Demagogjia e decentralizimit

Edi Rama
Shekulli

Kur beson vërtet në atë që bën, është e vështirë të kthesh kokën prapa e të numërosh sukseset. Thuajse tetë vite më parë, së bashku me qytetarët e Tiranës u angazhuam të ndryshonim kryeqytetin, ndërsa sot, më të shumtë në numër, duam të ndryshojmë Shqipërinë.

Gjithsesi, shpeshherë kam menduar se sa shumë më shumë mund të ishte bërë në Tiranë dhe në çdo qytet e fshat të Shqipërisë në rast se, në këto 17 vjet liri, Shqipëria do të kishte pasur qeveri që të kishin sensin e zhvillimit të qëndrueshëm e të harmonizimit të përpjekjeve për ta garantuar këtë zhvillim, duke konceptuar e jetësuar, së bashku me pushtetin vendor, politika kombëtare që rrisin cilësinë e jetës në qytetet e në komunat tona, të cilat padyshim s’janë as të majta e as të djathta, po janë komunitete njerëzish me përkatësi të ndryshme shoqërore, krahinore e politike, që pavarësisht nëse drejtohen nga një forcë apo një tjetër, duhet të gëzojnë të njëjtën vëmendje nga ana e qeverisë së vendit. Me këtë frymë e mbi këtë bindje unë i kërkova Kryeministrit të Shqipërisë, në emër të drejtuesve të zgjedhur vendorë të opozitës së sotme, takimin e zhvilluar fundvitin e shkuar, ku i dhamë argumente të plota qeveritarëve të pranishëm për një sërë ndryshimesh të domosdoshme në paketën fiskale e në buxhetin e vitit 2008.

Zoti Kryeministër mori shumë angazhime, po deri në çastin që flasim nuk ka mbajtur absolutisht as edhe një të vetëm. Asgjë nga ato që ai na premtoi nuk gjendet në paketën e re fiskale, e cila në këto dy vitet e fundit vetëm i ka shteruar burimet tona të financimit.

Asgjë nga ato që Kryeministri na premtoi nuk gjendet as në buxhetin e vitit 2008, ku vijohet me skema të fantazuara grantesh konkurruese që nuk gjenden në asnjë vend tjetër të botës demokratike, sepse janë shpikja shqiptare e radhës, me të cilat, disa të ashtuquajtura komitete, bëjnë ndarjen e fondeve, sipas shijeve e orekseve elektorale e korruptive dhe jo sipas nevojave të komuniteteve. Unë nuk kam pasur kurrë dyshim, qysh në krye të herës, se Shqipëria drejtohet nga një njeri që është i paaftë të menaxhojë një ndërmarrje komunale e jo më të përballojë sfidat e menaxhimit të të gjitha punëve të vendit. Nuk kam dyshuar kurrë se Kryeministri ynë nuk është në gjendje të mbajë asnjë premtim, jo vetëm sepse është i paaftë, po edhe sepse ai premtimet nuk i bën për t’i mbajtur, po për t’i gënjyer njerëzit e për t’u marrë votën dhe për t’i gënjyer përsëri me një premtim më të madh, kur është radha për të mbajtur një premtim të mëparshëm.

