Gerdeci, zbulohet kontrata mashtruese e Fatmir Mediut

Falë dokumentave të reja të gjetura nga “Gazeta Shqiptare” zbulohet se ish-ministri Mediu i ka hapur dyert Delijorgjit per fitime miliardere me kalimin e nje sasie shume me te madhe plumbash pavaresisht gjendjes ne depot e ushtrise. Po ne keto urdheresa te dala me firmen e Mediut, firma e Delijorgjit ngarkohet dhe per cmontimin e fishekeve me kalibra te medhenj, qe sipas ligjit nuk mund te behet nga firmat private. Te gjithe keta plumba kaluan ne fabriken e Gerdecit, ku gra, burra e femije i cmontonin per te nxjerre prej andej barutin

d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb
28/04/08

TIRANE-Tragjedia e Gërdecit lind nga një plan i detajuar mashtrimi në dëm të Shtetit dhe të qytetarëve i vënë në jetë nga ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu për të favorizuar biznesmenin Mihal Delijorgji duke i hapur dyert fitimeve miliardere. Një plan aq i paskrupullt sa të bën të mendosh se Mediu dhe Delijorgji janë vetëm baza e një piramide që ka përgjegjës akoma dhe më lart. Kapitulli i fundit i kësaj afere skandaloze del në dritë falë dokumentave të reja të gjetura nga “Gazeta Shqiptare” ku zbulohet se ish-ministri Mediu me urdhërin e tij nr. 550 i firmosur me 25 prill 2007 autorizoi shitjen për SAC dhe Mihal Delijorgjin e sasisë së 140 milionë fishekëve të kalibrit të vogël, duke e ditur se në depozitat e ushtrisë kishte në dispozicion vetëm 45 milionë. Një veprim i paramenduar për të detyruar Shtetin të shkelte kontratën me Delijorgjin dhe ta kompensonte biznesmenin privat me dorëzimin e miliona fishekëve të kalibrit të madh të cilët nuk mund të shiteshin.

Prova e këtij kapitulli të ri në skandalin e Gërdecit gjendet në një letër dërguar nga Drejtori i drejtorisë së logjistikës Bardhyl Hoxha për Ardian Mullain, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Me këtë letër, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Shqiptare, Shtabi i Përgjithshëm informonte ministrin Mediu mbi sasinë e municioneve “me gëzhoja tunxhi” të pranishme në 25 rajone grupdeposh të Forcave të Armatosura Shqiptare deri në 31 janar 2007. “Nga rezultati i verifikimit – raportonte në letër kolonel Bardhyl Hoxha për Mediun – sasia totale e gjetur për cdo emertim paraqitet:

- Municione 7.62 x 54 mm copë 53.093.108
- Municione 12.7 mm copë 4. 264.155
- Municione 14.5 mm copë 3.587.566″.

Bardhyl Hoxha saktësoi në raport se “në emërtimin municione 12.7 mm është zbritur sasia që i nevojitet Forcave të Armatosura”. Pra gjendja e municioneve të kalibrit të vogël me gëzhoja tunxhi që nuk i duheshin Forcave të Armatosura shqiptare në fund të janarit 2007 ishte rreth 61 milionë dhe Mediu u informua për këtë.

Por tre muaj më vonë, me datë 25 prill 2007, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu firmos urdhërin 550 me të cilin vendos “t’i kalohen ndërmarrjes MEICO për realizimin e procedurës së shitjes së municionit për cmontimin dhe cmilitarizimin brenda vendit me shoqërinë SAC municionet e mëposhtme:

- Municione kalibër 7.62 x 54 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 100 milionë copë
- Municione kalibër 12.7 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 20 milionë copë
- Municione kalibër 14.5 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 20 milionë copë”.

Pra Mediu urdhëroi shitjen e 140 milionë fishekëve edhe pse e dinte që Forcat e Armatosura kishin në dispozicion vetëm 61 milionë. Madje më pak. Në mars 2007 (pra një muaj para vendimit numër 550), në fakt Ministria e Mbrojtjes tashmë i kishte shitur firmës amerikane AEY 16.2 milionë fishekë kalibër 7.62 x 54 mm për forcat e armatosura afgane. Pra faktikisht në magazinat e ushtrisë kishin mbetur vetëm 45 milionë fishekë për cmontim dhe jo 140 që urdhëroi Mediu t’i shiteshin Delijorgjit.

