A janë provincialë kritikët dhe letrarët shqiptarë?!

ARJAN ÇELNIKASI/ ITALI
Gazeta Standard
07/01/2008

Kulturë në hapësirë/ Tregues që snobizmi dhe provincializmi janë faqe të së njëjtës medalje është pjesëmarrja jonë në Bienalen e Venecias të sivjetshme me katër video artistike dhe një instalacion (ekrane televizioni që transmetojnë imazhe të zhytura në rërë), një ekspozim, që i krahasuar me çdo vend tjetër pjeseemarrës, është një rekord avangardist absolut; fjala vjen pavijoni i Rumanisë dhe pavijoni i Serbisë nuk ekspozonin asnjë video. Tjetër shenjë që tregon se sa provincialë jemi, është edhe fakti se të tillë na konsiderojnë edhe të “huajt”, gjë më se e qartë prej llojit të vendit që i është ofruar pavijonit shqiptar: veprat e pesë artistëve të rinj shqiptarë ekspozohen në “Palazzo Malipiero”, i cili ndodhet jashtë zonës qendrore të Bienales, në Giardini dhe Arsenale të vizituara vetëm me pagesë; d.m.th. pavijoni ynë ndodhet në provincë të Bienales, dhe vizitohet qyl, pa paguar asnjë metelik

Përgjigja e pyetjes “a janë provincialë kritikët dhe letrarët shqiptarë”, ndodhet në përgjigjen e pyetjes “a është Shqipëria provincë?”, dhe letërsia shqiptare është provinciale, përderisa Shqipëria është një provincë, si rëndom çdo shtetkomb liliput, përfshirë dhe vende si fjala vjen Zvicra me shumë kulturë qytetare dhe kritikë letrare, me polici sekrete dhe të ardhura për frymë për t’u pasur zili. Termi “provincial” është krejt relativ, sepse përdoret për treguar inferioritetin e rrethinës referuar superioritetit të qendrës, e cila mund të jetë qytetare, kryeqytetare, perandorake etj., ndërkohë që rrethina mund të jetë përkatësisht katundare, qytetare, kryeqytetare etj. Kështu pyetja ngacmuese “a është provinciale letërsia shqiptare” automatikisht implikon pyetjen: provinciale relativisht kujt vendi? Serbisë? Greqisë? Ballkanit? Evropës? Amerikës? Kashtës së Kumtrit?, dhe meqë në epokën moderne hapeesira nuk mund të ndahet prej kohës dhe trajtohet si koncept i vetëm kohë-hapeesirë, implikon edhe pyetjen: provinciale relativisht kujt kohe? Fjala vjen qyteti i Romës, relativisht qytetit tepër dinamik, kulturor dhe industrial të Milanos, është qendër provinciale me vlerë vetëm turistike dhe administrative, pak a shumë si Moska në raport me Pjetërburgun e shek. XIX, Pekini me Shangain dhe Tirana me Shkodrën (nëse do të kishin shkuar disi më ndryshe punët në Ballkan); ajka e kulturës italiane të sotme banon në Paris, Berlin, Londër dhe Nju-Jork, ndërsa ata që ngrefosen si kampionë të saj i kanë bërë hesapet sipas fjalës së urtë “më mirë i pari në katund se i dyti në qytet”; letërsia shqiptare e viteve ‘60-‘90, që merrej kryesisht me komisarë partizanë, kooperativistë dhe mjelëse të dalluara, ishte provinciale relativisht letërsisë kosovare që eksperimentonte si ajo jugosllave deri edhe antiromanin; shumë artistë dhe kritikë e konsiderojnë provincial artin evropian relativisht artit amerikan të mbas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo bën vaki pikërisht kur Evropa humbi fuqinë e dikurshme ideologjike, politike dhe ekonomike, dhe stafeta kaloi në duart e Amerikës (deri në fillim të shek. XX provincë e Anglisë), dëshmi e pastër që veprimtaritë e ndryshme kulturore ndërlidhen ngushtë midis tyre.

