Dita Zero

Nga Prof. Dr. Apollon Baçe

0. Z. Pango, në pikun e polemikës sonë mediatike më dërguat porosinë “Mos bëj pakt me djallin”. Polemikën nuk e ndala nga frika a neveria e përballjes me gjuhën vulgare, por nisur nga mendimi se grindja mes nëpunësve të shtetit nuk është në të mirën e shtetit. Sidoqoftë ju keni plotësisht të drejtë. Me djallin nuk duhet bërë asnjë pakt, qoftë edhe në emër të së mirës.

Pasi më njohën me intervistën tuaj të pacensuruar në gazetën Panorama, pasi lexova tek gazeta Shekulli se shkelja flagrante e rregullave të shtetit (për çka në perëndim ministrat fluturojnë automatikisht) “nuk përbën lajm”, dmth. është një veprim mëse normal, pasi po shoh pogromet ndaj të aftëve dhe të rregulltëve të këtij shteti, u binda se paskëshim vepruar gabim. Kuptova se për ju nuk ka cak, ligj dhe shtet dhe se një gjenerator konfliktesh nuk mund të rrijë pa prodhuar konflikte, parregullsi dhe grindje.“Gungaçin vetëm varri e drejton” thotë proverbi.

Sipas intervistës suaj “në Mars e kam gjetur realizimin e investimeve në IMK baras me zero. Detyrimisht një drejtues që nuk realizonte investimet, që s’kishte projekte, që s’e vë ujin në zjarr, që ka shkelje nuk mund të mbetej, sepse e kishte të ndarë mendjen që nuk ishte për punë”. Shkurt, pasi patë që manteli i “thanit të korrupsionit” nuk i shkonte shtatit tim po sprovoni të më vishni mantelin e “parazitit të paaftë”.

Ju bëj të ditur, ndonëse e dini fort mirë, se në mars investimet ishin realizuar në 52 % të vjetorit dhe në korrik, kur u largova nga IMK, në 67 % (aq sa MTKRS në fund të vitit). Në mars, ndonëse MTKRS i përcaktoj objektet në fund të shkurtit, kishin përfunduar tërë projektet e 2007 dhe ishin hartuar në kohë rekord projektet e paparashikuara për Bankën Botërore (1 milion $), 22 projekte për KE (200 f.), Shkodrën (0,4 milion $), monumentet e kultit (0,3 milion $) dhe projektet 5 vjeçare të Gjirokastrës për UNESCO-n (350 f.).

Për të shmangur mërzinë e prozës zyrtare po ndalem vetëm në disa nga arritjet e IMK. Brenda harkut të mësipërm kohor ishin siguruar 5 milion $ nga donatorët e huaj dhe ishin specializuar dhe kishin marrë pjesë në konferenca në perëndim aq punonjës sa në 17 vjetët e shkuara. Kishte përfunduar Shkolla e Restaurimit si program dhe ndërtim (1,5 milion $) dhe kishin nisur 4 programet Interreg 3a (ndër ta faqja web interaktive për tërë monumentet shqiptare). Ishte siguruar falas laboratori i ikonave (150 mijë $) dhe pas 17 vjetëve kishte nisur bashkë me specialistët e huaj restaurimi i tyre. Pas trajnimit të stafit dhe marrjes falas të pajisjeve fotogrometrike dhe stacionit universal (190 mijë $) kishte rinisur pas 17 vjetëve me specialistët e huaj dokumentimi i monumenteve me saktësi absolute dhe shpejtësi deri 220 herë më të madhe se me metodat e përparme klasike. Ishte korrigjuar dhe dorëzuar përfundimisht në UNESCO dosja për Beratin (370 f) dhe qenë përpiluar hartat e zonifikimit dhe rregulloret për administrimin e 7 qyteteve dhe qendrave muze. Ishte spastruar lista e monumenteve nga objektet pa vlerë të lidhur me PPSH dhe në bazë të dokumentacionit të hartuar ishin vënë në mbrojtje 231 monumente të rinj, Pas përfundimit të katalogut me 680 dëmtimet abuzive të monumenteve (470 f.) kishte nisur ndjekja penale e dëmtuesve dhe rikthimi në gjendjen e parë. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e arritjeve, as 1/4 e tyre.

