PD-ja në qershor, fushatë me leje legalizimi

Eljona Ballhysa
Albania

Duket se një nga “armët” e PD-së gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore do të jetë pikërisht shpërndarja e lejeve të legalizimit. Kjo është bërë e ditur nga nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu. Ai është shprehur dje se procesi i legalizimit do të përfundojë në muajin qershor, kur pritet të shpërndahet një numër i madh tapish për ligjërimin e objekteve pa leje. Por muaji në të cilin do të realizohet ky proces përkon pikërisht me muajin në të cilin do të zhvillohet dhe fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Pikërisht gjatë muajit qershor kryeministri Berisha pritet ta bazojë fushatën në dhënie lejesh legalizimi, duke e cilësuar këtë si përmbushjen e një premtimi elektoral. Procesi i legalizimeve ka mëse tre vjet që është marrë përsipër për t’u realizuar nga administrata e qeverisë “Berisha” dhe deri tani janë shpërndarë vetëm disa dhjetëra leje legalizimi. Ndërkohë që zyrtarët bëjnë të ditur se bumi i lejeve të legalizimit do të shpërndahet gjatë qershorit të ardhshëm, duke pranuar shfrytëzimin e këtij procesi për fushatë zgjedhore.
Deklarata
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Ferdinand Shehu, ka bërë të ditur dje se azhornimi i të gjitha ndërtimeve pa leje do të përfundojë brenda këtij mandati të qeverisjes. “Ky proces pritet të përfundojë sipas premtimeve të dhëna të kësaj qeverie, çka do të thotë se do të mbarojë brenda mandatit të qeverisjes”, - është shprehur Shehu. Sipas tij, procesi i legalizimit do të ketë një nga impaktet më të mëdha në zhvillimin e ekonomisë së vendit. “Janë rreth 150 mijë prona dhe nëse llogarisim secilën me vlerën aktuale të tregut prej afro 50-60 mijë eurosh secila, do të kenë impakt në ekonomi. Këto ndërtesa, duke u bërë pjesë e tregut, përveç përfitimit të tyre si pronarë të këtyre banesave, do të sjellin edhe impakt në ekonomi, pasi do t’i bashkohen armatës së pronave të tjera, të cilat kryejnë veprimet fiskale, tatimore të pasurisë”, - është shprehur Shehu.
Kategoritë
Nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve bën të ditur se ekzistojnë tri kategori ndërtimesh pa leje. Së pari janë ndërtimet në zonat periferike, ndërtimet e pallateve me shtesa para vitit 1993, ndërtimet e veçuara në zonat urbane dhe shtesat e pallateve shumëkatëshe, të cilat kanë deformuar projektet e tyre dhe janë jashtë tregut për shkak të mosmarrjes së lejes së shfrytëzimit. Duke pasur tri kategori të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, sipas Shehut, edhe puna e ALUIZNI-it është shtrirë në drejtim të tri kategorive të ndërtimeve dhe në gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të mos kemi një zonë të parë që do pajiset me leje ndërtimi, siç mund të jetë Tirana apo Durrësi, por procesi të mund të shtrihet në të gjitha qarqet e vendit. “Tashmë ne kemi një paketë ligjore më të kompletuar dhe një paketë financiare shumë të kompletuar ku janë përcaktuar me saktësi dhe korrektësi gjithçka”, - është shprehur Shehu. Ai ka bërë të ditur se dosjet janë marrë nga njësitë e qeverisjes vendore në mesin e muajit shtator dhe mbi bazën e ligjit të ri të amenduar pas procesit të klasifikimit të ndërtimeve ka filluar procesi i azhornimit në terren të tyre, ndërsa theksoi se tashmë janë azhornuar më shumë se 60 mijë pasuri në të gjithë territorin. “Ndër to afro 30 mijë pasuri janë të prekura, e thënë ndryshe të dixhitalizuara, ndërsa janë përgatitur vendimet e Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë dhe kompensimit të pronarëve të ligjshëm, pasi tashmë jemi të vendosur se nuk do të ketë legalizim, pa pasur një kompensim të pronarëve të ligjshëm me rregullat e tregut, që do të thotë me çmime të përcaktuara nga harta e vlerës së tokës nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronës. Kemi 6 mijë pasuri që i kemi kaluar për kalim pronësie, ndërsa çdo javë do të ketë dosje dhe përgatitje të vendimeve të Këshillit të Ministrave për kalim pronësie, pasi tashmë i gjithë sistemi i punimit të të dhënave, i azhornimit në terren, i përgatitjes së dosjes ka hyrë në atë ciklin e vet të punës”, - ka bërë të ditur nëndrejtori i ALUIZNI-t. Shehu theksoi se lejet e para të legalizimit priten nga fundi i muajit nëntor dhe më pas çdo ditë do të ketë dhënie të lejes së legalizimit në të gjithë territorin e Shqipërisë, e cila do të pasohet me kartelën e pronësisë për regjistrim në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme.

