Nesti Nase: Kadriu tërhoqi Sigurimin e Shtetit nga vëzhgimi i Pentagonit

Zbulimi i Shqipërisë së vogël, ka pasur për objektiv Pentagonin e madh! Ndodhia e pabesueshme zbulohet për herë të parë në gjyqin e Kadri Hazbiut.

Afrim Imaj

Nesti Nasja, kreu i diplomacisë komuniste që është thirrur për të penalizuar kolegun e tij, njeriun që për shumë vite ka drejtuar Sigurimin e Shtetit, e ka veçuar këtë fakt për të provuar veprimtarinë agjenturore të Kadri Hazbiut, i cili sipas tij ka orientuar strukturat e Zbulimit të Jashtëm për t’u marrë kryesisht me emigracionin, duke sabotuar porosinë për t’u futur në organet e Pentagonit, që të marrë të dhëna mbi veprimtarinë e tij. Kjo manovër e fshehtë për ish-ministrin e Jashtëm ka pasur për qëllim shmangien e identifikimit të aktivitetit agjenturor të Mehmet Shehut, i cili ka qenë pjesë e spiunazhit amerikan që nga vitet e luftës(!). Pavarësisht sa bindës tingëllon argumenti për lidhjet me agjenturën amerikane, për trupin gjykues mbetet provë e pakontestueshme që i shtohet aktakuzës të shërbimeve të Kadri Hazbiut ndaj UDB-së e KGB-së. Gjithsesi, Nesti Nase dëshminë e tij nuk e ka kufizuar vetëm me lajmet për Pentagonin. Pozicioni që ka pasur prej vitesh si diplomat karriere i ka dhënë mundësinë të njihet nga afër me aktivitetin agjenturor të Kadri Hazbiut dhe grupit të tij komplotist jashtë vendit. Në koleksionin e ish-ministrit të Jashtëm është regjistruar mënyra si është shitur pas vitit ’60 te zbulimi sovjetik, rezidenca e sigurimit shqiptar në Moskë, praktikat e fshehta nëpërmjet të cilave Hazbiu përzgjidhte njerëzit e tij për ambasadat shqiptare në Evropë e deri tek përçmimi që ai i ka bërë në një mbrëmje festive në Tropojë njërit prej sekretarëve të KQ të Partisë. “Kadri Hazbiu ishte beniamini i Mehmet Shehut. Në çdo rast Kadriu hidhte lule për Mehmetin dhe Mehmeti hidhte lule për Kadriun”, do ta stigmatizonte Nesti Nase në përfundim të dëshmisë ish-kolegun e tij. Po si rrodhi debati midis tyre, cilat ishin përgjigjet e njeriut të kryqëzuar si agjent i dhjetëra agjenturave…
ARANIT ÇELA: Të kemi thirrur ty Nesti Nase për të na dhënë atribuime në drejtim të të pandehurve Feçor Shehu, Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga Gani Kodra, Ali Çeno dhe Llambi Peçini. Shkurt çfarë di ti…
NESTI NASE: Kadri Hazbiun e kam njohur në vitin 1946, në atë kohë kur unë kam qenë shef i sigurimit të regjimentit dhe ai ka qenë shef i sigurimit të ushtrisë. Kam pasur një takim vetëm lidhur me çështjen e martesës në atë kohë pastaj më vonë e kam njohur ose kam pasur kontakte të thuash me të në vitin 1960, kur unë kryeja detyrën e ambasadorit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kadri Hazbiu ka ardhur disa herë aty, kam konstatuar kontaktet e tij shumë të ngushta me personalitetet e larta të sigurimit sovjetik, por kam për të thënë këtu një veprim që mu duk qysh atëherë i padrejtë se ishin pikërisht organet e sigurimit që prenë lidhjet për herën e fundit me organet e sigurimit sovjetik. Gjithashtu, kam për të thënë që në BS kishte një rezident që quhej Ismail Qineti, ky ishte në rrjetin e tij agjenturor midis studentëve dhe një ditë mësova që këtë rrjet agjenturor Ismail Qineti ia kishte dhënë organeve sovjetike, pikërisht në atë moment kur marrëdhëniet tona qenë acaruar shumë. E thërres Ismail Qinetin dhe i them përse ke vepruar në këtë mënyrë, ai më thotë se kam vepruar në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme. Më vonë me Kadri Hazbiun kam pasur kontakte të rregullta, domethënë të shpeshta gjatë kohës që u bëra ministër i Jashtëm. Nga viti 1966 dhe në këtë kohë kontaktet tona nuk qenë vetëm midis dy kolegëve, dy ministrave, por qenë edhe më të ngushta sepse në atë kohë zbulimi politik dhe ushtarak ishte inkluduar bashkë me Ministrinë e Jashtme dhe Ministria e Jashtme si të thuash drejtonte anën politike, kurse problemet operative drejtoheshin nga Ministria e Brendshme nga Kadri Hazbiu.
