Përpjekja e ndërkombëtarëve për të prodhuar skenën politike të Tiranës

Nga Henri Cili, per revisten Polis
[…]
Pas vitit 1997, SHBA-ja dhe në përgjithësi komuniteti ndërkombëtar mbështet fort socialistët në pushtet për rimëkëmbjen e vendit dhe ecurinë e reformave. Nga pikëpamja e interesave të komunitetit ndërkombëtar, stabiliteti i vendit dhe mospërsëritja e trazirave të 1997-ës janë objektivi kryesor së bashku me pasjen në Tiranë të një qeverie të dëgjueshme për axhendën që SHBA-ja dhe Perëndimi kanë për çështjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë. Por ndjeshmëria e elektoratit shqiptar është e ndryshme nga ajo e korridoreve të diplomacisë ndërkombëtare dhe nga ekzigjencat gjeopolitike të momentit, dhe mund të prodhohen të papritura.

Nga ky moment procesi politik i brendshëm mund të kontrollohet në dy mënyra, nga Perëndimi dhe SHBA-ja në mënyrë të veçantë: kontrolli i proceseve zgjedhore dhe përzgjedhja e figurave politike lokale që do të mbështeten prej Perëndimit. Ndërkohë, për sa i përket aksesit mbi procesin zgjedhor, komuniteti ndërkombëtar ka tanimë një rol vendimtar, që nga përgatitja e zgjedhjeve, deri tek monitorimi e vlerësimi i legjitimitetit të tyre.

Por kjo nuk mjafton më. Një strategji e mbështetjes së seleksionuar të liderëve politikë lokalë, pra përzgjedhja e individëve që duhen mbështetur brenda formacioneve kryesore politike, Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike në opozitë, është mjaft e dallueshme edhe publikisht në aksionin e komuniteti ndërkombëtar në Tiranë, që në vitin 1998. Edhe më parë disidencat politike brenda dy partive të mëdha ndaj zotit Nano në Partinë Socialiste dhe ndaj zotit Berisha në Partinë Demokratike, kanë qenë inkuadruar fort nga ndërkombëtarët. Kështu, në vitin 1994 kryetari i Partisë Demokratike, Eduart Selami, i cili kishte qenë një lloj
i emëruari i zotit Berisha në krye të partisë, përderisa statusi i presidentit të Republikës nuk ia lejonte të ishte kryetar i një partie politike, doli hapur kundër linjës politike të presidentit. U shkarkua nga funksionet. Disa muaj më pas ai shkoi në SHBA me një bursë të qeverisë amerikane. Kurse një dokument politik që paraqitën në shkurt të vitit 1997, brenda forumeve të partisë së tyre një grup deputetësh të Partisë Demokratike, u quajt nga shtypi i partisë si një ‘rezolutë e shkruar nga selia diplomatike në Rrugën e Elbasanit’. Në këtë adresë ndodhet Ambasada Amerikane në Tiranë. Edhe zoti Nano kishte pasur të njëjtin problem në partinë e tij. Në korrik të vitit 1996, që nga burgu, ku ndodhej në vuajtje të dënimit, ai ndërmori një lëvizje radikale politike, duke shkarkuar udhëheqjen e lartë të partisë së tij katër nënkryetarët e partisë. Në një dokument politik të njohur në kronikën politike lokale si Mocioni për ndryshim ,38 ai aludonte se zëvendësit e tij ishin mikluar nga ambasadat dhe pushteti për t’i zënë vendin në krye të partisë dhe për ta harruar në burg.

Pas afro një viti në pushtet, në muajt gusht–shtator 1998, ndodhën krejt papritur një seri ngjarjesh që kulmuan me vrasjen e deputetit të opozitës, Azem Hajdari. Po ashtu, një revoltë disaorëshe e protestuesve të armatosur në momentin e funeralit të deputetit të vrarë, bënë që zoti Nano u detyrua të jepte dorëheqjen nga posti i kryeministrit, kurse shumica në pushtet arriti të mbahej në këmbë me një mbështetje të fortë dhe të shpejtë ndërkombëtare, kryesisht amerikane, e cila tani po i jepej rivalit të zotit Nano, presidentit Rexhep Mejdanit. Këto që ndodhën ishin të habitshme, jo vetëm për opinionin e gjerë, por dhe për vetë kryeministrin
Nano. Disa muaj më vonë, duke analizuar ngjarjet që sollën rrëzimin e tij, kryeministri Nano nënvizon rolin e ambasadave: “Mua më duket ende e pabesueshme që u hartua një skemë diskreditimi, që shëtiti ambasadat dhe botën, e cila duke dëmtuar solidaritetin tonë dhe klimën e bashkëpunimit, dobësoi strukturat e shtetit, për t’i çuar në paralizë të nesërmen e vrasjes së deputetit Azem Hajdari”.