Me fjalë të tjera për të pasur letërsi të madhe dhe të kohës është kusht i nevojshëm - por jo i mjaftueshëm - pasja e një ideologjie, politike dhe ekonomie të madhe dhe të kohës. Pra vetëm superfuqi politike dhe ekonomike si Amerika dhe Rusia, që kanë një vizion gjithëpërfshirës për botën, sigurojnë kushtet e nevojshëm dhe të mjaftueshëm - shpirtërore dhe materiale - për një kulturë dhe letërsi superiore. Për këtë shkak eksportimi i trurit drejt Amerikës edhe nga vende kulturorisht dhe ekonomikisht të zhvilluara, dhe këmbëngulja e elitës kulturore ruse për të rezistuar me çdo kusht në kolapsin katastrofik të vendlindjes. Shkaku përse disidenti rus kthehet në vendlindje - megjitheese krejt i ndërgjegjshëm se i hapte mjaft telashe kresë (shembulli më tipik Cvetajeva, e cila braktisi sallonet e Parisit dhe përfundoi e varur në traun e një izbe të humbur në hapeesirat pafund të tajgës ruse) - më tepër se nostalgjia për pyjet e mështeknës dhe stepën, është nostalgjia për hapeesirat pafund ku duket sikur kapet qielli me dorë, perceptim që mungon krejt në vende me vizion provincial për botën që nuk arrin përtej gardhit me shkurre të kasolles së fundit të katundit. Hapeesirat e stërmëdha, me pasoje një vizion gjitheepërfshirës ose kozmik për botën veteekuptohet dhe pasuri nëntokeesore, është shtysa e perandorive ruse dhe amerikane për të dalë në orbitë dhe bredhur nëpër hapësira kozmike, dhe - meqë makro dhe mikro lidhen ngushtë si e larta me të thellën, konshi me subkonshin - edhe bredhur nëpër hapësira mikrokozmike nëpërmjet përshpejtues thërrmijash gjigante (me pasojë të drejtpërdrejtë ndërtimin e armëve e centraleve bërthamore dhe nëndeteeseve atomike). Për të kuptuar se sa ndryshojnë konceptet për hapeesirën me Evropën, mjafton një xhiro me makinë nëpër rrugët e Amerikës për të vënë re që gjithçka është e stërmadhe në krahasim me Evropën: makina me përmasa dhe cilindratë të madhe (kushtëzuar nga çmimi i lirë i naftës), rrugë të gjëra (në Evropë funksionojnë akoma rrugë dhe ura të lashta të projektuara për të kaluar me galop D’Artanjani), parkinge si aeroporte etj. Jo rastësisht përmasa gjigante e kuadrit të pikturës amerikane, në përputhje me përmasat e ateliesë amerikane me përmasat e një magazine, ndërsa në Evropë atelieja tradicionalisht ka qenë një dhomë e marrë me qira, ku punohej, hahej, pihej dhe, sipas Shvejkut, bëheshin të tjera punë që rimojnë me këto fjalë.