ARANIT ÇELA: Çfarë lidhje kishte midis Kadiut dhe Mehmet Shehut
NESTI NASE: Në shumë raste kam vënë re që Mehmet Shehu i hidhte lule Kadri Hazbiut, po ashtu dhe Kadri Hazbiu i hidhte lule Mehmet Shehut. Lulet ishin të tilla domethënë. Që ky përkrahte çdo gjë të Mehmet Shehut, ashtu dhe Mehmet Shehu përkrahte çdo gjë të Kadri Hazbiut. Bile kishte raste të tilla që binin në kundërshtim me vijën e partisë dhe Kadri Hazbiu ngrihej në mënyrë imponuese ashtu me atë tonin e tij për të përkrahur në çdo gjë Mehmet Shehun dhe për gjithçka. Kadri Hazbiu ishte njeriu më i afërt, njeriu më i ngushtë i Mehmet Shehut dhe mund të them që në çdo rast ai i referohej atij, domethënë “Më tha Mehmet Shehu” “I thashë Mehmet Shehut”. Do të them një rast. Ishte viti 1977, isha me shërbim në Tropojë, aty gjatë mbrëmjes erdhi dhe Kadri Hazbiu, ndenji vetëm një natë, ku u mblodhën sigurisht shokët e rrethit, udhëheqja e rrethit, atje u bënë diskutime të ndryshme. Kadri Hazbiu jepte mendimet e tij me një lloj euforie. Në një rast ndërhyj unë, sepse dha një mendim që binte në kundërshtim me porosinë e partisë dhe i them që nuk është kështu, sepse sekretari përkatës dhe i them emrin e sekretarit të KQ më ka thënë kështu, kështu; “Lëre more atë, tha, ç’më flet për atë mua ti, shtoi me nervozizëm dhe urrejtje Kadri Hazbiu. Kishte një fare urrejtjeje, përbuzjeje për sekretarët e Komitetit Qendror. Kadri Hazbiu kishte filluar vitet e fundit të krijohej ideja se ishte një udhëheqës i shquar, se ishte masovik dhe punonte në këtë drejtim, punonte në mënyrë sistematike që t’ia arrinte këtij qëllimi që të dalloheshe midis të tjerëve si i shquar, si person i aftë për të zgjidhur gjithçka, si njeri masovik që dinte hallet e popullit, hallet e njerëzve, u qante hallet, pra e shikoje kudo vetëm e vetëm që t’i krijonte vetes tij dhe të bënte dallimin midis udhëheqësve të partisë e të shtetit, pra siç thashë e donte këtë dhe punonte në këtë drejtim edhe për ngritjen e kultit të tij gjë që nuk punonte vetëm, por punonin edhe anëtarët e familjes së tij që e ngrinin në qiell Kadri Hazbiun për punën e tij, njeri i palodhshëm, njeri që punon ditë e natë. Ia kam thënë këtë Kadriut hapur. Në ballafaqimin që bëmë se si më ka thënë vetë vajza e tij e madhe se babai lodhet shumë dhe sidomos pas vdekjes të sekretarit të Komitetit Qendror la të kuptojë direkt hapur që i takon një post më i madh domethënë i takon vendi i sekretarit të Komitetit Qendror. Kështu që Kadri Hazbiu ka aspiruar për më tepër pushtet, për më tepër poste dhe në mënyrë të veçantë për të arritur në atë që bashkë me Mehmet Shehun kishte qëllimet e veta komplotiste të marrjes së udhëheqjes së partisë dhe të pushtetit.