Në një mesazh solidariteti drejtuar popullit shqiptar, zoti Nano ndalon në disa momente që sollën
rrëzimin e tij: “Tradhtia e shokëve socialistë” dhe “ngjarjet në Kosovë”. Deklarata e tij e tërheqjes së përkohshme nga politika hedh mjaft dritë mbi enigmën e ngjarjeve të 14 shtatorit:

Një pjesë jo e vogël, por e zhurmshme e atyre që zhvillojnë përgjegjësitë në kuadrin e marrëveshjes politike të 29 qershorit, kanë punuar si kuaj Troje për të organizuar funeralin tim politik. Këta bartës të pandreqshëm të traditës më të keqe të këtij vendi, i kanë filluar me kohë përgatitjet e gostisë së pasvdekjes sime politike. Nuk mund të pranoj më, qoftë edhe vetëm një pjesë shqiptarëve kudo që të jenë, në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë, të më identifikojnë me të keqen e këtij vendi, për të cilin kam dhënë dhe do të jap gjithë sa të mundem, deri në frymën e fundit! Nuk mund të pranoj që me përpjekjet e mija për një Shqipëri evropiane, për një Kosovë të lirë dhe demokratike, për një qytetari shqiptare të njohur dhe të respektuar në mbarë botën demokratike, të nëpërkëmbem dita-ditës nga ekseset e papërgjegjshmërisë së kujtdoqoftë, brenda ose jashtë trojeve të vendit tonë të përbashkët.

Zoti Berisha ka të njëjtin problem në partinë e tij, ku nënkryetari i partisë së tij ka një miklim të fortë gjithandej për të rivalizuar me Berishën në kongresin e ardhshëm të partisë në 1999-ën. Një shizmë prodhohet në gjirin e partisë, gati gjysma e grupit parlamentar të opozitës përçahet, dhe të “rinjtë” ose “reformatorët” krijojnë pas një viti një parti të re. Një debat publik për “rinovimin e klasës politike”, “për largimin e liderëve të vjetër të politikës shqiptare”, për “mungesën e demokracisë së brendshme brenda partive, shndërrohet në temën qendrore të debatit politik dhe mediatik. Ndërkombëtarët ndërhyjnë gjithnjë e më shpesh mbi këtë temë: jetën e brendshme të partive politike shqiptare. Ambasadori amerikan në Tiranë, Limpreht, i pyetur nga gazetarët se cili është opinioni juaj për gjendjen e opozitës shqiptare, thotë:

Për partitë që kanë probleme të brendshme është e rëndësishme që të ekzistojnë brenda tyre struktura të brendshme demokratike, që t’u lejojnë të gjithëve të shpallin idetë e tyre. Më duket se është e rëndësishme që në parti, përpara se të marrin një vendim, të dëgjojnë pikëpamjet e të gjithë anëtarëve të tyre. Në sistemet demokratike politikanët duhet të kuptojnë se në zhvillimin politik demokratik asnjë individ nuk është i pazëvendësueshëm

Kurse ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Ahrens, analizon hollësisht defektet e opozitës shqiptare paszgjedhjeve të vitit 2000 dhe paralajmëron “shizmën” e re në Partinë Demokratike, e cila në fakt do të ndodhte 2 muaj më pas, me krijimin e Partisë Demokrate të Reformuar, e kryesuar nga rivali i zotit Berisha, Genc Pollo:

Por, nuk është dobishme për procesin demokratik në qoftë se partia kryesore opozitare është në pështjellim dhe është e paaftë, qoftë për të pranuar refuzimin e zgjedhësve, qoftë për t’ureformuar dhe modernizuar. Ekzistojnë elementë reformistë brenda PD-së, por deri më sot ato kanë qenë të margjinalizuar. Megjithatë, është ende shumë herët për të parashikuar nëse do të ishte i mundshëm ndonjë rigrupim pas zgjedhjeve

