Berisha i fal Taçit tregun e naftës në Shqipëri

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka protestuar dje ashpër me anë të një letre drejtuar kryeministrit, Sali Berisha, për monopolin që ky i fundit po i jep “Taçi Oil” në tregtimin i vetëm të naftës D2. Duke theksuar se nga 420 mijë tonë që shiten gjithsej, 300 mijë janë nga kjo naftë, që tashmë do jetë vetëm në dorën e Taçit, kjo shoqatë i ka kërkuar kryeministrit të rishohë vendimin që parashikon treg monopol dhe shkatërron miliona euro investime dhe dëmton rëndë konkurrencën.

Sipas kësaj shoqate, ka të dhëna se ky monopol do thellohet edhe më tej.

Me vendim qeverie, ARMO, që tashmë i përket Taçit, do jetë e vetmja që do tregtojë D2, që përbën shumicën në treg. Ajo do tregtojë naftë D2 jashtë cilësie të Ballshit, që do e marrë shumë lirë, do lirohet nga taksat dhe do shkatërrojë bizneset e hidrokarbureve që i paguajnë qindra miliona euro taksa shtetit. Më poshtë vijojnë disa nga dëmet që do shkaktohen nga vendimi i qeverisë Berisha.

 

1. Për kompanitë e licencuara për importimin dhe tregtimin e karburanteve nuk ka asnjë rëndësi mënyra e privatizimit të ARMO-s dhe madje as pagimi i detyrimeve të kontratës nga blerësi i deklaruar;

 

2. Favorizimet që i bëhen kompanisë ARMO në treg nëpërmjet vendimeve të qeverisë dhe akteve të tjera ligjore, nxjerrin në falimentim kompanitë importuese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre që nga viti 1992, vit kur u liberalizua ky treg;

 

3. Kompanitë që rrezikohet të falimentojnë kanë arkëtuar nga veprimtaria e tyre e ligjshme, për çdo vit, në arkën e shtetit, 70-260 milionë euro;

 

4. Kompanitë e licencuara ligjërisht nga shteti i janë përgjigjur të gjitha detyrimeve ligjore dhe kanë investuar kapitale të konsiderueshme në: transportin detar, në ngritjen e depozitave bregdetare dhe të brendshme. Vetëm në Porto Romano, pas vendimit përkatës të qeverisë, janë investuar në pontil dhe në depozita (depozitat kanë kapacitet jo më pak se 20 mijë tonë karburant për çdo kompani), mbi 200 milionë euro, të cilat tashmë rrezikohen të dalin jashtë funksionit, pas Vendimit të Qeverisë;

 

5. Kompanitë importuese dhe tregtuese kanë investuar në rrjetin e shpërndarjes së karburanteve brenda vendit (në rreth 980 pika të shitjes me pakic&eumlsmiley, rreth 400 milionë euro investim (një pikë shitje pakice kërkon mesatarisht 400 mijë euro investim);

 

6. Nafta e papërpunuar, si pasuri kombëtare, do t’i jepet kompanisë përfituese nga privatizimi me një vlerë 60 % më lirë se çmimi i koniukturës ndërkombëtare (theksojmë se sot, në kushtet e uljes së çmimit ndërkombëtar të naftës, shtete si Rusia, që zotëron 20 % të rezervës botërore të naftës, vendosin të importojnë me çmim të lirë për të ruajtur rezervat e tyre);

 

7. Kompanisë ARMO, me vendim qeverie, i ofrohen lehtësi fiskale nëpërmjet taksës së akcizës. Për importuesit kjo taksë llogaritet sa 75% e çmimit ndërkombëtar të blerjes, kurse ARMO, me vendim qeverie, do të paguajë 10 lekë/litër më pak akcizë;

 

8. Kompanive, që deri më sot kanë operuar në tregun ndërkombëtar të importit të naftës, nëpërmjet dy vendimeve të KM, iu hiqet 75% e tregut të brendshëm, duke ia kaluar direkt këtë treg kompanisë ARMO;

 

9. Duke iu referuar shifrave të vitit 2008, importi i karburantit pritet të shkojë në nivelin e rreth 420 mijë tonëve, nga e cila rreth 300 mijë tonë llogaritet naftë D2. Me VKM, qeveria ndalon gjithë operatorët e tjerë të importojnë, duke ia lënë këtë mundësi vetëm ARMO-s me naftën e Ballshit;

 

10. Më 01 janar 2009, ARMO hyn në treg duke gjetur një treg të gatshëm, pa konkurrencë, duke shitur potencialisht rreth 400 mijë tonë naftë, 300 mijë nga të cilat ua ka marrë konkurrentëve dhe 100 mijë tonë i prodhon vetë;

 

11. Referuar çmimeve të tregut ndërkombëtar, diferenca mes naftës Eurodiesel D1 dhe naftës Diesel D2, kuotuar në burse, është jo më pak se 80 USD/ton. Nga mënyra se si llogariten detyrimet fiskale për këtë produkt (75 % akcizë+20 % TVSH), ARMO përfiton edhe 80 USD/ton nga kjo llogaritje;

 

12. Në këtë mënyrë, qeveria, jo vetëm i jep monopol kësaj kompanie ndaj konkurrentëve të tjerë për rreth 400 mijë tonë Diesel D2, që ka të drejtë ta tregtojë vetëm ARMO, por i kursen kompanisë rreth 64 milionë dollarë taksa (400.000 tonë x 160 USD/ton = 64 milionë USD);

 

13. Pretendimi se ndalimi i importit të D2 nga kompanitë e licencuara është detyrim që vjen nga angazhimi për mbrojtjen e mjedisit nuk mund të jetë i vërtetë, sepse nafta D2 e importit ka përbërjen e squfurit jo më shumë se 0.15 mg/kg, ndërsa ajo e prodhuar në vend e ka këtë përbërës asnjëherë më pak se 0,2 mg/kg;

 

14. Densiteti i naftës D2 të importit është kurdoherë më pak sesa 0,845, ndërsa nafta D2 e prodhuar në vend e ka këtë tregues më shumë se 0,850.

