Jepni per Fan Nolin!

Ylli Polovina
Gazeta Shqip
7 Janar 2007

Ai ka lindur në një ditë si dje, 6 janar. Veç viti është i largët, 1882. Larg ka qenë edhe vendlindja e tij, Ibrik Tepe e Turqisë. Ky fshat shqiptar në atë pjesë të Thrakës që gjendet përtej kufirit të Republikës Greke, përbën një bashkësi me identitet shumë të fortë kombëtar. Shqiptarët atë e thërrasin në gjuhën e tyre me emrin e ngrohtë Qytezë. Nuk i thanë kurrë as fshat dhe as katund, edhe pse këto fjalë kanë një thelb të bukur dhe mbartin emocion karakteristik që vjen nga thellësi shekujsh. Bashkëkombësit tanë në vendlindjen e Fan Nolit i thanë tokës së tyre Qytezë, mes të tjerash, edhe sepse ndihen qytetarë. Të ndihesh qytetar nuk do të thotë aspak se të mjafton fakti që vjen nga një qytet apo jeton syresh në një të tillë. Koncepti i qytetarit në atë frymë që e solli revolucioni francez me tri parimet e tij vezulluese liri-barazi-vëllazëri, kishte depërtuar me kohë në elitën shqiptare të kohës, edhe pse përjetonte sundimin e atëkohshëm anadollak. Banorët shqiptarë të Qytezës kanë emigruar nga Kolonja. Vitet e galopet e dekadave, madje edhe njëqindvjeçarët, mund të zbrazin edhe kujtesat e njerëzve, por përherë do të gjendet vullnet për të ribërë të ditur se zona e Kolonjës ka qenë një ndër vatrat më shkëlqyese të qytetarisë shqiptare, pra të civilizimit të tij. Ajo ka përbërë historikisht një fashë rrëzëllitëse diturie, si edhe rezistence kombëtare. Nga më modernet e më inteligjentet.

Në rast se bashkëkombësit tanë në kufirin etnik me sllavët e sidomos administratën serbe, qofshin sot në territorin shtetëror të Shqipërisë apo në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, kanë bërë heroizëm, ata që u ndodhën në brezin e takimit me mentalitetin shoven të disa lobeve e qarqeve greke, kanë bërë legjendë.

Një nga këta legjendarë është edhe Fan Noli.

Poliedrik në personalitetin e tij ai është gjigant në të gjitha dhuntitë që pati e manifestoi. Ishte poet dhe tashmë është në Panteonin e poezisë kombëtare. Ishte përkthyes, por shumë pak e kapërcyen talentin e kontributin e tij, siç akoma më shumë nuk e arritën dot. Ishte studiues dhe kujt, si dy botimet e tij të “Historisë së Skënderbeut”, jeta e veprave të tyre ka moshën e një treçerekshekulli? Ishte politikan dhe arriti të bëhej Kryeministër i vendit. Bir i një psallti kishe të vogël fshati ai u bë kryepeshkop, madje deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka përreth nesh, siç kishte edhe atëherë, me mijëra që me ambicie, ego pozitive apo plot ligësi, lakmi apo projekte e plane të natyrshme, luftojnë për t‘u bërë maja në të gjitha fushat. Pjesa dërmuese e këtyre nepsqarëve dështojnë, sepse nuk kanë talent për asnjërin epsh. Fan Noli patjetër ka qenë i mbushur deri në grykë me ambicie, ego, pasione, vrull protagonist dhe synim për të qenë “njëshi”, por ia arriti. Ia doli në të gjitha. Sigurisht nuk ishte mbinjeri, sepse një krijesë e tillë nuk ekziston, veç në një korent filozofik që i ka sjellë njerëzimit mbrapshti. Fan Noli ishte njeri, por njeri tepër i madh.

Këtyre u thonë gjeni. Nuk gjendet nëpër fjalorë emërtim tjetër.

