Certifikatat e gjendjes gjyqësore On-line, të realizuara sipas standardeve më të avancuara

KM.gov.al
08/01/2008

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë, sot, në prezantimin në MInistrinë e Drejtësisë të projektit për dhënien e  certifikatave elektronike të gjendjes gjyqësore. Ky projekt mundëson tashmë pajisjen e shtetasve me certifikata penaliteti on - line, duke shmangur radhët e qytetarëve në sportelet  e zyrës së gjendjes gjyqësore.

“Dëshmitë e penalitetit janë nga dokumentet më të kërkuara nga institucionet zyrtare shqiptare dhe ndërkombëtare dhe deri para instalimit të këtij sistemi dixhital, qytetarët shqiptarë përjetonin radhë të gjata e të mundimshme për të marrë një dokument për të cilin ata kanë të drejtë ligjore ta kenë”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt një hap të ri të rëndësishëm drejt moshës dixhitale të vendit. 25 institucioneve publike apo private, vendase apo të huaja, u jepet e drejta e kodit të hyrjes dhe e drejta e marrjes së të dhënave në mënyrë të drejtpërdrejtë nga regjistri elektronik, duke garantuar teknikisht pamundësinë e manipulimit të këtij regjistri, nëpërmjet sistemit elektronik fingerprint.

Kryeministri theksoi se nga sot, qytetarët shqiptarë do ta marrin këtë dokument sipas standardeve më të avancuara, duke dorëzuar vetëm formularin në institucionin ku paraqiten për problemin e tyre. “Janë 25 institucione të cilat e kërkojnë këtë certifikatë dhe të gjitha këto institucione janë të lidhura me serverin  që ne pamë sot bashkërisht, në mënyrën më hermetike, më sekrete. Ju e patë që aktivizimi i serverit bëhej me shenjat e gishtërinjve të punonjësit dhe kjo bën të mundur që askush të mos mund të futet në të dhënat personale”, u shpreh Kryeministri. Po ashtu, sistemi jep çdo ndërhyrje që bën një punonjës tjetër në këtë sistem.

Më tej, Kryeministri theksoi se ky vit do ketë dy objektiva madhorë, privatizimet dhe qeverinë elektronike. “Sapo jam informuar se të gjitha ministritë, bashkia e Tiranës, agjencitë e mëdha, nisin totalisht prokurimin elektronik, që do të thotë se askush nuk njeh më ofertues dhe vlerësues. Gjithashtu, kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj që të gjitha bashkitë e mëdha të aplikojnë këtë procedurë, e më pas edhe komunat e vendit”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha përgëzoi punën e bërë nga kompania, e cila realizoi me përkushtim, kompetencë dhe aftësi projektin e certifikatave të gjendjes gjyqësore on-line. “Shqipëria nuk është vendi i parë që aplikon këtë sistem, por jo të gjitha vendet e kanë. Ky është me të vërtetë një zhvillim shumë pozitiv për vendin”, vijoi Kryeministri.

Duke u ndalur në rëndësinë e moshës dixhitale të vendit, Kryeministri tha se në thelb, asnjë komb nuk është më afër moshës dixhitale se Shqipëria. “Ne kemi mundësi ta përhapim me shpejtësi të madhe atë, sepse jemi komb me moshën më të re në Europë. Ky është një avantazh i madh”, u shpreh Kryeministri.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, drejtues të kompanisë që kanë realizuar projektin, funksionarë të tjerë të fushës së IT-së, etj..

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

11 Komente

  1. Qafir Arnaut thotë:

    8 January 2008 @ 9:14 pm

    Pranej paskan njel pa pare robt anej e plasen duke na ardh ketu ne Toronto?

    Sapo jam informuar se të gjitha ministritë, bashkia e Tiranës, agjencitë e mëdha, nisin totalisht prokurimin elektronik, që do të thotë se askush nuk njeh më ofertues dhe vlerësues. Gjithashtu, kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj që të gjitha bashkitë e mëdha të aplikojnë këtë procedurë, e më pas edhe komunat e vendit

  2. artian thotë:

    8 January 2008 @ 9:29 pm

    certifikata penaliteti on - line, si perhere te pare ,te ben te qeshesh…kryeminister valut kemi, shikon shume larg…ka sy te forte nuk perdor syze me gjithse eshte ne moshe !!!

