Mëhallat e botës

Ardian Vehbiu
Shekulli

Diversiteti është nga ato vlera shoqërore që me vështirësi ka arritur të pranohet në Perëndim, duke çarë rrugën nga Amerika e racave të ndryshme dhe emigracionit të përbotshëm drejt Europës konservatore e provinciale, të mësuar me njëtrajtësinë dhe riprodhimin e traditave. Megjithatë, sot nuk gjen mision e vizion korporatash e agjencish shumëkombëshe, as manifest kulturor qytetar e fletëpalosje reklamash për industritë e naftës e gjigantët farmaceutikë, që të mos e ketë shtruar diversitetin në themel të politikave të veta të kuadrit e të marrëdhënieve me publikun. Provë e normalizimit të kësaj vlere është edhe shembëllzimi i saj në filmat e Hollywood-it; kujt nuk i kujtohen ushtarët në filma me temë nga luftërat në Irak e në Vietnam ose edhe Lufta II Botërore, me emra si O’Brian, Koëalski, Di Prinzio e Vasquez, secili deputet kinematografik i irlandezëve, polakëve, italianëve e hispanikëve, tashmë të trupëzuar në shoqërinë amerikane? Po fëmijët laramanë: të bardhë, të verdhë, të zinj e bojëkafe; arabë, eskimezë, aztekë, europianë, japonezë, bushmenë e polinezianë, veshur me triko të buta shumëngjyrëshe e kapur për dore në pllakatet llamburitëse të United Colors of Benetton?

Me kohë, diversiteti si vlerë ka depërtuar e është ulur këmbëkryq edhe në sallat e leksioneve në universitetet e Perëndimit; jo aq për t’u diskutuar e debatuar, sesa për të shërbyer si dogmë teorish e programesh të ndërhyrjes komunitare ose teorish politike të identiteteve; ose për të nxitur adoptimin e platformave multikulturore në studime dhe në politika sociale, si alternativë ndaj integrimit nëpërmjet asimilimit në kulturat zyrtare, të qendërzuara ose të konsideruara si superiore. Megjithatë, vetë multikulturalizmi tani vonë e ka humbur disi besueshmërinë në publik, si në SHBA ashtu edhe në Europën Perëndimore, meqë kur është zbatuar në praktikë ka prodhuar më tepër tjetërsim dhe segmentim të shoqërisë, sesa e ka pasuruar jetën qytetare nëpërmjet ballafaqimit të kulturave, traditave dhe të vlerave përkatëse. Mirëpo nëse e djathta konservative prej kohësh i ka shprehur rezervat e veta, në parim, ndaj përfshirjes së diversitetit në kodin etik të shoqërive të hapura e demokratike, e majta rregullisht e ka mbrojtur e kultivuar në emër utopish sociale. Për këtë arsye, një studim i kohëve të fundit i politologut të njohur amerikan, Robert Putnam[*], që vë në pikëpyetje ndikimin pozitiv të diversitetit në jetën qytetare, ka ngjallur interes të madh në qarqet e sociologëve, politologëve, demografëve dhe urbanistëve; meqë Putnam-i i përket jashtë çdo dyshimi krahut liberal, ose të majtë, të akademisë.

Studimi i Putnam-it, që mbështetet në intervista të hollësishme me rreth 30.000 vetë anembanë Amerikës, arrin në përfundimin se diversiteti i dëmton vlerat e bashkëjetesës qytetare, duke e tkurrur kapitalin social. Sa më shumë diversitet të ketë në një komunitet, shpjegon Putnam, aq më i vogël është numri i atyre që regjistrohen të votojnë ose që dalin vullnetarë për veprimtari të përbashkëta; aq më të pakta janë kontributet për bamirësi e aq më e ulët pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike dhe kulturore, ose përqindja e organizimit të tyre në shoqata, rrethe e klube kulturore dhe sportive. Dhe çka është edhe më shqetësuese, rritja e diversitetit përkon me një humbje të besimit të qytetarëve ndaj njëri-tjetrit. Materiali i mbledhur e i analizuar nga Putnam tregon edhe se tkurrja e kapitalit social në komunitete, nga ana e vet, ul cilësinë e jetesës, shton vetminë e neurozat individuale e sociale, kriminalitetin, papunësinë, përdorimin e drogave, divorcet, abortet e vullnetshme, braktisjen e shkollës nga fëmijët.