Nuk kam pasur asnjë iluzion edhe pas takimit të cilit po i referohem dhe është e turpshme që, në vitin 2008, ky vend të vazhdojë të ecë me hapin e breshkës edhe në drejtim të jetësimit të autonomisë vendore, pa mundur t’u garantojë njësive vendore instrumente financiarë e administrativë për të zgjidhur probleme që rëndohen, qoftë në qendrat e mëdha urbane e qoftë në zonat rurale, e për të përballuar sfida që thellojnë përditë borxhin që u kemi fëmijëve tanë. Unë nuk e di çfarë njësie matëse përdor për kohën zoti Kryeministër, por di që mes politikës së vjetër, të cilën ai e mishëron në tërë qenien e aktivitetin e tij qeverisës, dhe politikës së re që ne po plazmojmë dita-ditës, ka një dallim themelor edhe në marrëdhënien me kohën që ikën. Kjo qeveri ka hyrë plotësisht në vitin e saj të tretë dhe Shqipëria po humbet edhe vitin e 18-të të tranzicionit duke u zvarritur, ndërkohë që fqinjët rreth nesh ecin me shpejtësi dhe Europa ku duam të integrohemi fluturon. Po bëhen tetëmbëdhjetë vjet përpjekje, për të ndërtuar një shtet modern e demokratik dhe pushteti ynë vendor mbetet ende me më pak instrumente në dorë se ç’kishin komitetet e dikurshme ekzekutive. Dhe ky nuk është ekzagjerim metaforik, po fakt. Zoti Kryeministër na premtoi vënien e menjëhershme në lëvizje të qeverisë së tij, për të ndalur abuzimet skandaloze të institucioneve të shtetit që ai drejton me hapësirat publike, me asetet e bashkive, me trojet e shkollave e të parqeve, si edhe për të revokuar qindra vendime të paligjshme mbi këto prona. Mirëpo, jo vetëm asgjë prej gjëje nuk ka nisur në këtë drejtim, sikundër thuajse asgjë nuk lëviz në drejtim të transferimit e të regjistrimit të pronave të pushtetit vendor, po përkundrazi, zullumqarët e qeverisë së tij, po përgatisin një vendim për t’i marrë bashkive edhe ato pak asete e prona që pretendojnë të regjistrojnë, me argumentin skandaloz se nuk i paskan vënë ende në eficiencë. Ministrat karagjozë nuk i kanë munguar asnjëherë qeverive të këtij vendi, qysh nga viti 1912, po të tillë dallkaukë që të bëjnë sikur s’e dinë se pushteti vendor nuk mund të verë në eficiencë një pronë që nuk e ka ende të regjistruar, ua kalojnë vërtetë të gjithëve.

Kemi më shumë se 8 muaj që presim miratimin nga qeveria të pronave të cilat kërkojmë t’i regjistrojmë për të planifikuar e ndërtuar shkolla, kopshte, çerdhe, qendra sociale e për nevoja të tjera të qytetit të Bashkisë së Tiranës dhe askush nuk ndjen përgjegjësinë për to. Po njësoj është situata edhe me qytete të tjera. Ky i yni, është i vetmi pushtet vendor në Europën e re e të vjetër që nuk regjistron dot pronat e veta dhe që zhvishet përditë nga e drejta mbi to, duke rrezikuar që nesër të mos jetë më në gjendje të ndërtojë dot një banjo publike e jo më të ndërtojë partneritete publiko-private bazuar në asetet e veta. Dhe, kjo nuk do të thotë institucione bashkish e komunash më të varfra, po qytete e komunitete më të varfra e me më pak cilësi jete. Për të kuptuar sa larg jemi nga bota që na rrethon e nga Europa ku duam të hyjmë, mjafton të themi se kryeqyteti i Moldavisë, që merret rëndom si model i prapambetjes, e ka buxhetin vjetor sa trefishi i buxhetit vjetor të Tiranës (152 milionë EU), ndërkohë që Tirana, e cila megjithëse merret rëndom si model suksesi e përballet përditë me një pritshmëri në rritje të qytetarëve të saj, buxhetin nuk e ka më tepër sesa 52 milionë EU.

Zoti Kryeministër na premtoi rishikim të një sërë aspektesh të politikës fiskale të qeverisë së tij, në funksion të forcimit të instrumenteve financiarë të pushtetit vendor, i cili në Shqipërinë e sotme përbën vetëm 2.7% të PBB, ndërkohë që Rumania e ka 8.5%, Bullgaria 7.4%, Kroacia 7.8%, Serbia 5.6%, Mali i Zi 6.5%. Ose, e thënë ndryshe, nga 100 lekë që prodhon sot një shqiptar vetëm 2 lekë e gjysëm i shkojnë bashkisë apo komunës, ndërkohë që nga çdo shqiptar ne na kërkohet, me të drejtë, çdo vit e më shumë.

