PS, bashkëpunim pa kushte për integrimin në NATO

AURORA THOMOLLARI
Gazeta Standard
08/01/2008

Bashkëpunim pa kushte për hir të integrimit të vendit në NATO. Ky është thelbi i projektrezolutës që do të mbërrijë së shpejti në duart e deputetëve të Kuvendit nga grupi parlamentar socialist. Qëndrimi më i ri dhe mjaft i zbutur i socialistëve është bërë publik dje nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili zbardhi disa prej pikave të projektrezolutës që do të paraqitet së shpejti në Kuvend. Në bazë të kësaj projektrezolute dhe deklarimit të djeshëm të Ramës, PS është e gatshme të bashkëpunojë pa kushte dhe pa rezerva për integrimin e Shqipërisë në NATO. Rama bëri thirrje që projektrezoluta të mbështetet nga të gjitha partitë në mënyrë që së bashku të përmbushen të gjitha detyrimet për anëtarësimin në NATO. “Reformat janë angazhime dhe përpjekje konceptuale të forcave politike, dhe reformat për të cilat flasim janë reforma të mëdha që në çdo vend demokratik, por edhe në Kushtetutën tonë parashihen si reforma që kërkojnë angazhim bipartizan, angazhim të forcave politike të dy kampeve, të kampit që qeverisë dhe të kampit që është në opozitë. Angazhim, që nga ana jonë do të jetë i plotë, duke ofruar të gjitha kapacitetet tona dhe duke vënë në tavolinë të gjitha opsionet tona në të dyja rastet”, - është shprehur kryetari i PS-së. Një dorëzim pa kushte i kreut të Partisë Socialiste, i cili pasi Parlamenti shkarkoi kryeprokurorin e atëhershëm, Theodhori Sollaku, deklaroi menjëherë bojkotin e reformës në drejtësi, një kusht kryesor për anëtarësimin në NATO. Por shenjat e zbutjes së qëndrimit të partisë më të madhe të opozitës u dukën që me letrën që Rama i dërgoi pak ditë më parë Presidentit të radhës në BE, Dimitrij Rupel, ku shprehte gatishmërinë e PS-së për të dhënë kontributin e saj të plotë mbi arritjen e reformave për anëtarësimin në NATO.

Deklarata

Kryetari i Partisë Socialiste ka bërë publike bazën e projektrezolutës që është duke u përgatitur në zyrat e selisë rozë. Rama bëri të ditur se Partia Socialiste është e vetëdijshme se ftesa e shumëpritur për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të gjitha forcave politike parlamentare dhe mund të vijë vetëm në bazë të rezultateve konkrete, në fushën e lirive e të drejtave demokratike, ku Shqipëria duhet të realizojë standardet e familjes euroatlantike. Një pikë e rëndësishme është ajo e bërjes së reformave ndër kushtet më të rëndësishme që i janë vënë Shqipërisë për integrimin në NATO, reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore. Për këto dy pika Rama ka shprehur gatishmërinë e plotë të PS-së, në mënyrë që ato të realizohen sa më parë.

Njëkohësisht, kryetari socialist theksoi se ka ardhur koha që të kapërcehet periudha historike e konfliktualitetit të vazhdueshëm politik dhe klima e besimit e bashkëpunimit mes forcave politike parlamentare, për të gjitha reformat e nismat ligjore, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kërkojnë angazhim bipartizan. Rama bëri të ditur se PS-ja vlerëson arritjet e deritanishme dhe shprehu solidaritet e mbështetje të plotë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por nga ana tjetër inkurajon të gjithë ushtarakët që të angazhohen pa rezerva për të përmbushur në çdo detaj detyrimet e procesit integrues në NATO.

Disa prej pikave të projektrezolutës PS:

PS është e vetëdijshme se ftesa e shumëpritur për anëtarësim në NATO kërkon angazhimin e pandërprerë të të gjitha forcave politike parlamentare dhe mund të vijë vetëm në bazë të rezultateve konkrete.

Është e bindur për domosdoshmërinë e kapërcimit të një periudhe historike konfliktualiteti të vazhdueshëm politik dhe të afirmimit të vullnetit të mirë për të krijuar një klimë besimi e bashkëpunimi, mes forcave politike parlamentare, për të gjitha reformat e nismat ligjore, që në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë kërkojnë angazhim bipartizan.

Angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të ndihmuar në realizimin e reformës në drejtësi, si dhe të reformës zgjedhore, në përputhje me ekzigjencat dhe standardet e familjes euroatlantike.

Vlerëson arritjet e deritanishme dhe u shpreh solidaritet e mbështetje të plotë Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Inkurajon të gjithë ushtarakët që të angazhohen pa rezerva për të përmbushur në çdo detaj detyrimet e procesit integrues në NATO.

Shprehet e gatshme të mbështesë çdo nismë që përshpejton hapat integrues në NATO.

Projektrezoluta, aleatët kritikojnë Ramën
Pavarësisht se Partia Socialiste ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me kampin tjetër politik, aleatët e tij edhe pse e përshëndesin, nuk kanë nguruar që të tregohen edhe kritikë ndaj nismës së PS-së. Ata e kanë konsideruar atë të vonuar, madje edhe faktor të bllokimit të deritanishëm të bërjes së reformave. Kryetari i Partisë Social Demokrate, Paskal Milo, u shpreh i gatshëm që të japë miratimin e tij për projektrezolutën e PS-së, por e konsideroi atë mjaft të vonuar. “Natyrisht që e mbështes projektrezolutën e paraqitur nga Partia Socialiste, por më duket mjaft e vonuar. Nuk ka arsye përse të ketë kaq shumë zhurmë sikur çfarë po bëjnë partitë, në fund të fundit punën e tyre po bëjnë, por ama është e vonuar”, - tha kreu i PDS-së, duke kërkuar nga ana tjetër më shumë bashkërendim mes të majtëve, në mënyrë që të shkojnë të bashkuar drejt zgjedhjeve të 2009-s. Sipas Milos, duhet komunikim e bashkëpunim që të ndodhë kjo. Më e ashpër është treguar partia e Ilir Metës. Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh dje se bllokimi i reformës në drejtësi vjen për shkak të partive politike, duke shigjetuar partitë që janë më shumë përgjegjëse për bërjen e tyre, duke akuzuar këtu jo vetëm mazhorancën e djathtë, por edhe Partinë Socialiste, si dy partitë më të mëdha të vendit. “Kjo situatë kërkon një ripozicionim të ri, cilësisht të ndryshëm dhe të papajtueshëm me patetizmin bosh, të shprehur deri më tani nga e gjithë politika shqiptare dhe veçanërisht nga ato forca politike, të cilat kanë edhe përgjegjësi parlamentare të rëndësishme. Ky vullnet politik pa përmbajtje të thellë e përgjegjësi të vërteta ka kushtëzuar në mënyrë përcaktuese edhe mosfunksionimin e komisioneve parlamentare përkatëse, të cilat janë shndërruar në instrumente farse të procesit të reformave në drejtësi dhe të reformës zgjedhore në veçanti”, - tha Vasili. Madje LSI ka kërkuar edhe një tjetër tryezë të forcave politike, ku vullneti të përkthehet në produkt politik reformash me afate dhe përgjegjësi të përcaktuara.

Paskal Milo
“Natyrisht që e mbështes projektrezolutën e paraqitur nga Partia Socialiste, por më duket mjaft e vonuar. Nuk ka arsye përse të ketë kaq shumë zhurmë sikur çfarë po bëjnë partitë, në fund të fundit punën e tyre po bëjnë, por ama është e vonuar”.

Petrit Vasili
“Kjo situatë kërkon një ripozicionim të ri cilësisht të ndryshëm dhe të papajtueshëm me patetizmin bosh të shprehur deri më tani nga e gjithë politika shqiptare dhe veçanërisht nga ato forca politike, të cilat kanë edhe përgjegjësi parlamentare të rëndësishme”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente

  1. shqipo thotë:

    9 January 2008 @ 5:58 am

    Si kopili mbas te vjelave , meduket se thote nje fjale e urte popullore . :D
    Tani qe eshte bere e qarte se shqiperia do ta mare ftesen per antaresim ne NATO , Partia Socialiste na paska hartuar dhe nje projekt rezolute .

