Nishani e Prençi në Kakavijë për të kthyerit nga Greqia

26/07/2007 Ministri i Brendshëm dhe kreu i policisë njihen më nga afër me procedurat

Metropol

Krerët e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit shohin nga afër kushtet dhe procedurat e pritjes dhe trajtimit të personave të kthyer në pikën e kalimit kufitar nga Greqia. Burimet zyrtare thanë se ministri i Brendshëm Bujar Nishani, zv/ministrja Iva Zajmi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, së bashku me përfaqësues të ambasadës amerikane dhe të misionit policor ICITAP vizituan qendrën e GOS (Grupi Operativ Special) në Kakavijë. I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane Stephen Cristina u interesua posaçërisht për formimin profesional të punonjësve të grupit, teknologjinë e informacionit që përdorej në qendër dhe mënyrën e trajtimit të viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore. Shefi i Policisë Kufitare Gjirokastër Elton informoi mbi rolin e organizatave joqeveritare për trajtimin e personave viktima të trafikut apo të traumatizuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Kryekomisar Ahmet Prençi u shpreh gjatë vizitës se në drejtoritë e qarqeve ekziston baza e të dhënave për personat e trafikuar dhe trafikues si dhe vendqëndrimet e tyre. Zv/ministrja e Brendshme Iva Zajmi kërkoi nga punonjësit e kësaj qendre që të përmirësojnë në mënyrë të veçantë trajtimin human të personave të kthyer nga kufiri grek. Zajmi shprehu nevojën e shtimit të pranisë së punonjëseve sociale gjatë intervistimit të personave të mundshëm të trafikuar apo të personave të traumatizuar. Në përmbyllje të vizitës ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerësoi se zotërimi i bazës së të dhënave në drejtoritë e qarqeve, instalimi i programit TIMS në pikat e kalimit kufitar dhe qendrat e GOS si dhe bashkëpunimi me organizatat joqeveritare do të mundësojnë për personat e kthyer në pikat e kalimit kufitar një trajtim human, dinjitoz dhe sipas parametrave evropianë. Ministri Nishani u shpreh gjithashtu se në këtë mënyrë do të rritet forca goditëse ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore.

M. Mullai

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com