Numrat dhe vijat

Shkruan: Kim Mehmeti
Nga kmehmeti.com

Shpjeguesit e simbolikës së numrave, do mund të thoshin se dyshi në numrin e vitit 2008, lë të shpresosh se sivjet do ndodh çiftëzimi i ambicieve tona shqiptare me të arrirat. Se tetëshja, si simbol i baraspeshës, paralajmëron arritjen e simetrisë së plot mes asaj që duam dhe potencialit që kemi. Por, do shtojnë ata, dy zerot, si numra që shënojnë hiçin, mund të kenë domethënien e vetërrotullimit të dyfishtë të shqiptarëve rreth boshtit të lodhjes së tyre dhe fillimin e dy ciklave të rinj që do kërkojnë flijime, e pa të cilat nuk do mund të arrihet çiftimi dhe simetria që paralajmërojnë dyshi e tetëshja. Flijime pa të cilat nuk do mund të arrihet as lidhja harmonike e Trinisë tonë kombëtare, mes Nënës, Atit dhe Birit të tyre. Pra, që mëmë Shqipëria të del nga mosmarrëveshjet që i ka me vetveten, atdhe Kosova të shijojë të qenurit zot i vetvetes dhe fëmiu i tyre – shqiptarët e Maqedonisë – më në fund të çlirohen nga inferioriteti politik ndaj palës së etnisë maqedonase, e që i mbanë në gropën septike të zënkave ndërpartiake. Parashikuesit e të ardhmes, do mundë të vazhdojnë më tej shpjegimet e tyre duke veçuar se shuma e numrave që përbëjnë vitin 2008, është dhjetë, apo një njësh që pjesëtohet vetëm me vetveten. Andaj edhe do theksojnë, se ky vit, si edhe gjithë të mëparshmit, do mbajë shenjën e pjestueshmërisë me vetveten të pasurisë individuale të politikanëve shqiptarë. E cila pasuri është emëruesi i përbashkët i gjitha “shqipërive” tona, në të cilat nuk vlen proporcioni i qytetarëve të pasur në shtete të begatshëm, por ai i kundërti: sa më të varfër janë qytetarët dhe shteti, aq më të pasur janë politikanët.

Përpos shpjegimit të domethënies së numrave, shqiptarët e Maqedonisë do duhet të merren edhe me zbërthimin e vijave të shuplakës politike të etnitetit maqedonas, e cila shpeshherë u ka dhënë flakaresha të nxehta e të dhembshme. Në atë pëllëmbë, ata do mund të shohin vijën e jetës politike të Maqedonisë, e cila ka shumë ndërprerje, humbet në gropën e bërë nga vorbullat globale, nga sërish del, dhe vazhdon të zgjatet deri tek rrënjët e gishtit tregues shqiptarë, i cili asnjëherë nuk arriti të tregojë drejtimin e duhur. Nuk arriti ta bëjë këtë edhe nga shkaku se udhëheqësit partiakët të shqiptarëve të Maqedonisë, më shpesh i mbanin duart në xhepa, aty ku lirshëm mund të shtrëngonin të vetmen që nuk ua kontrollonin kundërshtarët e tyre partiak të etnitetit maqedonas. E në ndërkohë, duke i thënë popullit, se dora në xhep, ia pamundëson kundërshtarit të zbuloj kahen e ecjes së tyre. Se ashtu e kishin më lehtë të fërkonin e të mbanin të shëndosh gishtin e madh të dorës, i cili simbolizon forcën, është mbështetës i shuplakës që mbanë në dorë flamurin e të ardhmes, por gjithashtu, i futur mes gishtit tregues dhe të mesmit të dorës, tregon atë që shqiptarëve të Maqedonisë u solli politika e partive të tyre..

Sa i përket ardhmërisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë, shumëçka që do ndodh në vitin 2008, mund të parashikohet pa pasur nevojë për zbërthimin e domethënies së numrave të këtij vit. Sepse ka shumë shenja të jashtme që shpjegojnë se Maqedonia edhe këtë vit do e ecë rrugës së ngushtë të mosmarrëveshjeve ndëretnike dhe ndërpartiake, rrugës nga e çoi kryeministri aktual Gruevski. E duke ecur asaj rruge, partitë e këtushme shqiptare, edhe më tej do i ngjajnë udhëtarët që e dinë për ku është nisur, por nuk e dinë rrugën nga arrihet deri aty. Kështu që BDI-ja e Ali Ahmetit, gjithnjë e më shumë do i ngjasojë endacakut që ka pasuri – votën shumicë të popullit të këtushëm shqiptarë dhe emblemën e UÇK-së – e të cilën e harxhon si fëmiu i pakujdesshëm mallin e trashëguar nga prindërit. E nga ana tjetër, PDSH-ja do mbetet atë që ka qenë edhe më parë: parti e cila me këmbëngulje donë t’i zhvendosë të gjitha standardet politike. Parti e cila donë të dëshmojë se emblema partiake dhe kollarja, ndikojnë direkt në trurin dhe pamjen e njeriut, se mjafton të kesh në dorë shpatën e pushtetit, që të bëhesh më i bukur e më i mençur. Pra PDSH-ja do mbetet shkollë politike për ata që janë të gatshëm të bëhen shumfytyrësh, por pa faqe që do skuqeshin kur gënjejnë.

