Teknologjitë e mashtrimit

Nga George Soros
Përktheu: Vladimir Mustaqi
07-01-2008

Në romanin e tij “1984″, Xhorxh Oruelli (George Orwell) ka përshkruar një regjim të tmerrshëm totalitar, në të cilin gjithë informacioni kontrollohet nga një Ministri e së Vërtetës, kurse disidentët përndiqen nga një Polici Politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë një shoqëri demokratike, që kontrollohet nga Kushtetuta dhe sundimi i ligjit, me media pluraliste, megjithatë ka shenja shqetësuese se metodat e propagandës, të përshkruara nga Oruelli, kanë zënë rrënjë këtu.

Është e vërtetë që teknologjitë e mashtrimit kanë pësuar përmirësime shumë të mëdha që nga koha e Oruellit. Shumë nga këto teknologji janë zhvilluar për t’u zbatuar në reklamë dhe marketingun e produkteve dhe shërbimeve komerciale, dhe pastaj i janë përshtatur politikës. Tipari i tyre dallues është se ato mund t’i blesh me para. Para pak kohësh, shkenca kognitive ka ndihmuar që teknologjitë e mashtrimit të bëhen edhe më tepër të efektshme, gjë që çoi në shfaqjen e profesionistëve politikë, të cilët përqendrohen vetëm në “marrjen e rezultateve”.

Këta profesionistë krenohen më arritjet e tyre dhe madje mund të gëzojnë respektin e publikut amerikan, që admiron suksesin, pavarësisht se si ai është arritur. Ky fakt hedh hije dyshimi mbi konceptin e shoqërisë së hapur të Karl Poperit (Sir Karl Popper, 1902 -1994, filozof dhe profesor austriak dhe britanik, konsiderohet si filozofi i shkencës më me ndikim i shek.XX, shën.i përk.) i cili bazohet në pranimin e asaj, që ndonëse njohja e përsosur është e paarritshme, në mund të fitojmë një kuptim më të mirë të realitetit më anë të të menduarit kritik.

Poperi nuk ia arriti dot të mësojë se, për të siguruar mbështetjen e publikut, në politikën demokratike gjëja më kryesore është kërkimi i së vërtetës. Në sfera të tjera, të tilla si shkenca dhe industria, dëshira për t’i imponuar botës pikëpamjet e veta has në rezistencën e realitetit të jashtëm. Por në politikë mund të manipulosh lehtë perceptimin nga elektorati të realitetit. Si rezultat, diskuri politik, madje në shoqëritë demokratike, jo domosdoshmërisht çon drejt një kuptimi më të mirë të realitetit.

Arsyeja pse politika demokratike çon drejt manipulimit ka të bëjë me faktin se politikanët nuk aspirojnë të thonë të vërtetën. Ata duan të fitojnë zgjedhjet, dhe mënyra më e mirë për t’ia arritur kësaj është shtrembërimi i realitetit për të përfituar ata vet.

Ky depërtim në dukuri duhet të na çojë jo te heqja dorë nga koncepti i shoqërisë së hapur, por te rishikimi dhe ripërcaktimi i shkakut të tij. Në duhet të heqim dorë nga supozimi i heshtur i Poperit, se qëllimi i diskurit politik është një kuptim më i mirë i realitetit dhe ripërcaktim i tij si një kërkesë eksplicite. Vetëm ndarja e pushteteve, liria e shprehjes dhe zgjedhjet e lira nuk mund të garantojnë ekzistencën e shoqërisë së hapur: kërkohet gjithashtu një angazhim i fortë për gjetjen e së vërtetës.

Na duhet të vendosim rregulla të reja themelore të diskurit politik. Këto nuk mund të jenë identike me një metodë shkencore, por duhet t’u ngjajnë për nga karakteri, duke ruajtur kërkimin e së vërtetës si kriterin, sipas të cilit duhet të vlerësohen pikëpamjet politike. Politikanët do të respektojnë realitetin dhe jo ta manipulojnë atë, vetëm nëse publiku nuk është indiferent ndaj së vërtetës dhe ndëshkon politikanët kur e kupton se e kanë mashtruar me dashje. Kurse publiku do të shqetësohet për të vërtetën, meqenëse mashtrimi i çorienton njerëzit në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, shtrembëron zgjedhjen politike, minon llogaridhënien dhe shkatërron besimin te demokracia.

