Kur qeveria shmang debatin

Nga Mero Baze *
Shekulli

MEDIAT DHE KRYEMINISTRI

Qeveria shqiptare po konsolidon një praktikë të pandershme përgjigjesh për akuzat që ngrihen në shtyp, duke mos dhënë përgjigje konkrete për faktet. Kjo praktikë, e nisur fillimisht nga kryeministri Sali Berisha, po përcillet tani te ministrat e tij dhe po kthehet në praktikë normale pune. Rasti më i freskët është seanca parlamentare dhe debati rreth faksit të nisur nga zyra e ministrit të Drejtësisë për te Ministria e Mbrojtjes, në adresë të Shkëlzen Berishës.

Media botoi faksin që mban datën 13 mars dhe orën 9 e 17 minuta, dërguar nga zyra e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, kurse Ministria e Drejtësisë reagon për shkresën zyrtare që është nisur në datën 9 mars 2007. Këtu janë dy fakte krejt të ndryshme. Përgjigjja e vetme që pritet është se kush e ka nisur faksin dhe kush e ka bërë shënimin sipër faksit më 13 mars dhe jo kush e ka nisur shkresën zyrtare në datën 9 mars. Po ashtu, askush nuk ka thënë që shënimi për Shkëlzen Berishën është i Aldo Bumçit, por i zyrës së tij dhe ai duhet të na thotë i kujt është.

Në të njëjtin stil dhe kryeministri, Sali Berisha, i thirrur në mocion debat rreth çështjes “Fazlliç”, në vend të përgjigjeve korrekte për përfitimet që ka pasur ky sekser i familjes së tij në qeveri, lëshon tymnaja dhe bën akuza për gjëra, të cilat nuk kanë të bëjnë me faktet e dala rreth sekserit Fazlliç. E njëjta praktikë ndodh dhe me ministrin, Lulzim Basha.

Kunati i tij rezulton administrator i shoqërive të Fazlliçit në Tiranë dhe ai del e bën deklarata publike se kunati im nuk është ortak me zotin Fazlliç, gjë që nuk ia ka thënë askush. Po ashtu, ministri Alibeaj, i cili rezulton se ka përgatitur gjithë kuadrin ligjor për projektvendimet e Gërdecit, del e thotë se në cilësinë e këshilltarit të kryeministrit ka punuar në mënyrë korrekte, gjë që nuk ia ka thënë kush.

Praktika e deklaratave në formë përgënjeshtrimi për akuza që nuk ua ka bërë askush, duket se po kthehet në një praktikë të shëmtuar të reagimit zyrtar të qeverisë ndaj akuzave për korrupsion apo skandaleve të tjera. Tashmë, nëse qeverinë e kritikon, për shembull, për MSA-në, ajo mund të dalë dhe të thotë që ata që thonë se nuk do të hyjmë në NATO, gënjejnë.

Nëse e kritikon për projektligjin provokues për prokurorinë, siç ishte në versionin fillestar, mund të dalë e të thotë që ligji që do miratohet është projekt dhe i pranuar nga prokuroria. Nëse del e thua që ambasadori amerikan ka bërë vërejtje konkrete për qeverinë, lidhur me pavarësinë e institucioneve, del e të thotë se presidenti Bush ishte i qeshur, kur hodhi firmën mbi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Pra, praktika e shmangies së debatit, duke u marrë me një çështje tjetër nga ajo që ngrihet publikisht është bërë përfundimisht një praktikë normale pune e qeverisë, e cila jo rrallë fut në konfuzion opinionin publik. Mënyra sesi qeveria po përpiqet të shmangë aktualisht debatin mbi faktet rreth sekserit Fazlliç apo përfshirjes së djalit të kryeministrit në procedurën e hartimit të kuadrit ligjor për Gërdecin është e turpshme. Nëse një kuadër ligjor hartohet në interes të një personi, atëherë merr fund historia e shkeljes së ligjit, pasi djali i kryeministrit nuk ka pse shkel më ligje, nëse ato i bën vetë siç i nevojiten.

Për këtë arsye nuk shans të gjesh shkelje ligjore te një ligj që është bërë si ka dashur pala e interesuar. Në rastin e Gërdecit ishte shpërthimi dhe vdekja e 26 personave ajo që e bëri situatën dramatike, pasi kuadri ligjor, siç rezulton, është hartuar sipas interesave të atyre që kanë kapur realisht shtetin. Dhe kryeministri duhet t’i përgjigjet debatit për kapjen e shtetit.

*Marrë me shkurtime nga sajti on-line i gazetës “Tema”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com