Vizat, Maqedonia “mbyll kufirin” për shqiptarët

Tedi Blushi
07/01/2008

Maqedonia ndryshon procedurat e dhënies së vizave për shtetasit e huaj, përfshi në veçanti edhe ata shqiptarë. Duke filluar nga muaji shkurt, për pajisjen me vizë apo edhe për kalimin tranzit në territorin maqedonas do të aplikohen forma më rigoroze, çka pritet të kufizojnë ndjeshëm lëvizjen e lirë që ka ekzistuar deri më sot. E thënë ndryshe, për të hyrë në fqinjin tonë lindor tashmë do ndiqen të njëjtat procedura si në vendet e Bashkimit Europian. Lajmi është publikuar dje nga e përditshmja “Koha” që botohet në Shkup, e cila citon në shkrimin e saj zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, Sasho Kokallanov. Një prej ndryshimeve të reja është pikërisht vendi i marrjes së vizës. Kompetencat për dhënien e saj do t’i kalojnë shumë shpejt zyrave të përfaqësive diplomatike, duke i përjashtuar pikat e kalimit kufitar, si zyra paralele që kishin të drejtë deri më tani për të pajisur me viza. Ndërkohë, nuk dihet ende se sa do të jetë tarifa e aplikimit për pajisjen me vizë maqedonase. Aktualisht, taksa e pajisjes me vizë në pikat kufitare me Maqedoninë është 10 dollarë.

Garancia
Një prej kushteve të tjera është edhe garancia. Shtetasit shqiptarë nuk mund të pajisen me një vizë hyrëse ose transit, e për rrjedhojë nuk mund të kalojnë territorin nëse nuk kanë ftesë, ose letër garancie nga personi ose institucioni që i fton. Në rregulloren e re, në pikën 5 të saj, thuhet se aplikanti duhet të posedojë dokumente, të cilat vërtetojnë qëllimin dhe rrethanat për qëndrimin e planifikuar në Maqedoni.

Turistët dhe biznesmenët
Turistët dhe biznesmenët shqiptarë do të jenë dy kategoritë që do të preken të parat nga ndryshimi i procedurave të dhënies së vizave. Kërkesat për marrjen e vizës me karakter turistik ose privat, duhet tashmë të shoqërohen patjetër me ftesë nga personi te i cili turisti apo biznesmeni shqiptar do të shkojë për vizitë, ose dokumente që vërtetojnë pagesën e shërbimeve turistike, të rezervimeve turistike ose të udhëtimeve në grup. Për vizita zyrtare duhet të posedohet ftesë nga organet shtetërore, shoqëri tregtare ose edhe persona juridikë për pjesëmarrje në takime ose edhe ngjarje të tjera që lidhen me tregtinë, industrinë e të tjera. Ky vendim i qeverisë maqedonase do të ndikojë edhe tek të gjithë ata turistë apo biznesmenë që për të udhëtuar në rrugë automobilistike drejt Bullgarisë, Rumanisë, Turqisë apo vendeve të tjera të Lindjes, duhet të kalojnë patjetër transit nga Maqedonia. Pasi edhe për kalimin transit është e nevojshme pajisja me vizë maqedonase.

Studentët
Nëse shtetas shqiptarë do të kërkojnë të pajisen me vizë me qëllim për të ndjekur studimet e larta, kurse ose kualifikime të tjera profesionale në Maqedoni, duhet të kenë me vete edhe vërtetimin nga institucioni përkatës.

