2009-ta, Viti i Ballkanit Perëndimor

Njoftim për shtypin nga Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri me rastin e paraqitjes së Raportit Vjetor nga Komisioni Europian (rezultatet kyçe të raportit për Shqipërinë mund ti lexoni më poshtë)
5 nëntor 2008

Sot, Komisioni miratoi dokumentin e tij vjetor strategjik për politikën e zgjerimit të BE-së. Ai thekson rolin që politika e zgjerimit e BE-së luan në interesin strategjik të Bashkimit për qëndrueshmëri, siguri dhe parandalim konflikti. Gjithashtu, Komisioni vlerëson progresin e arritur në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi gjatë vitit të fundit dhe qartëson sfidat e ardhshme. Përparimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE mund të përshpejtohet nëse përmbushen kushtet e nevojshme. Duhet të jetë e mundur të arrihet faza përfundimtare e negociatave për anëtarsim me Kroacinë në fund të vitit 2009, nëse Kroacia i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme. Ritmi i negociatave me Turqinë do të vazhdojë në përputhje me ritmin e reformave të vendit.

Zgjerimi i shërben interesave strategjike të BE-së për qëndrueshmëri, siguri dhe parandalim konflikti. Ai ka ndihmuar në rritjen e mirëqenies, në përmirësimin e lidhjeve me rrugët jetësore të transportit dhe energjisë, dhe në rritjen e peshës së BE-së në botë. Në kuadër të sfidave të kohëve të fundit ndaj stabilitetit në Lindje të BE-së, zbatimi i qëndrueshëm i politikës së zgjerimit bëhet më i rëndësishëm se kurrë. Programi i tanishëm i zgjerimit mbulon Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

Duke prezantuar raportet, Komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn tha: “Udhërrëfyesi kushtëzues dhe tregues që i paraqitet sot Kroacisë duhet të shihet si inkurajim që ky  vend të ecë përpara me reformat. Suksesi varet nga aftësia e Kroacisë për tëpërmbushur kushtet për anëtarësi në BE. Kalendari indikativ mund të ketë nevojë të përshtatet në varësi të progresit të arritur nga Kroacia. Topi tani është në fushën e Kroacisë. Komisioni do të monitorojë nga afër plotësimin e kushteve.” “Gjithashtu, përshëndes progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ecuria e tyre drejt anëtarësisë në BE mund të përshpejtohet, nëse përmbushen kushtet e nevojshme. Shtetet potencialisht kandidate që tregojnë gatishmërinë e tyre mund të përftojnë statusin e shtetit kandidat. Ne do të përgatisim një studim fizibiliteti mbi mënyrën se si mund të përparojë e ardhmja Evropiane e Kosovës.”

“Turqia ka rëndësi shumë të madhe strategjike për BE-në dhe unë e përshëndes rolin konstruktiv që luajti gjatë krizës së Kaukazit. Gjithashtu, vë në dukje se në vitin 2008 situata e brendshme është dalluar për tensione të mëdha politike. Tani, pres që Turqiatë rigjenerojë përpjekjet e saj reformuese. Ritmi i negociatave do të vazhdojë të përputhet me atë të reformave në Turqi.”

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka shënuar progres të mirë në reformën e gjyqësorit dhe zbatimin e detyrime të MSA-së dhe vazhdon të konsolidojë demokracinë multi-etnike duke zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Megjithatë, vendi duhet të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të përmirësojë dialogun midis partive dhe aktorëve kryesorë. Gjithashtu, ka patur disa përparime në luftën kundër korrupsionit, në reformën e shërbimit civil, në përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e punësimit. Megjithatë, përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër progresin në këto fusha.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po ecin përpara me zbatimin e Marrëveshjeve të Ndërmjetme dhe kanë patur progres në fusha të rëndësishme të reformave. Konsolidimi i shtetit ligjor dhe përforcimi i kapaciteteve administrative mbeten sfida të mëdha për këto vende. Në veçanti, Shqipëria duhet të sigurojë përgatitjen dhe zhvillimin e rregullt të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Mali i Zi duhet të vazhdojë me vendosmëri reformën gjyqësore. Tashmë Bosnje-Hercegovina duhet të arrijë urgjentisht konsensus politik dhe të vazhdojë me reformat, sidomos për të zotëruar qeverisjen e vet.

