86 vjet shërbim pyjor

27 Janar 1923, dita e dekretimit të Ligjit të I-rë "Për pylltarinë shqiptare", që sot përkujtohet me nderim, si dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar. Dekretimi i këtij ligji, si ligji më bashkëkohor i kohërave në pylltarinë shqiptare, ishte kurorëzim i kontributit të njerëzve më të përkushtuar të pylltarisë. Ky ligj do të shënonte fillimin e organizimit të sektorit pyjor, një nga organizimet më të suksesshme për mbrojtjen e pyjeve. Në kontekstin e këtij ligji pyjet konsideroheshin si tokë e shenjtë, ku shkelësit e ligjit barazoheshin me shkelësit e Biblës, që nuk mund  t'i shpëtonin dënimit. Mbrojtja e pyjeve sipas këtij ligji ishte mbrojtja e pronës së të gjithëve shqiptarëve pavarësisht nga lloji i pronësisë, private apo shtetërore po aq sa dhe detyrimet për administrimin e tyre ishin të njëjta, si për pyjet shtetërore edhe ato private. Parimet e këtij ligji ishin të njëjta me ato të ligjeve bashkëkohore jo vetëm të asaj kohe, por edhe sot, sepse bazoheshin në parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, që impononte zbatim rigoroz të parimeve të qëndrueshmërisë për ruajtjen e ekuilibrave natyrore.

Kontributi për hartimin dhe miratimin e këtij ligji njihet si një nga kontributet më të vlefshme në historinë e pylltarisë, që do të linte gjurmë për zhvillimin e sektorit pyjor në vazhdimësi deri edhe në vitet e regjimit të diktaturës, kur, megjithë gabimet për hir të politikës, pyjet konsideroheshin si një sektor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Kjo u reflektua në investimet që shteti i diktaturës bënte në sektorin pyjor, kur shërbimit pyjor iu vu emrin "Ekonomia Pyjore", gjë që u reflektua në organizimin e ndërmarrjeve pyjore me vetëfinancim (një nga parimet bazë të organizimit të sektorit pyjor sot) dhe në mbrojtjen e pyjeve ku përgjithësisht dëmtuesi paguante koston.

Dëmtimet më të mëdha në sektorin e pyjeve do të ndodhnin në vitet e tranzicionit, ku "ligj u bë shkelja e ligjit" me pasoja katastrofike për këtë pasuri me vlera të gjithanshme jo vetëm kombëtare por edhe globale. Ishte kjo arsyeja që organizma ndërkombëtare si FAO/BB në bashkëpunim me donatorë të tjerë ndërmorën që në vitet e para të tranzicionit studime mbi gjendjen e pyjeve, që pasuan me investime dhe mbështetje të gjithanshme për rimëkëmbjen e këtij sektori. Punë disavjeçare, investime shumëmilionëshe, që u kurorëzuan me miratimin e Ligjit të Pyjeve dhe Shërbimit Pyjor në Qershor 2005, konform Strategjisë së re të Pyjeve dhe Reformës Institucionale, që do të shënonte një histori të re për sektorin pyjor.

Ligji i ri do të kufizonte dëmet dhe abuzimet që kishin përfshirë sektorin pyjor, por fatkeqësisht nuk gjeti zbatim. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave e pa të arsyeshme që të ndryshoheshin pikërisht nenet, që kufizonin abuzimet e shfrytëzimeve në pyje dhe të kryente një riorganizim të Sektorit Pyjor, që nuk mbështetej në Strategjinë dhe Reformën Institucionale të miratuar me vendim të posaçëm të qeverisë së asaj kohe..

Për fat të keq sot pasojat janë të dukshme në ecurinë e këtij sektori, kur as ligji nuk pengon abuzimet, si pasojë e aktiviteteve ilegale që vazhdojnë të dëmtojnë çdo ditë e më shumë pyjet shqiptare.

Ndërkohë, dita e Dekretimit të Ligjit të Parë të Pyjeve dhe Kullotave, që festohet si dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar, i shërben MMPAU, si dita e shpalosjes së arritjeve në sektorin e pyjeve.

Pavarësisht deklaratave të herëpashershme të kësaj Ministrie, nuk besoj se sot ka ndonjë shqiptar, që të besojë se situata në pyje është përmirësuar vitet e fundit.

