Lopa buzë autostradës

Artan Fuga
Gazeta Standard

Presidenti Bamir Topi u takua këtë javë me homologun e tij malazez dhe me atë kroat. Në takimin e tyre ata kanë biseduar për çështje rajonale, por pjesa më interesante dhe e prezantuar për herë të parë në publik ishte përdorimi i termit “Korridori Adriatiko-Jonian”. Përdorimi i këtij termi a tregon se stabilitetit rajonal është arritur dhe se politikanët në rajon po e vënë theksin më tepër në bashkëpunimin ekonomik rajonal?

I kam ndjekur me interes këto takime dhe gjykoj se janë me shumë dobi për gjeopolitikën tonë kombëtare. Jam dakord me ju se zona jonë ballkanike do të shpëtojë nga situata e tanishme në të gjitha planet atëherë kur të kemi skema zhvillimi rajonal. Por, nuk mendoj se vetëm përdorimi i një termi politik apo gjeopolitik i zgjidh problemet. Ne jemi akoma në kushtet e izolimit prej njëri-tjetrit si kombe.

Kriza globale e çmimeve ka shkaktuar një varg reagimesh të specialistëve të ekonomisë. Ajo që vihet re dhe që është e përbashkët në komentet e analistëve është argumentimi se vendi i ynë nuk do të mund të dalë nga kriza nëse nuk fillon të prodhojë. Në këtë moment të gjitha thonë se nuk mund të ketë prodhim pa zgjidhur më parë çështjen e pronës. Midis tyre mund të përmend edhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Shqipërisë, z. Fullani. Cili është komenti juaj, a mendoni se çështja e prodhimit është e lidhur domosdoshmërish me çështjen e pronësisë së tokës dhe rikthimin e saj tek ata, të cilëve shteti ua mori vite më parë?

Nuk e di se cilët janë këta analistë që i lidhin kështu këto gjëra, pra që i shohin dukuritë si një zinxhir i hekurt ngjarjesh, të cilat vijnë njëra pas tjetrës. Duket sikur kemi një rrjedhë të pashkëputur shkaqesh dhe pasojash. Ju e paraqisni shumë mirë arsyetimin e tyre: Kemi ngritje çmimesh në tregjet ndërkombëtare dhe kjo përthyhet edhe në tregun shqiptar. Për ta përballuar këtë që ndodh dhe rëndon mbi ekonominë shqiptare dhe xhepat e stomakun e shqiptarëve duhet punuar, shumë bukur deri këtu, pastaj kërkohet që të punohet toka, pra të prodhohet në sektorin e bujqësisë, e për këtë duhet riparë çështja e pronësisë, e cila me të drejtë thuhet se vende-vende ka probleme shumë serioze.

E dini si më duket mua kjo lidhje në formë zinxhiri të hekurt me hallka të shtrënguara në mënyrë të ngurtë me njëra-tjetrën?

Si xhaketë ushtarake e mbërthyer deri në fyt.

Si ajo përralla ruse ku plaku tërhiqte për ta shkulur rrepkën, plaka tërhiqte plakun, djali tërhiqte plakën, qeni tërhiqte djalin, macja tërhiqte qenin, por përsëri nuk po e shkulnin dot bimën me të cilën dëshironin të ushqeheshin. Kur, për fat, në një çast të caktuar, erdhi miu që tërhoqi bishtin e maces dhe ndodhi mrekullia, rrepka u shkul.

Ne në filozofi këtë e quajmë një determinizëm të hekurt që nja njëzet vjet më parë zyshat ua mësonin brezave të rinj si formë e lidhjeve të ngjarjeve dhe dukurive shoqërore.

Por, sot nuk duhet menduar kështu.

