Të mohosh veten

Bledi KASMI
Rilindja Demokratike
8 Dhjetor 2007

Nuk do t’i përgjigjesha pamfletit të drejtuesit të gazetës TemA, sepse sikurse shkruaja në editorialin e tre ditëve më parë, ai shkrim nuk synonte të nxiste polemika, por të saktësonte disa të vërteta, të cilat nuk munden që të mbulohen nga balta e vazhdueshme e dezinformimit. Nuk do të doja që të përgjigjesha as për fyerjet si koleg apo drejtues i kësaj gazete, kur shkrimin tim ia atribuon një tjetri, pavarësisht nga firma ime poshtë tij. Periudha e pseudonimeve ka marrë fund një herë e mirë. Në media, ajo ka qenë një huazim i një të shkuare të errët të historisë sonë, asaj të sigurimit të shtetit, por që kurrsesi sot nuk mund të serviret si realitet në këtë gazetë, simbol i rrëzimit të atij sistemi.

Do të doja të sqaroja se pamfleti yt është fund e krye një trillim dhe dezinformim i plotë, një mohim i vetvetes dhe i padenjë për një gazetar, që dëshmon për një krizë totale, duke i lejuar vetes përdorimin e një fjalori prej halabaku ordiner. Ju, në hyrje të shkrimit tuaj, si në një krizë paranoje, krahasoni veten me udhëheqës dhe themelues të PD. Nëse ty të pëlqen krahasimi i vetes me liderë të PD, pavarësisht se nuk ke qenë as edhe një ditë në forumet drejtuese të saj, po të rikujtoj se kjo gazetë, në të gjitha momentet, ka mbajtur qëndrimin e forumeve të PD. Nuk mund të mohoj faktin se në zgjedhjet e vitit 2001, nga forumet e PD, u përzgjodhe kandidat në zonën e plazhit-Durrës, zona elektorale, e konsideruar më e mira në favor të PD për t’u fituar, sikundër po në atë periudhë ti zgjodhe ndarjen përfundimtare me PD, kur në orën 12.00 të mesditës, kur kishin kaluar vetëm pak orë nga hapja e kutive të votimit, i dorëzove zonën elektorale rivalit tënd socialist, duke u bërë thirrje komisionerëve të bojkotonin procesin zgjedhor pa asnjë miratim apo vendim të forumeve të asaj partie që të kandidoi ty. Arsyet e aktit tënd i di ti vetë dhe nuk po ndalem këtu në shkrim, për të mos lënduar në ndonjë prej tyre, por nuk besoj se ka qenë për t’u dhënë kurajo komisionerëve që ishin nën terror atë ditë.

Në shkrimin tuaj, ju pretendoni se gazeta që drejtoj paska 7 muaj që nuk paguan detyrimet në shtypshkronjën e “TemA”-s, ndërkohë që me dokumente faktohet që gjatë 3 muajve që drejtoj këtë gazetë, me fatura që mbajnë firmën e bashkëshortes tuaj, janë paguar të gjitha detyrimet që kemi pasur. Në rast se gazeta ka detyrime të mëparshme ndaj teje, i sigurt të jesh se nuk pranojmë të mbetemi borxhli, edhe sikur ti ta doje këtë.

Në shkrimin tuaj, ju pohoni se gazetën e shitët apo ia dhatë me qira ortakut të Edi Ramës në biznese, se ishe i zhytur në borxhe prej Berishës. Kësaj, nga krahina jote, i thonë: “Për inat të sime vjehrre, shkoj dhe fle me mullixhinë”. Nuk më intereson kujt ia shet apo ia jep me qira gazetën tënde personale, por dezinformon në mënyrë të padenjë kur shkruan se qiraxhiu i gazetës tënde të “djathtë” sapo e mori në dorëzim atë, ka paguar 1.5 milion dollarë gjoba nga tatimet, policia elektrike, etj. Me këto faktoni se gazeta u dha me qira për të prerë gjoba. E them këtë, sepse disponohen dokumentet që faktojnë se qiraxhiu i gazetës tënde, pronari i lokalit më të madh dhe frekuentuar në kryeqytet, kishte arritur me miqtë e tu, para se PD të vinte në pushtet, të regjistrohej si biznes i vogël dhe i paguante taksa shtetit sa një kioskë tek “Rrapi i Treshit”. Nëse ndokush mendon se duke marrë me qira gazetën “TemA” do t’u shpëtojë detyrimeve tatimore të përcaktuara me ligj, vetëm sa mashtrohet. Nëse merr përsipër avokatin e tij për gjoba të pamerituara, të sugjeroj që ankesat, klienti yt, t’i adresojë tek autoritetet përkatëse, duke pasur garanci se ato do të shqyrtohen.