Sa i përket udhëtimit të ardhshëm politik njëvjeçarë të BDI-së dhe PDSH-së, dyshi në numrin e vitit 2008, nuk paralajmëron çiftëzimin e sukseseve dhe ambicieve të shqiptarëve të këtushëm. Ai numër ka domethënien e harmonizimit të qëndrimit të këtyre dy partive kundërshtare, ndaj të ardhurit të tretë në skenën e këtushme politike shqiptare - BDSH-së së Bardhyl Mahmutit. Qëndrim që do mbështetet në injorimin e një realiteti të ri, qëndrim që u ka hije politikanëve që e humbin kontaktin me atë që i rrethon, e jetojnë në botën e poltronizmit partiak, që njeh vetëm thënien “rroftë kryetari”. Gjë që do e çojë BDI-në edhe më tej të mos e sheh se është fat të kesh kundërshtar politik PDSH-në, e cila nuk gabon vetëm atëherë kur nuk është pjesë e qeverisë. Se vetëm gabimet e PDSH-së mjaftojnë që nga ato të ushqehen dhjetëra parti kundërshtare, e jo më një BDI që ka plot të meta, por asnjë që mund ta barazohet me ato të Partisë Demokratike Shqiptare. Nga ato të PDSH-së, që u bë shërbëtore e qeverisë së antishqiptarit Gruevski, duke u i ngushëlluar shqiptarët e këtushëm me atë se Gruevski na qenka antishqiptarë më i vogël se kryetari aktual i Maqedonisë, Branko Crvenkovski. Pra, duke dëshmuar se kryesuesit e kësaj partie nuk kanë as aq pjekuri politike sa të shohin se, kur bëhet fjalë për kërkesat e shqiptarëve të këtushëm, politikanët e etnitetit maqedonas dallojnë mes veti aq sa edhe “ski-ja” në fund të mbiemrit të tyre. Se do mbeten të tillë edhe shkaku se shqiptarët e Maqedonisë kanë politikan që nuk dinë të venë pikë mbi “i-në” në mbiemrin e tyre, e të thonë hapur se ky shtet o do e respektojë parimin e Badinterit edhe gjatë formimit të qeverisë, o do ketë edhe një parlament në pjesën veriake të Shkupit.

Fallxhorët dhe parashikuesit e ardhmërisë, do mundë të japin shpjegime edhe duke zbërthyer grimasat, apo sjelljet e jashtme të udhëheqësve partiak të shqiptarëve të Maqedonisë. E të thonë se qetësia e kryesuesit të BDI-së, buron nga bindja e Abazit (nofka luftarake e Ali Ahmetit) se me asgjë atë nuk mund ta dëmtojë politikani Ahmeti. Bindje mbase edhe e saktë, por vetëm nëse politikani Ahmeti nuk e dëmton kapitalin më të madh të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Abazit, e të shokëve të tij të ish UÇK-së – Marrëveshjen e Ohrit. Kapital që është i rrezikuar edhe nga kryesuesit e PDSH-së, e të cilët, ndaj Marrëveshjes së Ohrit sillen si gruaja ziliqare ndaj kapotës së huazuar nga fqinja e vet: e lavdëron dhe e çmon vetëm kur ka ftohtë dhe kur nuk ka me çka ta mbulojë trupin.

Parashikuesit e të ardhmes, zbërthyesit e simbolikës së numrave dhe të vijave të pëllëmbës së dorës, do mund të lexojnë shumëçka në numrin 2008 dhe në vijat e shuplakës politike që ua skuq faqet shqiptarëve të Maqedonisë. Ata do mund të nënvizojnë se dyshi paralajmëron përgjysmimin e mandatit të parlamentit të sotëm republikan dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Parashikim që mund t’i gëzojë qytetarët e Maqedonisë, sepse kjo është zgjidhje e vetme që do mund ta nxirrte shtetin nga kriza politike në të cilën e futi Gruevski, i cli mbase mendon se për t’u bërë Napoleon, mjafton të jesh më shtat më i ultë se gjeneralët që i komandon. E sa i përket këtij kushti, atë ai qëmoti e ka plotësuar. Me çka e rriti vetveten, por ia shkurtoi hijen Maqedonisë. E bëri shtetin muze të apsurdeve politike. Si dhe vend ku ka shumë punë për fallxhorë dhe zbërthyes të domethënieve të numrave dhe vijave të pëllëmbës së dorës. Gjë që dëshmon se në këtë shtet qëmoti nuk vlejnë analizat e mbështetura mbi një logjik të shëndosh politike, por ato që shpjegojnë shumëçka e nuk thonë asgjë të saktë. Siç është ky shkrim që tani lexoni, siç janë të gjitha fjalimet dhe premtimet e kota të politikanëve që kemi.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com