Nuk është e thënë që kriza e një sektori të caktuar të ekonomisë të zgjidhet duke e kërkuar këtë zgjidhje medoemos brenda tij. Nuk është e thënë se kriza e sektorit ushqimor të zgjidhet vetëm brenda sektorit bujqësor. Unë këtu bëj një ndarje parimore. Është e vërtetë se tokën ne e kemi lënë djerrë në shumë hapësira të saj. Javë më parë, i kam thënë lexuesit tonë se ne si komb kemi një marrëdhënie incestuale me tokën mëmë, pra e kemi keqtrajtuar duke i hedhur asaj gjithë vrullin e libidos sonë ndërtimore duke e mbarsur me lloj–lloj hekurash, soleta betoni, rrota veturash, skelete makinash etj. Sikur ta parandjeja atë që do të ndodhte disa ditë më pas.

Por, me gjithë këtë ves të ekonomisë sonë kombëtare, pra se toka nuk punohet, nuk më ka shkuar ndër mend kurrë të them se rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore do ta përballojmë kryesisht dhe vetëm me anë të rritjes së prodhimit bujqësor.

Këtu dua të tërheq vëmendjen e lexuesit tonë në disa pika.

Qysh prej librit të madh të Adam Smithit, që më pas e kopjoi në mënyrë krijuese Karl Marksi te libri i tij “Kapitali”, dhe në fakt këtë ide mund ta gjesh qysh te libri i famshëm e Aristotelit “Politikat”, është zbuluar se marrëdhëniet ekonomike janë histori shkëmbimesh midis kombesh. Kombet e zgjuara dhe punëtore janë racionale dhe nuk bëjnë gabimin e madh që do të ishte ai që kemi bërë ne dikur dhe që reflektohet edhe në disa planifikime që ne bëjmë edhe sot.

Pra, nuk përpiqen ta prodhojnë çdo gjë vetë.

Kriza e sotme e çmimeve të mallrave ushqimore nuk përballohet medoemos duke rinisur në të gjithë gamën prodhimin bujqësor.

Do të ishte një naivitet i pafalshëm.

Përse janë shkëmbimet dhe tregu ndërkombëtar i shkëmbimeve? Për këtë punë janë, pra për ta kapur lepurin me qerre. Mund të ndodhi që fare bukur, ta zëmë për të përballur rritjen e çmimit të miellit, mund të zhvillosh fuqishëm peshkimin, sa për ta marrë si shembull i një sektori që ndodhet larg tokës, atje në det. Apo turizmin sa për të përmendur një sektor tjetër që duket se është larg sektorit të bujqësisë.

Adam Smithi gjykonte në mënyrë gjeniale se më mirë është të përqendrohesh në prodhimin e disa mallrave apo të disa shërbimeve, aty mund ta rritësh rendimentin e punës duke përqendruar forcat dhe energjitë mendore dhe fizike të kombit. E më pas, në treg, performancat e tua ekonomike t’i shkëmbesh me ato të popujve të tjerë duke qenë konkurrent me ta.

Për ta bërë edhe më të thjeshtë. Nëse ekonomia është rënduar nga rritja ta zëmë e çmimit të miellit ose të naftës, atëherë jo doemos duhet që patjetër që plaku të shkulë rrepkën me ndihmën e miut që ndodhet në fund të një vargu faktorësh të kuptuar në mënyrën marksiste më të dogmatizuar.

Aspak.

Mundet që ta zëmë të zhvillosh shumë minierat, e mora si shembull, dhe prej andej të nxirren të gjitha ato fitime nga shkëmbimi i produkteve minerale në tregun botëror, dhe që mund të na ndihmojnë të përballojmë rritjen e çmimeve në treg të produkteve të tjera, si për shembull, të atyre bujqësore.

Është njësoj si në ekonominë familjare, zotërinj dhe zonja të nderuara. Unë jam pedagog. Në treg rritet çmimi i domateve. Unë për ta përballuar atë nuk lë zanatin tim dhe të nis të mbjell domate në vazot që kam në ballkon. Jo, aspak. Unë do të përpiqem t’i shes sa më shtrenjtë në tregun e punës aftësitë e mia si pedagog. Pra, nuk do të shpërndahem në të gjitha fushat sikurse prej dekadash shpërndahet buxheti dhe forcat ekonomike të kombit, duke rënë në një model zhvillimi të njëtrajtshëm që medoemos prodhon stagnacion dhe mungesë rendimenti në punë.