Formimi etiko-moral dhe logjika nuk më lejojnë kurrsesi që këto arritje ti quaj të miat dhe të përdor, ashtu si ju 13 herë brenda një interviste të shkurtër, përemrin unë: “Unë jam tip konstruktiv… Unë nuk i lë gjërat në moçal… Unë i shkoj deri në fund dëshirës sime”. Për të hequr dorë prej tij vetëm kur nisni si Jul Cesar-i dhe Napoleon Bonaparte-ja pluralis majestatis-in: “Ne nuk jemi të kënaqur… Ne kemi vizion për të ecur para… Ne i kemi dhënë tre institucione artit”. Pavarësisht se këta tre institucione ju dhanë artit nga taksapaguesi shqiptarë pasi ju nuk jeni Paul Getty që financon artin nga arka e fondacionit të tij privat por e kundërta e tij. Fondet e donatorëve nuk kalojnë prej ish fondacionit tuaj, dmth. fondacionit tuaj, drejt MTKRS-së por kanë drejtim të kundërt.

Për mua rezultatet dhe arritjet e IMK janë fryt i punës dhe sakrificave të kolegëve për shumicën e të cilëve kam afri dhe respekt, të cilët jo rrallë herë e kanë gdhirë në punë. Por nga ana tjetër kjo s’ju jep asnjë të drejtë që të shpreheni “s’e vinte ujin në zjarr,… e kishte ndarë mendjen që nuk ishte për punë”. Kolegët e IMK e dinë se gjatë qëndrimit në IMK nuk e kam marrë asnjë herë lejen vjetore dhe se rrallë herë jam larguar nga puna para orës 24. Mantelin e “parazitit të paaftë” merreni dhe vareni në gardërobën tuaj.

1. Me thëniet “kishte shkelje, s’kishte asnjë projekt, s’kishte realizime”, akuza që në intervistën e Panoramës i shtrini edhe mbi Teatrin Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ju nuk hidhni thjesht baltë mbi mua dhe drejtuesit e institucioneve të tjerë, por mbi tërë institucionet e ministrisë së kësaj qeverie, ministrin pararendës po të kësaj qeverie, madje edhe mbi vetë qeverinë e cila nuk paskësh qenë në terezi deri sa nga yllnaja arriti “superman-i” që e ndreqi kaosin dhe anarkinë falë aftësive mbinjerëzore. Shprehja “e kam gjetur veprimtarinë baras me zero”, tregon se për ju numërimi i kohës nis nga “dita zero”. Si në kalendarin kubanez ku ditë zero është dita kur social-demokrati Kastro përmbysi qeverinë e djathtë.

“Nuk jam i kënaqur me TKOB-in. Ka humbur repertori” thoni ju. Në kosh repertorhumburi TKOB, pavarësisht se ai është ndër të paktit teatro operistike në botë që guxuan dhe vunë në skenë Aidën dhe megjithëse financimi vjetor sa për tre ditë të Metropolitan-it, ve në skenë çdo muaj nga një shfaqje të re.

Intervista tregon se radha i ka ardhur tre drejtorëve të mësipërm, të cilët vetëm “nëse nuk kanë bërë faj të rëndë”do ndahen vetëm me një “shkulje veshi” nga kujdestarja e kopshtit. Sa dinjitoze. Ndërkohë nga 6 drejtorët e Drejtorive Rajonale të Monumenteve të Kulturës keni hequr ose tentuar të hiqni 5, të fundmin, një nga specialistët më të mirë që hartoi dosjen e Beratit për UNESCO-n, pesë ditë para. Ndërkohë në syrin e ciklonit, në vetë MTKRS-në, shkarkimet, tentativat për shkarkim dhe vet-largimet nga stresi janë të pafundme. Nga i pari tek i fundit. Nuk bëjnë drejtuesit? “Nuk bën populli? Ahere duhet të ndërrojmë popullin” thotë anekdota musoliniane.