Këtë 6 janar 2008, një vit që duket i mbarë për të paktën dy ngjarje të pritshme kombëtare, pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Fan Nolin mund ta kujtojmë me ngazëllimin se ishte një ndër atdhetarët më të mëdhenj, një nga projektuesit e realizuesit e shtetit proevropian shqiptar. Janë punë të politikanizmave ato që e vizatojnë atë si një Kryeministër që, i sulmuar dhe i rrethuar nga armata e rivalit të tij Ahmet Zogu, në selinë e qeverisë i binte flautit. Ai ishte intelektual i mirëfilltë. Kush e ka përsëritur në historinë e qeverisjes së shqiptarëve një përmasë të tillë? Sigurisht edhe Ibrahim Rugova, qeverisësi intelektual më i madh i bashkëkombësve tanë në Kosovë, dukej ca i mjegullt apo jo dorë e fortë organizative, veç ishte vizionar mjaft i spikatur. Noli ka qenë një vizionar i tillë. Shqipëria e tij nuk do të ishte kurrë diktatoriale. Aksidentet e tij me tentativën për të lidhur marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik, si edhe një vizitë që bëri më pas, pse jo edhe disa fonde që mori nga Moska bolshevike, nuk ia zbehin këtë largvështrim. Ishte kohë kur shumica e elitës së shkrimtarëve të Perëndimit shkonin te pasuesit e të quajturit Revolucion i Tetorit me iluzionin se më në fund njerëzimi dhe politika kishin gjetur mundësinë e krijimit të një shoqërie të lirë. Fan Noli ia ktheu shpinën shpejt aleancës së shkurtër me Moskën bolshevike dhe gjithë jetën e tij e kaloi në vendin që e luftonte komunizmin, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fan Noli për Shqipërinë bëri çdo punë që ajo të jetonte e bëhej më e mirë. Këtë 6 janar kujtuam se u bë prift për ta mbrojtur lirinë e saj nga Kisha Ortodokse Greke, atëherë armikja më e madhe e pavarësimit dhe e përparimit të shqiptarëve. I lindur në një vend mysliman, siç ishte Turqia, ai ishte vetë një ortodoks i madh dhe i pavarur shqiptar.

Kur ndodhi që Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Noli, ky rival i paepur i Zogut, shpalli se ishte pikërisht koha kur duhej pranuar e mbështetur udhëheqja e këtij të fundit për të çliruar Shqipërinë.

Ngjarjet rrodhën ndryshe dhe deri sa ndërroi jetë në vitin 1965 kush mund të thotë se ai u tregua aq dritëshkurtër sa të hynte në shërbim të regjimit të Tiranës?

Në të vërtetë, në këtë përvjetor që u mbush më 6 janar 2008, Fan Nolin nuk ka nevojë ta kujtojë ky shkrim, madje ai në thelb nuk u bë për të sjellë në vëmendje të shqiptarëve veprën e tij historike. U shkrua thjesht për të lënë (po të mundej) një gjurmë modeste në morinë e punëve të shumta ditore të politikanëve tanë të këtij fillimshekulli. Ata mund të japin më shumë për të. Jo të bëjnë më shumë për të. Të japin më shumë do të thotë ndonjëherë edhe të kenë ambicien për t‘iu afruar përmasave të tij.

Nuk është punë aq e pamundur.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

11 Komente

  1. Perparim Hysi thotë:

    8 January 2008 @ 12:52 am

    Nuk kam se cfare jap per Fan Nolin,pervec kesaj poezie qe kam shkruar dikur dhe pershendes gjtihte dashamiresit e Nolit dhe,vecanerisht,Pjer Thomasin(shpresoj qe te jete ne linje!)i cili e pelqen vecanerisht Fan Nolin.Te me fali qe poezia nuk eshte e arrire.

    Fan Nolit
    Kur te coj nena ne shkolle
    Ne nje thes mbi kurriz
    Nuk e dinim qe nje dite
    Ti do jesh Nderi i Shqiperise.

    Nuk e dinim qe do beheshe
    here minister,here dhe prift!
    Diplomat a filozof
    Muzikant apo Profit!

    Me ty foli historia
    Per te madhin Skenderbe
    Kryevepra letersie
    Ishe ti qe na i dhe.

    Erdh Shekspiri nga Anglia
    Dhe u ul mbi tavoline
    Dhe Khajami nga Persia
    “Shqip” e shkroi poezine.

    Don Kishoti qe nga Spanja
    Pervesh ushten”shiptarce”
    Sanco Panca “alla-brraca”
    Pas e ndiqte mbi gomare!!!

    Po lirikat qe vete shkrove
    Per “Flamur” apo per”Tomson”
    Brodhe “Anes lumenjeve”
    Si ushtar ne Maratone.

    Pastaj vesh rroben e priftit
    e kalon neper kalvar
    Edhe prive si Moisiu
    Ne shkretetire apo neper mal.