Së dyti, duhet pasur kujdes me këtë shpresën se prodhimi bujqësor mund të jetë një faktor i padiskutueshëm për të përballuar ngritjen e çmimeve në sektorin e ushqimit. Sepse mund të ndodhemi përpara një mundimi si ai që e lodhte Efesin për vdekje kur ngrinte gurin e rëndë deri në një farë lartësie dhe pastaj ai i binte përsëri. E puna e lodhshme riniste nga e para. E them këtë sepse kjo ideja që paskan disa analistë, për ta përballur krizën e sotme të rritjes së çmimeve me anë të rritjes së prodhimit bujqësor seç më mban një erë si ajo e kërkesës për të rifilluar eksperiencën e përparuar në bujqësi në kooperativën e tipit të lartë të Plasës.

Dhe këto analiza i dëgjoj dhe i ndjek herë pas here edhe nëpër mitingje dhe fjalime politike që mbahen para popullsive rurale anë e kënd vendit. Shpesh pyes veten: A janë të sigurt këta persona dhe personalitete me këto që thonë?

Unë nuk jam i sigurt.

Le të mos futemi në qorrsokakë të rrezikshëm pa u menduar dy herë se do të gabohemi edhe për nja pesëdhjetë vjet të tjerë.

Ikin kështu shekujt si pa u kuptuar.

E dini se çfarë përjetoj ndonjëherë si ndjenjë?

Sa më shumë zgjatet tranzicioni politik dhe ekonomik shqiptar, aq më shumë koha e Skënderbeut më duket pranë nesh, e kuptoj shumë më mirë historinë. Ja shumëzoji njëzet vitet e tranzicionit me 25 dhe del Skënderbeu. Ose ja shumëzoji 50 vitet e totalitarizmit me dhjetë dhe shkojmë drejt, si një tren i bukur në stacionin e afërt, pra mbërrijmë në kohën e Skënderbeut nëpërmjet një rruge tjetër.

Nuk jemi larg jo. Ecën shpejt koha historike. Kalojnë shekujt sa hap e mbyll sytë. Edhe pedagogët, sportistët, analistët, politikanët, tregtarët, sipërmarrësit, funksionarët të mos kujtojnë se janë më të rinj. Po na ikën shpejt mosha dhe brezi ynë duhet të jetë shumë i ndjeshëm ndaj faktit se do të gjykohet në histori me të njëjtën pyetje që ne gjykojmë Fan Nolin, Esat Toptanin, Ismail Qemalin, Haxhi Qamilin dhe të gjithë të tjerët me radhë: çfarë bënë të mirë dhe çfarë nuk bën fare për këtë komb? Unë e ndjej këtë pyetje që shtrohet nëpër dyqane, floktore grash, birrari, rrugica me plehra, kafene, salla lojërash fati, edhe kur nuk i frekuentoj ato për qëllime fitimi, por studimi.

Nëse një lopë te ne jep ta zëmë 4 litra qumësht duke kullotur barin anash bordurave të autostradës – kjo quhet bujqësi naturore dhe dihet se është shumë e prapambetur. Por, nëse këtë lopë me gji të varur që amvisa ia shtrydh fort për t’i marrë andej edhe pikën e fundit të lëngut të bardhë dëshirojmë ta shndërrojmë në një lopë të re sfilatash mode, që të prodhojë nja dyzet litra qumësht a më shumë në ditë, ka avaze të mëdha për këtë. Duhet blerë ushqim i zgjedhur, duhen vaksina, duhen pajisje elektrike për ta mjelë, duhen shërbime veterinarie, duhen stalla me ngrohje, duhen medikamente, e një mijë e një yçkla të tjera.

E dini se çmimi i qumështit të kësaj lope sfilatash mund të shkojë në stratosferë?

E dini se atë fshatarin e shkretë që iu sheh me sy të hapur, sikur të ishit Teto Ollga, ajo zonja nga qyteti, që shoqëronte Melin në fshat, mund ta fusni në një rrugë pa krye?