Një punë shumë të poshtër ka bërë Kadri Hazbiu lidhur me çështjen e zbulimit. Thashë qysh në fillim që zbulimi ka qenë i inkluduar për një farë kohe nga ’67, deri në ’71, në Ministrinë e Jashtme dhe kishim bashkëpunim, por çështja e përgatitjes e zgjedhjes, e dërgimit të kuadrit qoftë nga ana profesionale qoftë nga anët e tjera po i bëheshe nga Kadri Hazbiu. Mund të them se kjo zgjedhje është bërë me njerëz të paaftë, njerëz që nuk i përgjigjeshin detyrës, jo vetëm në kuptimin profesional, por dhe në kuptimin e përgatitjes së tyre kulturore. Nga ana tjetër janë dërguar persona të ndryshëm që ishin “djegur”, që ishin deshifruar nga zbulimet e huaja. Do të them nja dy raste. Rasti i Perlat Çaushit. Perlat Çaushi ish-kryetari i Degës së Vlorës dhe në kohën që ai ishte kryetar dege në Vlorë, ai kishte lidhje me kapitenin e një motobarke, i cili u arratis nga Himara dhe kur shkoi jashtë shtetit bëri një serë deklaratash kundër vendit tonë, por foli dhe për lidhjet që kishte me Perlat Çaushin. Pikërisht në këtë kohë, Perlat Çaushi, propozohet që të vejë këshilltar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi u bisedua ky problem edhe unë në atë kohë i them që kjo s’është e drejtë se ai është i deshifruar, por u insistua dhe u dërgua në Vjenë gjoja sikur në Vjenë zbulimi amerikan nuk vepronte atje. Raste të tjera ka pasur të natyrës së saj që vendet e ndryshme jo vetëm që kishin deshifruar, por dhe kishin shkruar në shtypin e tyre siç ishte rasti i Mustafa Kadiut në Beograd që ishte shkruar disa herë që ai ishte zbulues shqiptar. Megjithatë Mustafa Kadiu u dërgua përsëri aty si këshilltar gjë që ishte dhe në kundërshtim me porositë e Sekretarit të KQ, por edhe vetë të interesit të punës si zbulues i deshifruar prej kohësh nga organet e kundërzbulimit jugosllav.
ARANIT ÇELA: Po tjetër rast…
NESTI NASE: Rasti më tipik ka qenë ai i Skënder Konicës kur u vendos që të dërgohet ambasador në Itali. Shtypi Italian shkroi për Skënder Konicën si zbulues, për personat me të cilët ai ka pasur lidhje, etj., etj. Të kësaj natyre ka patur edhe raste të tjera.
ARANIT ÇELA: Tjetër Nesti Nase…
NESTI NASE: Për një kohë të gjatë domethënë, nga viti 1961 dhe deri në vitin 1968 pak përpara agresionit Çekosllovakisë, Kadri Hazbiu zvarriste ngritjen e rezidencave në vendet e Evropës Lindore, me arsyen se rrezikun tashmë nuk e kemi nga Lindja, por nga Perëndimi. E thoshte hapur që nga Lindja nuk duhet të punonim në kuadrin e zbulimit, sepse dihej që vetë rezidenturat e këtyre vendeve në Shqipëri vepronin dhe vetë organet e kundërzbulimit tonë kishin fakte të shumta që vërtetonin pikërisht veprimtarinë e këtyre zbulimeve të huaja.