    Djegur malli per atdhe
    Psallje larg i permalluar
    Vdiqe,por jeton tek ne
    Brez pas brezi,i kenduar.
    15/03/1996

  2. toko thotë:

    8 January 2008 @ 1:26 am

    Perparim eshte shume e bukur te lumte pena.
    I perjetshem qofte kujtimi dhe vepra e Nolit. Ajo veper qe sot akoma na ben te quhemi shqiptar.
    Falemindeirt Perparim

  3. Peshku Fluturues thotë:

    8 January 2008 @ 2:27 am

    Autori thote sot:

    “U shkrua thjesht për të lënë (po të mundej) një gjurmë modeste në morinë e punëve të shumta ditore të politikanëve tanë të këtij fillimshekulli. Ata mund të japin më shumë për të. Jo të bëjnë më shumë për të. Të japin më shumë do të thotë ndonjëherë edhe të kenë ambicien për t‘iu afruar përmasave të tij.”

    Ndersa Noli ka shkruar 70 vjet me pare:

    KRISHTI ME KAMXHIKUN

    Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
    Janë shtruar sarafët’) pa shpirt e pa besë,
    Tregëtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,
    Thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.

    Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
    Dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
    Vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
    Dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.

    Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
    Na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;
    Nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
    Se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.

    Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie
    Ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
    Kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
    Dhe kush nukë plaçkitte ish krejt budalla.

    Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
    Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:
    Me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,
    Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.

    Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
    “Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
    Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro,
    Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.”

    “Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
    Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
    Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin.
    Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.”

    Jesu Krishti s’ dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.
    Dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
    Dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
    Se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri.”

    “Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u- përgjeq,
    Se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
    Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,
    Vraj-i, shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.

    Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun.
    Dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:
    Dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
    Dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.

    Ju me thoni kush eshte me afer realitetit “ombjektiv”

  4. Perparim Hysi thotë:

    8 January 2008 @ 3:17 am

    Iu riktheva Fan Nolit.Dhe jo pa arsye.Per Fan Nolin mund te shkruash dhe te rishkruash.Eshte nje figure e madhe shume demensionale dhe,duke iu rikthyer,nuk kam si qellim per t’u marre me Ate.Eshte jashtemundesive te mai.Por ajo qe dua te theksoj,eshte fakti se ne nje qytet te Floridas,ne Fort Loderdal,per Fan Nolin qe blere nje shtepi ku ai koalonte pushimet,sa here qe s”i printe shendeti.Kjo shtepi-me sa di une- prone private,e blere me para te thata nga dashamires shqiptare ne ato mote kur qe gjalle Noli,tani ka katandisur ne nje ndertese mjerane qe sa vjen e shkaterrohet.Ne biseda gojore qe kam shkembyer,me kane thene qe me 60 apo 70 mije dollare,ndertesa mund te rifitoje vizionin qe kishet.A eshte ne nderin e shtetit shqiptar,vecanerisht te Ministrise se Kultures,qe kete ndertese ta rikuperoje per ta ktyhyer ne shtepi muze.Po valle a e dine kete fakt ata te ministrise?Nuk eshte vone kurre per ta mirembajtur ate shtepi me aq vlera.Po u la-ashtu sic kam degjuar,-humbja do te jete e pariparueshme.Me erdhi mire kur Ministria e Kultures do bente rikonstrusionin e shtepise se Kadarese ne Gjirokaster.Urgjent ta bej edhe per kete shtepi te Nolit te Madh.Aq me shume qe Noli ka vdekur,ketu,ne Amerike.Kam shkruar dhe njehere per kete problem,ne nje organ tjeter para nje viti.Sidoqofte,po rirshkruaj prape.Ndoshta e lexon ndonje nga ata te ministrise sone dhe ta marre ne konsiderate.Une kaq po jap per Nolin.Qeveria duhet te beje me shume.

  5. lumidrin thotë:

    8 January 2008 @ 10:05 am

    Fan Noli patjetër ka qenë i mbushur deri në grykë me ambicie, ego, pasione, vrull protagonist dhe synim për të qenë “njëshi”, por ia arriti. Ia doli në të gjitha. Sigurisht nuk ishte mbinjeri, sepse një krijesë e tillë nuk ekziston, veç në një korent filozofik që i ka sjellë njerëzimit mbrapshti. Fan Noli ishte njeri, por njeri tepër i madh.

    Këtyre u thonë gjeni. Nuk gjendet nëpër fjalorë emërtim tjetër.