Mund ta çoni përsëri drejt përvojës së kooperativës së tipit të lartë të Plasës.

Ja u them vëllazërisht, më shumë se miqësisht, unë kam një lloj frike kur problemet e fshatarit mendon t’i zgjidhë qytetari. Më duket si ligj elektoral proporcional rajonal. Shumë i shkëputur nga qytetari.

Dhe ja si vendoset zinxhiri i hallkave:

Qytetari kërkon të zgjidh hallet dhe t’i japë mend fshatarit.

Deputeti kërkon të marrë përsipër hallet e qytetarit.

Hallet e deputetit kërkon t’i marrë përsipër politikani.

Ne gjithçka e delegojmë tek tjetri dhe askush nuk fiksohet në problemet dhe kompetencat e veta. Të gjithë shohin nga pas se kush do t’i tërheqë për t’i ndihmuar a ngacmuar… Pritet miu pas bishtit të maces për ta ndihmuar gjithë vargun e qenieve që duan të shkulin rrepkën dhe nuk po ia mbërrijnë dot.

Ajo e historia e prodhimit bujqësor të shtuar duhet parë, pra, me kujdes sepse mund të na sjellë më pas histori të pakëndshme. E ku të lë pastaj Evropa e Bashkuar të harxhosh pa fund burime financiare të marra si ndihma apo si hua për të shtuar prodhimin bujqësor dhe blegtoral në kushtet kur në këtë sektor në Evropë ka një mbiprodhim të hatashëm.

Përsëri, analizat duhen bërë me kujdes dhe jo në mënyrë klasike dhe deterministe. Rritja e sotme e çmimit të mallrave nuk vjen aspak nga mungesa e tyre apo nga fakti se prodhohet pak. Nuk është krizë prodhimi. Sot njerëzimi është në gjendje të prodhojë mallra ushqimore me bazë bujqësinë ose blegtorinë pa fund dhe të arrijë t’i ngopë njerëzit aq sa t’i velë ata për dhjetë vjet të tëra, e të mos vënë më në gojë as gjalpë, as mjaltë, as arra, as bajame. Nuk është puna fare aty. Dhe të prodhojë me çmime të lira aq sa çmimi i qumështit të lopës së autostradës të duket sikur është në stratosferë. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh. Sepse po prodhove qumështin tënd, ta zëmë, duhet t’i bësh mirë llogaritë, se pastaj do të duhet që të mbyllësh edhe kufijtë që të mos lejosh qumështin që vjen ta zëmë nga Meksika me çmim të lirë të bëjë konkurrencë në tregun kombëtar.

Është e rrezikshme lopa e sfilatës, tekanjoze, e harlisur, e shkund dhe e tund fort bishtin e saj.

Mos e shikoni kështu si duket e pafajshme dhe të qetë, pothuajse naive, si lopë indiane, kur ha bar ashtu përhumbtazi, ripërtyptazi, buzë autostradës.

Kur harliset lopa duhen mbyllur kufijtë pastaj…

Nuk duhet lidhur, së treti, e medoemos ruraliteti me bujqësinë. Është një skemë shumë e vjetër, që nga koha e Spartakut që dëshironte të ngrinte fshatarët kundër Perandorit. Të duash të zhvillosh zonën rurale, kjo nuk do të thotë aspak se duhet patjetër të zhvillosh atje vetëm bujqësinë dhe blegtorinë. Sot në botën e përparuar evropiane ka modele të ndryshme ose të kombinuara të zhvillimit ekonomik të zonave rurale. Ato sigurisht e përfshijnë edhe drejtimin bujqësor të saj, por në asnjë rast nuk janë ekskluzivisht bujqësore sikurse dëgjojmë se bëhen këto amalgama te ne, qoftë në gojën e financierëve, ashtu edhe nëpërmjet të folurit të disa individëve që dëshirojnë të merren me politikë.

