Të braktisur, vetëhelmohen burrë e grua

Fatmir Popja
Gazeta Shqiptare
08/01/2008

PEQIN -Mos u mundoni kot të na shpëtoni. Kemi pirë helm… nuk e duam më jetën…”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të dy bashkëshortëve të moshuar në një fshat të Peqinit, të cilët kishin vendosur ta mbyllnin jetën njëherazi, në mënyrën me tragjike, duke pirë fostoksinë. Në kushtet e një depresioni të rëndë, si dy prindër të braktisur nga djali i tyre i vetëm, të moshuarit kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, “më mirë të vdesim”. Qazim Hoxha, 69 vjeç dhe Shahe Hoxha, 67 vjeçe janë gjetur në gjendje të rëndë nga vajza e tyre. Ajo ka lajmëruar infermieren e fshatit, por me gjithë ndërhyrjen e saj, të moshuarit kanë ndërruar jetë, njëri pas tjetrit.

NGJARJA
Policia e Peqinit bëri të ditur se janë sinjalizuar për ngjarjen e ndodhur në fshatin Kurtaj të komunës Gjocaj, dje rreth orës 15.30 minuta, pasi viktimat kishin ndërruar jetë. Çifti Qazim dhe Shahe Hoxha, lindur në fshatin Hoxhaj, komuna Përparim e Peqinit, janë gjetur duke luftuar me vdekjen nga vajza e tyre 46-vjeçare, Syme Sulkja (Hoxha), rreth orës 14.30. Burrë e grua kishin 15 vjet që jetonin në banesën e dhëndrit dhe të së bijës, pasi ishin ndarë nga djali i tyre, i cili jeton ende në fshatin Hoxhaj. 46-vjeçarja, pasi është marrë gjithë paraditen me punët rreth shtëpisë, është futur në dhomën e prindërve të saj. Ajo ka shtangur kur ka parë që prindërit e saj të moshuar po nxirrnin shkumë nga goja, teksa jepnin shpirt. Të moshuarit kanë mundur t’i tregojnë së bijës veprimin e kryer prej tyre, i cili duket se ishte paramenduar më së miri nga të dy, burrë e grua. “Kemi pirë helm. Më mirë kështu”…. E traumatizuar për gjithçka ka ndodhur, Syme Sulkja ka thirrur infermieren e fshatit, e cila nuk ka vonuar të shkojë në vendin e ngjarjes. Sipas deponimeve të dhëna edhe në polici, infermieria ka mundur të shkëmbejë dy fjalë me çiftin para se të ndërronin jetë. Ndërsa ajo është munduar të japë ndihmën e parë për t’u bërë edhe lavazhe të helmuarve, këta kanë mohuar ndihmën e infermieres. “Mos u lodh kot me ne. E kemi vendosur të ikim nga kjo botë. Nuk duam të jetojmë më kështu, të braktisur e me skamje. Kemi pirë helm, por nuk u penduam. Le të ikim të dy bashkë, njëherazi…”. Pas këtyre fjalëve prekëse, viktimat kanë ndërruar jetë njëri pas tjetrit.

MOTIVI
Nga hetimet paraprake të policisë së Peqinit, por edhe dëshmisë së vajzës, dhe asaj të infermieres që komunikoi në momentet e fundit të jetës me dy të moshuarit Hoxha, përkatësisht 69 dhe 67 vjeç, është arritur në konkluzionin se çifti kishte marrë vendimin fatal pas gjendjes depresive të të dyve. Prej 15 vitesh ata jetonin në varfëri, jo vetëm materiale, por edhe shpirtërore, djali i tyre i kishte braktisur. Ata nuk hynin e as dilnin me të me vite të tëra. Pasi u braktisën nga i biri, ata gjetën të vetmen mundësi mbështetjeje vajzën e tyre. Megjithëse e martuar, ajo u afroi strehë prindërve të saj. Kohët e fundit, dhëndri ishte në Greqi, çka ka përjashtuar mundësinë e ndonjë konflikti mes palëve. “Skamja, mjerimi dhe problemet me të cilat ata janë përballur në vitet e fundit të jetës, i ka detyruar që ta mbyllin atë në mënyrë tragjike, duke u vetëhelmuar”, - bënë të ditur burimet policore. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se të moshuarit e kanë kryer aktin e vetëflijimit me fostoksinë në kushtet e një depresioni të rëndë. Megjithëse dhëndri i tyre është përpjekur me vite që t’u krijojë një ambient të ngrohtë familjar së bashku me të bijën e tyre, çifti Qazim e Shahe Hoxha janë ndierë të abandonuar, ndaj dhe vendosën të mos jetonin më në këto kushte.

Vajza: Unë dhe burri u krijuam ambient të ngrohtë
Policia e Peqinit ka marrë në pyetje vajzën e dy viktimave, tek e cila ata jetonin prej më shumë se një dekadë. Syme Sulkja ka mbetur e shokuar nga gjesti i prindërve të saj. Ajo ka deponuar në polici se kishte bërë gjithçka të mundur që prindërit e saj të ndiheshin mirë në familjen e dhëndrit. “Kisha vënë re se ishin të mërzitur, por mendoja se e kishin thjesht nga pleqëria. Nuk më kishin dhënë për të kuptuar se do të shkonin gjer në këtë pikë”, - ka thënë vajza e dy viktimave në polici. Trupat e viktimave janë çuar në morgun e Elbasanit për t’u bërë edhe autopsinë, por sipas fjalëve të viktimave, thënë infermieres para se të vdisnin, ata kishin konsumuar të dy fostoksinë. Policia tha se pas deponimeve të dhëna, tashmë e ka zbardhur dhe dokumentuar tërësisht ngjarjen.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. edrus thotë:

    8 January 2008 @ 9:27 pm

    TRAGJEDI…
    Dikur kur lexonim Migjenin dhe Shekspirin, shikonim madhështinë e përshkrimit të mjerimit dhe tragjedisë… si të diçkaje që QE… që kurrë më s’do të na kishin parë sytë ngjarje të tilla.
    Fatkeqësisht sot bashkjetohet me tragjedinë dhe mjerimin.

  2. artian thotë:

    8 January 2008 @ 9:44 pm

    Shqiptaret ne te vertete po kthehn ne kohen e Migjenit kjo nuk eshte e para as edhe fundit tragjedi, jo me larg morem vesh se ne Tirane djali i jep fund jetes sepse kishte konflikt me prinderit per shkak se ata nuk e pranonin te jetonin me te ..ngujimet ne veri jane tragjedi te tjera..Egjithe Shqiperia eshte ne tragjedi ,familjet jane te percara qofte nga emigracioni i pashmangshem ,qofte nga problemet ekonomike brenda vendit.Tani ka mbetur ti lutemi zotit se askush nuk mendon me,per te mjeret dhe hallexhinjte.Secili per vete zoti per te gjithe eshte parimi baze i kesaj shoqerie !

  3. blete thotë:

    8 January 2008 @ 10:25 pm

    eh duhet nje ushtri me psikiater ne shqiperi. gjynah ata qe iken.

  4. ah te keqen….. thotë:

    9 January 2008 @ 12:30 am

    me vjen keq per ciftin e gjore, per vajzen e tyre qe tashme do ngelet e tromaksur duke kujtuar momentet e fundit te prinderve, po me vjen dhe shume keq per nivelin teper te ulet te kronistit qe i ben gjerat lesh e li me shpjegime psikologjike dylekshe. ik aman

  5. Darien thotë:

    10 January 2008 @ 12:05 am

    valle a do ti vije keq atij djalit qe i braktisi prinderit?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com