Verifikimi i titujve të pronësisë do të fillojë nga zonat turistike

Çdo tapi e ndarë me Ligjin 7501 në zonat turistike dhe në ish-fermat bujqësore do të kalojë në një kontroll më të imët nga komisionet e ngritura posaçërisht për të verifikuar titujt e pronësisë. Kryetari i komisionit për qarkun e Tiranës, prefekti Ruzhdi Keçi, ka bërë të ditur se procesi i verifikimit të titujve të pronësisë do të nisë me ndarjen e tokave bujqësore sipas Ligjit 7501 në zonat turistike. Ndërsa në pjesën tjetër të vendit, tapitë e dhëna do të verifikohen vetëm nëse për një tokë të caktuar do të ketë ankimime në komisionet e verifikimit apo në njësitë vendore përkatëse, ndërkohë që në këtë proces parashikohet të përfshihen afro 400 mijë tapi të lëshuara. Në këto raste, ligji parashikon të godasë apo të penalizojë vetëm individin e parë që ka përfituar në mënyrë të paligjshme, ndërsa përjashtohen nga kjo përgjegjësi të gjithë ata persona që e kanë blerë apo tjetërsuar pronësinë e kësaj toke. Pra, sipas ligjit, përfituesi i parë që ka përvetësuar tokë në mënyrë të paligjshme do të detyrohet t’i paguajë shtetit dëmin e shkaktuar për çdo metër tokë bazuar në çmimet aktuale të tregut. Por, gjithashtu sqarohet se institucioni që do të vendosë për heqjen e titullit të pronësisë nuk do të jenë komisionet e tokave apo verifikimit të titujve të pronësisë, por gjykata. Ligji për verifikimin e titujve të pronësisë do të thotë që çdo tokë e marrë padrejtësisht do t’i merret pronarit dhe do t’i kalojë shtetit. Çdo vendim që do të marrë ky komision do të jetë i ankimueshëm në gjykatë. Ligji që do të verifikojë tapitë në tre vjet pritet të shoqërohet me efektet të mëdha dhe parashikohet që të nisë një seri procesesh gjyqësore nga e para. Zgjatja e këtyre gjyqeve do të mbajë peng zgjidhjen e konfliktit të pronës deri në përfundimin e procesit.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente

  1. Lefti thotë:

    4 November 2008 @ 12:54 pm

    secili mundohet te beje elektorat me mjetet qe ka ne dispozicion

    PD ben fushate me tepite e legalizimeve, PS ben fushate me Fazlliç dhe me Trebicken, apo me mire, me tragjedine e Gerdecit dhe me 26 te vraret e 300 te plagosurit

    PD ben dhe do beje fushate me anetaresimin ne Nato, me lehtesimin e vizave, me marrjen e statusit te vendit kandidat per ne BE vitin e ardhshem, me firmosjen e MSA-se, me rrugen Durres-Kukes, me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, me 2 milione turiste ne 2008 …

    Opozita do beje fushate me “misrin pa kokrra”, me “lenien ne harrese te fshatit”, me thirrjet : “T’a bejme gjth’ Shqiperine si Tirana”

  2. bledi thotë:

    4 November 2008 @ 4:07 pm

    Partia e Djathte PDja ??!!!
    Fushat si Enveri ne 1945sen, me tapite e tokave.
    Madie ky ecen nje hap me teje, do te fshij dhe nga Kadastrat pronat.

    Komunisti ne krye te PDse?!

    Hadje votoni per te ”Djathten” ?!

    PS: E djathta historike ne shqiperi,dhe partite e saj para komunizmit, kishin nje boshte, PRONESINE E TOKES, KJO QE NJESHI I SAJ. Tani shihni vete.

  3. lupi thotë:

    5 November 2008 @ 12:33 am

    2 milione turiste ne 2008? Me te rejat apo me te vjetrat?

    Une vajta ne Durres me ble ca goma te reja per golfin tim. Turist quhem?

  4. grenx.ah thotë:

    5 November 2008 @ 10:12 am

    PD-ja ka marr fund , asnji lloj morali nuk i jep atyre te drejten te shpenzojne miliona eur, per te vetmen arsye ,e para se populli ka nevoje per sherbime eshte ne gjendje shume depresive , e dyta me cfar surrati kerkon te konkuroje PD-ja me Hajdutet qe vodhen e plackiten ,qe jan pasuruar me Vila ne bregdet e male ,ku kan nga 10 apartamente , apo me skandalet e pafundme qe e zhyten kete popull ne mjerim .Kush do ti kerkoj votat ketij populli kerrcuri i djegur birisha me politiken e tij mashtrimit ,rrugacerise ,arrogances se tij ,me politiken e tij depresive qe ka shkatuar ne kete popull ! Apo PR-ne me xhambazt e koalicianit Mediun e Godon etj etj skandaloze .
    Pd-ja ka marre fund lideri saj nuk ka se cti tregoje me ketij populli ,se i tregoj mjaft ( munxyra ketij populli),pjell e nji kaosi politiko-shoqeror ,deri ne nji degradim total te shtetin ,ku te huajt bejne cduan ,duke e kthyer popullin shqiptare ne nji skllav te te huajve . Mendimi im do te ishte qe PD-ja nuk duhet ti harxhoj parate e ketij populli per fushate sepse ajo ka marre fund ,ramazzoti PS-ja eshte shpresa e ketij vendi politika e mashtruseve hajduteve ne pushtet ka marre fund .PD-ja eshte nji barake ku ndajn paret hajdutet asgje me shume si e tille duhet te shkrihet dhe riformohet me antare te rinj qe me te vertete kan nji vizion Demokratik. Shqiperia nuk mundet te mbetet peng e mashtruseve injoranteve koha kerkon ndryshim total ,kerkon njerez qe ti ven shpatullat punes ,ata qe kan vullnetin te ndryshojne e permiresojne jeten e qytetarit fshatarit e jo Misra pa kokrra ,mashtrues , kerkon nji fytyre te re ,nji shprese te re , per nji jete te re .

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com