Toka mund të jetë:

pyll,

livadh,

hapësirë zonash industriale,

zonë turistike,

park kombëtar kafshësh të egra,

hapësirë sipërmarrjesh artizanale,

fushë me grurë,

peizazh tërheqës për turistët,

vend instalimi helikash që prodhojnë energji elektrike me anë të erës,

truall për ndërtime,

pasuri e dhënë me qira të huajve,

hapësirë për t’u përmbytur nga liqene artificiale, vend për të ndërtuar rezervat peshku,

tokë e lënë djerrë për t’u pasuruar me plehra organike,

hapësirë ndërtimi hotelesh malore për turistë,

taban për të ndërtuar rrugë të mira që lidhin Ballkanin,

kështu me radhë.

Me një fjalë, sado të lidhura që të jenë, nuk mund të qepen si miu me bishtin e maces zona rurale me prodhimin bujqësor.

Po kështu qëndron puna edhe me marrëdhëniet midis prodhimit bujqësor dhe pronës. Kuptohet se çështja e pronës te ne është zgjidhur keq. Por, mos harrojmë se zgjidhjet e çështjeve ekonomike nuk bëhen nga faktorë shkencorë apo nga arsyetime racionale.

Por, nga lufta e klasave.

E them me ekzagjerim.

Por, po të doni, po e them sipas terminologjisë së sotme. Çështja e pronësisë mbi tokën është një çështje raporti forcash midis pronarit legjitim të saj dhe masës së fshatarësisë pa ose me pak tokë. Nuk është një çështje thjesht gjykimi teknik. Për ta shqyrtuar si duhet atë nuk ka nevojë vetëm për një refleksion teknik të bazuar në rendimentin e punës. Ka nevojë për një analizë sociale dhe të filozofisë politike për të studiuar marrëdhëniet e vendosura në këtë periudhë të rrezikshme ndryshimesh midis grupesh shoqërore që janë gjithmonë, mbase jo në luftë, por sidoqoftë në rivalitet dhe në konkurrencë midis tyre.

Nuk e shikoni luftën e klasave sot ju?

Nuk është term thjesht marksist ai.

Konkurrencën e fuqishme midis grupeve shoqërore që përplasen në interesat e tyre, vetëm ata që nuk kanë sy nuk arrijnë ta vënë re. Thoshte bukur Gustav Le Bon, shpesh revolucionet nuk janë veçse mekanizma që iu ndërrojnë emrin dukurive dhe institucioneve shoqërore. Jo të gjithave, por sidoqoftë ana racionale e kësaj thënieje mbetet për t’u mbajtur parasysh.

Sidoqoftë prona dhe prodhimi bujqësor nuk lidhen kështu në mënyrë të hekurt. Si tokat me pronë të stabilizuar, si tokat e vjedhura, në të dyja rastet, rendimenti ekonomik i tyre është shumë i vogël.

Pra, sipas meje, ne duhet ta kuptojmë një herë e mirë se përballja me krizën botërore të rritjes së çmimeve nuk realizohet, duke u kthyer në skemat e vjetra të prodhimit ekskluzivisht dhe me prioritete bujqësore apo blegtorale. Pa i neglizhuar aspak këto fusha, problemi duhet parë në mënyrë më moderne dhe më me profesionalizëm.

Duhet rritur rendimenti i punës në sektorë të përqendruar, duhet jetuar sa më lirë sepse bota është e mbyllur me mallra të lirë, por ne nuk kemi tregti të jashtme si institucion dikasterial them, duhen përqendruar forcat dhe kapitalet në sektorë të veçantë, e mbi të gjitha, shqiptari duhet t’i kthehet punës dhe dijes.

Ka parazitizëm të madh dhe një përtaci të hatashme, ka një mungesë të hatashme interesi për punë, ka një mungesë disipline fenomenale në punë, rri në klub, pi kafe dhe mendo se si mund të zgjidhen problemet tona. Kombet e tjera punojnë.

…………………………………

Parlamenti miratoi ditën e hënë ndryshimet e re në Kushtetutë. Pavarësisht kundërshtive të shumta, aleatët e PD-së dhanë votat e tyre për këto ndryshime. Ndryshe ndodhi në kampin opozitar, ku aleatët e PS-së deklaruan se tashmë mund të quhen me plot gojën ish-aleatë. Në opinionin tuaj miratimi i këtyre ndryshimeve si do të ndikojë në realitetin politik dhe çfarë pasojash mund të presim?

