Nepravishta: Konsultime për çmimin e energjisë

Drita Çokaj
Rilindja Demokratike
4 Dhjetor 2007

Në mars 2008 do të ketë tarifa të reja energjie. Shtresat në nevojë do të jenë fokusi i qeverisë shqiptare

Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, deklaroi dje se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndodhë dhe se një vendim i tillë do të vijë pikërisht në kohën e duhur, si dhe kur të jenë përmbushur të gjitha kriteret e një studimi të plotë nga ana e Entit Rregullator të Energjisë. Në kundërpërgjigje të çdo zëri bërë së fundi, Nepravishta pohon se është e vendosur për marrjen e një vendimi final. Në këtë mënyrë, kreu i ERE-s bën të qartë faktin se rritja e çmimit të energjisë elekrike, në respekt të kërkesës së KESH-it, të bëhet në një moment më të vonë. Sipas tij, lënia akoma në fuqi e çmimeve aktuale nuk ka të bëjë me mohimin e kësaj kërkese. “Aktualisht, ne kishin parashikuar si institucion që deri në fund të dhjetorit të vitit 2007 të përcaktonim çmimin e tarifave të reja të energjisë elektrike për vitin 2008, por duke u nisur nga kushtet specifike metereologjike, të cilat ndryshuan dukshën në muajin nëntor dhe dhjetor, u krijua një situatë e re e rezervës hidroenergjitike”, u shpreh Nepravishta. Sipas tij, duke qenë se ne jemi duke punuar në kuadër të privatizimit të Sektorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për metodologjitë e reja, të tarifave, çmimeve për furnizimin, shpërndarjen dhe gjenerimin, të cilat do të miratohen në tremujorin e parë të këtij viti, është parë e arsyeshme që të lihen në fuqi çmimet ekzistuese deri më 29 shkurt të vitit që vjen. Më tej, Nepravishta ka vënë në dukje se “është folur në media dhe shtyp, dhe është krijuar një opinion që ERE nuk do të ndryshojë çmimet e energjisë elektrike, duke mos pranuar kërkesën e KESH-it, por në lidhje me këtë përshtypje, unë mund të them që ne asnjëherë nuk jemi shprehur se nuk do të ndryshojmë në asnjë rast çmimet e enrgjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, por kemi shprehur publikisht se çmimet e reja do të vendosen në një kohë më të vonët”. Propozimi i KESH-it, tha kreu i ERE-s, do t’i nënshtrohet një studimi dhe analize të hollësishme nga ana e kësaj të fundit. Bëhet fjalë për një analizë lidhur me të dhënat që KESH ka paraqitur në ERE, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët e tjerë. Kështu, në bazë të këtij shqyrtimi, Enti Rregullator, brenda 28 shkurtit të 2008-ës, do të marrë një vendim për të vendosur të gjitha çmimet dhe tarifat e reja të energjisë elektrike.

Masat e marra nga ERE në drejtim të privatizimit të KESH-it

Një tjetër objektiv i rëndësishëm i punës së Entit Rregullator është ai për hartimin e legjislacionit për privatizimin e Sektorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Për këtë, ERE është duke punuar. Sipas Nepravishtës, ERE ka krijuar një kuadër të ri ligjor, i cili konsiston në hartimin e metodologjive të llogarive, për të unifikuar nga pikëpamja kontabël të gjitha llogaritë e licensuara, sipas standardeve ndërkombëtare dhe Ligjit të kontabilitetit në vendin tonë. Njëkohësisht është hartuar modeli i ri i tregut të energjisë elektrike dhe përveç kësaj, është hartuar kuadri ligjor, i cili ka të bëjë me procedurat, rregullat e tregut, procedurat e licensimit, kodet e transmetimit të shpërndarjes dhe të matjes, si dhe i gjithë kuadri tjetër i nevojshëm që do të lejojë privatizimin e Sektorit të Shpërndarjes. I gjithë ky material, që përbën një volum të madh, është hartuar në bashkëpunim me konsulencën e USAID-it që asiston ERE dhe tani kjo e fundit është në fazën e përmbylljes së të gjitha sugjerimeve të palëve të interesuara për të përgatitur projektin përfundimtar. Kështu parashikohet që brenda tremujorit të parë të vitit që vjen, Bordi i Komisionerëve të miratojë të gjithë legjislacionin për këtë qëllim.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com