Në vitet 1999 – 2002, liderët e rinj, kryeministri Ilir Meta dhe ish–nënkryetari i Partisë Demokratike, Genc Pollo, u mbështetën unanimisht nga SHBA-ja dhe BE-ja për të marrë në dorë drejtimin e dy partive kryesore. Protokolli tepër i favorizuar diplomatik ndaj tyre ishte shenjë e hapur e mbështetjes ndërkombëtare për ta, përveç mbështetjes verbale nga nivelet e dyta politike ndërkombëtare, si puna e eurodeputetes Doris Pack, kryetare e Komisionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, e cila përsëriste hapur se duhet një klasë e re politike,
duhet të largohet Nano dhe Berisha, duhen mbështetur liderët e rinj në Shqipëri. Kurse kryetari i Komisionit Evropian, Prodi, kishte vizituar papritur Tiranën, më 28 nëntor 2001, ku takoi vetëm kryeministrin Meta. Ai e mbështeti fort ekipin qeveritar me në krye Metën, me shprehjen e tij emblematike tashmë në kronikën lokale “Stabilitet, stabilitet, stabilitet!”.

Duke reaguar në mbështetje të qeverisë ndaj ofensivës politike që kryetari i Partisë Socialiste ndërmori ndaj kryeministrit Meta me moton “Do ta largojmë uzurpatorin Meta”, ambasadori amerikan në Tiranë, Limpreht, në kulmin e përpjekjes së Nanos për të rrëzuar kryeministrin, thotë:

Pas debateve të fundit brenda Partisë Socialiste, ministrat e rinj kanë nevojë për mbështetjen e partisë dhe të popullit, ndërkohë që merren me çështjet e ndërlikuara, të cilat janë kyçe në zhvillimin e vazhdueshëm të Shqipërisë. Tani është koha që qeveria të punojë dhe duhet të krijohet hapësirë që qeveria të lejohet të kryejë punën e saj

Kjo prani ndërkombëtare tanimë e “shkallës së dytë” brenda jetës së partive politike, pas pranisë së «shkallës së parë» në jetën politike institucionale dhe ndërpartiake, përkrahja e seleksionuar e figurave politike brenda partive politike, e komplikoi edhe më shumë skenën politike, tanimë në nivelin e saj bazë, partitë politike. Duke u përpjekur të përzgjedhë apo në një farë mënyre duke u përpjekur të prodhojë nga jashtë lidershipin e politikës shqiptare, komuniteti ndërkombëtar deshi të gjente në Tiranë interlokutorët e vet. Kjo ndoshta për të “ndëshkuar” liderët karizmatikë dhe me mbështetje të fortë në partitë e tyre, Nanon dhe Berishën, me të cilët bashkëpunimi i komunitetit ndërkombëtar kishte rezultuar mjaft i vështirë.

Sovranë sërish: komprimisi Nano – Berisha dhe “dështimi i të rinjve”

Në fillim të vitit 2002, në Partinë Socialiste, Fatos Nano arrin ta mposhtë kundërshtarin e tij Ilir Meta, duke e detyruar të japë dorëheqjen. Kurse në krahun tjetër, Berisha arrin t’i mbijetojë shizmave dhe përkundrazi, në zgjedhjet e vitit 2001, koalicioni i djathtë udhëhequr prej tij, me gjithë problemet e zgjedhjeve, siguroi një rritje në elektorat prej gati 15 për qind nga zgjedhjet paraardhëse, duke siguruar gati 40 për qind të votave në proporcional. Liderët e mbështetur nga Perëndimi, Ilir Meta dhe Genc Pollo, kishin ngelur në periferi të vendimmarrjes politike
kryesore në dy krahët politikë, qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë. Duke aluduar kundër përpjekjes së ndërkombëtarëve për t’i spostuar nga lidershipi politik, kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, “kërcënon” me mbështetjen popullore që ka si figurë politike: “Unë jam një nga ata që votohem për të transformuar realitetin dhe për të forcuar institucionet. Natyrisht për të përmirësuar klimën politike dhe marrëdhëniet me opozitën.” Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, në të njëjtën logjikë, duke kundërshtuar ato përpjekje që synojnë të
prodhojnë skenën politike, apo të “emërojnë” lidershipin politik të partive thotë: “Unë i përmbahem principit se nuk është kryetar i Partisë Demokratike ai që duhet të përcaktojë kryetarët e partive të tjera. Unë kam qenë gjithnjë i hapur për dialog, i gatshëm të takohem me këdo nga krahu tjetër.”