Por, Kryeministri nuk bëri jo vetëm ato që i kërkuam, po as ato që ai vetë ia kërkoi ministrit të Financave, i cili padyshim është i vetmi ministër Financash në botë që nuk e di se në të gjitha vendet e Europës, përveç Shqipërisë natyrisht, pushtetet vendore janë përfitues të taksave të ndara, madje në përqindje shumë të konsiderueshme - sipas ministrit tonë taksat e ndara ekzistojnë vetëm në shtetet federale, madje vetëm në Amerikë e as në Gjermani jo. Kjo është një nga mijëra shprehjet e qarta të paditurisë dhe paaftësisë së qeverisë të zotit Berisha, e cila as do e as di të gjenerojë vendimmarrje të efektshme për politika dhe instrumente financiarë të zhvillimit të vendit, ndër të cilat do të qe, pa asnjë dyshim, edhe ndarja e taksave kombëtare me pushtetin vendor. Gjë të cilën, qeveria që do të krijojmë falë fitores së vitit 2009 do ta bëjë qysh në buxhetin e saj të parë. Pa taksa të ndara, nuk mund të ketë asnjë fuqizim real të financave të pushtetit vendor dhe asnjë rritje reale të ndikimit të tij në cilësinë e jetës së qytetarëve, ashtu sikundër s’mund të ketë një pushtet vendor më të efektshëm në mbrojtjen e mjedisit, pa një politikë të re kombëtare për mjedisin. Zoti Kryeministër premtoi se qeveria e tij kishte gati planin për një fushatë kombëtare e të bashkërenduar me pushtetin vendor, për të mundur epideminë e plehrave të kudondodhura nëpër Shqipëri. Por, jo vetëm që një plan i tillë nuk u pa gjëkundi, po nuk ka asnjë lloj përpjekjeje për të përmirësuar kuadrin mizerabël ligjor në këtë drejtim, ku bashkitë e komunat kanë përgjegjësinë të mbledhin e përpunojnë plehrat, pa pasur asnjë lloj instrumenti të efektshëm administrativ për të garantuar standarde mjedisore të detyrueshme për çdo individ, institucion shtetëror e sipërmarrje private, si edhe asnjë pronësi e bazë të qëndrueshme ligjore për të kaluar nga vendgrumbullimet mesjetare të plehrave, në pika përpunimi të standardeve EU.

Zoti Kryeministër premtoi se qeveria e tij do të bënte transferimin e plotë të ujësjellësve e të kanalizimeve tek pushteti vendor. Madje kanë dalë prej kohësh edhe vendime të Këshillit të Ministrave për këtë punë, por në thelb kemi të bëjmë me një plan të dështuar qysh në nisje. I cili nuk ka asnjë gjasë të realizohet, sepse është hartuar jo vetëm jashtë realitetit, dhe pa marrë parasysh fare opinionin e specifikat e njësive vendore, por ka në esencën e tij synimin që deri në vitin 2009 të mos ndryshojë asgjë. Asgjë, përveç faktit që faji për mos furnizimin me ujë apo për mosfunksionimin e kanalizimeve të mos jetë më i qeverisë po i bashkisë a komunës. Është arritur deri në absurdin që të shkruhet në vendimin e qeverisë se deri në 2009 vendorët s’kanë të drejtë të ndryshojnë statusin e ndërmarrjes dhe, madje, për të ndryshuar drejtorin, nuk mjafton shumica e thjeshtë e aksionerëve, si për çdo ndërmarrje aksionesh, po duhet një shumicë e cilësuar - pra një shumicë e paarritshme, në rastin kur përfaqësuesit vendorë të Kryeministrit do të mbrojnë të gjithë drejtorët e emëruar politikisht gjatë kësaj kohe në Ujësjellës-Kanalizime.

Shkurt fjala, “Ke ujësjellësin tënd, po s’bën dot asnjë reformë strukturore e nuk ndërron dot as drejtorin tim”. Kjo do të thotë që, për sa kohë nuk do të ketë një dialog konstruktiv mes palëve e një mirëkuptim të bazuar në parimet e Kartës së Autonomisë Vendore e të Kushtetutës së Republikës sonë, si edhe një ligj e një vullnet të mirë për t’i përmirësuar gjërat e jo për t’i lënë fajin njëri-tjetrit, ne nuk e pranojmë bashkëfajësinë në dështimin e kësaj skeme e nuk i marrim në ngarkim ujësjellësit e kanalizimet.

