Lumë

Lumë

Mot i ri, po koha është po ai lumë,
që herë mërmërit vdekjen, (dikur
më pat prurë, po nuk qeshë ujë,
as degë e thyer, as kufomë të mbyturi)
herë më puth në buzë, në bregun ku
shkumë e fjalës zbardh baltën, lë gjurmë

Bota jemi ne, por nuk lëvizim veten,
Orbitash përjetimi humb përsëritja
kujtesën, lëshohet n`atë rrymë dhe
e kujton atë veten. S`ka gjë, të tjerë
e bëjnë më mirë sa ku u lind të derdhet

Thyhet bërthama, thelb i bardhë, i njomë
ngjyen retinën e dritës së re, horizonti
tkurret, mbetet veç ajo, stërkalë e kohës
së ngrirë që bulëzon të tjera, djersën ballit,
perlën, vesën, lotin, gjakun, vrerin, moshën

Të gjithë u shkruajnë vargje të dashurave,
veç unë jo. Lee është aziate e nuk di shqip

T`mendoj

Ke frikë nga drita, kur zbardh fshihesh
nuk di ku, harrohem sendeve, të humb,
Muzgu të sjell prapë, si vala kufomën
brigjeve ku çapis i vetëm e kam frikë
se mos jam dënuar nga forcë e verbër,
që lëviz ujët, erën dhe bën natën ditë

Kërkoj atëhere një krahëror të butë,
ku të ve kokën, mbyll sytë e dëgjoj
rrahjen e një zemre tjeter, ndoshta
njëlloj si imja kur tundet nga era
që pru retë e lëvizi hënën, që u epsh
në degë derisa pikoi lëngu nga kokrra

T`mendoj e boshllëku m`ngërthen gjoksin,
Nuk e di pse, mall ndoshta, ndoshta afsh
i shuar i kohës që ngriu si llavë mbi gurë,
Përmbi kanë mbirë lule që do t`i këpusja,
Po kujt t`ia dhurosh ato? Se ti ke shkuar
rrugës ku shkojnë papra vetëm të vdekurit

Pa kthim, pa shpresë pendimi a më fal,
Si rrasë guri mbi varr rëndon kujtesa,
Të shkruara mbi të emri e ca shifra,
Unë gjalloj akoma e s`si në do të shoh
ditën kur vullkani do të zgjohet prapë
e do të na mbulojë si pluhuri eshtrat…

Farë në arë

Shtrirë, vetëm, atë çast
kur na kafshon gjarpëri
e gjaku hidhërohet

Një çast është jeta,
s`ka si të jetë tjetër
as vdekja

Pastaj?

Pastaj çahet horizonti mëdysh,
si sy, që shohin njëlloj,
djepi duket pastaj si varr,
kufoma si foshnje

Marr frymë, ndaj jam,
rete shkojnë e vinë,
mos jam gjë era?

Jo, më thote qielli,
e qartësohet si syu
që sheh gjithçka

Jo, thotë reja shtatzanë
dhe pjell lotë si pema hijen

Kush je?- më pyet era
e fryn tutje mendimet
si gjumi shpirtin

Shpërndarë jam
si farë në arë

http://vangogh625.blogspot.com/

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com