Serbia duhet të vazhdojë me zhvillime pozitive nëpërmjet bashkëpunimit të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe të arrijë progres të prekshëm në fushat prioritare të reformave të lidhura me shtetin ligjor dhe reformën ekonomike. Nëse Serbia i përmbush këto kushte, do të mundë të përftojë status kandidati në vitin 2009.

Kosova ndan perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Përgjithësisht, qëndrueshmëria është ruajtur. Megjithatë, integrimi Evropian i Kosovës mbetet në një fazë fillestare në shumicën e fushave përkatëse. Komisioni do të prezantojë një studim fizibiliteti në vjeshtë të 2009-ës, duke vlerësuar mënyrat se si mund të përparojë zhvillimi politik dhe socio-ekonomik, dhe duke shqyrtuar se si mund të ecë më mirë Kosova, si pjesë e rajonit, drejt integrimit me BE-në.

Komisioni vazhdon të marrë masa ta bëjë perspektivën Evropiane më të prekshme për qytetarët dhe kompanite e Ballkanit Perëndimor. Komisioni mund të propozojë heqjen e detyrimit të vizave gjatë 2009-ës, për ato vënde që përmbushin kushtet e vendosura

Rezultatet kyçe të Raportit të Progresit për Shqipërinë

Shqipëria firmosi një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në në 12 qershor 2006. Një Marrëveshje e Ndërmjetme që mbulon çështje tregtare ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet normalisht. Ratifikimi i MSA-së nga Vendet Anëtare është pothuajse i përfunduar.

Kriteret politike
Shqipëria ka vazhduar të përparojë në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor. Reformat kyçe në sistemin gjyqësor dhe elektoral kanë ecur përpara, bazuar në konsensus ndër-partiak. Përpjekjet për të fuqizuar shtetin ligjor janë intensifikuar. Shqipëria ka vazhduar të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira me shtetet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së.

Megjithatë, kultura e dialogut mes partive politike dhe pavarësia e institucioneve shtetërore kërkon konsolidim të mëtejshëm për të lejuar funksionimin efikas të sistemit politik. Pavarësisht nga përmirësimi në perceptimin publik, korrupsioni mbetet një problem veçanërisht serioz, sikurse edhe krimi i organizuar. Vëmendje e veçantë nevojitet për vazhdimin e reformës së gjyqësorit.

Kriteret ekonomike
Ekonomia shqiptare ka ecur përpara drejt një ekonomie tregu funksionale. Rritja e shpejtë ekonomike e Shqipërisë u shoqërua nga një rritje e defiçitit tregtar, i cili po dobëson pozicionin e jashtëm financiar të vendit. Shqipëria ka patur sukses në mbajtjen nën kontroll të inflacionit.

Politika fiskale u dobësua ndërkohë që vendi filloi të investojë më shumë në infrastrukturë. Kjo u shoqërua me progres në privatizim dhe përmirësim të klimës së biznesit. Ristrukturimi dhe privatizimi i sektorit energjitik nuk u arrit dhe furnizimet e pasigurta me energji vazhdojnë të pengojnë në mënyrë të theksuar zhvillimin ekonomik. Reforma të tjera të konsiderueshme duhet të vazhdojnë për t’a mundësuar ekonominë të përballojë në një periudhë afatgjatë presionet konkuruese dhe forcat e tregut të Bashkimit.

Standartet Evropiane
Shqipëria ka përparuar në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe kapacitetit të saj me standartet Evropiane. Tani ka nevojë të përforcojë përpjekjet e saj në zbatimin e këtyre ligjeve dhe politikave. Përparimi i arritur gjatë viteve të mëparshme në fusha si doganat, konkurenca, lëvizja e lirë e mallrave dhe politika audiovizuale, është ruajtur. Megjithatë, në fusha të tjera si energjia, transporti, prokurimi publik, kontrollet veterinare/fitosanitare dhe të drejtat e pronës intelektuale, përparimi ka mbetur i  kufizuar. Rezultate të përmirësuara nevojiten gjithashtu në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

3 Komente

  1. Ll thotë:

    6 November 2008 @ 12:08 am

    Raporti i plot (ne Anglisht) mund te lexohet ketu.

  2. D. thotë:

    6 November 2008 @ 1:36 am

    Rrnoft Sal Berisha!

  3. adi thotë:

    6 November 2008 @ 4:16 pm

    me cfare degjojme si lum ne
    me cfare shohim mjere ne..

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com