

Ja sa te shkeputet pak , se i ka dale pune me ca te "mencur" nga temat e historise qe thone se dine arithmetike smiley . Po sidoqofte me Ferrunin kesaj rradhe paska pune , se e paska ballafaquar me fjalet e Don Kishotit pertej detit Adriatik apo Mare Nostrum-in e Edrusit  smiley

Bashkohem me mendimin per ta lene kete teme si ekskluzivitet te Grupitsmiley

Hajte Grupi se ty te presin te gjithe.

A  se sheh qe askushe nuk ben xhap pa ber ti nje koment.

Akoma se ka mpref shpaten...Paska pune me antibashkijaket . I kane prek "sinoret" smiley . Sa te fitoje lirine me armiqt e brendshem do u sulet te jashtermve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).