  2. toko thotë:

    9 January 2008 @ 10:02 pm

    Bravo PS
    Uroj ta mbajne fjalen. Nisma eshte shume e mire. Dhe mendoj se Rama duhet te mos i behet vone fare per aleatet. Per shqiperine ka me rendesi nje shembull i mire bashkpunimi se sa nja aleance e humbur, a me teper qe kjo alence as qe i duhet shqiperise
    Ha ha ha Shikoni Milon
    ….Nuk ka arsye përse të ketë kaq shumë zhurmë sikur çfarë po bëjnë partitë, në fund të fundit punën e tyre po bëjnë…
    Vertet Milo cfare po bejne parite vec shakterimit te shqiperise? Dhe me bukur fill pas kesa kerkon bashkimin e te majteve per fitore ne 2009. Sikur rezoluta e Rames ka te bej me fitoren politike te nje force apo nje tjetre. Nejse kaq e ka horizontin Z Milo, O fitore o azgje per shqiperine. Dhe po ta shikosh kjo duket kur thote per detyrat ku mendoj se fillon gabimi. Milo i ka kuptuar shtrember detyrat e politikanit. Nejse aq di i shkreti fale zot se s’di cfare ben
    Bravo Rama

  3. anonymus thotë:

    9 January 2008 @ 10:07 pm

    Eshte “si kofini pas te vjelave” lal, jo si kopili :)
    Se kopili, gjithmone PAS te vjelave vjen, me sa di une. :)

  4. anonymus thotë:

    9 January 2008 @ 10:19 pm

    Tani qe e pashe prap postimin tim e kuptova qe mund t’i jepet kuptim tjeter. :)
    Ne fakt une e kisha per kuptimin e pare (ne sensin qe nje njeri “kopil”, nuk punon, por vjen pasi eshte mbaruar puna).
    Jo ne ate kuptimin tjeter…se ajo nuk eshte “e vjelme” por “e mbjellme”, dhe vjelja vjen pastaj, po hajt mo’ se u bo’ balte.
    Na falni lexues qibare, pa zarar, pa zarar. :)

  5. shqipo thotë:

    10 January 2008 @ 3:08 am

    anonymus , ndoshta eshte ashtu si thua ti por une nu e di c’kuptim ka : kofini
    Pikerisht ate desha te them dhe une tani qe vreshtet u volen , KOPILI vjen te ndihmoje vjeljen ! :D

  6. toko thotë:

    10 January 2008 @ 3:20 am

    Shqipo nuk do te ishte me mire vone se kurre.
    megjithese une besoj se nuk eshte vone. Vertet ftesen e kemi mare por per te hyre nuk kemi hyre akoma. Se nga e thena ne te bere kalon ne mes nje lum i tere. Psh akoma nuk i kemi plotesuar tere kushtet per te hyre ne NATO. Edhe ftesa dhe mbase dhe hyrja do te behet ne kete rast se eshte halli i Kosoves, jo se kemi plotesuar kushtet.
    Por per te mos i hyre ne debat ne kete une perseri mendoj se eshte nje nisme e mire, qofte edhe sikur te mos jete NATO arsyeja e vertete. Le te pajtohen psh e te vendosin sido jete te plani ekonomik i shqiperise, qe te mos ndertojme fshatra apo ishuj turistike dhe petrofilira ne te njetin vend, si do te ndertohet hidorcentralet berthamore :), le te vendosin si do te behen kartat e identitetit, si do te zgjidhet probelmi i ujit bukes punes, si do te bejne qe populli te mesohet te zbatoj ligjin. Mos llogariti ketu ceshtje te tjera madhoire si ajo e Kosoves e ceshtja komebtare.
    Pajtimi ka shume te mira pavarsisht se ne emer te kujt behet. Aq i mire me duket mua sa kam firke nese eshte vertet pajtim apo jo, pickoj veten se me duket sikur jam ne ender :)

  7. shqipo thotë:

    10 January 2008 @ 3:42 am

    toko , une besoj 100% qe je ne ender :D
    Une deri me sot nuk kam pare ndonje nisme konstruktive te opozites , dhe nuk besoj se do shikoj ndonjehere :’(

  8. anonymus thotë:

    10 January 2008 @ 6:28 pm

    shqipo, kofini eshte ai koshi i thurur me thupra. Zakonisht ne sheherlite e kemi pas pare ne plazh, ne shpine te gomarit, mbushur me domate zemerkau ose fiq. :)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com