Presidenti ndërkombëtar i SHBA-së

Nga Ervin Bushati
Shekulli

Amerikanët vendosën për presidentin e tyre nëpërmjet zgjedhjeve të fundit presidenciale të 4 nëntorit 2008. Pavarësisht preferencave politike të çdo votuesi, një gjë është e qartë për të gjithë: presidenti amerikan do të ketë një detyrë shumë më ndryshe nga ajo që bëri deri në vitin 2000. Natyra e punës dhe sfidat gjithmonë me ndërkombëtarë dhe të integruara në një realitet global, bëjnë që presidenti i amerikanëve të jetë në të gjitha format një figurë me përmasa botërore.

Askush nuk mund të parashikonte para 8 vjetësh tërmetin e vërtetë që do të shkaktohej në politikën dhe strategjitë botërore pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe luftës në shkallë botërore që pasoi shfaqjet e urryera të terrorizmit në Amerikë. Nga ajo ditë dhe me vonë, realiteti politik në planet, ndryshoi përditë e më shumë drejt një integrimi politik dhe strategjik që duket se po përligj globalizimin ekonomik që është në fuqi prej dekadash tashmë në rendin e ri botëror.

Sot qytetarët amerikanë jetojnë në një realitet të ndarë, ku vetë besimi dhe vlerat që ata mbajnë për të shenjta, janë tronditur dhe janë në pikëpyetje mbarë nëpër botë. Ekonomia amerikane zhvillohet sot nën efektin e një krize financiare dhe një pakënaqësie nga qeverisja konservatore së fundmi.

Për këto arsye, sfida e vërtetë e presidentit të ri amerikan do të jetë patjetër të rregullojë ekonomine dhe reputacionin e saj në botë. Në të dy rastet, rezultati i kësaj ndërmarrjeje titanike që do të materializohet në termin e presidentit të ri, do të jetë jetike për realitetin e ri ndërkombëtar që, përherë e më shumë, po ndërthuret në interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike.

Senatori, Barack Obama, hyri nga një figurë e panjohur politike, përveçse në shtetin e Illinoisit, në skenën ndërkombëtare, si protagonist me fuqi të plota. Mënyra sesi u ngrit nga statusi i të panjohurit në atë që e bën sot njeriun më të fuqishëm në botë, tregon se sot jemi përballë një realiteti të integruar ndërkombëtar dhe thellësisht demokratik në një fokus global. Të gjithë sondazhet jashtë Amerikës e dallojnë atë thellësisht fitues, dhe kjo njëtrajtësisht në gjithë kombet.

Presidenti Obama pati aprovimin e sigurt ndërkombëtar, nëprëmjet sondazheve në media, internet dhe gjithë format e tjera të njohura të këtyre praktikave elektorale. Kjo është një risi dhe një proces thellësisht demokratik në një formë që, nga sot, do të jetë, ndoshta, një trend politk që nuk mund të injorohet më as nga politika dhe as nga shoqëria amerikane.

Amerika sot e ka përherë e më të qartë se një president i vërtetë amerikan, me gjithë implikimet dhe fuqinë që sjell ky pozicion, duhet të ketë një aprovim dhe konsensus ndërkombëtar, nëse do të jetë i suksesshëm në emër të popullit dhe vendit të tij.

Fuqia ekonomike dhe ushtarake e shtetit që sot udhëheq botën e lirë, është pak për të garantuar paqen, prosperitetin dhe sigurinë ekonomike që të gjithë dëshirojnë të kenë në planetin tonë, përherë e më të ndërlidhur në interesa dhe realitete. Ndaj, perveç forcës dhe imponimit, një Amerikë më e sigurt duhet të jetë dhe më e pranueshme, në kuptimin e forcës së butë që do të duhet të aplikojë për të ndikuar në balancën e brishtë të botës sot.

Kjo duhet të reflektohet që te figura më fuqishme që ajo paraqet në botë: presidenti i gjithëpushtetshëm amerikan. Dhe, të gjithë sotjashtë Amerikës, janë në sinkron kur mendojnë se Obama është lehtësisht më i pranueshëm se kundërshtari i tij.

Ndikimi i Amerikës, po pse jo dhe Kinës apo Indisë, në jetën e cilido qytetari të botës është sot i ndjeshëm. Askush dhe asnjë shtet nuk është më një ishull ku nuk përplasen dallgët e krizës financiare apo të problemeve me Al Qaeda dhe probleme të tjera globale.

Nga krahu tjetër, vendimet politike dhe ekonomike të Bashkimit Europian, që sot janë realitet dhe kanë një impakt të thellë në jetën e më shumë se gjysmë miliardë banorëve në Europë. Në të njëjtën mënyrë nuk është larg mendsh të argumentosh se dhe zgjedhjet në Shqipëri do të jenë të ndikuara nga opinioni ndërkombëtar, përherë në rritje.

Ndërthurjet përherë e më të forta të interesave ekonomike, për këtë shkak dhe politikë, sot në botë bëjnë që, zgjedhjet, jo vetëm në Amerikë të jenë të ndërvaruara me ralitetin ndërkombëtar.Fenomeni Obama dhe optika globale që morën këto zgjedhje në Amerikë, do të jetë një hap më shumë drejt një integrimi ekonomik dhe politik të botës dhe të një rendi botëror më të balancuar, larg forcës, frikës dhe luftës.

*Autori është diplomuar Ekonomi/Financë, Chicago USA

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. xhibi thotë:

    5 November 2008 @ 7:42 pm

    Artikulli eshte korrekt ne permbledhjen qe i ben zgjedhjeve dhe parashikimit per te ardhmen. Po jam kurioz ta di, pse duhet shenuar ne fund te nje artikulli gazete se ca shkolle ka mbaruar autori dhe ku e ka mbaruar, sikur po ben rezyme? :D

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com