2. Muaj më parë njeri nga ambasadorët kryesorë në Shqipëri pasi tha “jemi të shqetësuar nga pushimet e shumta të ministrit tuaj” shtoi me nënqeshje “sidoqoftë gjuetia mbetet brenda species suaj”. Nga masa e pushuar, ose e piketuar por e ndalur nga të tjerët, 85 % i përket “species” së djathtë. Ndoshta kjo do të ishte e lëvdueshme nëse kriter për pushimin do ishte paaftësia. Por paradoksalisht kriter pushimi është aftësia dhe respekti ndaj ligjit. Si me njërën nga specialistet më të mira të Europës JL për turizmin dhe arkitekturën, qartësisht e djathtë, e cila u pushua dhe u zëvendësua në postin e drejtorit nga shefja e dikurtë e kabinetit të Kryetarit të PS, pa njohuri minimale për turizmin dhe arkitekturën, e dypunësuar në një fondacion obskur me konflikt flagrant interesi. “Kur i dypunësuari në njërën punë paguhet shumë mirë dhe në tjetrën keq, të dytën e bën vetëm që të mos kuptojë ate që kupton” vëren Al Gor.

Z. Pango, ju e quani sukses personal vjeljen e 6 milion $ për monumentet nga italianët, spanjollët, francezët, gjermanët, BB, KE dhe hapjen e Shkollës së Restaurimit. Por thënien e dhelprës se po të mbillen florinj, përkatësisht ide brilante si tuajat, brenda 2-3 muajve mbinë pemë të arta e beson vetëm Pinoku. Aplikimet për këto fonde bëhen në fillim të vitit dhe miratohen 1-2 vjet më vonë. Ju vetëm sa korrni të mbjellat dy vjeçare të stafit të IMK-së dhe ministrit pararendës dhe ato me firo dhe deformim skajor. Arritje thjesht personale e juaja janë ata 1,6 milion turistët, të cilët sipas jush kanë kaluar pushimet në Shqipëri: Pavarësisht se kapaciteti hotelier shqiptar është 12.500 shtretër dhe turizmi shtëpiak inekzistent. Si e tillë kjo do të thotë se për çdo natë në çdo shtrat kanë fjetur nga 41 turistë. Pak a shumë 14 çifte me gjithë kalamajtë e tyre. Megjithëkëtë ç’farë s’bën vaki me ju.

3. “I vetmi premtim që më ka mbetur pa realizuar është Teatri Kolonadave. Dua të lëviz gjërat. Dëshira ime është për reforma, për gjëra të reja, për krijime të reja” recitoni si Fausti që deklamonte “o gëzim sublim i krijimit të ri, ndal o çast i lumtur”. Vërtet ky është i vetmi premtim i pa realizuar, madje edhe ai “pasi nuk janë zbërthyer fondet nga qeveria greke”?

Por para se të merrni pozat dhe të nisni gjestikulacionet e Faustit ju duhet që së pari të bëni ato për të cilat ju paguajnë. Kjo pasi falë menaxhimit tuaj brilant MTKRS-ja ishte e vetmja ministri së cilës ju hoqën 34 % e fondeve për t’ia shpërndarë të tjerave. Pasi ju jeni i vetmi ministër që nuk realizoi as çerekun e prioriteteve, nga 26 vetëm 6. Ju nuk nxorët ligjin për fenë, as aktet nënligjore për turizmin dhe artin skenik. Nuk hartuat strategjinë e kulturës, as krijuat qytetin e filmit. Nuk realizuat panairin e turizmit, as konferencën e II të biznesit turistik. Nuk organizuat festivalin e dramës, as vitin e Kutelit. Nuk realizuat Bibliotekën Kombëtare dhe desh dështuat festivalin ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër. Nuk realizuat përmendoren e Arben Brocit, as atë të Skënderbeut në Londër. Nuk realizuat Memorialin e Qëndresës Antikomuniste në Shkodër, as Muzeun e Krimeve Komuniste. Dhe kjo është vetëm ½ e atyre që s’keni realizuar.