 

15. Referuar detyrimeve të njohura të integrimit në BE dhe standardeve të OBT duhet që asnjë shtet të mos vendosë tarifa diskriminuese ndaj një malli që importohet. Në Shqipëri përjashtohet importimi i mallit! Marrëveshjet reciproke ndërmjet shteteve kërkojnë të mos ketë barriera doganore, ndërsa te ne ndalohet importi i produkteve të certifikuara. Referuar shembujve grek, italian, rumun etj., vëren se këto shtete iu kanë lënë kohë rafinerive për përmirësim teknologjik, por nuk kanë ndaluar importet.

 

 

Letër e hapur

 

Z. kryeministër, ndaloni monopolin dhe vendosni barazinë në treg

 

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve

 

Qeveria me VKM nr. 147, datë 21.03.2007, ka vendosur që më 1 janar 2009 e në vazhdim të hiqet nga tregu Gazoili 02, si për importin, ashtu dhe për prodhimin vendas. Koha në dispozicion ishte e mjaftueshme që rafineria vendase të përmirësonte teknologjinë e prodhimit për standardet e tjera të lejuara. Kjo praktikë është përdorur edhe nga vendet e tjera të rajonit e më gjerë. Në këtë kuadër Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka qenë dhe është dakord me zbatimin e këtij vendimi, i cili garanton barazinë në treg.

Kërkesa jonë e përsëritur edhe për takimin me Ju është e lidhur me situatën më të fundit të krijuar në tregun e karburanteve nga hyrja në fuqi e një VKM tjetër nr. 1110, datë 30.07.2008.

Mosrealizimi i këtij takimi na detyron t’Ju drejtohemi me këtë letër të hapur për të shprehur qëndrimet e gjithë anëtarëve të shoqatës për këtë deformim serioz të tregut të hidrokarbureve dhe diskriminim e plotë që iu bëhet operatorëve të tij.

Z. kryeministër,

VKM nr. 1110, datë 30.07.2008 i jep ekskluzivitet të plotë shoqërisë ARMO në tregtimin e gazoilit D2 dhe ua heq këtë gjithë subjekteve të tjera importuese e tregtuese duke detyruar konsumatorët të marrin vetëm prodhimin e rafinerisë së Ballshit që është një teknologji e viteve ‘50 të shekullit të kaluar. Me këtë vendim u merret biznesi gjithë subjekteve të tjera e i kalohet ky aktivitet vetëm një subjekti.

Z. kryeministër,

Ju drejtohemi Ju, me shpresën se ky është një keqkuptim. Ju si kryetar i opozitës në vitin 1999 keni dhënë një ndihmesë të madhe në prishjen e skemave monopolizuese të këtij sektori nga qeveria e asaj kohe. Ne nuk mund ta besojmë se Ju keni ndryshuar qëndrim dhe nga një përkrahës i zjarrtë i liberalizimit të tregut keni përqafuar idetë e ekskluziviteteve dhe të monopolizimeve të tregut.

Ju kujtojmë qëndrimet tona i ka certifikuar dhe konsideruar të drejta Autoriteti i Konkurrencës. Ky Autoritet me Vendimin e tij nr. 89, datë 30.12.2008, mbasi ka shqyrtuar përmbajtjen e VKM nr. 1110, datë 30.07.2008, ka vërejtur se diferencimi që bën ky vendim është një shtrembërim i konkurrencës dhe është në kundërshtim me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), nenet 81,82 dhe 86 të Traktatit të KE. Për këto shkaqe Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur t’i rekomandoje Këshillit të Ministrave shfuqizimin e VKM nr. 1110, datë 30.07.2008.

Ne jemi vënë gjithashtu në dijeni se po përgatiten akte të tjera, të cilat do të thellojnë këtë ekskluzivitet duke krijuar një monopol të dyanshëm, prodhim tregtim, në sektorin e hidrokarbureve.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve kërkon edhe njëherë ndërhyrjen Tuaj për rivendosjen e barazisë në tregun e karburanteve, në përputhje me traktatet e KE, me detyrimet e marra përsipër me MSA dhe OBT.

2 Komente

I ndaluan cufos qarkullimin e mollve.. Kjo eshte pjese e nje loje qe do te shpaloset ne forme koncesionesh ne javet qe do te vine.

Gjithsesi, Pika 1 eshte gjithshka,  pasi borxhi i shlyerjes se mallit eshte planifikuar te shlyhet duke shitur mallin aset prej 187 milion eruro qe posedonte ARMO ne momentin e shitjes.

Qeveri Kirurgjikale!!

 Autoriteti i konkurences, mund dhe duhet te nderhyje per ta rregulluar kete problem. Ajo akciza prej 75% per naften, mu duk skandaloze, nderkoh qe ne shum vende nuk e kalon 45% te vleres se blerjes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).