Në shkrimin tuaj pretendoni se lufta ndaj zonjës Hana është parimore dhe se nuk keni marrë pjesë në tenderat e këtij institucioni. Nuk mund të mos mjerohesh kur shikon se si humbja e një tenderi të ka degraduar, deri në mohim të vetvetes. Nga shkrimi i botuar në gazetën “TemA” të dt. 2 gusht 2007, ju pranoni pjesëmarrjen e kompanisë tuaj në tenderin e ISKSH. “Skandali nisi kur shoqëria që dha çmimin më të ulët “Mediasoft”, u zhduk fare nga listimi i çmimit pas disa ditësh, duke iu zhdukur dosja, edhe pse kishte konkurruar zyrtarisht.”, shkruhet në këtë numër të “TemA”.

Përpara se të arrihej deri tek botimi i këtij shkrimi, sipas dokumenteve zyrtare, është dorëzuar kërkesa për pjesëmarrje në tender. Nuk ka asgjë të keqe që një kompani të marrë pjesë në një tender, problemi qëndron se dokumentacioni i paraqitur, sikurse është verifikuar më pas edhe nga Drejtoria e Tatimeve, ka qenë i falsifikuar, duke fshehur detyrimet që firma ka pasur, përmes ndryshimit të NIP-it.

Zonja Hana mund të ketë problemet dhe dobësitë e veta në punën e saj, dhe kjo gazetë nuk merr aspak përsipër që t’i mbrojë ato, nëse ekzistojnë, sikurse nuk mund të mbrojë dobësitë e asnjë zyrtari tjetër, por ajo drejtoreshë meriton një përgëzim që nuk u përkul para presionit të gazetës “TemA”, që, me një stil gjobëprerës, kërkonte të merrte tenderin me dokumente të falsifikuara.

Ju e konsideroni zotin Basha si të pafytyrë, duke dëshmuar standardin e një halabaku ordiner, dhe e bëni këtë sepse këtij ministri i takoi rasti që një zotim elektoral të PD, për kufizimin e imunitetit dhe çështje që kanë të bëjnë me transparencën e qeveritarëve dhe administratës ndaj organeve të hetimit, ta shndërrojë në realitet. Ai, këtë pafytyrësi, siç pretendoni ju, me fjalor ordiner, nuk e bëri për të bindur Berishën, por sepse kufizimi i imunitetit për rastet e hetimit ndaj korrupsionit është standardi i vendit ku ai është edukuar dhe shkolluar, është standardi i Europës Perëndimore, dhe prej 200 vitesh i Shteteve të Bashkuara. Është një kërkesë e BE ndaj Shqipërisë. Kjo parti, katër vjet më parë, dorëzoi në Parlament ligjin për këtë çështje, që kërkonte kufizimin e imunitetit të zyrtarëve që hetohen për korrupsion. Ligji i parë i dorëzuar në Kuvend, pas fitores së zgjedhjeve të PD në 2005, është i njëjtë, ka të bëjë me kufizimin e imunitetit të deputetëve. Opozita e refuzon kategorikisht ligjin dhe mazhorancës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse, me procedura parlamentare, ta zbatojë atë në çdo rast. Ky standard duket se nuk i përshtatet drejtuesit të “TemA” dhe ofendon me fjalor thuajse të njëjtë me të Braçes, përtej çdo etike, duke ditur se këta qeveritarë kanë hequr dorë nga proceset ndaj gazetarëve. Ai është një standard larg dorëzimit të zonës elektorale në Durrës rivalit socialist, në një moment mjaft të vështirë për PD dhe opozitën e asaj kohe. Nuk mund të vlerësohet ky standard, sepse standard më i mirë duket ai i dhënies me qira të fletushkës tuaj të “djathtë” “TemA” ortakut të Ramës, me mendimin se mund t’i krijohet imuniteti ndaj çdo shkeljeje ligji. Ai standard është shumë larg atij të vendosur nga drejtuesi i “TemA”, që synon fitoren me dokumente të falsifikuara të tenderave dhe kur nuk ia arrin qëllimit, shkruan fletërrufe.

Standardi juaj është të hapësh fletushkën tënde me lajmin se janë prokuruar nga Ministria e Arsimit, me prokurim të drejtpërdrejtë 20 milion euro, ndonëse ky është një dezinformim i plotë, i cili, sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Arsimit është “një sulm çukist i drejtuesit të gazetës “TemA” që lidhet me dëshirën për të marrë tendera, pa hyrë fare në garë, për t’u pasuruar në mënyrë abuzive”.

********************

Shenim: Ky shkrim duhet lexuar ne vijim te ketij diskutimi

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. mand thotë:

    9 January 2008 @ 5:02 pm

    E tmerrshme, ta Konsiderosh meron si armik te sistemit. Se marr vesh

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com