Kosovë: PDK dhe LDK nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës

Besim Abazi
Zëri i Amerikës
07-01-2008

Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nënshkruan sot marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 17 nëntorit. Në këto zgjedhje Partia Demokratike doli e para duke lënë prapa rivalen e saj të vjetër Lidhjen Demokratike e cila u shndërrua në partnerin e saj qeverisës.

Të dy udhëheqësit e këtyre partive Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu hodhën firmat e tyre në marrëveshjen për ndarjen e pushtetit. Sipas kësaj marrëveshjeje presidenti i Kosovës do të zgjidhet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ai do të jetë presidenti aktual Fatmir Sejdiu, kryeministër Hashim Thaçi partia e të cilit do të ketë edhe postin e kryetarit të Parlamentit.

Të dyja partitë do të kenë nga një post zëvendëskryeministrash. Sipas marrëveshjes Partisë Demokratike i takojnë shtatë ministri: ajo e Ekonomisë dhe Financave, ministria energjetikës dhe Minierave, transportet dhe telekomunikacioni, ministria e punëve të brendshme, e arsimit, e bujqësisë dhe ajo e shërbimeve publike.

Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë pesë Ministri: ajo e Tregtisë dhe Industrisë, Drejtësisë, ministria e Shëndetësisë, e Kulturës si dhe Ministria e Pushtetit Lokal. Sipas kësaj marrëveshjeje partive politike nga radhët e komunitetit serb u takojnë Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve dhe ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa partive nga pakicat tjera u mbetet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Të dy udhëheqësit e partive të koalicionit të ri qeverisës thanë se mandati i këtyre institucioneve do të jetë katër vjeçar, ndërsa ai i presidenti pesë vjeçar që është në pajtim me propozimin e krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari për statusin e Kosovës.

Duket se kjo ishte një nga pikat kryesore që ka ndikuar në përmbylljen e bisedimeve disa javëshe për krijimin e institucioneve të reja, të cilat do të votohen në pako të mërkurën në Parlament, përfshirë edhe postin e presidentit. Në marrëveshje janë përcaktuar edhe disa çështje që kanë të bëjnë me emërimin dhe vlerësimin e punës së ministrave të kabinetit, ndërsa një pikë që bie në sy është zotimi i partnerëve të koalicionit se nuk do të ketë mocion votëbesimi për Presidentin dhe Kryeministrin e vendit.

Të dy udhëheqësit thanë se përparësi kryesore e punës së tyre do të jetë pavarësia e Kosovës. Zoti Sejdiu tha se shpallja e vendimit për pavarësinë do të ndodhë sa më parë që është e mundur. “Ne mund te themi se kemi një orientim në kornizën themelore kohore dhe në kuadër të kësaj kornize kohore natyrisht se do të ketë operacione ta quajmë, apo veprime të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare, me mbështetësit e pavarësisë së Kosovës që të ndodhë sa më shpejt. Them se do të ndodhë shumë shpejt”, tha zoti Sejdiu.

Zoti Thaçi tha ndërkaq se marrëveshja ndërton institucionet që do të bartin procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Është koalicion apo marrëveshje për Kosovën dhe jo për PDK-në apo për LDK-në. Është marrëveshje për interesin e të gjithë qytetarëve dhe natyrisht përkushtimi numër një jo vetëm i koalicionit por gjithë spektrit politik dhe qytetarëve të Kosovës është zyrtarizimi i shtetit të pavarur, sovran e demokratik sa më parë që është e mundur dhe kjo do të ndodhë sepse kemi mirëkuptim të plotë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe vendet tjera përreth”, tha zoti Thaçi.

Pavarësia e Kosovës kundërshtohet ashpër nga Beogradi i cili mbështetet në qëndrimin rus i cili pamundësoi arritjen e një konsensusi ndërkombëtarë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj planeve për t’i dhënë Kosovës pavarësi të mbikëqyrur.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com