Teza se letërsia e madhe mund të bëhet edhe në një vend të vogël, është tezë provinciale me të cilën letrarët provincialë i bëjnë qefin vetes ose në rastin më të mirë i japin gajret vetes. Përkundrazi letërsia e vendeve të vogla i detyrohet shumë letërsisë së vendeve të mëdha, konkretisht arti i Kadaresë, Dritëroit, Anagnostit etj., i detyrohet shumë hapeesirave ruse me mështekna e stepa, të cilat i kanë dhënë formën fillestare rradakeve me cepa të lindura në hapeesirat e fushës së Myzeqesë, të cilat lëmuan dhe rrumbullosën më pas gurët e themeleve të kulturës shqiptare. Ndryshe nga Kadareja që mbasi e pranon disi ndikimin e stepave ortodokse në librin ese të hershëm “Muzgu i perëndive të stepës”, tani meqë e do puna dhe është bërë modë evropiania - plus rrezikut potencial të akuzës spiun rus ose serbosllav - hiqet si antirus e filo-atlantikas (jo rastësisht “Muzgu” nuk figuron në listën e ribotimeve të botuesit Onufri), regjisori Dhimitër Anagnosti e pohon hapur kur shkruan në gazetën Metropol (17.07.2007) jetëshkrimin e tij: “Studimet jashtë kanë një rëndësi të madhe, jo thjesht se të japin një profesion, por të japin vetëdijen e kohës, hapeesirën e të menduarit, proporcionet e mëdha të një vendi të madh, të japin mundësi t’i referohesh një hapësire të madhe (gjithnjë për sa u përket mundësive të komunikimit). Në fund të vitit 1960 u ktheva në atdhe. Atdheu m’u duk i vogël, i ngushtë, provincë e përgjumur. Nga student i lirë, papritmas e pashë veten një nëpunës në një mjedis fizikisht e mendërisht të ngushtë, ziliqar e deri të rrezikshëm…”. Mungesat e ndryshme në Shqipëri mund të reduktohen të gjitha si mungesë hapeesire; banimi në dy dhoma e një kuzhinë, është njëkohësisht varfëri dhe mendjengushtësi. Në fakt thellë-thellë varfëri e ngushtësi lidhen bashkë, madje në thelb janë e njëjta gjë, përshkruar saktë nga shprehja “jam ngushtë me paret”.

Në qoftë se lidhja me BS ka qenë një gjëmë, shkëputja prej tij - me pasojë ndërtimin e socializmit me forcat e tona (që do të thotë ndërtimi i nacionalsocializmit, alias nazizmit) - ka qenë një katastrofë që polli hibridin monstruoz gjysmee komunist e gjysmee nazist, të cilit akoma nuk po dimë ç’emër t’i japim. Në fakt dimri i vetmisë së madhe shkaktoi krizën e skizofrenisë së madhe të shndërrimit të provincës së humbur të perandorisë në qendër kozmike të botës (pothuajse e njëjta gjë ndodhi me Serbinë mbas prishjes së Jugosllavisë). Inxhinieri Luan Kroi rrëfen në një intervistë me Denisa Kona në gazetën Ballkan 23/04/2005 se Enver Hoxha, në një takim me specialistë të Kombinatit Metalurgjik, kishte në plan të ndërtonte - përveç Kombinatit të Autotraktorëve - Uzinën e Aviacionit, që do të prodhonte avionë dhe helikopterë luftarakë, dhe më pas bazën luftarako-detare në Paper të Cërrikut - parashikohej që Shkumbini të bëhej i lundrueshëm - e cila do të prodhonte anije dhe nëndetëse atomike. Siç duket, Dino Çiçon - personazhin e famshëm të librit Kronikë në gur që robtohej natë e ditë për të zbuluar perpetum mobile - e paskemi pasur në krye të vendit.

