Kreshnik Qato: “Më kërcënon ish menaxheri im”

Boksieri shqiptar në Angli ka dërguar një e-mail në redaksi: Më kanë kërkuar para

Qato: Më kërcënon ish menaxheri im

“E kam të incizuar, po heton policia britanike”

ALTIN LATIFI
a.latifi@gazetashqiptare.com

Gazeta Shqiptare

Emri i tij nuk është një dosido për shqiptarët që banojnë në Angli. Por kohët e fundit, boksieri shqiptar Kreshnik Qato është bërë një objekt kërcënimesh të vazhdueshme nga njerëzit që dikur i rrinin në krah. Është vetë kampioni durrsak ai që me një email të dërguar në redaksinë e “Gazetës Shqiptare”, akuzon ish menaxherët e tij se për shkak të ndërrimit të sponsorit, e kanë kërcënuar vazhdimisht. Sipas Qatos, gjithçka ka lindur disa muaj më parë, kur sponsori i tij u bë kompania “Yldon Bullit” dhe presidenti i saj Ylli Ndroqi. Që atëherë ndaj një prej shqiptarëve më të njohur në botën e sportit europian, kanë lindur një mori kërcënimesh, për të cilat vetë boksieri thotë se i ka të incizuara dhe se për to janë duke hetuar edhe autoritetet britanike. Madje, “fushata” kundër tij nuk ka qenë vetëm me kërcënime, por edhe me shkrime në faqe interneti apo bloge, ku qëllimi ka qenë denigrimi i figurës së Kreshnik Qatos. “Gjithçka që është shkruar në këto artikuj nuk janë të vërteta. Shpifjet janë produket i një gazetari të shitur tek disa biznesmenë që deri dje më ngrinin krah dhe sot kanë filluar të më sulmojnë në një mënyrë fare të ulët duke përdorur anonimatin nëpër faqe interneti”, shkruan Qato në e-mailin e tij.

KËRCËNIMET

“Është e vërtetë që kam marrë kërcënime nga të vetëquajtur menaxherët e mi, por nuk dua të jap detaje të mëtejshme, pasi incidenti është duke u hetuar nga organet përkatëse. Për këtë, krahas organeve britanike kam njoftuar edhe ministrin Bujar Leskaj, që më ka mbështetur gjithmonë”. Me këto fjalë, Kreshnik Qato akuzon njerëzit që dikur i kishte pasur në krah se e kanë kërcënuar dhe madje i kanë kërkuar një shumë të majme eurosh, për shkak të ndihmës që ata pretendojnë t’i kenë dhënë. “Dua të shtoj se disponoj të incizuar kërcënimin e tyre, bërë disa muaj më pare gjatë një takimi dhe kërkesën për t’i paguar atyre një shumë të konsiderushme eurosh, me demek për mundin që ata kanë dhënë për mua”, shprehet Qato në e-mailin e tij. Arsyeja e vërtetë, është braktisja e menaxherit të tij të mëparshëm (ka qenë Besnik Berisha) dhe gjetja e një sponsori të ri, një gjë e natyrshme kjo për çdo njeri që merret me sportet individuale në Evropë.

SHKAKU KONFLIKTIT

Gjetja e një sponsori të ri, pikërisht kompania “Yldon Bullit Energy Drink”, ka qenë pikënisja e akuzave ndaj Kreshnik Qatos, boksierit shqiptar që banon në Londër. Në e-mailin dërguar dje në redaksinë e “Gazetës Shqiptare”, Qato nuk përmend emra, por thekson se historia e kërcënimeve ka qenë si pasojë e inatit të atyre që “e quanin veten menaxherë të tij”. “Kjo ka ndodhur menjëherë pasi unë gjeta një sponsor të ri, presidentin e kompanisë “Yldon Bullit”, Ylli Ndroqi, të cilin e falënderoj për mbeshtetjen që më ka dhënë deri më tani”, shton më tej Qato. Në të shkuarën, si menaxher të tij shqiptarët kanë njohur gjithnjë Besnik Berishën, i cili gjithashtu banon në Londër. Edhe pse ndaj tij është ndërmarrë një fushatë e egër nëpër faqe interneti apo forumi, boksieri me origjinë nga Durrësi thotë se gëzon respektin e komunitetit shqiptar në Londër, të cilët e kanë mbështetur jo pak në ringjet angleze. “Shqiptarëve të Anglisë u jam mirënjohës për gjithë jetën, janë pjesë e suksesit tim”, shkruan Qato në e-mailin në adresë të “Gazetës”.

Hakmarrja, në Londër i grisën posterat e ndeshjes

Nuk janë vetëm kërcënimet dhe kërke sat për para pjesë e fushatës hakmarrëse ndaj Kreshnik Qatos. Boksieri shqiptar thotë se gjërat kanë shkuar deri aty, sa atij i janë grisur edhe posterat para ndeshjes në rrugët e Londrës, gjë që ai vetë e quan një gjest paturpësie. Ngjarja ka ndodhur në ndeshjen e fundit që durrsaku ka zhvilluar në kryeqytetin anglez para pak kohësh. “Po me atë paturpërsi që më kanë sulmuar në faqe interneti, persona të ndryshëm grisën posterat e mi përpara ndeshjes së fundit në Londër”, shkruan Qato në e-mailin e tij. Gjithsesi, në ndeshjen e tij nuk munguan tifozët shqiptarë, kjo edhe për shkak se thuajse të gjithë e kishin marrë vesh për takimin që kishte boksieri kuqezi, ai që në Londër e thërrasin shkurt: “Niku”.

Kush ështëm Kreshnik Qato?

I lindur më 13 gusht 1978 në Durrës, Kreshnik Qato është boksieri i dytë më i njohur shqiptar në Evropë, pas Luan Krasniqit. Ai e ka nisur bokrin që në vitin 1992, kur fitoi titullin kampion për të rinj dhe ka pasur një karrierë të pasur sportive. 4 vjet më vonë ai fitoi titullin e boksierit më luftarak në kampionatin e të rriturve në Shqipëri dhe më pas edhe Ballkaniadën. Më 16 tetor 2004, në Jaltë të Ukrainës shpallet kampion i Evropës Lindore, ndërsa më 5 mars 2005, në Durrës, fiton titullin kampion bote në versionin IBC për peshat super të mesme. Ndeshja e radhës për të do të jetë më 3 mars në Tiranë, kundër rusit Aleksandër Zaitsev, e vlefshme për titullin kampion Evrope për ekstrakomunitarët.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment

  1. Kreshnik Mustafa thotë:

    12 November 2007 @ 4:55 pm

    Tung ju pershendes un Kreshniku nga kosova dhe Kreshnik Qatos i deshiroj suksese ne t e ardhmen

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com