Dhe kjo e jona le të mbetet po të dojë qeveria e vetme në botë që, në shekullin e XXI, menaxhon deri edhe kanalizimet e qyteteve. Nuk do të zgjatem më tutje me zinxhirin e premtimeve, gënjeshtrave dhe dështimeve të Kryeministrit e të qeverisë së tij lidhur me pushtetin vendor, në një moment kur në Shqipëri po ndodh rritja më e papërballueshme e çmimeve dhe kudo nëpër qytetet e fshatrat e atdheut tonë, ndjehet, preket, dëgjohet e shihet pushteti i një varfërie të gjithëpushtetshme e i një dëshpërimi në rritje. Kjo është qeveria e Kryeministrit Berisha dhe këto janë “sukseset” e tij. Kjo është fotografia në të cilën gjendet atdheu ynë, dhe këto janë arsyet më të mira pse Shqipërisë tonë i duhet një bashkim i ri, një politikë e re, e aftë për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve mundësinë për të ëndërruar sërish, e për t’i kthyer në realitet ëndrrat e 17 viteve të fundit të tranzicionit që nuk mbaroi kurrë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. Qafir Arnaut thotë:

    12 February 2008 @ 8:29 pm

    Cdo qeveri qendrore nuk deshiron te dorezoje pushtet tek nje qeveri vendore. Ky eshte interesi i saj, ndersa interesi i popullit eshte i kundert.
    Puna e politikanit eshte te beje c’eshte ne interes te popullit. Duket qarte se per ke punon Qeveria e Gjysmagjelit: vetem per cerekun e gjelit.

    Turp e faqja zeze per katundaret e qytetaret e Shqiperise!

  2. bledi thotë:

    12 February 2008 @ 8:44 pm

    Decentralizimi i pushtetit lokal, nuk duhet te bere nga Sulltan Berisha te Pashai lokal, po te komuniteti lokal, e te kete ne cdo pushtet lokal nje asamble a keshill te vogel te zgjedhur direkt per cdo lagje e nenzone te qytetit…..pra pushteti te vej te qytetaret e jo te pashai lokal.

    Duhet te ndryshoj ligji i zgjedhjeve qe cdo bllok qyteti te kete nje keshilltar e perfaqesus te tije te zgjedhur direkt, ne keshillin e bashkise a komunes, JO ME LISTA PARTISHE, po nga cdo zone qyteti a bllok nje i zgjedhur e perfaqesus i tyre.

    Pastaj te ritet pushteti i lokaleve.

    Problemi ne shqiperi eshte qe dhe pushteti lokal ka abuzuar tej mase me pushtetin, e duke qene se nuk kishim tradite, e ishim mesuar qe cdo gje komandohej e kontrollohej nga qendra, e keshtu funksiononte, pas 90tes te zgjedhurit lokal u bene si pashallar te vegjel, nuk kishin asnje pergjegjesi, asnje kontroll per punen, e ndryshe nga pushteti qendror qene komod jashte vemendies se shtypit e medias, e benin ca te donin e korrupsioni pa kufi.

    Qeveria qendrore ne vend qe te kerkoj te monopolizoj cdo gje per qellimet e partise, do qe mire te vinte ca standarte per jeten qytetare e organizmimi e qyteteve, e te kerkonte qe keto te realizoheshin, e te kishte te pakten nje referim per punen qe duhet te benin lokalet.

    Plus perfaqesimi direkt i qytetareve, pushteti i komunitetit direkt, e jo vetem zgjedhja e ca pashallareve lokal.

  3. Lefti thotë:

    12 February 2008 @ 8:52 pm

    Unë nuk kam pasur kurrë dyshim, qysh në krye të herës, se Shqipëria drejtohet nga një njeri që është i paaftë të menaxhojë një ndërmarrje komunale e jo më të përballojë sfidat e menaxhimit të të gjitha punëve të vendit.

    Kuptoni qe : “Une meqe jam ne gjendje te menaxhoje nje njesi vendore, jam ne gjendje te menaxhoje tere Shqiperine” - sepse pretendon te behet kryeminister njeri pas 2009-es …

    :)

    Po ky i uruari sikur para 3 javesh tha gafen e tij me te madhe : “Une nuk jam Politikan !”

  4. bledi thotë:

    12 February 2008 @ 9:02 pm

    Edi Rama eshte i vetmi sukses i nje drejtusi ne keto 17 vjet, ne bashkine e Tiranes qe eshte sa gjysma e vendit, e kjo e pranuar nga te gjithe.

    Berisha ne te kundert nga ka habitur me paaftesine e tije totale te menaxhoj problemet e vendit…..cedo se ngul kemb si mushka maj maleve te rinj ne pushtet….asnje gje nuk ben…vetem zhurme e sherre.