Në harkun e vjeshtës së vitit 2001–2002, një proces politik bashkëpunimi nis mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, pasi ishin dhënë shenja të vullnetit politik të liderëve politikë të të dy palëve për një dialog mes palëve, pa pasur nevojën për ndërmjetësim të huaj. Ky proces konkretizohet në shumë hapa konkretë, ku bëjnë pjesë firmosja e një protokolli bashkëpunimi për reformën zgjedhore, zgjedhja e një presidenti konsensual me pëlqimin e të dy palëve si dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për reformën institucionale në vend. Por në fakt, pas këtyre gjesteve shquhet një fenomen dhe një qëllim i aktorëve kryesorë politikë, për ta risjellë procesin politik në duart e tyre.

Nga ana e tij, kryetari i opozitës, Berisha, është i gatshëm të angazhohet në një proces politik të gjerë kompromisi me palën tjetër:

Jemi të gatshëm që vendi të ketë një “president konsensual”, për këtë insistoj një zgjidhje, e cila nuk i zvogëlon rolin asnjë njeriu. Në një farë mënyre, pas këtij kompromosi mund të themi se e keqja që e ka zënë vendin do të mund të shndërrohet në diçka të mirë, në diçka pozitive, në një frymë të re në politikën shqiptare.

Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste ishte shprehur me kohë për institucionalizimin e dialogut me opozitën, pa ndihmën e tërthortë të së cilës, në fakt ai nuk do ta kishte mundur rivalin e tij të fuqishëm brenda partisë, Ilir Metën, i cili kishte jo vetëm mbështetjen e forumeve partiake, por dhe një mbështetje të fortë ndërkombëtare. Pas arritjes së kompromisit për presidentin dhe nënshkrimit të marrëveshjes pozitë–opozitë për reformën institucionale, në një intervistë të përbashkët televizive, në kanalin “Telearbëria”, dy liderët shprehen thuajse në një gojë se janë të kënaqur për marrëveshjen e arritur për presidentin konsensual. Sipas Nanos ky “është mekanizmi më i mirë, më i sigurt i shndërrimeve me kosto të vogël.”47 Ndërsa për Berishën nuk “mund të vihen më njerëz të rastit në qeveri, aq më pak nuk mund të vihen njerëz të pavotuar, njerëz të paverifikuar nga elektorati në drejtim të institucioneve kushtetuese.”48
Procesi politik në Shqipëri arrin në fazë të re ku hapësira politike është “risovranizuar” në favor të aktorëve politikë lokalë. Të nesërmen e këtij procesi duket se dy aktorët kryesorë politikë shfaqin vullnet për të qenë më luajalë ndaj lojës politike, në mënyrë që prania ndërkombëtare në procesin e brendshëm të jetë më pak e pranishme.

Ky moment është mbyllja e një cikli ku aktorët lokalë, përkatësisht qendra e majtë dhe qendra e
djathtë, si dhe aktorët ndërkombëtarë kanë “konsumuar” të gjitha pozicionet teorike në raport me njëritjetrin: janë bashkërenduar, janë kundërvënë me secilin prej “tjetrit”. Ky trekëndësh “qendra e majtë”, “qendra e djathtë” dhe “komuniteti ndërkombëtar”, tani e tutje janë në parakushtet politike për vepruar rrënjësisht ndryshe nga më parë. Hapësira politike shtendoset, për disa kohë krijohet përshtypja se jemi në një “normalitet politik”, ku secili ka punën e vet. Qeveria qeveris, opozita kritikon, kurse diplomatët punojnë në selitë e tyre. Për ironi të fatit, në verën e vitit 2002, ka dy përkime rastësore: ambasadori amerikan, Jozef Limpreht, fatkeqësisht ndërron jetë papritur nga një atak kardiak gjatë një shëtitjeje në
malet e Veriut të Shqipërisë, kurse ambasadori i OSBE-së në Tiranë është në muajt fundit të mandatit dhe në debatin politik nuk ka asnjë “temë për të ndërmjetësuar”.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. Qafir Arnaut thotë:

    4 January 2008 @ 8:30 pm

    Me demek, me deshtimin e levizje reformatore brenda dy partive, ’sovraniteti’ i eshte rikthyer pulatikes te Tiranes?

    . Duke u përpjekur të përzgjedhë apo në një farë mënyre duke u përpjekur të prodhojë nga jashtë lidershipin e politikës shqiptare, komuniteti ndërkombëtar deshi të gjente në Tiranë interlokutorët e vet. Kjo ndoshta për të “ndëshkuar” liderët karizmatikë dhe me mbështetje të fortë në partitë e tyre, Nanon dhe Berishën, me të cilët bashkëpunimi i komunitetit ndërkombëtar kishte rezultuar mjaft i vështirë.