Ju e degraduat muajin e kulturës Shqipëri-Kosovë dhe nuk shkelët as momenteve kyçe në Kosovë. Sado që mobilizoj logjikën nuk mundem të kuptoj përse kur nuk përtuat që ti grahnit oqeanit deri në Kolumbi, për të shkelur tokën shqiptare në Kosovë u desh që presidenti t’ju merrte thuaj me përdhunë. Ndërkohë ende s’keni shkelur në Maqedoni. Z. Ministër Turizmi, Kulture, Rinie dhe Sporti, kosovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë shumë më tepër mall për kulturën shqiptare se kolumbianët dhe janë ata turistët që vinë në Shqipëri dhe jo amerikano-latinët.

4. Vërejtjes së gazetares “ju e humbët gjyqin” ju përgjigjët “gjyqi ka të bëjë me faktin për një vit rrogë dhe jo me shkeljet që janë anashkaluar”. Jo zoti Pango, gjykata dhe ekspertiza e Këshillit të Ministrave u mor pikërisht me verifikimin e shkeljeve të pretenduara nga ju dhe nuk gjeti asnjë shkelje. Edhe sikur qindra auditë të nisni për “qëmtime të hollësishme” siç kërcënoni nuk do gjeni. Siç ju kam bërë të ditur, për çka dhe jemi përplasur, “formimi nuk më lejon ta shkel ligjin”. Yes- drejtorët dhe yes- drejtoreshat që firmosin çdo gjë që u servirni peshkojini dhe dypunësojini nga fondacionet obskure.

Pa ndalur në vargun e pafund të shkeljeve tuaja vetë ndërtesa e MTKRS-së është shumëfish shkelje: Megjithëse monument ajo nuk u diskutua sipas ligjit në IMK, nuk u paraqit si projekt në KKR dhe u miratua në parim sipas një fije letre me votën e nëpunësve dhe miqve tuaj. Projekti saj u hartua në konflikt interesi nga ndihmësi i juaj i pa licencuar. Zbatimi i kryer nga një firmë e licencuar abuzivisht pas tenderimit e copëtoi dhe ktheu monumentin në një akuarium xhami. A i përgjoni a nuk i përgjoni nëpunësit- peshq të akuariumit me kamera sipas parimit të “Big Brother-it” kjo është punë e tyrja dhe e juaja. Por lyerja e tullave me bojë, pllakat e plastmasës, madje përfshirë edhe hidromasazhet që jua ndaluan ti montoni, vështirë se shkon tej 350 mijë $. Ndërkohë taksapaguesi shqiptar ka paguar 1 milion $.

“U rikonstruktua kjo ndërtesë nën përkujdesjen e ministrit të MTKRS Ylli Pango” thotë pllaka e bronzit në hyrje të MTKRS-së. As Enveri nuk i thurte së gjalli vetes ditirambe bronzi. Por a e dini z. Pango se çdo familje shqiptare, edhe më e vobekta që mezi gjen para për bukë, e ka paguar me 3 bukë “përkujdesjen” tuaj? A e dini se taksapaguesit kanë paguar thjesht një kapriçio tuajën pasi nëpunësit ndjeheshin shumë më mirë në ndërtesën e parë sesa në akuariumin e ri ?

Tender-tender-tender. Si në meloditë e Frank Sinatra-s. Thonë se vetëm kjo fjalë dëgjohet nga ju kur takon që ndodheni në ministri. Tendera me personat e paautorizuar të stafit të ngushtë të kushërinjve dhe sekserëve. Tender, si tenderi i parregullt i karburantit nga ky staf. Tender, si tenderat antiligjorë në emër të Drejtorive Rajonale që kryejnë punimet. Tender si tenderi i BK të firmosur nga persona jashtë komisionit (a e njihni z. Pango fituesin dhe a e dini se ku ndodhet?).

Si epilog do ju vija në dukje se ndërsa përpara ju nuk keni bërë dot kundër PD-së aq sa unë pata bërë për PD-në, sot ma kaloni. Por e keqja është se fatura e tërë këtyre bëmave i faturohet PD-së.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

18 Komente

  1. splin thotë:

    12 February 2008 @ 7:52 pm

    Eshte perfekt, por le te vazhdoje debati…

  2. klajdevour thotë:

    12 February 2008 @ 7:58 pm

    nuk ka asnje arsye pse ky debat te vazhdoje persa kohe qe nuk prodhon asgje!!!!