Historia e kohëve të fundit sjell prova bindëse se politikat e bazuara në shpjegimin e rremë të realitetit, japin efekt të kundërt. Reagimi i administratës së Bushit ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 - deklarimi i Luftës kundër Terrorizmit dhe trajtimi i kritikave si mungesë patriotizmi - ndihmoi në arritjen e mbështetjes së publikut, por rezultatet ishin në kundërshtim të plotë me atë që kishte planifikuar administrata e Bushit, si për veten e saj, ashtu dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vështirësia praktike qëndron në përcaktimin se kur profesionistët politikë po shtrembërojnë realitetin. Këtu një rol të rëndësishëm u takon medias, elitës politike dhe sistemit arsimor, të cilët të gjithë së bashku duhet ta bëjnë punën me kujdes (”which must all act as watchdogs”). Përveç kësaj, publiku duhet të jetë i mbrojtur/i vaksinuar nga teknologjitë e ndryshme të mashtrimit. Teknologjitë më të efektshme operojnë në nivelet subkonshiente. Kur emocionet mund të shkaktohen me metoda që anashkalojnë konshienten, publiku është tejet i pambrojtur. Por nëse publiku do të jetë i informuar mbi teknologjitë e ndryshme, ai, me siguri, nuk do t’i pranojë.

Një teknologji më ndikim të madh - të cilën organizatori i sondazheve elektorale (pollster) i Republikanëve, Frenk Lunc (Frank Luntz), sikurse e ka pranuar vetë, e ka marrë nga romani “1984″ - është ndërrimi i thjeshtë i vlerës në të kundërtën dhe përmbysja këmbëpërpjetë e realitetit. Kështu stacioni televiziv “Foks Njuz” (Fox News) e quan veten “të ndershëm dhe të balancuar”, kurse Karl Rouvi (Rove - ka qenë zëvendësshef i stafit të George W.Bush deri kur dha dorëheqjen më 31 gusht 2007, këshilltar politik i kandidatëve të Partisë Republikane shën.i përkthyesit) dhe ndihmësit e tij i shndërruan vetitë më të forta të oponentëve të vet në thembra Akili, duke përdorur insinuata dhe gënjeshtra për të paraqitur si gjëra kallpe arritjet e oponentëve të vet. Pikërisht, kështu, insinuatat për frikë dhe lojë jo të ndershme ndihmuan në humbjen e dy veteranëve të Luftës së Vietnamit, të cilët kishin një numër të madh dekoratash, senatorit Maks Klilend (Max Cleland) më 2002-shin dhe Xhon Kerrit (John Kerry) më 2004-ën, në të njëjtën kohë, si Bushi dhe zëvendëspresidenti Dik Çejni (Dick Cheney) - të dy, që i ishin shmangur shërbimit ushtarak - u portretizuan si patriotë të vërtetë.

Një teknikë tjetër është ajo e transferencës: duke akuzuar oponentët për ekzistencë motivesh ose duke përdorur metoda karakteristike për vet akuzuesin. Për shembull, Dejvid Horouici (David Horowitz - shkrimtar dhe aktivist neokonservator amerikan, ish- marksist i njohur, braktis të majtën dhe sot është zëdhënës i së djathtës, analist në Fox News, shënim i përk.), që më akuzon se qenkam “Lenini i konspiracionit antiamerikan”, është një ish-trockist, për të cilin oponentët nuk janë kundërshtarë, me të cilët mund të debatohet, por, më tepër, armiq, që duhet t’i shkatërrosh.

Publiku amerikan u nënshtrohet shumë lehtë provokimeve, që shkaktojnë manipulimin e së vërtetës, të cilat gjithmonë e më tepër po mbizotërojnë në diskurin politik të vendit. Në të vërtet, një rrjet i tërë publikimesh, disa prej të cilave menaxhohen për t’u shpallur si media udhëheqëse, i janë përkushtuar kësaj detyre për manipulim. Megjithatë mendoj se publiku mund të mbrohet nga argumentet false, duke i shkaktuar neveri e pakënaqësi ndaj gjuhës së dyfishtë së Oruellit (Orwellian Newspeak). Ajo që nevojitet, janë përpjekjet e përbashkëta për të identifikuar teknologjitë e manipulimit - po ashtu për t’u vënë emrin dhe për t’i turpëruar ata, që i përdorin.

Tani është koha ideale për të filluar nga përpjekjet. Amerikanët po zgjohen tashmë si nga një ëndërr e keqe. Ajo që kemi mësuar nga përvoja e viteve të fundit - gjë që duhej ta kishim ditur me kohë - është se supremacia e të menduarit kritik në diskurin politik nuk duhet konsideruar si diçka e vetëkuptueshme. Ajo mund të garantohet vetëm nga elektorati, që shqetësohet për shpjegimin e drejtë të realitetit (that respects reality) dhe që ndëshkon politikanët, të cilët gënjejnë apo përdorin forma të tjera të mashtrimit.

Xhorxh Soros (George Soros) është president administrativ i Fondacionit “SOROS” dhe Institutit të Shoqërisë së Hapur. Titulli në origjinal: “From Karl Popper to Karl Rove - and Back” (Nga Karl Poperi te Karl Rouvi - dhe anasjelltas)

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com