Topalli, akuza pushtetit për militantët e braktisur të PD

Nga Ejona Bajrami
Gazeta Tema
07.01.2008

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, paralajmëroi strukturat e pushtetit në qendër dhe në bazë, se ata nuk mund të injorojnë dhe të hedhin poshtë kontributin e militantëve të PD në opozitë për tetë vite duke i harruar ata tani. Në një fjalim të mbajtur në Rrëshen me struktura të Partisë Demokratike në kuadër të një turi që si nënkryetare e Partisë Demokratike do të ndërmarrë me strukturat e PD në të gjithë Shqipërinë, Topalli theksoi se “militantët e partisë janë aseti më i rëndësishëm i partisë, ato janë vetë partia. Askush nuk mund të guxojë t’i harrojë ata”.

Zonja Topalli falënderoi strukturat e Partisë Demokratike në Mirditë për mbështetjen e vazhdueshme në zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe atij qendror. Duke folur për rëndësinë që ka respektimi i militantëve të Partisë Demokratike si aseti kryesor i asaj partie, Topalli tha se “mirënjohja dhe mendimi im është tek ata në radhë të parë, sepse ata janë Partia Demokratike.”

Udhëtimi i pazakontë i zonjës Topalli në Mirditë paralajmëron nisjen e një fushate brenda Partisë Demokratike mbi përgjegjësit e qeverisjes dhe problemet që ka shkaktuar në bazën elektorale të PD mënyra sesi është qeverisur deri më sot. Përkrah zonjës Topalli në takim ishin dhe tre deputetët e zonave katolike në Mirditë dhe Lezhë, Aldo Bumçi, Gjovalin Prenga dhe Gjok Vuksani.

Partia Demokratike prej më se një viti ka paralajmëruar ndryshime dhe rizgjedhje brenda strukturave drejtuese të saj, por ndryshimi është shtyrë pafundësisht. Zonja Topalli njihet brenda PD si përfaqësuese e vijës së ashpër me mbështetje të gjerë në bazën e partisë dhe shumë refraktare ndaj katapultimeve në hierakinë politike të PD.

Në fjalimin e saj dje në Mirditë ajo foli dhe për arritjet kryesore të qeverisjes. Topalli përmendi se procesi i decentralizimit, duhet të përfshijë në debat të gjitha grupet e interesit. Ajo përgëzoi pushtetarët lokalë për arkëtimin e tatimeve, realizimin e të ardhurave nga ana e institucioneve vendore, si edhe realizimin e investimeve që në shkallë rrethi për Mirëditën, për vitin 2007, kanë arritur shifrën 85%.

“Është një lajm i mirë, - tha ajo, - që në segmentin e veprës më të madhe, rrugës Durrës-Kukës, që kalon këtej, përveç përfitimeve të tjera ekonomike janë punësuar 500 punonjës nga kjo zonë.

Zonja Topalli theksoi se shteti shqiptar ka të gjithë vëmendjen për zgjidhjen e problemeve kryesore që ka rrethi i Mirditës, kryesisht për ujësjellësin e Barrgjanës dhe rifunksionimin e sistemit të vaditjes.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Idris thotë:

    8 January 2008 @ 7:26 pm

    Znj.Topalli ben shume mire qe ua ngre moralin banoreve te MIrdites. Po c’dreqin do qe ngaterron militantet ne punesimin e MIRDITOREVE.
    C’behet mo? Di gje njeri andej nga MEMEDHEMBJA?C’po ndodh?
    Mos ndoshta e ka bere Jozefina me koke te vet?

  2. CPCP thotë:

    8 January 2008 @ 9:46 pm

    Jozefina Topalli, paralajmëroi strukturat e pushtetit në qendër dhe në bazë, se ata nuk mund të injorojnë dhe të hedhin poshtë kontributin e militantëve të PD në opozitë për tetë vite duke i harruar ata tani.

    (dmth tani qe jemi ne Pushtet)

    Por c’tani? Jozi dhe Llozi kane 3 vjet ne pushtet. Lol, u kujtua per militantet tani qe jane 3/4 e mandatit te kaluara dhe do u duhen prap votat e tyre dhe rrylat e fytit, dhe gishtat e ngrire lart, sikur i luten zotave me u fal dy lek…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com