Tradicionalisht, diversiteti në komunitete është parë ose si burim kontakti, ose si burim konflikti; meqë, sipas teorive mbizotëruese, kur grupe njerëzish me prejardhje, kultura ose zakone të ndryshme ndajnë të njëjtën hapësirë jetësore mes tyre, gjasat janë që ose të pasurohen ndërsjellazi duke shkëmbyer vlera, ose të ballafaqohen dhunshëm, derisa njëra palë t’ia ketë imponuar vlerat e veta tjetrës. Mirëpo studimi i Putnam tregon se, në vend të kontaktit ose të konfliktit, në komunitetet me shkallë të lartë diversiteti vihet re më tepër tërheqja e qytetarëve nga jeta publike e nga zotimi social, ose barrikadimi në shtëpi e në apartamente; çka Putnam e quan “strukje”, duke e krahasuar me strukjen e breshkës në zhguall, për t’u mbrojtur prej një rreziku ose kërcënimi të perceptuar. Pasi kanë hequr dorë prej kontakteve sociale, shoqërimit, veprimtarive të pavarura e të vetvetishme, ose kultivimit të vetëdijes së komunitetit, qytetarët e këtyre mjediseve me diversitet të lartë parapëlqejnë t’i kalojnë mbrëmjet para televizorit.

Jeta në komunitet është njëkohësisht kod i trashëguar dhe kulturë, respektim rregullash dhe art. Mjedise të tilla si mëhallat duan kohë të ngjizen, por pastaj tregojnë qëndrueshmëri të madhe ndaj faktorëve socialë të kaosit; përkundrazi, mëhallave të reja, që janë produkte të lëvizshmërisë sociale dhe fluiditetit të tregut të punës, u mungon vetëdija qytetare, sikurse u mungon kapitali social. Kush që e sheh veten të rrethuar nga njerëz të panjohur, me të cilët e ka të vështirë të komunikojë e nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, do të ngurrojë të sakrifikojë kohë dhe mund në shërbim të këtij komuniteti fiktiv ose të paktën rastësor. Në SHBA dhe në Europë këto realitete janë tashmë të përditshme, sidomos në lagje e rrethina qytetesh me përqindje të lartë imigrantësh të paasimiluar e të pa integruar. Në Shqipëri e njëjta dukuri ndeshet tani në qytetet e mëdha, sidomos në Tiranë, ku kapitali social ka firuar për shkak të imigrimit të brendshëm të popullsisë drejt kryeqytetit, por edhe emigrimit në dhé të huaj të një numri ndoshta po aq të madh banorësh.

Në rrafshin thjesht njerëzor, kapitali social garanton mirëqenie, qëndrueshmëri shpirtërore dhe një ndjenjë sigurie të të qenit i rrethuar nga të njohur, miq e dashamirës. “Po të mos i shkosh dikujt në varrim,” thoshte komiku amerikan Yogi Berra, “as ai nuk të vjen ty në varrim.” Problemi me diversitetin është se komunitetet që e kanë, nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme t’i endin këto mijëra fije delikate marrëdhëniesh ndërnjerëzore, të cilat i lidhin qytetarët së toku, për t’i bërë të ndihen solidarë, bashkudhëtarë, ose me interesa të ngjashme. Nëse partizanët e globalizmit dhe entuziastët e prodhimtarisë kulturore të mjediseve me diversitet të lartë në metropole të tilla si New York-u, Londra, Parisi e Los Angeles e përçmojnë kapitalin social si riprodhues të provincializmit dhe të strukturave tradicionale të pushtetit, të tjerëve që nuk janë kaq entuziastë nuk u ka shpëtuar rrëgjimi i komuniteteve dhe i zotimit politik demokratik, ose i pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisjen e vendit, në kushte diversiteti të rritur.