Po pse Mediu urdhëroi të firmosej një kontratë që e dinte që nuk e respektonte dot? Përgjigjen e gjejmë në kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut të firmosur nga kryeprokurorja Ina Rama. Në datën 1 shtator 2007, shkruan Prokuroria, ‘’SAC paraqet pretendimin se ajo është furnizuar nga Ministria e Mbrojtjes vetëm me rreth 50% të sasive të municioneve të kërkuara të kalibrit 7.62-14.5 mm, duke u shprehur se: “Sipas kontratës me MM (MEICO) investimi ynë kishte për qëllim çmontimin e jo më pak se 100 mln copë fishekeve 7.62 mm, 20 mln copë fishekëve 12.7 mm dhe 20 mln copë fishekeve 14.5.mm”. Këtë mospërmbushje të detyrimit, ajo e paraqet si arsye për të mbështetur projektin për çmontimin e kalibrave më të mëdhenj nga 20 deri në 550 mm”.

Një fakt i konfirmuar edhe nga vetë Mediu.

Në këtë mënyrë Ministri i Mbrojtjes, pasi krijoi kushtet të shkelë me vetëdije kontratën me SAC dhe Delijorgjin, vendosi të “dëmshpërblejë” Mihal Delijorgjin për ‘’shkeljen’’ e kontratës duke autorizuar çmontimin edhe të municioneve të kalibrit të madh, gjë që nuk ishte parashikuar nga VKM i keshillit te Ministrave dhe që sipas ligjit nuk mund të bëhen nga privatë.

Me urdhërin nr. 2044, datë 07.12.2007, ministri Mediu autorizoi shitjen e municioneve të kalibrit të madh për SAC dhe Delijorgjin.

‘’Kërkesa e SAC bashkëlidhur Memo-s datë 06.09.2007, me subjekt “Mbi kërkesën për demontim municionesh” e personit nën hetim, Ylli Pinari, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të MM, i është dërguar për mendim ish Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu – pohon Prokuroria e Përgjithshme - Z. Mediu, këtë praktikë, ja ka kaluar Shefit të Shtabit të Përgjithshëm me shënimin “Për veprim”. Ky shënim i ish Ministrit, në thelb ka pasqyruar vullnetin e tij për fillimin e një procedure të re, në përmbushje të interesave që parashtroheshin në kërkesën e SAC, ndonëse në përmbajtjen e kësaj kërkese evidenohen qartë tejkalimet e parashikuara në vendimin e KM nr. 138, datë 14.03.2007 për sa i takon kalibrit të municineve që mund të jepeshin për çmontim’’. Ky vendim lejon cmontimin vetem per municionet e kalibrit te vogel.

Sipas Prokurorisë ‘’baza e këtij proçesi të parregullt, ka shërbyer për vazhdimin e përmbushjes së kërkesave në interes të përfitimeve të padrejta të kompanisë SAC-ALBADEMIL. Në këtë proces vazhdues, ish-Ministri i Mbrojtjes z. Mediu ka vepruar në kundërshtim me ligjin në miratimin e akteve të tjera nënligjore, lidhur me çmontimin e municioneve të kalibrave nga 20-152 mm’’.

Konkluzioni i Prokurorisë së Përgjithshme mbi këtë pikë është tragjik: Pikërisht prania e municioneve me kalibër të madh në Gërdec ‘’ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të sigurisë dhe rritjen e shkallës së rrezikut për pasoja të rënda në procesin e çmontimit të municioneve, si dhe në të gjithë rajonin ku po kryhej ky proçes’’.

Ky është një skandal në dritë të diellit i konfirmuar nga dokumenta zyrtare: si ka mundësi që vetëm kryeministri nuk dinte asgjë?

