Akreditimi, agjenci e huaj për Universitetin e Tiranës

Universiteti i Tiranës është në tratativa për të kontraktuar një kompani të huaj për zhvillimin e akreditimit të këtij institucioni. Pas përfundimit të fazës së parë të akreditimit që ka nisur prej tri vitesh dhe pritet të marrë fund në muajt shkurt-mars, do të jetë agjencia bavariane “Aquin”, ajo që do të kryejë akreditimin e jashtëm të universitetit më të madh në vend.

Procesi

Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo, bën të ditur se ky hap është një tregues i nivelit të universitetit. “Agjencia do të kryejë akreditimin me të njëjtat parametra që kryhen edhe në Gjermani dhe në vendet e tjera e si pasojë rezultatet e këtij akreditimi do të jenë tregues i mirëfilltë i gjendjes së universitetit”, – deklaroi z. Demo. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me një krahasim të brendshëm në sistemin arsimor, por me vendosjen e Universitetit të Tiranës në garë të hapur me universitetet e rajonit.

“Universiteti i Tiranës po kërkon të luajë rolin e liderit në sistemin arsimor shqiptar, pasi këtë rol e ka prej themelimit të tij. Universiteti i Tiranës, tashmë, kërkon të luajë rolin e liderit në mbarë sistemin universitar ballkanik dhe më gjerë”, – tha z. Demo.

Akreditimi i jashtëm i universitetit vjen në përfundimin e vlerësimit të brendshëm, proces ky që ka nisur prej tri vitesh. “Vlerësimi i brendshëm ka treguar disa mangësi në universitet, – pohon, z. Demo, - pikësëpari infrastrukturën, që është e pamjaftueshme për madhësinë që ka universiteti. Por ky problem ka gjetur një zgjidhje afatgjatë me përfundimin e projektit për kampusin në Qytetin Studenti”.

Një problem tjetër i hasur gjatë vlerësimit të brendshëm, është edhe ai i numrit të pedagogëve. Sipas z. Demo, në fillim të procesit të vlerësimit numri i pedagogëve ishte mjaft i ulët, por me shtimin e 160 të tjerëve në personelin akademik gjatë këtij viti, ky problem është zbutur. “Gjithsesi, duke parë trendin e rritjes së numrit të studentëve në universitet, ne do të kërkojmë sërish rritje të numrit të pedagogëve dhe ekziston predispozita e qeverisë për të pranuar këtë kërkesë”, – thotë z. Demo.

Akreditimi

Akreditimi është një proces në të cilin duhet të kalojë çdo universitet. Në vendin tonë ekziston Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë, që është nën varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe që jep miratimin përfundimtar për dhënien e licencave në një universitet, e më pas, për njohjen e diplomave të tyre në tregun e brendshëm. Deri tani, të akredituara janë të gjitha universitetet publike dhe tri prej universiteteve private.

Por, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë, të gjitha universitetet publike duhet të riakreditohen nga Agjencia shtetërore e Akreditimit. Vetëm Universiteti i Tiranës ka kërkuar akreditim të huaj, në mënyrë që parametrat e përdorura gjatë këtij procesi të jenë të të njëjtit nivel me vendet e zhvilluara evropiane, ndërkohë që universitetet e tjera do të akreditohen nga agjencia shtetërore.

Në Kosovë, dy vite më parë, kur qeveria vendosi akreditimin e universiteteve private nga një agjenci e huaj, asnjë prej tyre nuk mori miratimin përfundimtar, duke detyruar qeverinë e shtetit fqinj që të mbyllte të gjitha universitetet private deri në plotësimin e standardeve.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).