Largësia nga njerëzit, fatale

Vangjush Saro
Shekulli

Në pritje të publikimit të progresraportit për shkallën e kryerjes së reformave e të integrimit dhe për përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, sa na takon ne shqiptarëve, duket sikur vihet re një rikthim në pikën e nisjes. Edhe pse janë vlerësuar disa hapa në drejtimin e duhur, më e pakta që është konstatuar nga i gjithë opinioni publik, ka të bëjë me përsëritjen, le të themi stërthënien e të njëjtave kritika.

Mirëpo, në kundërshtim me një konstatim të tillë, muajt e fundit janë shoqëruar me një zhurmë të madhe propagandistike, në lidhje me hapat që ka hedhur vendi, në sajë të qeverisë “më të shkëlqyer” që ai ka patur ndonjëherë(!)

Edhe më parë, në këtë vend, janë përdorur përtej çdo mase hiperbolat dhe lavdia është thirrur nga kushedi ku, si të ishte e vetmja zgjidhje për hallet e panumërta. Kujtojmë, bie fjala, se viti 2007 u cilësua si “më i suksesshmi” nga kreu i administratës shqiptare, kryeministri Berisha. Shumë shpejt, ai me siguri mund të thotë të njëjtën gjë edhe për vitin 2008.

Duket se kryeministri dhe pjesa tjetër e administratës i kanë humbur prej kohësh lidhjet me terrenin. Ata përpiqen të zbresin atje, sajojnë përurim pas përurimi, më në fund përpiqen edhe të shtiren të lumtur kur takohen më mikpritësit, një pjesë e të cilëve janë partiakë fanatikë, nëpunës servilë ose thjesht mësues, nxënës a qytetarë të detyruar që të jenë të pranishëm në këto (gjoja)ngjarje.

Por largësia që i ndan qeverisësit nga ata njerëz, tashmë është fatale. Qeverisësit asnjëherë nuk mund të kuptojnë se 17 vjet janë shumë për të dëgjuar të njëjtat premtime (si kjo e lëvizjes së lirë); janë shumë edhe për të parë të njëjtat fytyra, po aq hipokrite, po aq të padurueshme sa edhe në shfaqjet, premtimet dhe autokritikat para dhe pas vitit ’97.

Progresraporti (edhe pas 17 vjetësh pluralizëm e demokraci) veçon si dobësi fatale të ashtuquajturin konfliktualitet politik dhe deformimet në raportet shumicë / pakicë. Në vend të debateve korrekte dhe transparente, në këto raporte ka me shumicë kërcënime, eufori dhe gënjeshtra.

Një nga politikanët më tipikë, që nxisin këtë lloj konflikti, shpeshherë për të shmangur vëmendjen e qytetarëve nga problematika të rënda, është vetë kryeministri. Kurse një nga shembujt më domethënës, që e vizaton si jo më mirë këtë “gjendje lufte”, është këmbëngulja e qeverisë dhe e politikanëve pranë saj, për të mos pranuar asnjë skandal, asnjë lidhje me korrupsionin, asnjë dështim.

Kjo u shfaq në formën më perverse në mohimin e shkaqeve të vërteta dhe pastaj të përgjegjësive për tragjedinë e Gërdecit dhe trafikun e armëve. Ja pse edhe në progresraport, bien po ato këmbana.

Nëse flitet për suksese dhe reforma, këto do të duhej të vinin tek qytetarët, jo në mënyrë retorike, por të sendëzuara. Kjo do të thotë se jeta e tyre duhej të ishte bërë më e sigurt, shërbimet në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, duhej të ishin ngritur në një lartësi të re. Mirëpo termi “reformë” në vend që të sofistikohej, është sendëzuar në maksimumin e mundshëm.

Kryerja e reformave, ka nënkuptuar më së pari heqjen e një pale dhe vënien e një pale tjetër. Mënyra e qeverisjes nuk ka ndryshuar. Qytetari i këtij vendi, është vazhdimisht i stresuar, përherë nën presionin e mbijetesës. Bakshishet, miqësitë, hatëret ushtrohen sheshazi: për t’u punësuar, për t’u shëruar, për t’u shkolluar, për të marrë e rimarrë pronën, e kështu me radhë.

Në zyrat e qeverisë dhe po ashtu në ato të drejtësisë, individë fodullë e (në masë) të panjerëzishëm, të ardhur nga legjionet e soj-soj partive e partiçkave, e shikojnë qytetarin si një mekanizëm që duhet të prodhojë për ta para, vetëm para; ata përtojnë të bëjnë një telefonatë, të luajnë një fije letër që këtu atje.

E pra, përpara dhe gjatë vitit 2005, flitej për një administratë të shkurtuar, profesionale, teknike. Paradhënia më e mirë për këtë ishte KOP-i, që shpejt e humbi kuptimin dhe befasinë, duke u zvogëluar në një gusht servilësh e puthadorësh të kryeministrit arrogant. Le të dalë sot, qoftë edhe një prej këtyre ekspertëve të çmuar, dhe të formulojë një kritikë për qeverisjen, në kuadër edhe të përsëritjes së kritikave nga ndërkombëtarët. Nuk ndodh. Për këtë edhe nuk ka përparim.

Pjesë e rëndësishme e kritikave të përsëritura, është çështja e pronave. Krerët e shteti, të gjithë pa përjashtim, dhe në çdo kohë e në çdo pushtet, kanë folur gjerë e gjatë për problemet e rënda të pronës. Presidenti Topi ka tërhequr disa herë vëmendjen e institucioneve në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, gjithashtu, ka përsëritur në mjaft raste se problemi i kthimit dhe kompensimit të pronave nuk ka ecur si duhet. Kryeministri (i shtirur si) i djathtë, Sali Berisha, përpara disa javësh, i shau e i kërdisi prefektët dhe përfaqësuesit e institucioneve që do të duhej të merreshin me titujt e pronësisë. Tabloid i mbushur plot me hipokrizi.

Asgjë dhe asnjëherë nuk i ka penguar personazhet në fjalë të marrin e të japin me ish-Komitetin Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, ta shndërrojnë këtë në agjenci puro qeveritare, t’i kalojnë kompetencat e dhënies së titujve të pronësisë ALUIZNI-it, t’i marrin mbi vete përgjegjësitë dhe… përfitimet, e kështu më tej.

Në asnjë rast, ata nuk kanë pranuar që në këtë temë, ashtu siç kemi qenë për rreth 70 vjet më të prapambeturit e rajonit, ashtu edhe jemi ende. Mirëpo reformat e tjera, edhe në se do të ishin të shkëlqyera, pa reformën e pronësisë, do të ishin të mangëta dhe demagogjike. Ja pse, pavarësisht disa vlerësimeve, rikthimi i kritikave të partnerëve në këtë progresraport, i rëndon dyfish përgjegjësitë e politikës dhe të pushtetit aktual.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com