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. Popi thotë:

    28 April 2008 @ 10:03 am

    Shume te zot jane keto te Gazetes Shqiptare!!!!! aq te zot sa te vendosin dyshime per implikime te fuqishme……

  2. toko thotë:

    28 April 2008 @ 5:21 pm

    Sa qef i kemi thashethemet Meremi me dokumanta te gjetura nuk dihet nga dhe jo me faktin qe ben muuuuu ne surat. Qeveria ka faj moral per Gerdecin dhe ajo duhet te largohet. Fajet ligjore le ti zgjidhe prokuroria gjykata etj etj Gazeta nuk eshte as prokurori as gjykate, qe te grumbulloj fakte e te beje akuza apo jape denime. Meruni me ate qe dihet dhe jo me ato qe hemendesoni.
    Mirpo keto mendoj une behen me qellim, Harohet kryesorja se Mejdiu ishte nenpunes i nje K/ministri dhe meremi me nenpunesin duke haruar K/ministrin ky eshte qelimi. Te mbrohet K/ministri.
    Ju kujtohet tek Godfather kur Michale Corleone thote se perse nuk mund te vritet nje polic i koruptuar kur vrasja e tij mund te justifikohet apo mbulohet me korupsionin e policit. Dhe shtypi do te ndihmoj ne kete mbulim thote Corleone. Kjo nuk eshte ceshtje personale por thjesht bisnes. Sepse si Corleones si Shtypit nuk ju hap barku per luften kunder korupsionin per ta qellimi ishte te vritej polici qe rezikonte jeten e Don Corleones. Njesoj edhe shtypi yne apo dhe ata qe furnzojne me keto dokumenta. Ska rendesi lufta kunder korupsionit. Rendesi ka te shpetojne jeten politike te Don Berishes.

  3. edrus thotë:

    28 April 2008 @ 5:51 pm

    Kot, sa me bo i dorë gallatë: sa bëjnë 7 kamjona për 13 bataliona?
    Se me aq gishta sa kam unë, i bije 20 fishekë për shqiptar… kjo ishte trashëgimia “shkatërruese” që i kishte lënë regjimi dhe donin ta çmontonin??

  4. berberi thotë:

    28 April 2008 @ 9:58 pm

    - Municione kalibër 7.62 x 54 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 100 milionë copë
    - Municione kalibër 12.7 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 20 milionë copë
    - Municione kalibër 14.5 mm me gëzhojë tunxhi deri në sasinë 20 milionë copë”.

    Kush merr vesh sado pak nga kontratat fjala p.sh. deri ne sasine 100 milion cope nuk do te thote se duhet patjeter ti shesesh 100 milion, por kupton se nuk mund ti seshes me shume se 100 milion, ndersa me pak mundesh dhe je brenda kushteve te kontrates. Prandaj ky dokument nuk perben ndonje “zbulim” te madh.
    Me kete rast nuk eshte se dua te mbroj hajdutin kriminel por thjesht ky dokument nuk perben fakt qe te vertetoje abuzimet.

  5. ados thotë:

    28 April 2008 @ 10:36 pm

    Plaseni brenda palacon…Ju kujtohet ora qe mbante ne dore, 40 mije euroshe..??

  6. Rrapo thotë:

    29 April 2008 @ 8:00 am

    Gjithnje e me teper dalin fakte per pergjegjesine e Mediut ne kete tragjedi me permasa te jashtezakonshme. Faji i tij, i nxitur nga makuteria
    nuk mund te mbulohet as me juristet medioker te partise se tij dhe as me urimet e spiunit Prec Zogaj, i cili shpreson vetem tek nje pergjegjesi politike.
    Mashtrues e dallavarexhinj si Mediu, Prec Zogaj, Besnik Mustafaj , Dylaver Krutani, nje fund do te kene te gjithe, fundin e mashtruesve dhe intriganteve.

  7. Idris thotë:

    29 April 2008 @ 1:49 pm

    Nje vend qe s’prodhon dhe s’ka si te fitoje ka nje aparat shteteror me nje k/minister qe here pas here gjith triumf e madheshti na jep Myzhdene e rritjes se pagave e pensioneve…
    Nga i gjen kto para AI pervecse nga burime te paligjeshme financimi sic jane veprimtari te tilla per DEMOLIMIN e armatimeve ?
    Kerkoni sa ka “magazinuar” nga keto pare gjaku,me c’rruge e c’forma i pranonte keto para nofullkatrori me emer sugjestionues Ministri i Financave dhe duhet te kete ndonje “rresht”
    Keta i dine NJE per NJE te gjitha dhe jane organizatore e veprimtare te
    pergjegjeshem ne keto hajni. Por u plasi ne dore dhe tani duan te gjejne rruge e anekse se si mund t’ja fusin njeri tjetrit .
    Mediu e dhe nje sinjal…..Kjo nuk eshte “patate djegese” kjo eshte “patate perveluse”…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com