Për çdo njeri, në çdo kohë, ka një shans të ri, një fillim të ri

Kryeministri Berisha: Për çdo njeri, në çdo kohë, ka një shans të ri, një fillim të ri

Km.gov.al
03/01/2008

Kryeministri Berisha vizitoi sot, Qendrën Kombëtare të pritjes së viktimave të trafikimit, ku u takua me stafin drejtues të qendrës, si dhe me gra e vajza të cilat trajtohen në këtë qendër.

Duke uruar Vitin e Ri, Kryeministri përgëzoi drejtuesit e qendrës për punën e mirë në drejtim të rehabilitimit të të strehuarve, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të qeverisë për të gjitha këto përpjekje, në mënyrë që te trajtuarit të kthehen sa më shpejt në jetën normale të përditshme. “Për çdo njeri, në çdo kohë, ka një shans të ri, ka një fillim të ri”- u shpreh kryeministri. Kryeministri theksoi se këtyre vajzave dhe grave duhet tu krijohen të gjithë kushtet, si nëpërmjet trajtimit të tyre psikologjik, ashtu dhe nëpërmjet aftësimit të tyre në profesione të ndryshme.

Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, hartimin e një programi të veçantë për punësimin e tyre, në bazë të kualifikimit që marrin në këtë qendër. Gjithashtu, Kryeministri kërkoi që kurset ekzistuese të analfabetizmit të zgjerohen dhe të kthehen në shkolla të posaçme, me mësues të specializuar.

Ndër të tjera, kryeministri kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet njësisë së Koordinatorit Kombëtar të luftës kundër trafikimit njerëzor dhe prokurorisë, si dhe policisë kriminale për të ndihmuar në kapjen sa më të shpejtë të të gjithë atyre që favorizojnë këtë fenomen të rëndë, dhe vendosjen e tyre para ligjit. “Koordinatori kombëtar i luftës kundër trafikimit të njerëzve duhet të vëzhgojë punën e policisë kriminale në këtë drejtim , të lidhet me Prokurorinë e Përgjithshme dhe kudo që ndodhen në mënyrë që ata që kanë favorizuar, ata që kanë imponuar skllavërimin e tyre duhet të marrin përgjigjen më të merituar ligjore. Në këtë mënyrë ne shkojmë drejt mbylljes së kësaj plage të rëndë.” Tha kryeministri

Më pas, Kryeministri Berisha vizitoi mjediset e brendshme të qendrës dhe u takua me vajzat e strehuara aty. Kryeministri i siguroi ato se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për tu krijuar atyre mundësi reale të integrimit me dinjitet në jetën normale.

Në këtë aktivitet Kryeministri shoqërohej nga Zëvendësministrja e Brendshme dhe njëkohësisht koordinatorja Kombëtare e qeverisë në luftën kundër Trafikimit të Njerëzve, zonja Iva Zajmi, si dhe Zëvendësministrja e Punëve dhe Çështjeve Sociale, zonja Marjeta Zaçe

Qendra Kombëtare e Pritjes së viktimave të trafikut është një qendër që funksionon me financimet e buxhetit të shtetit. Gjatë viti 2007 në këtë qendër janë trajtuar rreth 86 gra dhe vajza shqiptare, dhe 1 e huaj viktima të trafikut, ndër të cilat, 60 % janë minorene të moshës 14-18 vjeç. Gjithashtu qendra ka marrë në trajtim gjatë 2007 edhe 4 fëmijë.

Qendra ofron shërbime të akomodimit, shërbime mjekësore, psikologjike, si dhe bën pregatitjet e para për integrimin në jetën e përditshme të të reahabilituarave. Në qender zhvillohen tre kurse profesionale, si  dhe një kurs kundër analfabetizimit.

Ne fjalen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Të nderuar punonjës të kësaj qendre. Kam ardhur, së pari, për tu uruar vitin e ri, punonjësve të kësaj qendre dhe vajzave që janë këtu , për tu shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë në të gjithë përpjekjet tuaja për një rikthim sa më të shpejtë të tyre në jetën normale të zakonshme. Për çdo njeri në çdo kohë ka një shans të ri, ka një fillim të ri. Ne me një ndjenjë të thellë përgjegjësie duhet të bëjmë çdo përpjekje që këtyre motrave,  dhe vajzave tu krijojmë shansin për një fillim të ri, të cilin ato duhet ta kenë si nëpërmjet trajtimit të tyre psikologjik ashtu dhe aftësimit të tyre për të përmbushur profesione sa më tërheqëse për punësim.

Mund të hartohet një program i veçantë për punësimin e tyre dhe në këtë kontekst Ministria e brendshme dhe Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale duhet ta shqyrtojnë qartësisht këtë në mënyrë që edhe me nje vendim  të posaçëm ti punësojmë mbi bazën e kualifikimit që ato morën në këtë qendër. U fol këtu edhe për kurset e analfabetizmit, të cilat nuk duhet të mbeten kurse, por duhet të ngrihen klasa të rregullta si në shkolle, të vinë mësuesit këtu, për të dhënë mësim të rregullt.

Unë dua  ti uroj vajzat , ti përshëndes, tu sjell të gjithë përshëndetjet e qeverisë dhe ti siguroj për një vendosmëri të madhe tonën për tu krijuar atyre shansin e një fillimi të ri, e drejtë kjo e çdo njeriu, për tu krijuar atyre mundësi reale të integrimit me dinjitet mbi në jetën normale. Duhet bërë gjithçka që të mos ndihen pasojat e izolimit. Ato duhet të ndihen sa më të vlerësuara, më të integruara dhe ta ndjejnë se qeveria e trajton me përgjegjësi të plotë rastin e tyre dhe të të gjitha atyre që duhet të kthehen. Është shumë pozitive që qendra ka shtuar aktivitetin, por ne do të përpiqemi, sidomos me anë të marrëveshjeve të riatdhesimit, të përpiqemi derisa ta mbyllim këtë plagë të krijuar. Ju siguroj se nga ana jonë përpjekjet do të jenë shumë serioze për ta përballuar këtë problem.

Zonja Iva në cilësinë e koordinatores dhe të zëvendësministres së brendshme , një nga detyrat kryesore të ministrisë dhe stafit do të jetë vendosja përpara ligjit e këtyre kriminelëve. Të gjitha ata që kanë marrë pjesë në procesin  e trafikimit të tyre, cilido që të jetë, prind apo familjar , duhet të përballen me ligjin dhe kjo duhet të jetë një nga linjat më prioritare të punës së Koordinatorit Kombëtar të luftës kundër trafikut të njerëzve. Koordinatori duhet të vëzhgojë punën e policisë kriminale në këtë drejtim , të lidhet me Prokurorinë e Përgjithshme dhe kudo që ndodhen në mënyrë që ata që kanë favorizuar, ata që kanë imponuar skllavërimin e tyre duhet të marrin përgjigjen më të merituar ligjore. Vetëm në këtë mënyrë ne shkojmë drejt mbylljes së kësaj plage të rëndë për të gjithë shoqërinë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. Liri thotë:

    4 January 2008 @ 6:14 pm

    Per mendimin tim Kryeministri yne i nderuar mban pergjegjesine kryesore se perse rreth 30 000 vajza dhe gra shqiptare u trafikuan gjithe keto vite neper rruget e Botes.
    Do kishte bere mire te shkonte tek ato e tu kerkonte te falur per cfare u kishte ndodhur atyre te shkretave edhe per faj te tij.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com