“Mbyllja” e kufirit
Shtetasit shqiptarë janë ndër të vetmit fqinjë të Maqedonisë që do të preken nga forma e re e aplikimit të vizave, për arsye se Maqedonia me Serbinë dhe Kosovën nuk aplikon viza si edhe për dy fqinjët e tjerë, Greqinë dhe Bullgarinë, anëtare të BE-së ndaj të cilave e ka ndërprerë regjimin e vizave. Rregullorja e re në Ambasadës e Maqedonisë në Shqipëri pritet të zbatohet në muajin shkurt, ndërsa gjatë kësaj periudhe shtetasve shqiptarë i jepet mundësia që të informohen më shumë për ndryshimet e reja. “Lëvizjet e shtetasve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë janë të mëdha, ndryshimet e reja nuk do t’i kufizojnë, por kanë qëllim që të kryhen sipas standardeve evropiane. Eliminimi i dhënies së vizave në kufi, përveç disa rasteve tepër urgjente, është një prej kushteve të BE-së për të reduktuar numrin e dhënies së vizave në kufi, që vetëm vitin e kaluar arriti në 75 mijë”, - ka sqaruar për të përditshmen maqedonase “Koha”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Kokallanov.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. preparat thotë:

    7 January 2008 @ 11:51 pm

    Maqedonia = (Dhi x Zgjebe) Bishti ↑

  2. Vlonjati thotë:

    8 January 2008 @ 12:04 am

    Hajt mos u merzisni se KM tha sot qe ne Mars shqiptaret do levizin ne gjithe EU pa viza!!!

    Si duket ka qene mbase i shtyre dhe nga ky lajmi, dhe doli sic di ai te dali, e hodhi tymbsen e radhes.

  3. nio thotë:

    8 January 2008 @ 4:40 pm

    Te njejten gje duhet te beje de Shqiperia me nenshtetasit maqedonas te cilet kane origjine sllave, dhe te shikojme pastaj si do te sillen bullgaroevgjitet.

  4. Tironsi thotë:

    8 January 2008 @ 4:56 pm

    Jo me Nio, pse jane debila keta duhet tu bekemi dhe ne. Le ta vene mo regjimin e ri se ne vdiqem me vajt ne Maqedoni mo. Une them me vete, po keto partite shqiptare qe jane ne qeveri andej matane ca bejne qe s’ndihen?

  5. nio thotë:

    8 January 2008 @ 5:57 pm

    O Tironso,ne fshatin tim themi se, po te kaloi nj here miu nen mustaqe,e bene rruge pstaj.Edhe keta evgjitet keshtu do bejne, sot vizat,neser nje gje tjeter,pasneser prishjen e marveshjes se Ohrit. OFTHALMO ANTI OFTHALMU.

  6. Bogdan thotë:

    8 January 2008 @ 9:31 pm

    Me Salen ne pushtet po kthehemi ne kohen e Enverit.Do shkojme drejt izolimit komplet.Jo me kot te huajt nuk investojne me ne Shqiperi.Maqedonasit dicka kane nuhatur dhe kane vepruar keshtu.

  7. ados thotë:

    10 January 2008 @ 9:39 am

    Mos ndoshta edhe qeveria jone duhet te bllokoje marrveshjen per dhenien e dyfishte te nenshtetesive…Vetem ne kete muaj jane dhene mese 1000 pashaporta maqedonase ..

  8. Ll thotë:

    10 January 2008 @ 9:46 am

    1) Nje pjese e partive Shqiptare ne Maqedoni folen dje (ose te pakten dje u dha ne lajme) kunder ketij vendimi. Po keshtu tek Top-i kishte nje kronike me deklarata kunder vendimit nga krere vendore te zones kufitare te Maqedonise, si dhe nga sipermarres private.

    2) Nuk kam pare (nuk po them qe s’ka pasur) akoma nje pergjigje te qeverise Shqiptare per kete ceshtje.

  9. ados thotë:

    10 January 2008 @ 9:57 am

    Une them se dicka e “dyshimte” po ndodh. Sigurisht Maqedonia po nderpret ne nje fare menyre levizjen e lire te Shqiptareve ne te gjithe ballkanin.. Shqiperia-Mal i zi, levizje e lire…Mal i zi- Kosove , levizje e lire— Kosove-Shqiperi as qe behet fjale per vize.. Kosove - Maqedoni , levizje e lire..Shqiperi- Maqedoni deri tani eshte e lire levizja..Pra pak a shume behej nje katerkendesh me popullsi shqiptare pa ndonje fare kufiri..

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com