Mocioni ndaj Topallit, Topi: Opozita e varfër në ide

Gazeta Tema

25 Tetor 2006

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi, e cilësoi kërkesën e opozitës për mocion ndaj Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, si “varfërim në ide të opozitës”. 

“Shpreh keqardhjen që opozita parlamentare ndihet e varfëruar në ide dhe në implementimin e politikës së saj”, tha zoti Topi në një prononcim për mediat.

Ndonëse pohoi se ende nuk kishte një informacion për mocionin, zoti Topi tha se “vetëm nga konsultimet paraprake del që kërkesa për mocion nuk ka referencë qoftë në Kushtetutë, qoftë në rregullore”. Kreu i deputetëve demokratë u shpreh “opozita po e përdor në mënyrë rutinë të njëjtin instrument, që e ka ezauruar muaj më parë”.

“Duket sikur lufta politike e opozitës është varfëruar, aq sa merret thjesht me një target dhe një objektiv, ndërkohë që detyra e saj është mjaft e rëndësishme, pasi ka mjaft vend për të bërë oponencë dhe me luftën politike në parlament dhe për progamin e Qeverisë. Ne kemi një program të djathtë, ata kanë një program të majtë dhe realisht ka shumë probleme. Por, opozita nuk ka pasur kurajon as që ato të realizohen më mirë dhe as guximin për të kritikuar fenomenet”, tha zoti Topi.

Ndërsa për Kryetarin e Partisë Socialdemokrate (PSD), Skënder Gjinushi, kërkesa e dytë e opozitës për shkarkimin e  kryeparlamentares Topalli lidhet “me një sërë shkeljesh prej saj, që kanë të bëjnë me funksionimin e punës së Kuvendit.

“Një ndër shkeljet më flagrante është fakti se znj.Topalli ka lejuar ndryshimin e rregullores në mënyrë të njëanshme, gjë që krijoi për rreth dy muaj tension në seancat plenare të Kuvendit”, u shpreh zoti Gjinushi.

Formulohet kërkesa për shkarkim, por nuk depozitohet në Kuvend

Opozita: Pse kërkojmë shkarkimin e Topallit

Opozita ka formuluar ditën e djeshme kërkesën e saj për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, por ende nuk e ka depozituar atë zyrtarisht dhe protokolluar në zyrat e kryesisë së Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë rreshtuar 8 pika në kërkesën e tyre, sipas të cilave kryetarja e Kuvendit duhet të shkarkohet. Kërkesa e opozitës i drejtohet dy nënkryetarëve të Kuvendit, duke përdorur si bazë ligjore nenet 75 dhe 78 të Kushtetutës, si dhe nenin 114 të Rregullores së Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë kërkuar shkarkimin e Jozefina Topallit nga posti i kryetares së Kuvendit.

Në kërkesë theksohet se kryetarja Topalli ka shkelur nenin 76 pika 1 e Kushtetutës dhe nenin 7 pika 2 e Rregullores së Kuvendit, duke luajtur rolin e një nxitëseje të debateve dhe fyerjeve në Kuvend.

“Në vend të rolit drejtues e moderues të kryetares së Kuvendit, ajo ka luajtur rolin e nxitëses dhe mbështetëses së provokimeve e fyerjeve ndaj deputetëve nga ana e kryeministrit dhe ministrave të veçantë, nëpërmjet pjesëmarrjes së njëanshme dhe provokuese në debat”, - theksohet në kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit. Nga ana tjetër, opozita thekson se Topalli ka krijuar konflikt institucional me presidentin Moisiu , KLD-në dhe Prokurorin e Përgjithshëm, duke folur padrejtësisht në emër të Kuvendit. Sipas kërkesës, Topalli ka lejuar rregullisht procedura që kanë çuar në shkelje të Kushtetutës. Kryetarja e Kuvendit akuzohet nga deputetët e opozitës se ajo është bërë shkak edhe për bllokimin e reformës zgjedhore.

“Topalli ka futur fillimisht jashtë çdo rregulli procedurial propozimin për ngritjen e komisionit të reformës dhe veçanërisht duke shkelur hapur Kodin Zgjedhor”, - thuhet në kërkesën e opozitës. Topalli akuzohet nga opozita se ka lejuar e mbështetur ndryshimin e Rregullores së Kuvendit me synim heqjen e votës së fshehtë. Gjithashtu, ne kërkesë theksohet se Topalli ka shkelur Kushtetutën, teksa në mënyrë të jashtëligjshme mblodhi më datë 28 korrik, Kuvendin jashtë sallës së tij. Opozita thekson në deklaratën e saj se, kryetarja Topalli duhet të shkarkohet edhe pse ka ushtruar presion mbi median e pavarur për mostransparencë të punimeve në Kuvend.

Fatjona Mejdini

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Dajoshi thotë:

    25 October 2006 @ 8:40 pm

    Sapo pashe titullin, me shkoi mendja do ishte shkeputur nga Gazeta Tema ose Rrena dhe s’qenkam gabuar. Meroja perdorka edhe emra femrash?! ;)

  2. Ilira thotë:

    26 October 2006 @ 11:02 am

    Eshte nder te vetmet gazeta qe mbeshtesin poziten dhe ju ankoheni per liri shtypi.
    Mire qe se akuzon dhe per ndonje vrasje opozita, kryetaren e parlamentit.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com