Një gjë tjetër që kishte të bënte me çështjen e zbulimit dhe që ishte thelbi i punës së veprimtarisë së zbulimit ka qenë orientimi që ka dhënë Kadri Hazbiu në bazë të porosive të Mehmet Shehut që zbulimi ynë jashtë duhet të merret kryesisht me emigracionin, domethënë nuk duhet të tentonte dhe nuk duhet të përpiqej të punonte që të futej si të thuash në organet e Pentagonit, në organet politike e të ushtrive të ndryshme siç porosiste udhëheqja, në mënyrë që të merrte të dhëna më të plota mbi veprimtarinë e këtyre forcave armiqësore kundër vendit tonë dhe këtë e bënin pikërisht jo sepse nuk ishin mundësitë që Zbulimi ynë të futej në këto sfera politiko-ushtarake të larta, por sepse ruheshin se mos shfrynte diçka domethënë lidhur me punën agjenturore që bënte Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe të tjerë. Nga ana tjetër lidhur me çështjen e zbulimit, Kadri Hazbiu ka ndjekur atë politikë që ta vinte zbulimin mbi Partinë edhe sidomos marrëdhëniet midis punonjësve të ambasadës dhe punonjësve të organeve të zbulimit kanë qenë të tensionuara në shumë raste. Raste të kësaj natyre mund t’i kujtoj Kadri Hazbiut në Beograd, në Paris, në Vjenë e të tilla, por kishte një cilësi të veçantë Kadri Hazbiu dhe e ka pasur këtë jo vetëm dinakërinë, por edhe si hileqar që ka qenë ka ditur kurdoherë që kopilin t’ia lerë në derë tjetërkujt.
vijon nesër…

“Sadik Premten në Paris e plagosi Llambi Peçini”

Atentati ndaj Sadik Premtes, në Paris mbeti në tentativë. Qysh herët ka pasur një plan për zhdukjen e tij të hartuar nga Mehmet Shehu. I thirrur në cilësinë e dëshmitarit, Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, jo rastësisht e nis rrëfimin e tij me zbardhjen e një bisede të panjohur të Mehmet Shehut me Sadik Premten në vitet e luftës për të shtënë në dorë Komitetin Krahinor të Vlorës nëpërmjet një manovre monstruoze. Dështimi i këtij komploti do ta mbante peng Mehmet Shehun, tek njeriu që do të anatemohej nga partia komuniste dhe Enver Hoxha si armik i betuar i saj, i cili fill pas çlirimit do të emigronte në Paris. Pikërisht për t’i shpëtuar këtij pengu ish-kryeministri, sipas Ziçishtit, do të organizonte një akt terrorist për të zhdukur Sadik Premten. Këtë mision misterioz, u shpreh në proces ish-ministri i Shëndetësisë, Mehmet Shehu do t’ia besonte Llambi Peçinit, i cili nuk do të nguronte për të qëlluar mbi Premten në mes të Parisit, por vetëm sa do ta plagoste. Më tej, ish-ministri i Shëndetësisë i dënuar si një nga puçistët e përmbysjes së pushtetit popullor,do të sillte në proces të tjera dëshmi për të provuar platformën armiqësore të grupit antiparti, që sipas tij kishte filluar aktivitetin qysh në kohën e luftës. Mjaft prej tyre do të konfirmonin deponimet e dëgjuara në seancë nga Fiqrete Shehu, Mihallaq Ziçishti, Nesti Nasja, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Gani Kodra, etj., të cilët mesa dukej kishin pranuar bashkëpunimin me hetuesinë në kompensim të shpëtimit të jetës. Nga aq sa u mundua të tregojë Llambi Ziçishti, krijoi përshtypjen se ishte thirrur për të provuar lidhjen e Mehmet Shehut me agjenturën amerikane. Episodi i takimit të ish-kryeministrit me një spiun të SHBA-së, në Paris kur ishte për kurim në vitin ’72, dhe shkëmbimi i mesazheve agjenturore me të në vitin ’73, kur erdhi si turist në Durrës, shpjegohej prej tij si një skenar i fshehtë i Mehmet Shehut. Sidoqoftë jo çdo gjë nga rrëfimi i ish-kreut të shëndetësisë ia arriti qëllimit, pasi ballafaqimi me të akuzuarit, nxori zbuluar shumë nga deponime e sajuara në hetuesi.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com