Si po shkatërrohet “Xhamia e Plumbit”, pasuria mbi 100-vjeçare

Mirsad Sylja (Metropol)

Historia e ngritjes dhe degradimit të një arkitekture të rrallë në ShqipëriSHKODER- Mbaj mend se kur isha i vogël, para 15-vitesh, gjyshja (pastë rahmet) më merrte përdore dhe së bashku shkonim në një nga lagjet e vjetra të Shkodrës, aty gjendet një xhami madhështore, e bukur dhe e hijshme për nga arkitektura me të cilën është e ndërtuar. Shkonim në “Xhaminë e Plumbit” për të falur namaz e për të dëgjuar Kur’an… Nga shtëpia ime deri në “Xhaminë e Plumbit” ishte rrugë e gjatë, mirëpo çdo të mërkurë unë bashkë me gjyshen shkonim atje dhe e përdornim si një piknik të përjavshëm në shtëpinë e Zotit të Madhëruar!…Historia e… gjyshesEdhe pse isha i vogël, gjyshja më tregonte e më thoshte se kjo xhami u ndërtua në vitin 1773 dhe është vepër e hirësisë së tij Mehmet Pashë Plaku. E merr emrin ‘Xhamia e Plumbit’, ngase të gjitha kupolat e saj ishin të mbuluara me plumb.Mënyra se si u ndërtua kjo xhami është unike dhe e veçantë në vetë llojin e vet. Xhamia është e ndërtuar nga guri dhe “i gjithë guri është i latuar, i bërë thuajse me masa të njëjta, çka krijon simetri ndërtimore. Ai sillej nga fshati Gur i Zi nga populli, i cili rreshtohej varg me kilometra të tëra, nga Guri i Zi e deri tek vendi ku po ndërtohej xhamia. Në ndërtimin e saj mori pjesë edhe Mehmet Pasha, nën kujdesin e të cilit skaliteshin gurët. Pothuajse çdo ditë ai zbriste nga kalaja për të ndjekë ritmikën e punimeve.Imami i parë i kësaj xhamie ishte Haxhi Ahmet Misria. Haxhi Ahmeti ishte me origjinë nga Egjipti dhe nga kontaktet që kishte me Mustafa Pashë Bushatlliun, ai vjen në Shqipëri, në Shkodër, dhe merr detyrën e imamit në xhaminë e Plumbit.

Më pas kanë shërbyer hoxhallarë të tjerë në xhami, të cilët kanë shërbyer në shërbesat fetare, por edhe janë kujdesur për mirëmbajtjen e xhamisë, etj. Xhamia e Plumbit, në kohën e hershme për të cilën po flasim, kishte një rëndësi të madhe dhe ishte një objekt me vlera të larta. Ajo nuk ishte vetëm një objekt kulti në të cilin bëheshin adhurimet, ajo kishte një dimension e kuptim më të gjerë shoqëror e kulturor, luante një rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve shkodranë…

100 vjet degradim e harresë

Një histori më vete për

shkatërrimin e “Xhamisë së Plumbit”

SHKODER- Mirëpo me kalimin e viteve, me degradimin dhe fillimin e shthurjes së shoqërisë njerëzore, “Xhamia e Plumbit” filloi të humbiste atë nusërinë dhe madhështinë e saj! Ajo filloi të dëmtohej si ndërtesë dhe plumbi, i cili mbulonte kupolat e saj, rreth vitit 1900 filloi të vidhej… Më pas, në kohën e pushtimit austriak rreth viteve 1916-1917, organet ushtarake ia hoqën edhe shtresat e tjera të mbetura…