Peshqesh i kësaj të kaluare të lavdishme është edhe ciklotimia e sotme e kulturistit shqiptarist që hyn në mejhane i shkallmuar shpirtërisht prej kompleksit të inferioritetit: “ne nuk bëjmë hajër kurrë” ose “jemi bërë më keq si evgjitët”, dhe, mbasi rrumbullohet me raki, vjell bashkë me mezet maninë e madhështisë dhe kompleksin e superioritetit: “çfarë kanë të huajt më tepër se ne?” ose “drita u bë me urdhër në shqip” dhe “kulla e Babelit dhe piramidat e Egjiptit janë ndërtuar nga stërgjyshërit tanë pellazgët”. Ne nuk do të bëjmë hajër kurrë në fushën e artit - vetëkuptohet dhe në çdo fushë tjetër të kulturës (të ndërlidhura ngushtë midis tyre) - nëse nuk do të bëhemi të ndërgjegjshëm që “të huajt”, ndër të tjera, kanë më tepër se ne interesimin për Avangardën, me fjalë të tjera vizionin kozmik ose gjithëpërfshirës për botën dhe deshifrimin e kodeve themelorë të krijimit. Në fakt artisti shqiptar, edhe kur gjenial, sado modern dhe i shëtitur, nuk e kupton Avangardën: nuk e kuptoi as gjysmën e parë të shekullit të shkuar kur u tund një botë e tërë prej uraganit të artit modern dhe asnjë personalitet i kulturës shqiptare të gjysmës së shek. XX - përfshirë edhe Konicën që mbahet që kishte mik Aragonin - nuk e zë në gojë as për emër, as në kohën e disidencës qesharake të 72-shit kur mbahej si moderne çfarë ndalohej prej policisë, dhe as mbas 90-tës kur ankohet se bashkëfshatarët e tij nuk njohin modernen dhe post-modernen, ndërkohë që “të huajt” e kanë bërë me kohë pyetjen e famshme tallëse: “mbas modernes erdhi postmodernja, po pas saj çfarë vjen?”, e cila tregon me lodra fjalësh se kultura dhe historia tashmë kanë mbërritur në stacionin e fundit. Pikërisht kur “të huajt” - mbasi i kanë pirë lëngun modernes e nuk dinë më nga ta mbajnë shtyjnë kohën në një farë mënyre duke përzierë dhe ngrënë moda, stile dhe rryma historike që e kanë ngrënë çairin me kohë - “tanët” braktisin konceptet neolitike për kulturën dhe, mbas një agjërimi 40-vjeçar, në kërkim të kohës së humbur, përlahen me babëzi ç’të dalë përpara dhe pa bërë asnjë dallim në jashtëqitjet kulturore postmoderne.

Tregues që snobizmi dhe provincializmi janë faqe të së njëjtës medalja është pjesëmarrja jonë në Bienalen e Venecias të sivjetshme me katër video artistike dhe një instalacion (ekrane televizioni që transmetojnë imazhe të zhytur në rërë), një ekspozim, që i krahasuar me çdo vend tjetër pjesëmarrës, është një rekord avangardist absolut; fjala vjen pavijoni i Rumanisë dhe pavijoni i Serbisë nuk ekspozonin asnjë video. Tjetër shenjë që tregon se sa provincialë jemi, është edhe fakti se të tillë na konsiderojnë edhe të “huajt”, gjë më se e qartë prej llojit të vendit që i është ofruar pavijonit shqiptar: veprat e pesë artistëve të rinj shqiptarë ekspozohen në “Palazzo Malipiero”, i cili ndodhet jashtë zonës qendrore të Bienales, në Giardini dhe Arsenale të vizituara vetëm me pagesë; dmth pavijoni jonë ndodhet në provincë të Bienales, dhe vizitohet qyl, pa paguar asnjë metelik. Pallati Malipiero ishte palazzo i thënçin, sepse nuk e dinin nga binte as vendasit, të cilët më sollën vërdallë sa andej e përkëndej brigjeve të Canal Grande-s, deri sa më në fund u gjet ku ish fshehur. Hyrja e pavijonit ndodhet në katin e parë të ndërtesës dhe në anën e prapme të saj (mbasi përshkohet një rrugicë e ngushtë dhe e pisët), të cilat dy pozicione krejt të shpërfillura në traditën veneciane të ndërtimit: kati i parë zakonisht parashikohet të jetë bodrum për të mbajtur rrangullat (për t’i shpëtuar lagështirës vrastare të lagunës), ndërsa mbas skenës butaforike me gondola që lëkunden në sfond të faciatave prej mermeri ngjyrëçelur fshihet një shëmti dhe ndyrësi skandaloze që turistët nuk e vënë re, ose bëjnë sikur meqë luajnë pjesën e të mahniturit nga e veçanta dhe antikiteti. Filmat e videove artistike zhvilloheshin në një errësirë lugetërish mbi mure dhomash që vinin erë myk e me tavan të ulët që të peshonte mbi zverk, ndërsa në katet e sipërme me salla relativisht të ndriçuara dhe të ajrosura ekspozonin Qipro dhe Estonia, që përfaqësoheshin kryesisht me piktura e fotografi artistike dhe vetëm me një instalacion e një video. Tjetër shenjë që dëshmon llojin e konsideratës që kanë “të huajt” për ne është dhe fakti që Shqipëria pranohet për herë të parë në Bienalen e Venecias njëkohësisht me katër vende të botës së tretë, emrat e të cilave mbarojnë me “stan”: Afganistan, Kazakistan, Kirgistan dhe Uzbekistan, dëshmi në mbështetje të tezës se nuk është e thënë që gjeografia e stanit të përputhet saktë me gjeografinë kulturore të stanit.

