Një protestë e pasinqertë kundër qeverisë

Nga Mero Baze
Gazeta Tema
07.01.2008

Disa shtëpi botuese që kanë fituar të drejtën të botojnë tekstet shkollore në Shqipëri i janë drejtuar presidentit Bamir Topi që të mos dekretojë disa ndryshime ligjore që vendosin taksën e TVSH mbi librat që vijnë nga importi në Shqipëri dhe që janë prodhim i tregut shqiptar, të shtypura në vende lindore, kryesisht Bullgari apo Turqi. Arsyetimi i tyre është se në Shqipëri nuk ka industri shtypi që përballon shtypjen e librave dhe, së dyti, se ky ligj bie ndesh me një pjesë të legjislacionit shqiptar. Argumenti i parë nuk qëndron, pasi në Shqipëri ka tepricë shtypshkronjash. Argumenti i dytë është gjysmë i vërtetë dhe duhet shpjeguar deri në fund.

Për ta kuptuar se çfarë ndodh me tregun e botimeve dhe shtypit në Shqipëri, duhet fillimisht të sqarojmë se politika ka ndërhyrë në mënyrë brutale në rregullat e tregut dhe ka çuar në falimentim industrinë e shtypit të librave dhe gazetave. Vendimi për heqjen e TVSH për gazetat dhe pastaj dhe për librin ka bërë një mishmash në legjislacionin tatimor dhe ka krijuar një persekutim me ligj ndaj industrisë së shtypit. Kështu, nëse një shtypshkronjë ble letër, bojë, lastra dhe preparatet e tjera kimike të shtypshkrimit në Bullgari dhe i fut në Shqipëri, përveç taksave doganore ajo do të paguajë dhe 20 për qind taksën e TVSH. Pasi e fut gjithë këtë lëndë të parë në Shqipëri, ajo shtyp me to libra dhe gazeta, të cilat nuk kanë TVSH, pasi iu është hequr dhe shtypshkronjave iu mbetet pa rimbursuar TVSH e lëndëve të para, megjithëse ato prodhojnë një produkt me to dhe normalisht TVSH duhet të jetë taksë e konsumatorit. Pra, shtypshkronjat kthehen nga prodhues në konsumatorë, megjithëse bëjnë punën e prodhuesit. Nëse një shtypshkronjë e merr librin që i bie një shtëpi botuese dhe nuk e shtyp në Shqipëri, po ikën në Bullgari, ajo e fut këtë libër në doganë pa doganë dhe pa TVSH, pra, fut në Shqipëri pa TVSH letrën, bojën, filmat, lastrat dhe gjithçka duhet tjetër. Ky është një evazion i pastër fiskal dhe një hapësirë për shkatërrimin e këtij tregu në Shqipëri.

Unë jam dakord me botuesit e këtyre teksteve që, derisa TVSH është hequr për librin që prodhohet në vend, të hiqet dhe për atë që prodhohet jashtë, pasi kështu e keqja shkon deri në fund. Në të vërtetë, TVSH duhet të kthehet dhe për librin që shtypet në vend, dhe për gazetat që prodhohen në vend. Kjo, në një sistem të lirë tregu dhe me rregulla të ndershme, nuk është taksë e botuesve dhe prodhuesve, por e konsumatorit. Është tjetër gjë korrupsioni për rimbursimin e kësaj takse, e cila në shumë raste të kthehet në tmerr më vete, pasi duhet të paguash dhjetë për qind nën dorë. Është koncept alla kooperativist që botuesit të ankohen se kjo taksë rëndon lexuesit. Unë nuk kam vërejtur ndonjë dashuri të botuesve për lexuesit lidhur me çmimet e librave. I vetmi botues që ka prodhuar libra me 1 euro është Shpëtim Nazarko dhe atë desh e kanë mbytur këta botuesit e tjerë. E vetmja gjë e ndershme që duhet bërë është të normalizohet tregu, të rikthehet TVSH për gazetat dhe librat dhe gjithë produktet e shtypit, si dhe të formalizohet tregu i shitjes së tyre. Botuesit, të cilët shesin 90 për qind të produkteve të tyre në të zezë, nuk kanë problem TVSH, por duan të fitojnë pará nga mungesa e rregullave në treg. E ndershme është që prodhuesit shqiptarë të shtypshkrimeve dhe ata të huaj të jenë në kushte të barabarta.

Qeveria ka dy rrugë; ose të vendosë rregulla të ndershme dhe të mos bëjë tolerime në sistem, duke vendosur një ligj dhe dhjetë përjashtime, ose të përjashtojë gjithkënd nga TVSH. Në rastin konkret, ose të vendosë TVSH për gjithë produktet e shtypit - libra, gazeta, revista e gjithçka tjetër, që shtypshkronjat të kenë ku të shkarkojnë taksën e TVSH, ose të heqë TVSH për letrën, bojën dhe lastrat në dogana, me të cilat prodhohen librat dhe gazetat që nuk kanë TVSH këtu. Nuk mund të ketë masa gjysmake, ku të përfitojnë një tufë njerëzish që paguajnë taksa sa një kioskë në shtet dhe të shkatërrohet një industri e tërë që mban njerëz në punë dhe punon natën dhe ditën në këtë vend. Logjike dhe ligjore është që të mos ketë përjashtime dhe të gjithë të paguajnë atë që iu takon. Nëse do të futet në spiralen e përjashtimeve, qeveria duhet të përjashtojë çdo hallkë të kësaj industrie nga taksa e TVSH dhe jo vetëm botuesit që kanë fituar tendera dhe monopole nga lidhjet klienteliste.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com