Që në këtë periudhë filloi prishja e kësaj xhamie! Një gjë e tillë pohohet edhe nga vetë konsulli austriak në Shkodër, Theodor Ippen, në librin e tij “Shqipëria e vjetër”: “Sado që nuk është shumë më e vjetër se 100-vjeçare, ndodhet në një gjendje aq të shkretë, saqë nuk mund të përdoret më”. Kësisoj, që nga ajo kohë ka filluar shkatërrimi i kësaj xhamie, duke vazhduar nga viti në vit dhe, në vitin 1938, minareja e xhamisë ishte gjysmë e rrënuar… Në revistën “Zani i naltë”, shtator 1938, pohohet një gjë e tillë: “Më ra rasti, ndër këto ditë, me vizitue ‘Xhaminë e Plumbit’ në Shkodër, e cila për fat të keq ndodhet në shkatërrim e sipër prej vërsuljeve që i bën Drini çdo vit, sa të thuash krejt xhamia brenda është mbushur me dhe; gjithashtu edhe minareja e kësaj xhamie, mbas pak kohe shifet se ka me u rrezue, mbasi i kanë ra disa gurë afër sharafit e mbas tashit është frikë me hy në këtë minare”. Nuk kaloi shumë kohë dhe minareja u shemb…, në këtë mënyrë ra edhe një element tjetër i veçantë i xhamisë! Periudha e komunizmit e të tilla si kjo, ndërprenë funksionimin e xhamisë, e për të bërë diçka për të, as që bëhej fjalë. Vetëm se e falënderojmë xhaxhin për mëshirën e tij të madhe që nuk e rrënoi dhe, që ‘Xhamia e Plumbit’ nuk pësoi atë fat që patën xhamitë e tjera në Shqipëri. Më 16.11.1990, kjo xhami i parapriu xhamive të tjera në të gjithë Shqipërinë për rihapjen e fesë në vendin tonë. Pikërisht në këtë xhami u bë tubimi i parë fetar pas 23 vitesh ndërprerje (1967-1990), nga zotëria e tij Hafiz Sabri Koçi (pastë rahmet). Edhe pse kjo xhami çdoherë ishte koherente me ngjarjet, edhe pse është e lashtë dhe madhështore për nga historia e për nga arkitektura, ajo vazhdoi çdo ditë të degradohej, deri në ditët e sotme. Vazhdon sërish, nuk ndalet!…

Ende asnjë projekt për restaurimin

Sot akoma nuk kemi një gjë konkrete për restaurimin e saj, akoma nuk e ka vënë kush ujin në zjarr për të. Akoma vazhdojmë të vuajmë nga paradoksizma e drejtuesve të institucioneve që janë përgjegjës për restaurimin e saj. Tallen me nusen tonë, po e restaurojmë sot, por e restaurojmë nesër, kaq fonde sot e aq nesër; sot riparojmë këtë dritare, pas dy vitesh riparojmë tjetrën!…Myftinia e Shkodrës me këmbëngulje ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë ndihmë në institucionet përgjegjëse për restaurimin e kësaj xhamie, por më kot. Për çdo gjë tjetër ka fonde dhe ndihmë, për këtë xhami nuk ka asgjë… Jo se nuk e meriton, por…pretendohet se ka projekte për rehabilitimin e saj, por këto projekte nuk dihet në do të fillojnë ndonjëherë dhe në do të zbatohen një ditë, sepse bashkëpunimi mes dikastereve në fjalë është i ngrirë. Zakon i hershëm i institucioneve tona”.

Është me të vërtetë e pakuptimtë që nuk u restaurua tamam kjo xhami që në 1900-n, por kjo është një sprovë për të gjithë ne, sa bëjmë për të, sa kontribuojmë për ndryshimin e gjendjes së saj. Sa e ngremë zërin përballë fëlliqësirave që tallen me të!

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. eT thotë:

    20 August 2008 @ 7:29 pm

    turp.

  2. pavaresia thotë:

    22 August 2008 @ 11:03 am

    Ministria e kultures merret me organizimin e summer party ne bregdet dhe restaurimin e kishave dhe “harron” restaurimin e trashegimise se maxhorances shqiptare.

  3. max thotë:

    22 August 2008 @ 11:20 am

    ah si na e hengren shpirtin keto trashe-gimtaret e Haxhi Qamilit.
    Ps. per cfare ”trashe-gimie” te shumices e kishe fjalen??

  4. bobi thotë:

    22 August 2008 @ 11:47 am

    per ate qe do ti mbyte kauret ne te ardhmen maxoooo dhe ty nga maksimum do te beje minimum…

  5. max thotë:

    22 August 2008 @ 12:30 pm

    hajt pra jepini me nje xhihad :D

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com