E quaj një histori të mbyllur këtë çështje. Nuk i intereson më qytetarit. Problemi im ishte vetëm me reformën elektorale, së cilës nuk ia kuptoj dot dobinë. Kurse ndryshimet e tjera kushtetuese më duken të pranueshme. Historia nuk mbaron brenda një çasti. Edhe aktorët politikë janë në rivalitet.

Ta quajmë luftë klasash?

Nuk e di.

Vendimet e klasës politike lidhur me reformën elektorale u morën. Tani ata që morën nismën në fjalë, natyrshëm do të kenë edhe përgjegjësinë dhe angazhimin moral për të treguar se reforma elektorale do të sjellë ato pasoja pozitive që u premtuan.

Uroj sinqerisht të dalë me sukses.

Nuk ka kuptim të merremi më tani me këtë problem. Do të vijë koha të rihapet pas takimit masiv që e majta socialiste do të ketë me elektoratin në vitin 2009.

Prej disa javësh, i kam thënë lexuesit tonë gjithçka çfarë mendoja lidhur me reformën elektorale. Ia kam thënë edhe mikut tim të respektuar Kastriot Islami. Ai shpresonte se reforma elektorale do të zvogëlonte numrin e partive të vogla, të pamerituara në Kuvend. Kurse tani shohim se këto parti që quheshin të vogla, i përzënë nga dera dhe ato hyjnë nga dritarja në Parlament. Nëpërmjet premtimeve për aleanca shumë partiake të vendosura paraprakisht, jo të testuara në elektorat.

Sidoqoftë roli i një studiuesi këtu mbaron. Nuk është gjinkallë që këndon edhe atëherë kur nuk mendon se sjell ndonjë dobi. Le të mos e harxhojmë fjalën në vendin dhe kohën jo të duhur.

Perdja u mbyll.

Çështja u klasifikua.

Le të presim për më vonë pa bërë parashikime utopike që nuk kanë natyrë shkencore.

Le të shpresojmë, sikurse thonë ca liderë, në mënyrë propagandistike, se thjesht një reformë elektorale ka fuqi t’i japë fund korrupsionit.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente

  1. edrus thotë:

    28 April 2008 @ 8:52 pm

    Sikur të kishte folur dhe për aksionet vullnetare dhe energjinë bërthamore, i ngelej vetëm sexi si argument pa përmëndur.

  2. Cheney thotë:

    29 April 2008 @ 2:28 am

    Po une se njifsha per kaq tope ket mer!!!

  3. Idris thotë:

    29 April 2008 @ 3:18 am

    Cheney!
    Me respekt per sendet me vlere kur i krahason! :).Adam Smithi nuk do t’ja kishte rekomanduar Teto Ollges..e keshtu tjanut patjanut e shkuli repken….

  4. Cheney thotë:

    29 April 2008 @ 3:50 am

    Idris, o tu i ra vlera teorike, gjenden gjithandej tashme, edhe ne nivelin e guverneiterit duket..

  5. Idris thotë:

    29 April 2008 @ 2:37 pm

    Rahmet PASTE !
    Me te vertete e kam dashur qe te vogel se ka qene “bullafiq i lezecem”,
    por po shof qe mosha ben te veten…Paska fillu te reshkase……

  6. berberi thotë:

    30 April 2008 @ 11:26 am

    Hej folks ky shkrim nuk eshte per ju sepse ka shkalle te larte veshtiresie, prandaj shifni dhe komentoni ndonje artikull tjeter.

  7. Pjer Thomas thotë:

    30 April 2008 @ 1:49 pm

    Mire jo keq.

  8. Idris thotë:

    30 April 2008 @ 2:09 pm

    Te thashe Cheney …me shume respekt ..Po gjithsesi nuk paske qene shume largpames nga njejes duhet ta kishe parashikuar ne shumes.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com