Apolonia "Aty ku shqiptarë e serbë bëjnë një skuadër"

Intervista/ Presidenti i Apolonisë, Endri Puka tregon bashkëjetesën e veçantë mes lojtarëve nga dy vendet

 

Me dy fitoret e fundvitit, Apolonia ka entuziazmuar publikun fierak, që tashmë i është kthyer shkallëve të stadiumit, por drejtuesit e klubit vazhdojnë të kenë rezerva, për paraqitjen e skuadrës në gjysmën e parë të kampionatit. Sipas presidentit Puka, ekipi është i përbërë nga futbollistë cilësorë dhe renditja në tabelën e klasifikimit, nuk i korrespondon nivelit të tyre. Në merkaton e dimrit, priten disa futbollistë të tjerë, serbë dhe shqiptarë, për të bërë të mundur prezantimin e një Apolonie ndryshe.

 

- A mund të bëni një bilanc të Apolonisë në pjesën e parë të kampionatit?

- Pavarësisht se dy fitoret e fundit kanë krijuar një klimë të mirë në ekipin tonë, ne në analizën e fundvitit e kemi cilësuar pjesërisht të përmbushur objektivin. Kjo jo vetëm sepse kemi marrë më pak pikë seç kishim parashikuar, por edhe sepse jemi skualifikuar nga kupa e Shqipërisë. Gjithsesi, mendoj se janë bërë përmirësime të rëndësishme në konsolidimin e frymës së skuadrës, apo në ngritjen e profesionalizmit tek shumë lojtarë.  Dua të përmend si suksesin më të madh të kësaj faze, afrimin e një numri të konsiderueshëm spektatorësh në shkallët e stadiumit "Loni Papuçiu", të cilët i ka tërhequr loja e bukur dhe me shpirt e Apolonisë.

- A e mendoni realisht që nuk do të ndiheni të rrezikuar për të rënë një kategori më poshtë, duke u bazuar te kontingjenti i futbollistëve që keni në dispozicion?

- Sigurisht që po. Ne kemi një kontingjent të mirë lojtarësh, disa prej të cilëve mund të luajnë pa problem edhe jashtë vendit. Sigurisht që forca jonë nuk qëndron në elemente të veçantë, por në frymën e ekipit, që prej vitesh të gjitha stafet drejtuese pa përjashtim, e kanë patur prioritare.

- A duhet të futeni në merkato gjatë janarit dhe ku jeni më shumë të përqendruar?

- Në diskutimet e fundvitit kemi rënë dakord me trajnerin Karishik, që të afrojmë 4-5 futbollistë cilësorë në merkaton e dimrit. Dy prej tyre janë futbollistë të Superligës Serbe dhe është trajneri ynë i cili është duke trajtuar marrëveshjet me këta lojtarë. Ndërkohë që stafet tona po punojnë për të afruar pranë ekipit disa futbollistë shqiptarë, ku kryesisht jemi të përqendruar në gjetjen e dy lojtarëve tipik të krahut të majtë dhe të djathtë, si dhe të një mesfushori organizator.

- Keni në përbërje dy futbollistë që mund të luajnë në të gjithë skuadrat shqiptare, si Shoshi apo Brkiç. A keni patur oferta për ta?

- Besoj se jam realist po të them se kemi më shumë se dy futbollistë, që mund të luajnë në çdo skuadër të Superligës. Shoshi sigurisht si një ndër qendërmbrojtësit më të mirë në vend është vazhdimisht i kërkuar, si në Shqipëri ashtu dhe jashtë. Edhe Brkiç, në fundvit ka qenë i kërkuar jo vetëm nga skuadrat që kryesojnë Superligën, por edhe nga disa ekipe të Superligës serbe. Por pavarësisht kërkesave, në asnjë moment nuk na ka shkuar ndër mend për të larguar ndonjë lojtar nga skuadra. Synimi ynë është që ta forcojmë sa më shumë këtë grup, në mënyrë që sezonin tjetër të krijojmë një ekip me pretendime serioze.

- Keni ndërtuar një skuadër me një "miks" futbollistësh serbë dhe shqiptarë? Është rastësi futja në tregun serb, apo diçka e studiuar?

- Eshtë çështje eksperience, kemi përfituar nga gabimet tona. Futbollistët afrikanë me përjashtim të Abrahamit, na kanë rezultuar totalisht të paqëndrueshëm. Brazilianët më të përkushtuar, por tepër larg mentalitetit të kampionatit shqiptar, ndërkohë që futbollistët serbë praktikojnë një futboll më burrëror dhe janë përshtatur shumë shpejt me kampionatin tonë. Gjithashtu, duke qenë kaq afër ndihen shumë më të lidhur me ekipin, sesa futbollistët nga kontinente të tjerë.

- Përgjithësisht njiheni si një skuadër që ruan ekuilibrat financiarë dhe asnjëherë nuk bëni marrëzi me rrogat apo me kontratat. Çfarë modeli keni në lidhje me funksionimin?