  3. Blendi Salaj thotë:

    12 February 2008 @ 8:03 pm

    Krist, qe kur eshte “prodhueshmeria” kriter per te debatuar?

  4. Parrulla Armiqesore thotë:

    12 February 2008 @ 8:10 pm

    krist, mbaje mend kete kur te niseni per ndonje proteste, OK

  5. ujku i zi thotë:

    12 February 2008 @ 8:23 pm

    O Klajd, c’fare do ti te prodhoje? Kush nuk i ka syte ne balle per te kuptuar qe keta lloj tipash demagog po i vene kazmen kultures?

  6. edrus thotë:

    12 February 2008 @ 8:23 pm

    Bir Selmani nënës…
    Dhe ne grijmë sallatë me debate se si mund të bëhet më mirë…

  7. Artian thotë:

    12 February 2008 @ 8:25 pm

    problemi eshte se ne kete debat jane perfshire dy profesore me titiuj te njete,Prof.Doc..keta i nxjerin te palarat njeri tjeterit,por po te me thonin se kujt do ti besonit dhe ke do te admironit nga keta te dy Prof, Doc.?-une do te thoja,…kurre dhe as kurre Ylli Pangon!

  8. ujku i zi thotë:

    12 February 2008 @ 8:31 pm

    O Artian, po c’fare te palarash po i nxjerr Pango, Apollonit? Sigurisht pervec faktit se sa erdhi ne krye te ministrise e pushoi nga puna dhe, Apolloni ka fituar tashme nje gjyq.

  9. Artian thotë:

    12 February 2008 @ 8:49 pm

    Po Pango po i thote djall,Apolonit.po i thote se “kishte shkelje, s’kishte asnjë projekt, s’kishte realizime”, …ne te vertete,te palarat une do ti krahasoja me akuzat,e ndersjellta,…nuk e diskutoj qe Pango qendron shume lart si shpifes,dhe si legen.Jam dakort me ty.Nuk kam ndonje gje me Apollonin dhe nuk me ka rene rasti te di shume per te .Dielli duket qe ne mengjez,prandaj dhe thash qe “kurre” me Pangon se jo vetem qe nuk besohet ,por eshte dhe i peshtire ,ne argumenta .. “sikur e kam dite qe e paska fitu gjyqin ” :)

  10. vemendje thotë:

    12 February 2008 @ 9:31 pm

    Apollon Bace eshte kushdo qe merr fjalen apo sherben diku per atdheun, jo te gjithe qe marrin fjalen apo te gjithe qe bejne (veprojne) mund te kene sukses, por ky njeri (A.Bace) eshte mohuar ne forem fashiste. Ngerrci i sotem do zgjidhet se eshte me i keqe se as nji here ne historin e Shtetit Shqipetar.
    Qytetaret si as nji here s’kane patur kaq pushtet me rrolin e tyre ne te gjithe historine e ketij shteti.
    Filtri qe po pastron shoqerine tone sa po ka filluar, ky eshte nje nga produktet e para, sic ishte edhe ai i Fatos Nanos. Keta protagonist ndihmojne qe dikush si ne, sa do larg nga faktet e ngjarjes te kuptoje se Ai qe drejton eshte per te kryer detyren dhe jo privilegjin fashist te njerit apo tjetrit.
    Sjellja e vetshkatrrimit eshte shenja e fundit e ngjarjes, ajo (ngjarja) po ndodh. Peshqit kane notuar here ne akuarime e here ne pellgje po edhe ne perrenje edhe lumenje, tani, ata s’duhet te humbasin ne taven e ketyre peshkatareve barbare qe spastrojne e vendosin terrore edhe ne dite dasme.
    Mund te jete koha qe te thuhet hapur se e kemi prejardhjen nga uji, por s’jemi peshq per taven e drite shkurterve pushtetare te kujte do rrangu qofshin.

  11. ujku i zi thotë:

    12 February 2008 @ 10:20 pm

    Artian, e kuptova c’fare deshe te thoshe qe ne fillim, por gjithashtu eshte mire qe te behet nje dallim midis plehrave dhe atyre qe qe kane te drejte, sigurisht jo qorrazi per t’i bere ndonje nder Apollonit.