  3. Lefti thotë:

    8 January 2008 @ 11:15 pm

    reduktimi i burokrqcise eshte sherbimi me i madh per qytetaret !

    Nje qeveri e djathte kete duhet t’a kete gjithnje parasysh : privatizimet dhe ulja e burokracise, bejne qe ekonomia te jete e pavarur nga shteti-politika dhe bejne qe te ulet korrupsioni ne ato sektore ku burokracia eshte e larte.

    Siç e ka thene Ronald Reagan : “Shteti eshte problemi !”

    Sa me teper inciativa te tilla, elektronike, aq me mire eshte.

  4. Dori thotë:

    9 January 2008 @ 12:59 am

    Gjëja më e mirë do të ishte të vendosnin tërë formularët që kërkohen nga shteti në Internet, zyrat pastaj le të jenë vendi ku hidhen formularët (të punonte posta s’do të duheshin as për këtë) dhe merren rezultatet. Mund të heqin dhe radhat dhe një pjesë të korrupsionit. Sa për vendosjen në Internet të të dhënave, kam frikë se s’do të kenë siguri të mirë dhe me siguri dikush ka për t’i bërë kopje. Në Shqipëri tani për tani s’do kenë shumë vlerë, por prapë duhet pasur kujdes.

  5. Penar Musaraj thotë:

    9 January 2008 @ 10:52 am

    Më tej, Kryeministri theksoi se ky vit do ketë dy objektiva madhorë, privatizimet dhe qeverinë elektronike.

    Kuptohet, qe Berisha hedh fjale verdalle plot, por ne kete rast ne te Peshkut kemi mundesine t’a kqyrim objektivin e qeverise elektronike.

    Per shembull, sot qe del ky lajmerim e u mbushen lajmet me fytyrat e Berishes dhe Ministrit te Drejtesise, website-i i Ministrise se Drejtesise nuk punon.

    http://www.justice.gov.al/

    Ummm….

  6. Liri thotë:

    9 January 2008 @ 12:59 pm

    Ore ky dixhitali, dixhitalizimi, interneti, aplikimi online, e cfaredolloj gjeje tjeter e moshes se internetit, kuptohet qe jane shume te mira, por vetem se ka nje problem te vogel.
    Aktualisht ne jemi ne moshen e erresires, ku te gjitha keto gjera nuk mundet te funksionojne normalisht. Do ishte me mire ta mbyllnim kapitullin e moshes se erresires njehere pastaj t’i drejtohemi kapitullit te dixhitalizimit.

  7. ah te keqen….. thotë:

    9 January 2008 @ 12:59 pm

    une me thene te drejten sa here kam dash me u fut te website i mesiperm, nuk e kam pare te punonte. ne fakt, kujtoja se ishte adrese fantazem.

  8. M O Z A thotë:

    9 January 2008 @ 1:19 pm

    Po mire e ke mer Liri,
    Si i thone asaj shprehjes : Shqiptari mesoi frakun por harroi breket.

  9. genti thotë:

    9 January 2008 @ 4:03 pm

    Llafe koti …
    Edhe studimi me debil i fizibilitetit qe mund behet do nxjerri qe ne Shqiperi ~5% te familjeve kane kompjuter. Nga keto ~3% kane internet dhe maksimumi ~1% kane printer.
    Tani ai 1% do shkurtoje rradhet? Apo do futen njerezit ne internet kafe dhe te fusin informacionet te ato kompjuterat ku ka nga 7 keylogger?

    Heres tjeter do thojne qe digitalizimi do na afroje me Evropen dhe Naton.
    Me siguri ka marre keshille nga punonjesi i kafes se internetit te lagjja ose nga ajo punonjesja e Microsoftit qe thoshte hajde te blejme Windows dhe Office.

  10. Naimi thotë:

    9 January 2008 @ 11:21 pm

    Te kritikohet retorika dhe demagogjia e kryeministrit eshte normale por te kundershtohet projekti për dhënien e çertifikatave elektronike ne vetvete me duket e tepert. Mos bini edhe ju ne batakun e Berishes.

  11. alb thotë:

    12 January 2008 @ 9:34 pm

    M O Z A thotë:
    Si i thone asaj shprehjes : Shqiptari mesoi frakun por harroi breket.
    _________

    hehehe shume dkord…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com