- Modeli ynë janë skuadrat e vendeve të vogla, të cilat luftojnë të prodhojnë lojtarë të vlefshëm për kampionate të vendeve të mëdha. Që të prodhosh, lojtarë të tillë duhet që në radhë të parë të prodhosh futbollistë profesionistë dhe kjo është vështirësia kryesore në kampionatin shqiptar, ku lojtarët nuk kërkojnë maksimalen, por një fitim minimal apo mesatar sa më shpejt të jetë e mundur dhe me sa më pak lodhje. Fatkeqësisht, pak investime bëhen në brezat e rinj, me synim vendosjen e bazave për përgatitjen e futbollistëve profesionistë.

- Cili është qëllimi i akademisë dhe a është për ju klubi Apolonia një biznes, apo vetëm një hobi?

- Akademia është një mbështetje e fortë për strategjinë tonë. Shpresoj që të fillojmë punë muajin tjetër aty, në mënyrë që të krijojmë një bazë të shëndetshme për krijimin e futbollistëve të rinj. Në momentin që vë në funksionim një akademi si ajo që ne po përfundojmë në Fier, me mbi 20 dhoma moderne, palestër, zyra, klasa mësimore, dy fusha stërvitore me bar artificial dhe shumë ambiente të tjera ndihmëse, bëhet i lehtë edhe binjakëzimi me klube prestigjioze. Ende pa përfunduar ne kemi pasur shprehje interesi nga disa klube angleze e skoceze, ku më i njohuri është Arsenal.

- Sa e vështirë është për një skuadër si Apolonia që të jetë konkurruese, dhe a i keni mundësitë financiare dhe sportive për ta bërë një gjë të tillë në të ardhmen?

- Apolonia është një skuadër me buxhete të qëndrueshme. Dy aksionarët, Koço Kokëdhima 75% dhe Bashkia Fier 25%, depozitojnë çdo fillim viti 60 milionë lekë të reja. Mendoj se nëse ekipi do të ketë ecuri të mirë do të arrijmë të sigurojmë edhe të ardhura shtesë, në mënyrë që të afrojmë lojtarë më cilësorë, si dhe të trajtojmë më mirë lojtarët që kemi.

- Në Shqipëri, në kundërshtim me shumë vende të tjera të Evropës, industria e futbollit është në hapa të papërfillshme. Sa e lehtë është të kthehet futbolli në industri dhe a mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë një gjë e tillë, në rritjen e mirëqenies së njerëzve?

- Futbolli është një nga ato të pakta fusha, ku me pak investime shqiptarët mund të konkurrojnë me sukses vendet e tjera. Fatkeqësisht, Qeveria Shqiptare më shumë e pengon sesa e ndihmon sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Pa një strategji të qartë nga ana e qeverisë, pa nismat e duhura ligjore, shanset për sukses të përpjekjeve tona zvogëlohen ndjeshëm.

 

Intervistoi: Gjergji Stefa

8 Komente

Hë laluct e kputun edhe gola nuk bëjnë dot po marrin serb të shënojnë.

 

C'tu thuash ketyre drejtuesve te Apollonise?

E moren ta drejtojne ekipin para shume viteve, premtuan shume gjera dhe arriten....ta shkaterrojne traditen e mire te Majacit & Co.

Kane premtuar Akademine qe prej shume vitesh (ne fakt ne Fier ka ekipe te ndryshme moshash) por ende s'kane filluar te nxjerrin lojtare pre kesaj Akademie (qe deri tani eshte vetem ne leter).

Une uroj me gjithe zemer qe Apollonia t'i rikthehet tradites e te mos luftoje vetem per mbijetese. Ashttu sic do te deshiroja te shikoja ne ekipet elitare edhe Luftetarin, Skenderbeun, Tomorin apo edhe Naftetarin smiley

Nuk mbahet shtepia me miell hua...

....futbollistët serbë praktikojnë një futboll më burrëror....

 

Si percaktohet "burreria" ne futboll? smiley

Sipas percaktimeve "shqiptare" futbolli (ashtu si edhe mundja apo peshengritja) konsideroheshin sporte "burrerore" smiley

Sipas komentatorit te famshem Ismet Bellova, kur kishte nderhyrje te forta per te marre topin nga kundershtari, pa e demtuar kundershtarin, quhej "loje burrerore" smiley

Me sa duket kuptimi eshte qe luajne fort smiley

Luftetarin, Skenderbeun, Tomorin apo edhe Naftetarin ..

Mire Skenderbeu eshte skuader e Korces ( ne mos u gabosha), po keto te tjerat te kujt jane ???

Qenke i ri ne moshe Rual (sa mire per ty)

Luftetari - Gjirokaster

Tomori - Berat

Naftetari - Kucova (ish Qyteti Stalin)

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).