  5. Qafir Arnaut thotë:

    12 February 2008 @ 9:05 pm

    Bledi, sa me shume lojtaret aq me vogel pjesa e tortes, qe ndikon ne rritje efikasiteti ne pergjithesi. Nga ana tjeter sa me shume qeveri te kete, aq me shume ineficence do krijohet.

    Une propozoj qe Shqiperia te amalgamohet ne nje qytet-shtet alla Singapor. Kush eshte me mu hajde te krijojme parti.:)

  6. Blendi Salaj thotë:

    12 February 2008 @ 9:21 pm

    Unë nuk kam pasur kurrë dyshim, qysh në krye të herës, se Shqipëria drejtohet nga një njeri që është i paaftë të menaxhojë një ndërmarrje komunale e jo më të përballojë sfidat e menaxhimit të të gjitha punëve të vendit.

    Metaforike, megjithate, cuditshem, mund te jete e vertete edhe ne kuptimin e drejtperdrejte.

  7. bledi thotë:

    12 February 2008 @ 9:22 pm

    Nuk e ke idene sa aktive jane komuniteti ketu ne ameriken e veriut e pjesmaria eshte direkte.

    Problemi ne shqiperi, eshte se pushteti lokal do te thote qe vetqeverie e komunitetit lokal, qe funksionon , cdo bllok ose ndarje con perfaqesus te saj ne kshillin e bashkise a komunes, e jo lista partishe.

    Njelloj nje parlament lokal.

    Per cdo problem te kete mbledhje te hapura e perfaqesim direkt te banoreve.

    Tek ne pushteti lokal u keqinterpretuar, SHUME DHE NGA TERMA NE GJUHE TE HUAJ QE SHQIPTARET NUK KUPTOJNE ATE KUPTIMIN E VERTET TE TYRE.

    Te kjo form organizmi delegon pushtetin, pra u jep pushtetin vet banoreve te vetqeverisen, e jo pashallareve lokal qe shume here zgjidhen nga fuqia e partive qe i mbeshtet ose i vene.

    Kam pare keto 17 vjet ne shqiperi qe te zgjedhuri lokal, zgjidhen e nuk pyesin per njeri, e pastaj duan pushtet me shume, kuptohet per xhepin e tyre.
    Plus menyra e funksionimit sot te te zgjedhurve te keshillave lokal me lista partish, heq cdo perfaqesim te komunitetit ne keshillin bashkiak a komunes, e prish gjithe thelbin e pushtetit lokal.

    Problemi, nuk ka pushtet lokal realisht. se ai komandohet, nga partia e pushtetit ose e opozites.

    Pushteti lokal, e i famshmi DECENTRALIZMI, qe shqiptaret sja kane idene,ca do te thote , KOMUNITETI LOKAL TE VETQEVERISET.

  8. Qafir Arnaut thotë:

    12 February 2008 @ 10:14 pm

    bingoooooo!

    Tek ne pushteti lokal u keqinterpretuar, SHUME DHE NGA TERMA NE GJUHE TE HUAJ QE SHQIPTARET NUK KUPTOJNE ATE KUPTIMIN E VERTET TE TYRE.

  9. Albanicum thotë:

    12 February 2008 @ 10:34 pm

    Rama eshte nje alternative me e mire se Berisha. Por mund te punonte shume me mire me Tiranen sesa ka punuar. Shume leje ndertimi jane dhene duke ngushtuar hapesirat vitale ne kryeqytet dhe duke reduktuar gjelberimin. Pemet qe mbjell Rama nuk kompensojne dot kete. Te jete ky valle aq i ndershem sa e shet veten? Mire per Berishen e dime qe eshte nje qen bir qeni hipokrit po ky…sa e ka permasen e sinqeritetit?

  10. Artian thotë:

    12 February 2008 @ 10:47 pm

    Zoti Kryeministër mori shumë angazhime, po deri në çastin që flasim nuk ka mbajtur absolutisht as edhe një të vetëm. Asgjë nga ato që ai na premtoi nuk gjendet në paketën e re fiskale, e cila në këto dy vitet e fundit vetëm i ka shteruar burimet tona të financimit.

    nuk diskutohet qe angazhimi ne shqiperi eshte bllof..