Banorët e vendeve të humbura - gjithnjë duke folur relativisht se ka vende më të humbur dhe më të mjerë se i yni (sigurisht gjë aspak ngazëlluese) - nuk do të shpëtojnë kurrë nga provincializmi, snobizmi dhe të tjera gjëma të lidhura ngushtë me to pa gjetur njerëzimi QENDREN, e cila shpërndan dinjitet, vlera dhe pasuri periferisë, çliron të humburit, të poshtëruarit, të dhunuarit etj, shkul kufijtë dhe gris pasaporta, lidh qendrën me rrethinat (provincën) duke asgjësuar dallimet klasore, racore, fetare, kombëtare, gjinore etj, e madje çliron edhe të privilegjuarit - gjithnjë si mbi gjemba për shkak të privilegjeve të tyre - duke treguar se të gjithë njerëzit pa përjashtim janë vëllezër e motra. Fatkeqësisht QENDRA vazhdon të mbetet e shpërfillur, dhe banorët e provincave të humbura zgurdullojnë sytë në drejtim të qendrave të privilegjuara të Nju Jorkut, Moskës, Parisit, Berlinit etj, madje ka të mjerë që i zgurdullojnë sytë deri edhe drejt Tiranës. Nuk e di ç’ndodh sot, por kohë më parë kur ishte në fuqi sistemi i pasaportizimit, dibranët, për të shprehur admirimin në mënyrë superlative për një pjatë të shijshme, një pamje të bukur, një ditë të bukur me diell, një frazë të goditur etj, përdornin shprehjen: “Si n’Tiron” (si në Tiranë), ndërkohë që banorët e mjerë të kryeqytetit të shtetit, për të njëjtat situata, përdornin shprehjen: “si jashtë shtetit”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. Qafir Arnaut thotë:

    8 January 2008 @ 12:46 am

    Nuk e di ç’ndodh sot, por kohë më parë kur ishte në fuqi sistemi i pasaportizimit, dibranët, për të shprehur admirimin në mënyrë superlative për një pjatë të shijshme, një pamje të bukur, një ditë të bukur me diell, një frazë të goditur etj, përdornin shprehjen: “Si n’Tiron” (si në Tiranë), ndërkohë që banorët e mjerë të kryeqytetit të shtetit, për të njëjtat situata, përdornin shprehjen: “si jashtë shtetit”.

    tyt bre tobestrafullah~!

  2. anonymus thotë:

    8 January 2008 @ 1:58 am

    Tjetër shenjë që tregon se sa provincialë jemi, është edhe fakti se të tillë na konsiderojnë edhe të “huajt”, gjë më se e qartë prej llojit të vendit që i është ofruar pavijonit shqiptar: veprat e pesë artistëve të rinj shqiptarë ekspozohen në “Palazzo Malipiero”, i cili ndodhet jashtë zonës qendrore të Bienales, në Giardini dhe Arsenale të vizituara vetëm me pagesë; dmth pavijoni jonë ndodhet në provincë të Bienales, dhe vizitohet qyl, pa paguar asnjë metelik.

