Hija e bashkisë mbi selinë rozë

Alfred Peza

Gazeta Shqip

25 Tetor 2006

Kur ka kaluar mbi një vit nga qenia e Edi Ramës në krye të PS, mund të shihen më qartë disa tendenca të mënyrës së drejtimit nga ana e tij të kësaj partie dhe filozofia e punës që ai po mundohet të aplikojë si kryetar i saj. Duke lënë jashtë kësaj vëmendjeje, bilancin aritmetik të atyre që mund të quhen suksese, apo dështime të tij, apo të socialistëve në opozitë, ajo që mund të vihet re është tendenca që po përvijohet për mbylljen e kësaj partie, nga alternativat dhe zërat e mendimit dhe gjykimit ndryshe. Një tendencë që sa vjen e thellohet, e cila, nga njëra anë mund të sjellë pasoja negative për demokracinë e brendshme të kësaj partie, e për rrjedhojë edhe për politikën shqiptare. E nga ana tjetër, duket se kjo po realizohet nëpërmjet anës më të keqe të modelit që Edi Rama, ka krijuar në drejtimin e Bashkisë së Tiranës në 6 vitet e fundit.

Për ta bërë më të prekshme këtë, mjafton të kujtojmë praninë gjithnjë e më tepër në publik vetëm të Edi Ramës dhe të zëdhënësit të tij në PS dhe të një dërrase “të zezë”, ku shkruhen me shkumës, ato që Erjon Braçe shkruan apo boton një ditë më parë në gazetën “Zëri i Popullit”. Ndërkohë që, paralel me këtë, kemi gjithnjë e më pak të pranishëm në publik, emrat, zërin apo figurën e personaliteteve politike të kësaj partie, të cilët, mirë apo keq, kanë mbajtur mbi supe peshën e zhvillimeve politike, qeverisëse dhe elektorale të së majtës në këto 15-16 vite të tranzicionit në Shqipëri. Sepse nuk është e re të thuhet se PS tek artikulimi i mendimeve ndryshe dhe te debatet e hapura, te diversiteti i opinioneve dhe gjykimeve dhe te kjo shumëllojshmëri e figurave, e ka pasur suksesin.

Nuk ka rëndësi nëse ka kjo qenë rastësi ose jo, apo nëse për këtë kemi të bëjmë me një vendim të brendshëm të kryetarit apo forumeve drejtuese të kësaj partie. Rezultati është se pakkush mund të mbajë mend me saktësi se kur ka folur për herë të fundit në publik për të dhënë gjykimet e tyre për njërën apo tjetrën çështje Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Bashkim Fino etj., apo kur kanë qenë për herë të fundit të pranishëm në emisionet dhe debatet e ndryshme televizive për çështje që lidhen me politikat, programet apo reformat që kanë qeverisur dikur, Fatmir Xhafa, Ben Blushi, Blendi Klosi, Pandeli Majko, Ylli Bufi, Arben Malaj, Shpëtim Idrizi, Andis Harasani etj.

Edhe nëse nuk i ka penguar, pyetja shtrohet se, përse nuk i ka inkurajuar dhe nxitur Edi Rama këta dhe të tjerë politikanë të së majtës, që të jenë më prezentë dhe më aktivë në jetën politike përtej sallës së Parlamentit, apo mbledhjeve me dyer të mbyllura të forumeve drejtuese të kësaj partie, të cilat, edhe nëse nuk kanë filluar, rrezikojnë të reflektojnë së shpejti edhe brenda tyre, raportin që reflektojnë aktualisht në publik. Çka do të thotë se gradë-gradë, kjo parti po humbet, ose rrezikon të humbasë diçka nga liria dhe fryma e demokracisë së vet të brendshme.

Modeli ideal për funksionimin e një partie në një shtet demokratik, sigurisht që ndodhet larg modelit të ofruar në mbledhjen e KPD-së së famshme të PS, kur kryetar i saj ishte Fatos Nano. I cili sigurisht që përbën një nga modelet më të këqija të funksionimit të një strukture që presupozohet të jetë një bashkim vullnetar njerëzish dhe idesh rreth një programi dhe filozofie të përbashkët politike.

Por, kalimi nga ky ekstrem funksionimi dhe drejtimi të PS, drejt një ekstremi tjetër, në mos po kaq, ndoshta është më e rrezikshme se tendencat e dikurshme. Sepse kjo çon në asfiksimin e demokracisë së brendshme të një partie, për të cilën është mburrur aq shumë deri dje PS e që për të njëjtën arsye është kritikuar më shumë edhe nga liderët e asaj vetë, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Berisha. Nëse kjo tendencë po përvijohet tani që Edi Rama ende nuk i ka forcuar pozitat e tij si lider i kësaj partie dhe i të majtës në përgjithësi, merret lehtë me mend se ç‘mund të ndodhë nëse ai arrin të konsolidojë gjithnjë e më shumë kontrollin e piramidës socialiste.

Kjo dhe artikulimi dhe nxitimi për të vënë në jetë teorinë e tij se gratë janë forca kryesore ku ai synon të mbështetet për drejtimin në perspektivë të PS, si qëllim gati në vetvete, janë dy nga shenjta kryesore që tregojnë se Rama po kërkon të zgjasë hijen e Bashkisë së Tiranës, mbi selinë rozë, për nga mënyra e menaxhimit dhe drejtimit të tyre. Zgjedhja e kryetares së re të FRESSH-it, caktimi i shefes së shtabit të tij elektoral për mandatin e tretë të Bashkisë dhe harxhimi i energjive për zgjedhjen e kryetares së re të gruas, kur edhe pak ditë na ndajnë nga fillimi i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, janë disa nga shenjat që flasin për këtë tendencë. Ajo për të cilën Rama është kritikuar apo këshilluar menjëherë sapo u bë kryetar i PS, ishte fakti se ai duhet të konsideronte partinë dhe bashkinë, si dy struktura krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Për mënyrën e funksionimit, menaxhimit dhe drejtimit të tyre, në raport me njerëzit dhe strukturat që i përbëjnë ato. Pas kësaj, ndoshta ka ardhur koha që të pyesim nëse a mund të ketë dy Rama brenda Edit?!

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com