Arsyet e këtij mosbesimi janë të qarta, sepse shqiptarët po shohin dhe po vuajnë pasojat e administrimit të këtij sektori:
-    Erozioni dhe rrëshqitjet e tokave, që tani janë kthyer në një fenomen të zakonshëm rrëshqitjesh masivesh të shkretuar nga prerja ilegale dhe dëmtimet e pyjeve (reflektuar apo jo nga media), janë shprehje e qartë e "hakmarrjes" së pyjeve ndaj veprimtarisë abuzive, që nuk po e ndal as ndërgjegjja, as ligji, as institucionet përgjegjëse të drejtimit dhe zbatimit të ligjit.
-    Komunitetet e zonave rurale po kuptojnë që një nga arsyet e varfërisë që po vuajnë është shkatërrimi i vlerave të burimeve natyrore, që në kushtet e ekonomisë së tregut, pa dëmtuar mjedisin, duhet të ishin burimi i mirëqenies së tyre; ata shohin nga afër pakësimin e pyjeve si burim ngrohje, turizmi dhe të ardhurash të tjera.
-    Ajri i rënduar nga shtimi i komponentëve të karbonit, burim i një sërë sëmundjesh të frymëmarrjes dhe tumorale është pasojë edhe e pakësimit të sipërfaqes së gjelbër jo vetëm në afërsi të qyteteve, por edhe të pyjeve; Qytetaret ndjejnë mungesën e pyjeve si vende çlodhje dhe frymëmarrje të lirë. Të gjithë shqiptarët e interesuar për këtë pasuri në zhdukje mund të shohin jo vetëm nga afër, por edhe nga avioni edhe në pamje satelitore, shndërrimin e ngjyrës së territorit shqiptar nga ngjyra e gjelbër në ngjyrën e tokës, në vend që të shohin shtimin e pyllëzimeve sikurse pretendon MMPAU.
-    Shifrat mbi sipërfaqen e pyjeve sipas shifrave të viteve 60-të që vazhdon të deklarojë MMPAU, sot duken qesharake për shumicën e shqiptarëve, që janë të informuar mbi tjetërsimet e mijëra ha., sipërfaqe pyjore në toka me destinacione të tjera pa llogaritur dhjetëra mijëra ha., pyje të djegur dhe të degraduar për shkak të zjarreve që kanë përfshirë pyje, parqe kombëtare, etj.

Përgjigjja mbi shkakun e kësaj gjendje mjerane në pyje është e njohur tashmë:

Ekziston një papërgjegjshmëri totale dhe moszbatim i legjislacionit ekzistues në fuqi "Për administrimin e Pyjeve dhe Shërbimin Pyjor Shqiptar".

Vënia e interesave të biznesit mbi interesat publike, po shton gjithmonë e më tepër presionin ndaj mjedisit dhe prishjen e ekuilibrave natyrore në vlera të pallogaritura kombëtare dhe më gjerë. Këto interesa po kalojnë kufijtë pa llogaritur detyrimet që vendi ynë ka nga anëtarësimi në marrëveshjet si ajo e Kyoto-s, që jemi të detyruar t'i zbatojmë, ose t'ju përgjigjemi një ditë sanksioneve për moszbatim të tyre.

Komuniteti, i cili duhet të jetë edhe më i interesuari për ruajtjen e vlerave mjedisore, vazhdon të vuajë keqorientimin në administrimin e këtyre vlerave, për më tepër tani që Ministria pretendon transferimin e pyjeve komunale pushtetit lokal. Mënyra e transferimit të pyjeve pushtetit lokal përbën zhgënjimin e radhës në vazhdën e zhgënjimeve të reformës së Qeverisë në sektorin e pyjeve. Zhgënjime dhe keqardhje veçanërisht për ata që kanë shërbyer në pyje në të kaluarën dhe nuk mund as të kuptojnë se çfarë po ndodh sot me një nga pasuritë më të vlefshme të këtij vendi, për të cilat vazhdojmë të mburremi pa ditur, se çfarë po bëjmë me to. Mjaftuan vetëm 6 muaj afat kohor për të hequr një sipërfaqe të konsiderueshme të pyjeve nga përgjegjësia e Ministrisë së Mjedisit, veprime amatoreske, që nuk njihen në asnjë periudhë të historisë së këtij vendi. Transferohen pyjet, pa transferuar planet e menaxhimit, të drejtat dhe detyrat dhe as njerëzit që do t'i menaxhojnë këto pyje.  

Ndoshta do të ishin me fat pyjet sikur militantët partiakë, të ishin pak miqësorë me mjedisin, sepse nuk do të lejonin që pylli të ndëshkohej nga vandalizmi i atyre, që rastësisht iu është besuar mbrojtja e pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore.

Sot, problemet mjedisore përbëjnë nga problemet më të rëndësishme që shqetësojnë vendet e zhvilluara ku ne presim të integrohemi, ku parametrat mjedisore janë po aq të rëndësishëm sa të gjithë parametrat e tjerë të domosdoshëm për integrimin në Evropë.

Arsyet janë të njohura, për shkak të mirëmenaxhimit të tyre dhe nivelit të lartë të ndërgjegjësimit të shoqërisë civile, që kërkesat mjedisore shpesh janë ato që udhëheqin opinionin e gjerë deri në vendimin mbi qeverinë që do të drejtojë vendin. Sot në botën që na rrethon, sloganet me përmbajtje mjedisore, kthehen në sloganet kryesore të zhvillimit të fushatave elektorale në vendet e zhvilluara evropiane, ndërkohë që tek ne shqetësimi i shoqërisë civile për situatën e rënduar mjedisore, bie në vesh të shurdhër dhe nga institucionet përgjegjëse s'bëhet gjë tjetër veçse gënjehet, duke pritur përvjetorët për të shpalosur fitoret.

*Ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Pyjeve

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).