    Ahmet Zogu sipas thenies se autorit del supergjeni.
    Jam dakort.

  6. t_red thotë:

    8 January 2008 @ 11:21 am

    Nga “Jepni per nenen”

    Cilët bij të tradhëtuan
    Dhe të dogjën dhe të shuan
    Dhe të lan’ o shkab` e ngratë
    Pa fole, pa zogj, pa shpatë,
    Këta qena, o shok, mbytni,
    Mbushni gjylet që t’i shtypni

    Nga “Himni i Flamurit”
    O flamur gjak, o flamur shkabë
    O vend e vatër, o nën’ e babë,
    lagur me lot, djegur me flakë,
    flamur i kuq, flamur i zi.

    Nga “Marshi i Barabajt”
    Tradhëtar, ti na nxive, na le pa atdhe,
    ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo fè.
    Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
    derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!

    “Anes lumenjve” po e le menjane…dhe s’gjej guxim te flas per perkthimet. Shqipja e Nolit eshte pasuria qe ai nuk iu trashegua askujt.

  7. M O Z A thotë:

    8 January 2008 @ 11:31 am

    I papame je Papi,
    Ti thu qe Ylli Pango te rikonstruktoje shpine e Nolit ne FLorida hahahahaha
    O cer kam qesh mer Papi.Po shif se po nuk pati mundesi te vere hidromasazh atje edhe te vije vete per ndonje pale pushime nuk ja vlen te merret Ylli me at pune. Mos na e coni ministrin atje mer pash zotin, se me kane thane qe aty ka dhe shume homoseksuale qe ta lypin hashiqare. E kena bukurosh minsiterin. :-) jo per gja.
    Edhe te gjithe minsitrat tane jane “ashtushe” ne karakter, po te pakten mos na behen edhe fizikisht te tille se na piu e zeza fare pastaj :-)

  8. Artian thotë:

    8 January 2008 @ 11:54 am

    Ngjarjet rrodhën ndryshe dhe deri sa ndërroi jetë në vitin 1965 kush mund të thotë se ai u tregua aq dritëshkurtër sa të hynte në shërbim të regjimit të Tiranës?

    Noli,kishte principe te drejta mbi lirine e njeriut, larg dhunes diktatit dhe injorances.
    Nese ne Kohen e Zogut ai nuk mundi te pranonte injorancen,unin e madherise se krimbur te nje dhunuesi te dijes dhe inteligjences shqiptare,ne kohen e Enverit ai nuk mund te pranonte lirine e dhunuar nga dogma e komunizmit.C`kuptim do te kishte vlera e Nolit pastaj,veprat shkrimet e tije.Noli ishte nje nga shqiptaret me njerezor qe i jepte me shume rendesi dijes,inteligjences se sa “kerbacit mbi kurriz”per nje mendje te hapur, pa komplekse dhe gjurmet e otomanizmit shekullor shqiptar.,qe ne fakt ekzistojne per fat te keq akoma dhe sot si mentalitet.

  9. ados thotë:

    8 January 2008 @ 12:12 pm

    Noli ishte i gjithanshem…Gothic i kultures dhe ndergjegjes shqiptare. Rralle se mund te ne vijne figura te tilla ne historine tone

  10. artian thotë:

    8 January 2008 @ 12:35 pm

    A eshte ne nderin e shtetit shqiptar,vecanerisht te Ministrise se Kultures,qe kete ndertese ta rikuperoje per ta ktyhyer ne shtepi muze.

    Po mire me,si shume larg ajo shtepia e Nolit,per shtetin shqiptar!!Ky shtet eshte i keputur ne mes,si te mund te kete nder per nje shtepi muze ne amerike kur nuk i ka ngelur “gram” nderi ne faqe atje ku jeton kjo qeveri ? Perparim nuk jeton me kembe ne toke me kete pyetje dashamirse . :)

  11. Kopetenti thotë:

    8 January 2008 @ 7:05 pm

    Perparim.Me aq dijeni sa kam une shtepija e Fan Nolit ne Florida eshte shitur para disa vitesh. Kam pare diku nje fotografi dhe kjo shtepi ka qene duke u shkateruar kjo ka qene edhe arsyeja se pse u shit.Shtepia ka qene e pa banueshme dhe kushdo qe e ka blere besoj se e ka shkateruar plotesisht dhe ka ndertuar nje te re…keshtu praktikisht besoj se ajo shtepi ekziston vetem ne fotografi.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com