Në një vend të zhvilluar hiper-kombëtar si SHBA, diversiteti ka të bëjë me probleme të marrëdhënieve midis racave dhe të integrimit gjithnjë e më problematik të imigrantëve në komunitetet pritëse. Në Europën Perëndimore, konflikti lidhet më tepër me traumën e imigrimit në popullata që nuk arrijnë më të riprodhohen biologjikisht; dhe konfliktin midis kozmopolitizmit të metropoleve dhe kombëtarizmit të provincës. Përkundrazi, në Shqipëri diversiteti dhe shkërmoqja e kapitalit social ndikojnë në perspektivat e shoqërisë demokratike që kërkon të konsolidohet, por edhe në statusin që shpreson të sigurojë shtresa e mesme në Shqipërinë kapitaliste të së nesërmes. Demokracia as fillon, as mbaron te procesi dhe rituali i votimit; por kërkon pjesëmarrje në jetën politike, anëtarësim në partitë e ndryshme dhe impenjim në veprimtaritë shoqërore; vullnetarizëm, bamirësi, aktivizim në klube, rrethe kulturore e shoqata; ndërveprim me institucionet e pushtetit. Kapitalizmi ose sipërmarrja e lirë ekonomike, nga ana e vet, nuk mund të realizohen kur aktorëve ekonomikë u mungon besimi i ndërsjellë. Ky faktor i fundit është ndoshta më i rëndësishmi, sepse nuk ka ligj, normativë e rregullore të tillë që të mund të kompensojë për mungesën e besimit midis palëve të përfshira në një transaksion. Për fat të keq, varfërimi i kapitalit social nuk ka lejuar as edhe që shqiptarët t’i përdorin më mirë fondet e hyra nëpërmjet dërgesave të emigrantëve p.sh., duke krijuar shoqëri aksionare ose kooperativa.

Diversiteti në Shqipëri shprehet edhe në bashkëjetesën midis feve të ndryshme brenda të njëjtave komunitete, lagje, fshatra e qytete; bashkëjetesë që është pjesë e traditës sonë shoqërore, por që ka marrë trajta të reja dy dhjetëvjeçarët e fundit, pas pauzës totalitare. Historianët dhe politikanët shpesh e përshkruajnë këtë bashkëjetesë si vlerë të veçantë të shqiptarisë, por më tepër nga halli sesa nga malli. Në të vërtetë, ndryshimtaria fetare nuk u ka sjellë ndonjë të mirë shqiptarëve, edhe pse këta gjithnjë kanë ditur t’ia kufizojnë efektet anësore e t’ia parandalojnë krizat përkatëse. Ditët e sotme, përkatësia fetare e shumëve duket të jetë rrëgjuar në përkatësi identiteti të grupit; dhe njerëzit shpesh e quajnë veten myslimanë, katolikë e ortodoksë për t’u identifikuar me grupin e tyre e sidomos për t’u distancuar nga grupi tjetër. Sikurse në modelin e përshkruar nga Putnam-i, ripërtëritja e diversitetit fetar publik ka shkaktuar strukje të individëve e tërheqje nga jeta shpirtërore të cilën feja duhej ta kish stimuluar, ose segmentim të komuniteteve sipas ngjyrave të besimeve; duke penguar kështu edhe vetë funksionimin e institucioneve fetare, veçanërisht në lëmin etik.

Natyrisht, edhe kapitali social nuk është e mirë absolute; sepse një tepricë e këtij kapitali zakonisht e mbyt krijimtarinë dhe individualitetin, duke çuar në shterpësi të jetës komunitare, sikurse është vënë në dukje prej kohësh. Qytetet e fjetura të provincës europiane, ku të gjithë ia dinë njëri-tjetrit deri edhe markën e orës së dorës, vështirë të shërbejnë si shembuj e modele për një shoqëri dinamike, të hapur ndaj risive dhe të përgatitur ndaj sfidave që vijnë së jashtmi. Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se ndërhyrjet sociale duhet të synojnë më tepër një drejtpeshim midis dy skajeve, të tillë që të lejojë kalimin e shkallëzuar të diversitetit në kapital social, por jo rrafshimin ose njëtrajtësimin e individualiteteve. E përkthyer në realitetin shqiptar, kjo tezë do të shprehej si nevojë për ta ndjekur nga afër zbërthimin e kapitalit social ekzistues në diversitet, në mënyrë të tillë që edhe ai kapital social i trashëguar nga vitet e ngrira të totalitarizmit të mund të vihet në shërbim të së sotmes demokratike e të një jete të përditshme të themeluar rreth konceptit sovran të qytetarisë.