    Shkurt fjala, “Ke ujësjellësin tënd, po s’bën dot asnjë reformë strukturore e nuk ndërron dot as drejtorin tim”.

    kjo eshte dhe demago gjia e decentralizimit…

  11. Vemendje thotë:

    12 February 2008 @ 11:09 pm

    Radha e Edi Rames jo e falur se ka bere kohen e tij, dhe per fat jo me sedren e semure si Berisha. Rama e ka nje Berish te ri ne veten e tij plus Ramen e ri qe i shtone dhe aftesine natyrale (deri ne lartesine e talentit) per te mesuar dhe pyetur njerez te afte, pa lene pas dore dhe pamundesine per te nenvleftesuar njeriun e thjeshte. Edi eshte per kulturen dhe zhvillimin e vendit, kurse Berisha eshte per hajdutet dhe injorancen spekulante te vendit.

  12. toko thotë:

    12 February 2008 @ 11:19 pm

    Su lodhet mor aman Rama vs Berishes e Berisha vs Rames.
    100 komente tek ajo tema tjeter per tiranen tani dhe nja 100 ketu. Perserit e perserit te njetat gjera, se ne 200 komente per 2 njerez te rendomte nuk e kuptoj cmund te thuhen tjeter. :)

  13. edrus thotë:

    13 February 2008 @ 6:28 am

    Toko, ke të drejtë.
    Tani është më bukur të bësh sehir duke parë “kokrrat” e politikës që “debatojnë” me njëri tjetrin… ka aq batuta komike në këto debate sa gjynah të harxhosh kohën duke parë spektakle në Tv :)

  14. Idris thotë:

    13 February 2008 @ 7:03 am

    Lexo Leftin dhe perkthe teto Olgen:
    -Po ky i uruar EDi qenka me politike ne Biografi.
    Po ky Edi paska kurajon tu tregoje Tiranasve spekulimet e Mixhes ,perse nuk del njeri nga qeveria ta kundershtoje me keto fakte qe AI nxjerr ? Ku jane keshilltaret Bashkiake te PD ti thone : -Mashtrus! Faktet jane ndryshe.Buxheti jot nuk eshte ai i krahasuar me K/qytetin Moldav…me ate mund te krahasojme vetem prostitutat.
    Perse nuk del njeri nga ministria e nofull-katrorit te thote :
    Ndal EDI !ti je Mashtrus dhe genjeshtar,taksat e ndara ndahen si duam ne dhe jo si do ti.
    Qeveria doli vetem njehere per Bashkite , kur prishi mbikalimin.
    Nepermjet Tiranes i tregoi bashkiakeve se te ben gjemen duke ti flakur 1 e me shume miljone dollare investime si gjethe plepi , nese nuk merr pjese ne orkestren e harqeve dhe opuseve per violine dhe orkester.
    Megjithate kjo nuk shkakton merzi per te lodhurit…Kjo eshte ftese per debat me fakte dhe jo shprehje adoleshenteh…
    Po ky i uruari sikur …tha “Une nuk jam POLITIKAN ” ose e perkthyer nga teto OLGA “Ky nuk ben se eshte me POLITIKE ne BIOGRAFI”

  15. Syribukur thotë:

    13 February 2008 @ 3:53 pm

    “Armiqte na kane hal ne sy. Ata na kane ne gryke te pushkes, por ne i kemi ne gryke te topit”

    “Ne kete unitet te celikte te popullit rreth Partise do te thyejne koken te gjithe armiqte e vendit tone. Ne kete unitet theu koken edhe Mixha”

    “Sado te perpiqen armiqte tane te sabotojne e te krijojne grupe armiqesore, do te ndeshen ne vigjilencen revolucionare te njeriut tone te ri te brumosur me mesimet e ndritura te Partise dhe veprat e Kryetarit tone te Madh”

    “Qellimi i mbrapshte i armiqve tane ka qene vazhdimisht perbaltja e arritjeve kolosale te Partise nen udheheqjen e ndritur te Kryetarit tone te Lavdishem dhe eliminimi i tij politik. Por perpjekjet e tyre deshperuese te politikes se vjeter, kane rene ne koshin e plehrave, atje ku i ka hedhur Politika Largpamese dhe e Re”

    “Rrofte bashkimi i popullit shqiptar i majte me te djathte!”

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com