  2. toko thotë:

    4 January 2008 @ 9:06 pm

    Emigrant lexoje kete te kuptosh pse akoma ne besojme tek “blank check” Te kujtohet ajo tema tjeter qe kemi diskutaur?
    Ha ha ha ha cfare gallate, dhe ky Cili eshte “goxha ” anal-ist
    Lexo kete psh…( Selami)…U shkarkua nga funksionet. Disa muaj më pas ai shkoi në SHBA me një bursë të qeverisë amerikane….
    Pra ky eshte fakti qe SHBA luan me politken shqiptare Qe E Selami vajti ne amerike me burse. O Cile po edhe Zenoja nga lagjia e brakes erdhi ne amerike me burse zyrtare dhe Zenua i shkrete as pulitike nuk dine e as ne parti nuk ishte. Kishte ca miq qe i bene garancine dhe kishte bere shkolle
    Disa kohe me pare lexova se edhe Sollaku do te shkonte ne amerike dhe kjo sepse ai ishte vegel e amerikes. Ha ha ha cfare nuk pjella menja e anal-isteve.
    Por fundi eshte me klasik Cili ka gjetur fatkeqsine tone. Sipas tij Zoti na ka mere inta kur ….
    …Hapësira politike shtendoset, për disa kohë krijohet përshtypja se jemi në një “normalitet politik”, ku secili ka punën e vet. Qeveria qeveris, opozita kritikon, kurse diplomatët punojnë në selitë e tyre. Për ironi të fatit, në verën e vitit 2002, ka dy përkime rastësore: ambasadori amerikan, Jozef Limpreht, fatkeqësisht ndërron jetë papritur nga një atak kardiak gjatë një shëtitjeje në malet e Veriut të Shqipërisë, kurse ambasadori i OSBE-së në Tiranë është në muajt fundit të mandatit dhe në debatin politik nuk ka asnjë “temë për të ndërmjetësuar”….
    O Cile, mblidhe mendojen o burre, nuk eshte komuniteti nderkombetar qe luan poliken shqiptare por jemi ne shqiptaret me mendjet tona. Komuniteti nderhyn kur e shikon se mendja jone e mbrapshte krijon ndonje trazire apo afron ndonje trazire si ajo e 97-esh ku ne ju versulem dyerve te komuniteti jo vetem me anije por edhe me arme droge e porstitucion.Kete ka hall komuniteti pa per te tjera ai thote “nuk vriskeni vete ju shqiptaret. Kete doni kete do gjeni” Sa per Kosoven komuniteti e di qe ne jemi pa goje, pa veshe pa sy dhe pa hunde ska pse frigohet se mos themi ndonje gje, mos degjojme ndonje gje mos na bjere ere ndonje gje ap mos shikojme ndonje gje.
    Ne jemi qorshurdhmemecepanuhajtje.
    Cfare gallate ky shkrim Uf kam qefshur me lot
    Dhe me e bukura eshte se kete e besojne dhe politkanet tane Kur raportojne 3 here ne dite tek ambasadat e huaja
    ha ha ha Rofsh admin qe sollet me kthyhet humorin

  3. Qafir Arnaut thotë:

    4 January 2008 @ 9:58 pm

    Toko, qe nderhyjne ambasadoret dhe parlamentaret e BE-ut ne politicken e Tirankes, nderhyjne. Perndryshe nuk do kisha pse t’ja u dija emrat: Pack, Limprecht e terrci-e-verrci.

  4. toko thotë:

    4 January 2008 @ 11:50 pm

    Nderhyne o Qafo nderhyjen kur i bejme ne pune lemsh dhe jemi ne buze te 97. Sa per emrat ju a kemi mesuar sic ju a kemi mesuar perendive. Se mos ndonjeri nga ne e ka para Allahun, Krishtin apo Buden. Por i duam aq shume sa qe foshnje ju a mesojme emrat. Edhe Pack, Limprecht e terrci-e-verrci jane perendia jone. Nuk e shikon cili sa i hidheruar eshte e qe vdiq Jozef Limpreht? Tere fatkeqsia jone qe aty filloj nga vdekja e Jozef Limpreht :)

  5. Ll thotë:

    5 January 2008 @ 12:01 am

    Toko,

    Shqiperia eshte nje barke teper e vogel per te lundruar e pandikuar nga shfryrjet e te medhenjeve. Kjo s’do te thote medoemos qe te huajt kane strategji te caktuara per Shqiperine, thjesht qe te caktuarit e tyre ne vend kane ndikim jo-normal ne jeten politike te vendit.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com