  12. toko thotë:

    12 February 2008 @ 11:01 pm

    ?????? Nuk e lexova te teren por me duket debat “me the” “te tashe” Klajd ka te drejte Ku eshte produtiviteti? Vec gallates qe bejme ne duke lexuar sherin e tyre per “me the” “te tashe”.
    Ishim femije dhe kishte gallate kur zireshin fqinjat. “Moj ti e atille moj ti e ketille”. “Ti te me thuash mua keshtu e ashut, mua qe jam kjo dhe ajo” Edhe ky debat keshtu duket.

  13. Tironsi thotë:

    13 February 2008 @ 12:57 am

    S’diskutohet qe Apolloni eshte ku e ku me Pangon. Illin e njohin te tere per delenxhi. PO puna eshte se dhe Apolloni nuk eshte qytetar i nderuar. Pse nuk foli me para Apolloni? Pse s’ja ka tefterisur keto kryeministrit.? Nqs ia ka tefterisur, pse nuk thote qe dhe kryeministri eshte shoku i Spangos? Kjo fjalia e fundit i thote te tera kot te rri te llap me gjate une:

    “Si epilog do ju vija në dukje se ndërsa përpara ju nuk keni bërë dot kundër PD-së aq sa unë pata bërë për PD-në, sot ma kaloni. Por e keqja është se fatura e tërë këtyre bëmave i faturohet PD-së.”

  14. klajdevour thotë:

    13 February 2008 @ 1:31 pm

    nuk eshte aty problemi, eshte te fakti qe asnje prej ketyre dy personazheve nuk ka asnje te drejte morale te debatoje per nje fushe qe pak me shume apo pak me pak, kane kontribuar per tu shkaterruar, qofte direkt, qofte indirekt! Keshtuqe debati personal mes tyre, behet edhe me bajat, i padurueshem.

  15. klajdevour thotë:

    13 February 2008 @ 1:33 pm

    Blend dhe Penar, kushdo qe nis nje debat me synimin per te elaboruar ide niset padiskutim nga deshira qe realiteti te ndryshoje. Kete gje ben Penar, mjafti, kur nis nje proteste. Ketyre as qe u ruhet as per idete e as per ndryshimin.

  16. Idris thotë:

    13 February 2008 @ 1:56 pm

    I vetmi eveniment i rendesishem i kesaj qe quhet MIN.KULt eshte perdorimi i ca gjynafqareve borderoiste,qe u derguan per show ne FED.SHQIP.te FUTBOLLIT e vetmja KALA pa e mare SALA.
    Kultura e ketyre drejtuesve fillon qe nga shtepia e sejcilit e mbaron tek ndertesa e MINISTRISE.
    Ka ardhur me te vertete koha te zhduket megallomania nga skena qe prodhon kulture me “dacibao” shoferesh.
    Ndoshta dhe punojne por ..vetem per kulture s’mund te thuash se ka ne Memedhembje.Ndertese MINISTRIE dhe rogtare …PO.

  17. Peshku Fluturues thotë:

    14 February 2008 @ 4:44 am

    Poliiii. Kthehu ne Kanada se do te te heqin fare nga lista e welthfare.

  18. Paulo thotë:

    14 February 2008 @ 4:34 pm

    Brilant si shkrim…..!
    Jane te gjitha te vertea akuzat qe ngre per Pangon ( te pakten une i besoj)

    Jam dakort me disa qe e bejne me faj Kryeministrin per c’ka nuk shkon mire, por Jo t’ia faturojne atij cdo mangesi……

    Kam besim se Kryeministri do ta heq Pangon……….(akuzat(per abuzimet) ti zbardhe prokuroria)

    Eshte Media qe shitet sa ne nje vend ne nje tjeter dhe nuk kritikon aty ku duhet…..

    Pango nuk ka aftesi ta perballoje debatin, sepse eshte njeri pa identitet dhe ka nje grade shkencore qe sinqerisht nuk e meriton sepse eshte dhe i paafte…..

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com