[*] Një version i shkurtër i këtij studimi mund të konsultohet në adresën e mëposhtme: http://www.humanities.manchester.ac.uk/socialchange/aboutus/news/documents/Putnam2007.pdf

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. edrus thotë:

    8 January 2008 @ 10:01 pm

    Luftuam aq shumë për të aplikuar terapinë e shock-ut dhe për të shkatërruar barazinë që uniformizonte gjithçka më parë, për të ngritur vlerat e individit në vëndin që meriton gjithkush… për të arritur atje ku, dhe ata individë që vërtetë KANË diçka, të ndihen të mjerë përballë injorancës/indiferencës që i rrethon :( .

  2. Qafir Arnaut thotë:

    8 January 2008 @ 10:28 pm

    Studimi i Putnam-it, që mbështetet në intervista të hollësishme me rreth 30.000 vetë anembanë Amerikës, arrin në përfundimin se diversiteti i dëmton vlerat e bashkëjetesës qytetare

    Ndersa nje studim nga nje kerkues i MIT nxjerr perfundimin qe korporatat harxhojne para kot per ‘riedukimin’ e punonjesve me tolerancen e duhur per te pranuar turlifar kolegesh. Jo vetem qe nuk nxjerrin asnje penny fitim nga kjo strategji, po perkundrazi: humbin pasi u ulet morali.

    Ishte skandaloze dergimi ne kamp ‘riedukimi’ i krye-ekonomistit te bankes me te madhe te Kanadase, dhe nje prej me te medhajave ne bote, CIBC. Mekati i tij: ne parashikimin e tij ekonomik i ishte referuar arabeve si sheike.

  3. preparat thotë:

    8 January 2008 @ 11:58 pm

    Trysnia drejt diversitetit institucional vjen drejtperdrejt nga deshira per te shmangur diskriminimin. Mungesa e efikasitetit apo fitimshmerise se matur ekonomikisht nuk besoj se i mohon vlerat kesaj deshire. Dua te them qe, nuk duhet te na duket skandaloz ‘riedukimi’ i ketij krye-ekonomistit; ai ate komentin e ka bere ose me injorance (s’ka shume gjasa), ose me dashakeqje - ne secilin rast ai nuk meriton simpati.

    Nderlidhjet e kapitalit social ne rrafshin social sensu stricto (jashte atij institucional) nuk i kuptoj mire, keshtu qe po pushoj e po lexoj.

  4. Qafir Arnaut thotë:

    9 January 2008 @ 12:48 am

    Fjale te medha, por pa peshe. Sa me lart te ngjitesh aq me i bardhe je
    Punon apo jo ne korporate? Fundja pse nuk ankohet Brazili qe megjithe diskriminimin qe ka, nuk pranon te marre mendt e USA Inc. dhe ‘konsulentet e diversitetit’?

    Trysnia drejt diversitetit institucional vjen drejtperdrejt nga deshira per te shmangur diskriminimin

  5. preparat thotë:

    9 January 2008 @ 2:07 am

    Dmth, meqe “sa me i bardhe te ngjitesh aq me i bardhe je”, diversiteti nuk ka arritur te zgjidhe problemin e diskriminimit, keshtu qe nuk duhet te merremi me me diversitet. I ketij mendimi je?

  6. Qafir Arnaut thotë:

    9 January 2008 @ 6:19 am

    Kush te tha ty qe diskriminimi eshte problem?

  7. Pjer Thomas thotë:

    9 January 2008 @ 7:51 pm

    Artikull i bukur e me domethenie, veçse dihet qe diversiteti duhet shoqeruar me nje kontrroll a rregullator qe ti shuaje konfliktet, inatet e çastit, egot, unin, te shmangi friken e njerzeve.
    Qafir Arnaut , si qe puna e atij kryebankierit, se qe interesante. Ma shpjego pak.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com