    C’jane mer keto plehra!
    Po mire, neqoftese kete pallen do ta botonte nje gazete e nje qyteti te vogel Italian, a do e bente ky botim kete njeri “provinical”?
    A do na bente ne te gjithe si popull, nje popull “provincial”?

    Ik he dreq…

  3. olti thotë:

    8 January 2008 @ 2:13 am

    Une pashe vetem dy gjera ne kete kritike.
    Se pari qe autori e sheh “te qenit” provincial te shqiptareve tek fakti pse jane paraqitur me video, se dyti tek nje detaj hapsinor pa shume rendesi per ceshtjen qe mundohet te trajtoje.

    Ajo vihet re mbi te gjitha eshte se titulli s’e justifikon artikullin, pasi ky i fundit me shume se sa nje analize e provincializmit shqiptar eshte nje leksion qe perpiqet te na percoje autori mbi provincializmin.

    Se fundi, gjithcka pashe une ne kete artikull ishte vete provincializmi i autorit, i cili mundohet te tregoje se sa provincial jane te tjeret (shqiptaret) duke treguar se sa di rreth provincializmit dhe duke permendur fakte banale si psh qenia e tij ne Itali, vizita e bienales e gjera si keto. Tipik provincial me i fjal!

  4. Anonim thotë:

    8 January 2008 @ 1:54 pm

    nuk e di per te tjeret por une xhevahire si keto qe perdorin termat “provincializem” e me “mentalitet fshatari” i gjej vetem ne bllogjet dhe ne shtypin shqiptar.

  5. M O Z A thotë:

    8 January 2008 @ 2:19 pm

    Nuk e di ç’ndodh sot, por kohë më parë kur ishte në fuqi sistemi i pasaportizimit, dibranët, për të shprehur admirimin në mënyrë superlative për një pjatë të shijshme, një pamje të bukur, një ditë të bukur me diell, një frazë të goditur etj, përdornin shprehjen: “Si n’Tiron” (si në Tiranë), ndërkohë që banorët e mjerë të kryeqytetit të shtetit, për të njëjtat situata, përdornin shprehjen: “si jashtë shtetit”

    Po kur se di ca m.utin ndodh sot, per cer na shkrun gjithe keto teorirera ?
    Une desh bana lanet emingrantin per moszhornimin me terminologjite e reja qe kane hyre ne linjen e Porcelanit apo te Kmombinat-Kinostudio, kurse ti……

  6. artian thotë:

    8 January 2008 @ 2:40 pm

    Nuk e lexova fare,kush qiro syte,apo nuk eshte dhe i gjate por i mora thelbin,demek province/qytet-dihet ky muabet.Kur takova nje mikun tim talion qe kishte mesu shqip,se kishte jetu disa vite ne shqiperi isha edhe me shoke shqiptar ,u hap ky muabet fshatar, katundar, qytetar ,Italioni kishte bredh pak dhe e njihte mire psikologjine e shqiptareve,(cuditerisht te huajt i blejne shume shpejt shqiptaret ,pasi keta i japin shume gojes dhe i nxjerrin te gjitha edhe zoret e barkut per njeri tjetrin,jo keshtu kena qene ne komunizim,jo ky eshte keshtu e ashtu demek me nxjer veten si te zgjuar si evropian a ku di une )Ne fund ai tha nje gje,une habitem qe pse shqiptaret zihen fshat qytet,kur e gjithe shqiperia eshte njesoj !Jo me jo nuk eshte ashtu i thashe une gjasme per te mbrojte pak veten ,por ne te vertete thashe se Talioni ka te drejte.
    Prandaj dhe nuk me ben syte ta lexoj kete shkrim !
    Ata mbyllim kete muabet se nuk ja vlen! Ti japim te drejt Italionit dhe ta mbyllim pak squpin,dhe mos te injorojme veten tone kur te huajt na pyesin .

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com